| E marte, 28.06.2022, 07:09 PM |
Letër e banorëve të
Kurveleshit dërguar z. Edi Rama
-Z.
Kryeministër në Kurvelesh nuk është vetëm Nivica, por edhe Golemi, Kaparjeli,
Kolonja, Medalje, Picari.
Kur
do të lidhet Golemi me pjesën tjetër të Kurveleshit?
A
duhet t’i tregojë dikush Kryeministrit se ka dhe një pjesë tjetër Kurveleshi
ndoshta dhe më të bukur, por askush nuk kujtohet që t’ia thotë!
-
Emergjencë është lidhja me rrugë e Progonatit me Golemin me gjatësi 5 km
-
Kjo pjesë ka një sipërfaqe shumë të madhe kullosor për bagëtitë e imëta ku
gjatë periudhës së verës kullosin mbi 50 mijë krerë bagëti.
Nga
Enri Zholi
I
nderuar KM!
Përgjatë
gjithë këtyre viteve keni vizituar e promovuar njërën pjesë të Kurveleshit duke
merituar plotësisht lavdërime për rrugën që lidh bregdetin me lumin e Vlorës e
me Kurveleshin, por kjo është vetëm pjesa që administrohet nga bashkia
Tepelenë. Për t’u çuditur është fakti që askush nuk ju thotë që kjo është vetëm
njëra pjesë e Kurveleshit. Pjesë tjetër e rëndësishme janë territori në jug të
Kurveleshit me një sipërfaqe më të madhe se pjesa e Tepelenës ku janë fshatrat,
Golem, Kaparieli, Kolonja, Medalje, Picar! Emergjencë është lidhja me rrugë e
Progonatit me Golemin me gjatësi 5km dhe me shtrat rruge në gjendje të mirë! Në
këtë pjesë kanë filluar investimet në agroturizëm, por si mungesë e vëmendjes
dhe infrastrukturës po bie numri i bagëtive. Kjo pjesë ka një sipërfaqe shumë
të madhe kullosor për bagëtitë e imëta ku gjatë periudhës së verës kullosin mbi
50 mijë krerë bagëti dhe me një natyrë shumë të bukur ku krahas maleve kemi
lugina me ujëra alpine të kulluar, pyje, bletë, bimë mjekësore dhe aromatike
etj. Kurveleshi nuk mund të rrijë më i ndarë, duhet të bashkohet me pjesën
tjetër dhe këtë gjë e bën 5 km rrugë Progonat - Golem!
Nuk
duhet mohuar
Sikurse
dihet pjesa e fshatrave të Kurveleshit që i takojnë Tepelenës u lidhën me njeri
tjetrin dhe me fshatrat e Kurveleshit të poshtëm e më tutje me Himarën ! Kjo
është një ëndërr e kthyer në realitet dhe për këtë meriton vlerësime
Kryeministri pa mbështetjen e të cilit kjo zonë do rrinte ende pothuajse e
harruar. Problemi është se ky zhvillim zgjoi ëndërrat e pjesës tjetër të
Kurveleshit, fillimisht Golemasve të cilët ndihen të veçuar, të harruar nga ky
projekt vërtet i cunguar. Kur flitet për Kurveleshin, atë boll e coptoi regjimi
komunist megjithëse atje gjeti mbështetjen më të madhe në luftën Nacional
Çlirimtare, por u shpërblye me copëtim në katër rrethe pas çlirimit për ca km
rrugë. Kurveleshi gjatë monizmit duke qenë në periferi të qyteteve u la pas
dore, u përgojua, injorua. Asnjëherë nuk morën vlerësimet e duhura megjithëse
kontributi i tij në zhvillimin dhe mirëqenien e vendit ishte shumë i madh.
Kurveleshi i mbushur me blegtori të imëta kryesisht në mbarështrimin e deles
prodhonte mijëra ton qumësht, mish, lesh, lëkurë, grurë, thekër, duhan, mollë,
arra, gështenja, perime etj. Kurveleshi midis maleve i mbushur plot me bimë
mjekësore aromatike, plot me bletë, pyje e ujëra u varfëria në atë nivel sa u
katandisën të hanin bukë misri me sheqer! Tërheqja e prodhimeve drejt qytetit e
varfëroi shumë këtë krahinë duke mos i dhënë pothuajse asnjë gjë. Aq u
varfëruan sa u ndryshuan dhe tiparet fizike të vajzave dhe djemve! Brezat u
shkurtuan! Ku vajtën ato labet e bukura e të gjata, ata burrat si lisa të
fjalës e të pushkës. Falë kësaj natyre e këtyre resurseve tipari kryesor i
kurveleshasve ishte pjekuria në biseda e kuvende; humori, romuzet me njeri
tjetrin dhe kryesisht me miqtë. Traditat janë një thesar më vete, pasuri e
madhe kombëtare mjafton të kujtojmë këngën labe si një pasuri e madhe kulturore
trashëguar brez pas brezi. Nuk mbarojnë fjalët për Kurveleshin, por kur
kujtojmë që një pjesë vazhdon të lëngojë, pa rrugë, pa telefon, pa ujë dhe
atëhere ndjen trishtim! Është për t’u përshëndetur që djemtë e vajzat e Golemit
po mundohen ta ç’bëjnë këtë realitet pasi kanë filluar të rregullojnë shtëpitë
në mënyrë massive. Madje po projektohen investime esenciale në agro turizëm,
por me sy e veshë nga qeveria nga Kryeministri! Ndoshta kujtohet dikush dhe i
thotë që edhe Golemi, Kaparieli, Kolonja dhe Picari janë pjesë e Kurveleshit që
po presin specialistët e infrastrukturës ta kuptojnë rëndësinë e bashkimit të
Kurveleshit! VO. Në vitet 70' nëpërmjet një vendimi të qeverisë së kohës
fshatrave ju hiqen korierët ( autobuzat) kështu ndodhi dhe me fshatin Golem!
