| E enjte, 30.06.2022, 07:00 PM |
Dëshmori pa fotografi
Nga
Blerim Latifi
E
kam pasur shok klase në shkollën fillore. Gjithë vitin vinte në shkollë me të
njëjtat rroba dhe këpucë, ngase familja e tij jetonte në kushte të varfërisë
ekstreme.
Kur
erdhi koha për shkollën e mesme ai nuk u regjistrua fare. I duhej të punonte
lloj-lloj punësh për të mbajtur me bukë familjen, ngase ishte djali më i madh i
saj.
Kur
shpërtheu lufta ishte ndër të parët që mori rrugën e Shqipërisë. Eci me
kilometra të tëra, përmes kufirit të blinduar nga ushtria serbe, shkoi në
Tropojë dhe veshi uniformën e UÇK's. Ishte hera e parë në jetën e tij që po
veshte një palë rroba të reja. Ngase nga shtati dukej kurpuloz, i dhanë një
mitraloz. U kthye rrugës nga kishte ardhur, por tash më ndryshe. U kthye me
pushkë në dorë. Me emblemën e UÇK-së në ballë. U kthye për të luftuar për
lirinë e atdheut të tij. U kthye për të luftuar kundër atyre që ia kishin
zhytur në mjerim familjen. Kundër atyre që ia kishin shkatërruar fëmijërinë,
atij dhe të gjithë neve.
Në
ofensivën e shtatorit të vitit 1998 ai ra duke luftuar ballë për ballë me
forcat serbe midis fshatrave Galicë dhe Mikushnicë. Si për koincidencë
pikërisht në vendin ku me 1924 ishte plagosur për vdekje Azem Galica.
Sot
nuk kemi asnjë fotografi të tij me uniformë të UÇK's. Askush nuk e fotografoi.
Ai është heroi pa fotografi. Dhe rrallë e zë në gojë ndokush emrin e tij. Sepse
të shumë janë ata që nuk arrijnë ta kuptojnë dhe kurrë nuk do ta kuptojnë
thelbin e UÇK- së dhe të luftëtarit autentik të saj, siç ishte Driton Ibrahimi.
_________
Para
luftës në Ukrainë ka qenë shumë i përhapur mendimi se Rusia është në gjendje që
në çdo kohë të destabilozojë Ballkanin, duke influencuar negativisht në
çështjet e pazgjidhura të tij.
Tash
mund ta shohim qartë se kjo frikë paska qenë e ekzagjeruar. Më shumë mit se
fakt.
Qetësia
e Ballkanit nën tutelën e NATO's duket e pacënueshme.
Kjo
i ka dy anë të medaljes: një të mirë dhe një të keqe. E mira është se NATO e ka
në kontroll të plotë sigurinë në rajon, ndërsa e keqja është se kjo mund t'i
zvarris edhe më tutje zgjidhjet për problemet e mëdha të mbetura nga e kaluara.
_________
Që
t'i shmangin kritikat për faktin se Kosovën e mashtruan dhe nuk ia mbajtën
premtimin për liberalizimin e vizave pasi Kosova t'i plotësonte kriteret,
racistët e Bashkimit Europian e kanë shpikur "udhëzuesin e ri për
vizat".
Krejt
sipas logjikës së vjetër të manipulimit diskursiv: që ta eleminosh nga
diskutimi një çështje të pakëndshme, shpik një çështje tjetër që të konvenon
ty!