Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Beteja e Torviollit dhe fitorja historike ishte fryti i parë i unitetit të Lezhës së 2 marsit 1444

| E merkure, 29.06.2022, 07:30 PM |


Beteja e Torviollit dhe fitorja historike ishte fryti i parë i unitetit të Lezhës së 2 marsit 1444

Me rastin e përvjetorit të fitores historike në Betejën e Torviollit

Nga Gjon Keka

Beteja e Torviollit apo e Dibrës – e datës 29 qershor 1444, betejë ku Gjergj Kastrioti, si një strateg, lider vizionar dhe i talentuar, arriti të mundë me strategjinë dhe taktikën e tij të aftësisë prej arti luftarak Ali Pashën, si komandant i një pjese të ushtrisë otomane (turke) me rreth 40 000 trupa.

Pasi ata kishin mbërritur në këtë territor, kishin uzurpuar pronat e arbërorëve, kishin vrarë gra e fëmijë, kishin plaçkitur të gjitha pasuritë e arbërorëve të kësaj pjese dhe i kishin urdhëruar gjithë të tjerët që t’i braktisin shtëpitë dhe pasurinë e tyre.

Mirëpo, pasi kishte hasur në një rezistencë të fuqishme me trupat e Gjergj Kastriotit, Ali Pasha ishte mposhtur menjëherë për pak kohë, dhe kështu vendi kishte marrë pamjen e tij të jetës normale dhe të gjallërisë së përhershme, në zhvillimin e trojeve të tyre të lashta të kombit.

Gjergj Kastrioti i rezistoi në këtë betejë me një ushtri prej 15 000 trupash, 8 000 kalorësish dhe 7 000 këmbësorësh.

Në lidhje me këtë betejë, ja se ç'shkruan  biografi i njohur Marin Barelti:

“(...) Nga kjo, ushtria, gjithkund fitimtare, sillte nëpër mend fitoren e shkëlqyer në këtë betejë dhe po admironte atë punë aq të madhe të kryer në një kohë aq të shkurtër. Në këtë luftë u vranë afro 22 000 barbarë, ndërsa 2 000 të tjerë u kapën të gjallë. Kështu, epirotët atë ditë, siç e shpresonin dhe e prisnin të gjithë, korrën një fitore me të vërtetë të madhe, sepse në atë betejë nuk mungonte asgjë nga ato që kanë mundësi, jo vetëm Skënderbeu, ideator i Bashkimit Europian 49 ta ndjellin fatin për të dalë faqebardhë, por edhe ta detyrojnë për një gjë të tillë; nuk mungoi as koha, as vendi, as rregulli i përsosur në të gjitha veprimet, as arsyeja e drejtë dhe njëkohësisht e domosdoshme për t'u përleshur. Më në fund, për komandantët dhe ushtarët do të mund të thosha këtë: Atë ditë luanët kanë komanduar luanë! Një pjesë e vogël e këtyre ishin veteranë, që kishin shërbyer dikur si ushtarë bashkë me të atin e Gjergj Kastriotit, kështu që ata mund t'i merrje jo për ushtarë, por për mjeshtër të zgjedhur të ushtrisë. Prandaj dukej se, po të fitonin në një betejë të tillë e po t'ia thyenin një herë hundën armikut, lufta kishte marrë fund. Pasi u arrit fitorja, Gjergj Kastrioti e kaloi tërë atë ditë dhe atë natë në kamp me qetësinë më të madhe.

Në mëngjes, plot krenari për fitoren, iu përvesh punëve (...). E fryrë nga fitorja që sapo kishte korrur, kalorësia fluturonte nga gëzimi e, asgjë nga ato që mund t’i prishë shpata dhe zjarri nuk kursente, veçse gra dhe fëmijë (...). Asnjëri nuk rëndohej, nuk e ndiente lodhjen; burrave u ishin zhdukur djersët që sapo i patën (....). Pasi e kaluan atë natë në kamp, Gjergj Kastrioti, të nesërmen, kur sapo kishte aguar drita, dha urdhër të mblidhnin plaçkat dhe bashkë me ushtrinë fitimtare u nis për në qytetin mbretëror të Krujës.

Populli, që ishte derdhur nëpër gjithë rrugët, po i priste me brohori, duke i quajtur fitimtarë një për një. Të gjithë çuditeshin me plaçkën e madhe. Kalorësit e rinj mezi njiheshin nga njerëzit e tyre. Për shumë ditë me radhë u bënë përgëzime dhe gjithë princërve të Epirit iu dërguan letra të kurorëzuara me dafina, si edhe disa flamuj ushtarakë; një pjesë tjetër e këtyre u ngulën nëpër faltore.”

Ishte tepër e qartë se pas unitetit të bërë në Kuvendin e Lezhës më 2 mars të vitit 1444, së bashku me kryefisnorët dhe fisnorët dhe përfaqësuesit e tjerë diplomatik, Gjergj Kastrioti, së bashku me mbështetësit e tij ishin në gjendje pothuajse për t’i shtypur në kokë të gjitha veprimet e armikut, duke mos lejuar asnjë hap më tutje të këtij pushtuesi të egër turk. Kështu, mund të thuhet se kjo betejë u shndërrua në betejë të guximit, të entuziazmit për më tutje, betejë për të pasur arsye edhe më shumë se vetëm tek uniteti – ashtu siç edhe thoshte në fjalimin e tij Gjergj Kastrioti – është fuqia e atij lumi që rrjedh nga të gjitha anët, por që mblidhet në një shtrat të përbashkët. Kjo fuqi u pa qartë se jo vetëm përbënte efektivin e procesit të arritjes së synimeve dhe idealeve të larat të kombit shqiptar europian, por edhe arrinte korrjen e fitores ndaj armikut barbar turk që e kërcënonte vazhdimisht qenien e kombit arbëror.

Këtu shihet fryti i parë i unitetit të kombit përmes kryefisnorëve dhe fisnorëve, i themeluar në Kuvendin e Lezhës. Pra, këtu shihen se hapat e përbashkët janë hapa vendimtarë dhe që mbrojnë fuqishëm, si shtylla të përjetshme, shtëpinë e përbashkët të kombit dhe të identitetit tonë kombëtar europian.