| E shtune, 20.12.2008, 12:00 PM |
Nga Albert Zholi
Kur e takon Loni Papën ngelesh i befasuar. Një njeri i qetë, i dashur, i sinqertë, gojëëmbël. Nuk e mendon se ai njeri kaq i butë të ketë shkruar Cucën e Maleve. Jeta e tij është e mbushur me ngjarje ku krijimtaria i ka qetësuar shpirtin dhe i ka dhënë miqësi të shumta. Mosha nuk ja ka hequr penën nga dora pasi shumë botime tashmë i sheh me më përgjegjësi duke reflektuar me kohën. Sipas tij jeta është një oqean ku të gjithë njerëzit kërkojnë të gjejnë thesarin
Kur ka trokitur tek Loni dashuria për teatrin apo materialet teatrale?
Që kur isha nxënës në fshatin Bubullimë dhe më pas mësues në qytetin tim të Lushnjës kam marrë pjesë në grupet teatrale amatore të shkollës dhe qytetit. Ndoshta pikërisht kjo përvojë djaloshare zgjoi dashurinë për dramën si edhe sensin dramatik të shprehjes dhe të konceptimit artistik të figurës dhe ngjarjes. Si mbarova edhe universitetin për gjuhë letërsi shqipe, u emërova sërish redaktor tek “Zëri i Rinisë” ku përgatisja dhe drejtoja edhe fletën “Vullnetari” të kësajë gazete. Kjo pasqyronte jetën dhe punën e rinisë në aksionet e kohës si hekurudha Rrogozhinë-Fier, Rruga e Dritës në veri të Shqipërisë, etj. Ishte koha e një angazhimi dhe përkushtimi atdhetar e patriotik i gjithë brezit të ri. Këto aksione më dhanë shumë materiale letrare. Shtypi i asaj kohe ruan shumë shkrime të mia me këto tema, figura e ngjarje, si në revistat “Ylli”, “Nëntori’, “Skena dhe ekrani” si edhe të gjithë gazetat e përditshme. Si gazetar jam dekoruar me “Urdhër Pune” të klasit të dytë.
Ndoshta është e pabesueshme të fillosh me poezi dhe të përfundosh tek dramat…?
Shumë thonë se poezia me dramën janë shumë larg. Por për mua nuk ishte kështu. Për mua (sot edhe për shumë të tjerë) si drama, si poezia, mbartin Brenda shtjellimit të tyre simbolin në personazh ( ky duhet të përfaqësoj në cilësi kategorinë e vet), si dhe metaforën e ngjarjes. Tek kjo pikë qëndron edhe lidhja mes poezisë dhe dramës. Në të kundërt drama do të mbetej një paraqitje e rëndomtë pa vlera dhe interes artistik. Kështu në vitin 1960 botova një reportazh për Dila Pjetër Markun, vajzën malësore që e vranë mbrojtësit e kanunit sepse la të fejuarin. Një shok i imi më telefonoi nga Elbasani se këtë reportazh mund ta shtjelloja dhe si dramë. E falenderova mikun, por i thashë se nuk kisha shkruar ndonjëherë dramë. Merr dhe lexo disa drama shtoi miku.
Pra ky ishte momenti që ju filluat të ideonit Cucën e maleve? Si erdhi mendimi….
Mora shumë drama. Fillova ti lexoj me shumë interes dhe vëmendje. Për fat të mirë dramat që më ranë në dorë ishin të dobëta dhe kjo më nxiti të bëj reportazhin dramë, me mendimin se mund ta bëja më të mirë se ato që lexova. Nxora nga shënimet e mia dhe një ndodhi të viteve tridhjetë në fshatin Mabë të Zadrimës, kur një vajzë nuk e kishte pagëzuar prifti në kishë sepse i ati i saj kishte shkelur kanunin dhe nuk kishte pranuar të ngrejë gurin e pendimit për fajësinë e bërë. Punova për muaj të tëra duke i bashkuar këto dy ngjarje dhe në vitin 1961 “lindi Cuca”. Një kopje ia dërgova shokut tim në Elbasan, por ai ma hodhi poshtë si të gabuar dhe jashtë shtjellimit të linjave dramaturgjike ekzistuese. Nga të parët regjisor e lexoi Mihal Luarsi dhe ia paraqiti Teatrit Popullor. Për rreth dy vjet mbeti në sirtarët e këtij teatri si dramë e gabuar dhe e paarritur artistikisht… Pas dy vjetësh, më 1965, përsëri Mihal Luarasi e mori dhe e vuri në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër. Por dhe këtu, Ministria, nën ndikimin e opinionit të hedhur nga “kompetentët” e Tiranës, u mundua që ta ndalonte. Suksesi i dramës me artistët shkodranë tërhoqi vëmendjen. Po atë vit, dramën e paraqita në konkursin kombëtar dhe fitova çmimin e parë. Vetëm pas këtij vlerësimi iu rikthye prap Teatrit Popullor për ta vënë në skenë në vitin 1967. Tani me regjinë e Piro Manit. Por në provën gjenerale të shfaqjes u ngjallën përsëri diskutime dhe vërejtje të shumta. Për herë të parë diskutimi masiv i shfaqjeve u vu tek spektakli “Cuca që “koriti”, malet”. Nga mbi 200 vetë, vetëm katër vetë e mbrojtën dramën; vëllai i Sandër Prosit (mjek), Kadri Roshi, një shofer që e vlerësoi si dramë mjaftë të mirë, që tha se kishte parë shumë drama, por dramë të tillë nuk kishte ndeshur. Një kushërirë e imja më tha veçmas “më vinte keq për ty që rrije si për gjynah, prandaj u ngrita dhe thashë mendimin tim”. Të tjerët ishin kundër, flisnin edhe në emër grupesh se nuk ishte dramë dhe përmbante gabime ideore. Kjo bëri të vinte për ta parë në premierë edhe Enver Hoxha.