Një grup burrash golemas morën pjesë në festën e Kuçit që bëhej atëhere në 25
qershor në Buronja. I deleguar ishte Kryeministri i kohës, Zoti Adil Çarçani, i
cili në mbarim filloi të vizitonte dhe takonte grupet sipas fshatrave. Kur u
afrua tek grupi i Golemit një burrë nga ata të parët bejtexhi e hokatar i
dalluar ja priti me këngë: O Adil mirë se na erdhe …Po pleqtë kërkojnë koriere
( autobus). Kënga vazhdoi akoma më e bukur. Adili u zu ngushtë, u krijua një
atmosferë humori. Kërkesë më të bukur diplomatike nuk mund të artikulohej veç
kësaj mendjeje brilante. Adili shkoi në Tiranë mori takim me udhëheqësin e
kohës se nuk është vendi për politikë dhe ia tregoi dhe këtë histori, ai reagoi
pozitivisht dhe menjëherë, brenda javës erdhi përsëri koriere në fshat! Me anë
të këtij episodi apo historie shpresojmë t’i bjerë në vesh Kryeministrit se
tani ai nuk ka nevojë t’i marrë leje dikujt, por thjesht të urdhërojë që Golemi
të lidhet sa më shpejt me Kurveleshin! Jemi një trung me një rrënjë me pjesë
tjetër të Kurveleshit, prandaj kërkojmë të lidhemi me njeri tjetrin sa më
shpejt!
Krahina
e Kurveleshit
Kurveleshi
është një krahinë gjeografike kulturore dhe etnografike, që shtrihet në
Shqipërinë Jugperëndimore.
Kufizimi:
Kjo
krahinë shtrihet midis Lumit të Shushica|Shushicës dhe atij të Borshit në
Perëndim të Vjosës në Veri e Verilindje dhe të Kardhiqit në Jug.
Për
vetë karakterin e terrenit ku shtrihet krahina dhe fshatrat që e përbëjnë atë,
Kurveleshi ndahet në Kurveleshi i Sipërm dhe Kurveleshi Poshtëm. Kurveleshi i
Sipërm përbëhet historikisht nga 10 fshatra dhe konkretisht : Gusmari, Vërmiku,
Nivica, Rexhini, Progonati, Lekdushi, Golëmi, Kaparieli, Picari dhe Kolonja (në
përbërje të kësaj të fundit hyn edhe Medari). Kurveleshi i Poshtëm përfshin 5
fshatra: Kuç, Bolenë, Kallarat, Fterrë dhe Çorraj.
Përshkrimi:
Krahina
e Kurveleshit ka sipërfaqe të përgjithshme prej afro 700 km². Është zonë
malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut e pjesërisht
nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në
Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga
përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh (deri
150 m të thella), rrëpirash e humnerash (si në Nivicë, Lekdush etj.). Janë të
përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si: gropa, puse, galeri, shpella
si dhe mjaft fusha karstike (fusha e Progonatit, e Golemit etj.), ku janë
përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore. Ujërat e
shirave e të borës së shumtë, nëpërmjet hinkave, puseve e të çarave të tjera
karstike, depërtojnë shpejt në thellësi të tokës. Kjo bën që, sidomos
Kurveleshi i Sipërm, të ketë burime të kufizuara uji. Rrjedhojë i karstit është
edhe varfëria e bimësisë, sidomos në Kurveleshin e Sipërm. Më e pasur është
zona barishtore me kullota të shumta, ku gjenden shumë bimë mjekësore, mjaltesa
e aromatike (çaji, salepi, trëndelina etj.), duke e bërë Kurveleshin një vend
të përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët (deles, dhisë
etj).Kurveleshi e kryesisht ai i Sipërm, në pikëpamje natyrore, është një
kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh
vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si: Gryka e Bënçës, Gryka
e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe
Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar apo edhe Qafa e Kreshtës. Ky
pozicion gjeostrategjik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga
krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të kurveleshasve, por
edhe ruajtjen e vlerave etnokulturore sa më autoktone.