| E diele, 03.07.2022, 08:25 PM |
Tomë Mrijaj sjell në librat e tij kontributet e figurave të shquara të kombit
Nga
Entela Binjaku
Në një
intervistë dhënë për mediat shqiptare i pyetur sesi do të dëshironte që
njerëzit ta njihnin, patrioti shqiptar
me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Tomë Mrijaj shprehej: Dua që
njerëzit të më njohin ashtu sikurse jam….dashamirës i kulturës, historisë,
shoqërisë, Atdheut, vendlindjes, trojeve shqiptare”.
Tomë
Mrijaj, i lindur në Zllakuqan të Komunës së Klinës, u detyrua të largohej
herët nga Kosova, por e gjithë jeta e tij mbeti e lidhur ngushtë me vendin dhe
kombin. Ai si shumë shqiptarë të tjerë morën rrugën e emigrimit për arsye të
qëndrimeve politike dhe të përndjekjes së sistemit komunist të kohës.
Më
1978, Tomë Mrijaj vendoset përfundimisht në Nju York, të SHBA-së ku edhe sot
jeton e ndjek aktivisht zhvillimet në trojet shqiptare. Në fundin e viteve 70
shqiptarët në Nju Jork ishin ende të paktë në numër.
Aktiviteti
z. Mrijaj në shërbim të cështjes kombëtare zhvillohet në disa drejtime. Si
aktivist i palodhur ai i ka kushtuar me mijra faqe dëshmi të shkruara kushtuar
personaliteve të shquara të diasporës shqiptare. Tomë Mrijaj është autor i disa librave të
natyrës studimore, me profil historik. Qysh nga dita e themelimit, është anëtar
i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro- Amerikanë në ShBA.
Ai ka
shkruar libra monografikë artikuj dhe studime të ndryshme pothuajse për të
gjithë personalitetet shqiptare në Amerikë. Të tillë kanë qenë shkrimtari dhe
studiuesi i shquar mons dr. Zef Oroshi, themeluesi dhe drejtuesi i Kishës së
Parë Katolike Shqiptare në Amerikë, juristi Kapidan Ndue Gjomarkaj, prof. Zef
Nekaj, prof. Arshi Pipa, prof. Luan Gashi, prof. Rexhep Krasniqi personalitet i
shquar dhe Kryetar i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, gazetarja e famshme Nexhmije
Zaimi, personaliteti i shquar i botës shqiptare dhe lider i diasporës në SHBA
meshtari dom Anton Kçira etj.
Emrin
e Tomë Mrijajt e mbajnë këto botime: Monsinjor Dr. Zef Oroshi - Një
jetë e shkrirë për Fe e Atdhe. Jetëshkrim, 2021, Shkodër (ribotim), Një
jetë i përgjuar. Dosja e sigurimit e Mons.Dr. Zef Oroshit, Volaj, Shkodër 2020,
Log Kuvendit në trinomin fe - atdhe - perparim - Mons. dr. Zef Oroshi,
Shkodër, 2019, Abati i Mirditës, Imzot Frano Gjini, Tomë Mrijaj, Leonora
Laçi, 2018, Dom Anton Kçira në jubileun e 50 - vjetorit të meshtarisë,
Shkodër, 2017, Gjeneza e Familjes Mrijaj, Kujtime, Shkodër, 2015, Monsinjor
Dr. Zef Oroshi - Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe.
