Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Husein Bato Dukaj, la pas një vepër që kapërcen shumë jetë

| E enjte, 30.06.2022, 06:33 PM |


Husein Bato Dukaj, la pas një vepër që kapërcen shumë jetë

Në 7 -vjetorin e ndarjes nga jeta

Nga Gjekë Gjonaj

U bënë shtatë vjet  nga vdekja e parakohshme,   në moshën 56 vjeçare,  të Husein Bato Dukaj, regjisorit të parë të shkolluar  në Mal të Zi, me të cilin kam punuar disa vite  në TVMZ.  Dhe këtë përvjetor të shtatë  mu kujtua ky koleg e mik  i dashur  me vlera të larta njerëzore e profesionale i cili i donte shumë njerëzit, por edhe jetën,  për ta nderuar të paktën pas vdekjes, për kontributin e tij të madh  si regjisor  në realizimin e shumë filmave dokumentarë , festivaleve  për fëmijë  e shumë  emisioneve  televizive  që ka themeluar dhe drejtuar, por mbi të gjitha për serialet  që janë dëshmi prekëse për botën e fëmijëve dhe qindra arritje të tjera, përmes të cilave ai shprehu entuziazmin   dhe aftësinë e tij artistike.

“Per mortuis aus ben aus nihil” (për të vdekurin ose fol mirë ose mos fol hiç) thoshin latinët. Por rasti i  ndarjes  së papritur nga  kjo jetë  e  një njeriu të virtytshëm, që sot  tek ne janë “specie të rralla” që kanë mbetur   në këtë vend    “ lehtëson” mundësinë për të folur dhe shkruar mirë pa fund . Gjithsecili  nga ne që e njihnim   ndjen dhimbje  për këtë humbje të madhe , e cila na la më të varfër nga ç ’ jemi, duke na hequr shpresën   e një takimi të mundshëm  nën qiellin e kësaj bote. Vdekja e kësaj figure të dalluar  të artit ishte humbje  e madhe për shoqërinë tonë në përgjithësi, veçmas për Televizionin e Malit të Zi, ku  për tridhjetë vite dha aq shumë  nga shpirti, mençuria dhe arti i tij i papërsëritshëm. Na la pas  vepra e leksione  të mëdha mbi mjeshtërinë  artistike.

Husein Bato Dukaj  la gjurmë të pashlyeshme dhe të forta tek  të gjithë shqiptarët, por edhe tek komunitetet tjera  që jetojnë në Mal të Zi, duke ndërtuar ura bashkëpunimi , komunikimi e afrimi  midis tyre përmes  emisioneve të shumta  të Redaksisë për Minoritetet.   Këtë personalitet  e vlerësojnë jo vetëm bashkëkombësit e tij ( malësorët-shqiptarët), por të gjithë njerëzit që e njihnin së paku  përmes ekranit. Vlerësimet më të larta vijnë nga përfaqësuesit e komunitetit të artistëve dhe njerëzve që kanë punuar në grup me të. Ata e cilësojnë regjisorin e ndjerë si figurë të papërsëritshme dhe të pazakontë. Vdekja e regjisorit  Husein Bato Dukaj është përjetuar  si humbje e rëndë, shumë e rëndë,  e  një njeriu  me zemër të madhe që  të bënte  të ndjehesh krenar. Ishte një humbje tejet e madhe  për të gjithë. Nga sa e kam njohur  unë ai ishte një figurë e pazakontë, e veçantë, një figurë  artistike , i papërsëritshëm. Kishte shumë energji , shumë vullnet dhe shumë fuqi artistike  dhe ja  na la  pa  e menduar fare vdekjen e tij.

Kolegët që kemi punuar  dhe jemi shoqëruar me Bato Dukaj,    edhe sot pas shtatë vitesh,  e kemi të vështirë  të pajtohemi  me largimin e tij. Nuk e besojmë se është larguar, sepse ka rrezatuar energji. Ai    fillimet e sëmurjes së tij na thoshte se asgjë nuk mund t’i ndodhte. Ai nuk mund të flinte gjithë natën dhe të nesërmen në orën shtatë ishte në vendin e tij të punës dhe të bënte gjithçka pa asnjë problem.  Prandaj, na duhet ende  kohë për t'u mësuar e për t'u pajtuar me vdekjen e tij.

E mbajmë mend si njeri që i donte pa masë njerëzit dhe e donte jetën, por e donte gjithçka që bënte deri në frymën e fundit. Gjithmonë ishte i gëzuar, i buzëqeshur, i sinqertë, plot humor. Ishte shumë e thjeshtë. Të gjitha këto  veti  i  mbajti deri në ditën e fundit. Bato Dukaj  ishte një madhështi e madhe njerëzore, një njeri i madh. Një njeri që nuk shikonte kush ishte  dhe  çfarë besimi kishte.  Ky intelektual ishte ajo që e solli nga shtëpia e njohur  në Malësi e më gjerë e Selman Jukut, dhe nga edukata e babait Ramo Dukaj, njëri prej intelektualëve më të shquar shqiptarë të kohës në Mal të Zi,   nga fshati Dinoshë (Grudë - Malësi).

Husein Bato Dukaj objektivisht na ka bërë të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë, dhe,  jo rrallë,  ka qenë edhe frymëzim  për  shumë artistë shqiptarë, kudo që kanë jetuar. Po ashtu  ishte një baba i dashur, një bashkëshort i mrekullueshëm i një djali të mrekullueshëm dhe një vajze të mrekullueshme. Ai la pas një vepër që kapërcen shumë jetë. Këtë njeri fisnik do ta kujtojmë me nderim. Aq më tepër ata që kishin privilegjin të punonin dhe të rrinin me të.