Pse pati kaq shumë debate?
Se di. Por siç thashë, pretendonin për gabime ideore. Enver Hoxha e ndoqi me shumë vëmendje. Të gjithë prisnin në ankth fjalën e tij. Në fund ai tha: Për drama të tilla ka nevojë vendi. Të gjithë kundërshtarët, të nesërmen më uruan dhe më përgëzuan : “Dramë si kjo nuk kemi parë…”
Dhe kush ishte vërejtja themelore që të kishin bërë kundërshtarët?
Vërejtja themelore ishte se teksti i dramës nuk fliste asnjë fjalë për partinë …Kjo na detyroi që ta riparonim gabimin duke shkruar në dërrasën e zezë, pranë germës A edhe fjalinë ”Partia na dha lirinë”. Drama u shfaq me shumë sukses në të gjithë Shqipërinë , në Kosovë e Maqedoni. Më vonë u bë edhe balet e vënë në skenë nga Agron Alija me muzikë të Nikolla Zoraqit. Ky balet u shfaq deri në Kinë ku edhe shkuam si pjesë e delegacionit kulturor. Edhe këtu vepra u prit shumë mirë dhe thonë se në Kinë baleti ‘Cuca e maleve” vazhdon të shfaqet ende sot. Për dramën “Cuca e maleve” unë si autor jam nderuar edhe me “Çmimin e Repuplikës “. Më pas drama është përkthyer edhe botuar edhe në gjuhë të huaja.
Pas këtij momenti sigurisht Loni ju përkushtua dramaturgjisë. Sa drama ka botuar Loni?
E vërtetë. U dashurova me dramën. Fillova të shkruaj rregullisht. Sot në krijimtaria ime përmban 21 drama si “Një copë rrugë” e vënë në skenë nga Teatri Popullor si edhe drama “Vozabërësi Dako” e vënë në skenë nga teatri i Vlorës. Disa drama të tjera edhe pse janë vlerësuar nga drejtues teatrosh dhe krijues të artit skenik, ende nuk janë ngjitur në skena…
Dramaturgjia shqiptare në ditët tona
Meraku i parë në zgjedhjen e dramave të sotme është që ajo t’i shërbejë sa më mirë politikës së ditës, deri edhe për t’u duartrokitur në pjesët më banale. Mirëpo, arti dhe filozofia e dramës nuk qëndron tek paraqitja e përpiktë e jetës, por tek simboli dhe metafora e saj. Vërehet edhe një tjetër dukuri në teatrot tona. Dramat shqipe të botuara as që lexohen nga kompetentët e sotëm sepse gjoja dramën e bëka jo dramaturgu por regjisori…!? Prandaj vlerësohen më shumë dorëshkrimet e panjohura duke ushqyer kësisoj një lavdi të rreme e cila rezulton në paraqitjen e rëndomtë të shfaqjeve skenike. Harrohet se në këtë unitet krijuesish secili ka detyrën dhe mjeshtërinë e vet. Dramaturgu e shkruan dramën, ndërsa regjisori dhe aktorët veçse mëshirojnë idetë e saj në skenë. Ky është rregulli i përhershëm në krijimtarinë e artit skenik. Nuk duhet të ndodhë si me Cucën e maleve, që në një balet koreografik, Arjan Sukniqi thuajse e quan prostitutë.
Konkretisht?
Arjan Sukniqi Cucën në baletin “Cuca e maleve” e ka bërë prostitutë , që shpëton nga mëkati dhe kthehet në rrugë të mbarë.
Krijimtaria dhe çmimet e Loni Papës
Janë shumë botime nga të gjitha gjinitë e krijimtarisë letrare. Sot nga dora ime kanë dalë 33 vëllime (libra) ku përfshihen 19 drama ( pesë nga ato janë botuar në vëllimin “Gjeniu i marrësisë”, dy vëllime me poezi , dy romane , disa novela dhe ese, disa botime për fëmijë si “Ne, gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur”. “Hundcipët”, etj. Kam në proces botimi një vëllim me rrëfenja, një vëllim me poezi dhe dy drama…Lauerat i çmimit të Repuplikës, fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ië fundi edhe ‘Qytetar Nderi “ i Lushnjes.
Mendimi i juaj për gazetarinë e sotëme?
Dëshiroj të jetë e ndershme, e saktë…
Me se merret Loni Sot?
Kam disa vepra në dorëshkrim : Një roman , dy drama , vëllim me poezi, vëllim me epigrame. Libër nga jeta teatrore ( intimitete aktorësh dhe përvoja në punën e teatrit), rrëfenja, gjoja për fëmijë .