Jetëshkrim, 2009 Nju York, Ngjarje dhe portrete historike, jetëshkrime
të figurave të shquara shqiptare, botuar në Prishtinë, 2004, Marie Shllaku
bijë e Shkodrës martire e Kosovës, Monografi, botuar në Nju York, 2004, Dom
Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut, Monografi, botuar në Shkodër,
2002, Lidhja e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha,
Monografi, Nju York, 2002. Sërish në kuadër të shërbimit që ai I bën kombit
ishte pjesëmarrja e tij në muajin qershor në tri sesionet shkencore që
organizoi Shoqata
e Intelektualëve “Trojet e Arbërit”,
aktivitete kushtuar tre personaliteteve të historisë së kombit tonë: Mustafa
Krujës, Monsinjor Dr. Zef Oroshit
dhe Kapidanit Mark Gjon
Marku. Në jetëshkrimin e saj kjo shoqatë ka botuar afro 20 përmbledhje
shkencore librash prej mbi 350 studiuesish dhe ka mbajtur aktivitete të
ndryshme shkencore në qytete të ndryshme në Evropë, Kosovë e Shqipëri. Tomë
Mrijaj është një ndër eksponentët kryesorë të kësaj shoqate. Në mjediset e hotel “Luxori” në Prizren u mbajt Sesioni
shkencor kushtuar firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë Mustafa
Kruja, në Hotel “Lisa” në Lezhë u mbajt një sesion kushtuar Themeluesit të
Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju York Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe një Sesion tjetër
për Kapidanin Mark Gjon Marku, në Qëndren Kulturore për Fëmijë “Gjergj Lacaj”
në Lezhë
Në sesionin kushtuar Mustafa Krujës,
mbaji një kumtesë edhe z. Mrijaj I cili kishte udhëtuar nga Amerika për të qenë
i pranishëm në këto aktivitete. Fjala e tij titullohej: “Dritë fragmentale e
jetës dhe e veprimtarisë patriotike dhe enciklopedike e burrështetasit Mustafa
Merlika Kruja”.
Më tej sesioni vijoi me sesionin
kushtuar mons. dr. Zef Oroshit. Në këtë
ngjarje morën pjesë shumë të
ftuar, klerikë, studiues dhe historianë, publicistë etj. I pranishëm ishte edhe
biografi dhe miku më i afërt i mons. dr. Zef Oroshit, nga Nju Jorku, z. Tomë
Mrijaj i cili ju drejtuar të pranishmëve me këto fjalë: “Në fillim dua të
falënderoj Kryesinë e Shoqatës sonë, të cilët me nderuan shumë, duke më lënë të
bëj hapjen e këtij Sesioni Shkencor kushtuar figurës së shquar të klerikut
katolik mons. dr. Zef Oroshit. Shoqata “Trojet e Arbërit”, sot po ia
kthen një borxh të vogël një meshtari të madh, që gjithë jetën ia kushtoi
trinomit: Fe-Atdhe-Perparim. Në mënyrë telegrafike po bëj një parakalim të
shpejtë të jetës së meshtarit tonë ndër vite plot fitore dhe suksese, në të
mirë të trojet shqiptare për shumë dekada. Unë nga zemra, ftoj të gjithë ata dashamirë
të historisë dhe kulturës shqiptare, që duan të hulumtojnë dhe botojnë punimet
e tyre serioze historike mbi jetën dhe veprën e meshtarit të shquar mons. dr.
Zef Oroshit, për ato 11 vite të pandriçuara në vendlidjen e tij në Mirditë, unë
ua mundsoj botimin e librave të tuaja. Më tej ai vijoi me kumtesën:
”Trashëgimia shpirtërore e monsinior dr . Zef Oroshit (1912-1989)”. Pas
përfundimit të Sesionit një delegacion i “Trojeve të Arbërit” qe kryesohej nga
Tomë Mrijaj zhvilluan homazhe pranë bustit të mons. Oroshit, bust i cili është
përuruar muaj me parë në Lezhë. Lidhur
me aktivitetin e figurave të shquara të kombit z. Mrijaj do të shprehej: Në
vitin 1962, meshtari dhe personaliteti i shquar i letrave shqipe mons dr. Zef
Oroshi filloi të botoi revistën kulturore fetare “Jeta Katolike Shqiptare”, ku,
spikatën penat e shquara të mendimit intelektual shqiptar. Monsinjor Oroshi e
mbante në makinën e vet ciklostilin e botimit të revistës. Ai punonte me shumë
përkushtim për revistën, sepse sipas tij ajo ishte edhe historia e komunitetit
katolik shqiptaro amerikanë, për brezat që do të vijnë në SHBA. Në këtë mënyrë,
patrioti dhe kleriku i shquar, dr. Oroshi, mblodhi shqiptarët rreth Qendrës
Fetare Kulturore të kishës katolike “Zoja e Kshillit të Mirë” (sot “Zoja e
Shkodrës”, Harsdale Neë York), që u bë një vatër e ngrohtë e atdhedashurisë dhe
e mallit për vendlindjen”. Këto
dhe shumë dëshmi të tjera ndodhen në faqet e librave të botuara dhe që mbajnë
autorësinë e aktivistit patriot, njeriut të papërtuar dhe veprimtarit të
përkushtuar, Tomë Mrijaj.