| E merkure, 29.06.2022, 07:11 PM |
''ARAT PO I LËNË, PO MARRIN KURBETIN, CA MALLKOJNË TOKËN, CA MALLKOJNË SHTETIN…”
Nga
Albert Z. ZHOLI
Është
një orkestër e vogël me katër vetë. Këndojnë dhe u bien veglave muzikore, duke
i rënë cep më cep lagjeve të Athinës. Por më shpesh i gjen nën këmbët e
Akropolit e në lagjen “Plaka”, ku i gjetëm edhe ne për herë të parë …Lagja
"Plaka". Mos vallë është fjalë shqipe? Pasi edhe kjo lagje është më e
vjetra në Athinë, sa vetë Akropoli. Ishim nisur për punë por...Po binte
mbrëmja!
Sa
i dëgjuam sazet, menduam se ishte ndonjë kasetë me këngët e njohura përmetare.
Së bashku me një shokun tim, i afruam këmbët andej nga vinte ëmbëlsia e atyre
këngëve…Ishin 4 muzikantë dhe këngëtarë bashkë.
Ata
të katërt ishin pranë murit të një ndërtese. Të katër esmerë, nga ata
stërnipërit e muzikantëve, që solli Pirroja i madh nga Egjipti, që në Përmet e
gjetkë u bënë djep- kënge në Shqipëri. Me muzikën lidhën jetën. Sikur ishin
vëllezër ngjanin. Klarinetisti ishte pak më i shkurtër …U binin veglave dhe
këndonin siç bëjnë grupet e herëshme përmetare, sidomos ai më famozi, grupi i
Laver Bariut. Ia kishin marrë vençe një kënge të vjetër, sikur të ishin në
grykën e Këlcyrës e jo në këmbët e Akropolit:
“Në qivur të shtrinë,
Të veshën si nuse.
Sa hije të kishin,
Të shkretat baluke!
Rreth
këngës grumbulloheshin e grumbulloheshin shqiptarë e turistë të ardhur ‘pranë
bukurisë greke…Grekë janë?-pyesnin turistët. No no Grecia, Albania- u tha
dikush. Ata ngritën supet...Ne dëgjonim si pa marrë frymë e ata këndonin :
“…Te gorica plakë,
Po ta bëjnë varrë.
Pleqtë po rrëmojnë...
Beqarët po qajnë...
Edhe ne na mori kënga
dhe thoshim nëpër buzë :
“Pleqtë po
rrëmojnë/Beqarët po qajnë...
Disa
turistë nordikë, kështu dukeshin nga trupat e gjatë e nga tiparet e theksuara
të bardha, sic i themi ne shqiptarët “të shpëlarë”, hodhën disa monedha në
kapakun e violinës dhe ngatërruan disa fjalë, që donin të thoshoshin,
“tjetër..tjetër”. Nuk shqiteshin nordikët. Tingujt e kalrinetës të frenonin si
me magji.
Aq donin ezmerët. Sa
panë lekët dhe fjalët e nordikëve filluan:
“...Kishe dalë e rrije,
afër trëndafilit,
Të digjej jeleku, nga
zjarret e gjirit...”..Ah..zjarret...
Bravoo, bravoo!-folën dy
nga “të shpëlarët”…
Neve
sa nuk bëheshim me krahë nga gëzimi e krenaria. Në ato çaste mu kujtua një
thënie e një filozofi: “ Popujt që kanë këngë të bukura, kanë të ardhme...” Po!
Ne kemi këngë të bukura. E kujtova këtë thënie dhe psherëtiva. “Ku është e
ardhmja e këtijë populli këngëbukur si i yni?!!...” dhe shoh me keqardhje
bashkëatdhetarët e mi të ikur tufa-tufa, nëpër udhët e botës... Dhe këngëtarët
derdhnin shpirtin e tyre në këngë për të kënaqur zotërinjtë portë më portë e
lagje më lagje. Dhe ata si ta kishin lexuar dhimbjen time, ia morën një këngë
tjetër: Një këngë të dhimbëshme kurbeti:
“...C’ka që s’mbin bari
në qafë?
Nga lotët që derdhnin
gratë!
Marrin rrugën e kurbetit
Dhe s’e dimë c’vjen prej
detit?
Rruga jonë, dreq o
rrugë,
Zgjatet për një copë
bukë...”
-Zot
i madh! Po ashtu po ikin shqiptarët për një copë bukë. Ikin pa kthim. Ikin si
tingujt e këngës...
Një
vogëlushe u lëshua nga dora e nënës dhe i dhuroi një trëndafil të kuq atij me
klarinetë qe po e magjepste këtë këngë. Edhe unë jam shqiptare nga Tepelena,
tha vajza. E përqafoi klarinetistin hodhi dhe disa dhrahmi tek kapaku i
violinës dhe shkoi tek nëna. Ata shtangën. Nuk e prisnin që ajo vogëlushe të
ishte shqiptare. Klarinetisti e vuri karafilin diku, aty nga qante klarineta
dhe filloi:..
“…Djemtë e burrat tanë,
shpirt e zemër vrarë,
Arat po i lënë pa i
hedhur farë.
Arat po i lenë po marrin
kurbetin,
Ca mallkojnë tokën, ca
mallkojnë shtetin…”
Mbetëm
pa fjalë. Nuk na ikej. Njerëzit po shtoheshin. Klarineta kapte qiellin. Koha
nuk na priste, ishim për punë. Po, a të ikej? A largoheshe dot nga ato këngë
mbushur me dhimbje?! Muzikën nuk e bën vetëm instrumenti ose gishtat, e bën
shpirti. Të detyron shpirti ti luash gishtat, duhet të jesh I lindur me
ndjenja, ... Dhe ja...Ikëm me dhimbjen e gëzimit, që na kish mbushur shpirtin
dhe na derdhej si kënga pambarim e katër esmerëve. Lagja "Plaka" në
Akropol atë natë këndoi shqip....
ATHINE, PRILL, 1998