| E marte, 28.06.2022, 07:27 PM |
ROMANI QË TË TRONDIT ME TË VËRTETËN HISTORIKE
Xhevat
Mustafa, “DASHURI DIKTATORI“, roman i karakterit historik e dokumentues, botoi
Sh. B ”EMAL“, Tiranë 2021. Faqe 342. ISBN 978-9928-04-726-7.
Nga Shefqet Dibrani
Prologu
Romani “Dashuri
Diktatori“, shkruar nga Xhevat Mustafa, publiçist, shkrimtar dhe ish
diplomat i karrierës, është strukturuar në rrefime të shkurtëra kronologjike,
të cilat mund të botohen edhe si skica a rrëfime veç e veç. Një tmerr i tërë
dhune e krimi urdhëruar nga Enver Hoxha mbi Elitën Intelektuale të kohës! Të gjithë
ata që dëshirojnë të mësojnë për fatin e shumë intelektualëve shqiptar, veçmas
ata që kanë lexuar dhe janë ndikuar nga dokumentet e PPSh-së, Historia e
PKSh-së dhe sidomos nga librat e Enver Hoxhës, (të cilët i kam lexuar dikur edhe vetë
me pasion), ua sugjeroj ta lexojnë këtë roman, i shkruar mbi fakte e dokumente
historike. Personazhet e romanit janë figura reale, sikurse edhe ndodhitë e
shumta. Rrefimi i ngjarjeve është letrarizuarar mirë e bukur, për të qenë më
tërheqës dhe më i pranueshëm për lexuesin.
Bukuritë fatkeqe
Fill pas
mbarimit të shërbimit ushtarak në APJ, në verën e vitit 1984, për të parën herë
kam udhëtuar jashtë Federatës së atëherëshme Jugosllave. Përveç kontaktit me
lëvizjet ideologjike, kryesisht marksiste-leniniste, kam pasur fatin të lexoj
veprat e Enver Hoxhës si dhe dokumente të tjera dhe Historinë e PKSh-së. Në
këto janë apostrofuar edhe personazhet e romanit. Ata janë cilësuar si grupe
antikombëtare dhe të dëmshme për doktrinën komuniste, që ndiqte Partia
Komuniste e Shqipërisë e shndërruar me vonë në Partia e Punës e Shqipërisë.
Besimi im në PPSh dërmohet në Varshavë të Polonisë gjatë vitit 1987, kur për të
parën herë vizitova atë vend të katandisur nga doktrina komuniste. Realiteti që pashë në Poloni, hidhte
poshtë dhe çvleftësonte përfundimisht hymnizimin propagandistik, që i bëhej
Shqipërisë si "vend i zhvilluar", dhe me një popull të “lumtur",
nën qeverisjen e Diktatorit, siç thuhej në "demokracinë" e
proletariatit komunist. Në anën tjetër, për mua ishte
krijuar një konfuzion mbi doktrinën komuniste e staliniste, në ideologjinë e
organizatave gjysëm ilegale të shqiptarëve në Zvicër dhe Gjermani. Siç dihet,
qysh më 6 gusht 1940, me vendim të parlamentit, në këtë vend, është ndaluar
veprimtaria e Partisë Komuniste në Zvicër, që udhëhiqej nga Franz Welti. Kurse
në Republikën e Gjermanisë Federale veprimtaria e Partisë Komuniste ndalohet më
17 gusht 1956. Çuditërisht veprimtaria e "Frontit të Kuq Popullor"
të shqiptarëve nga Kosova e ka nismën në vitet e shtatëdhjeta. Në ato vite, nga
krerët e saj, me mburrje, u është thënë gjermanëve se koncepti stalinist për
Gjermaninë është doktrina më e bukur dhe më e drejtë për ta, kur dihej se ajo
bukuri fatkeqe kishte përpirë gjysmën e Gjermanisë, pas kapitullimit të
saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për mua ky konfuzion ka vazhduar, siç thash
më lartë, deri sa i kam vizituar disa nga vendet e Paktit të Varshavës gjatë
vitit 1987. Mëpastaj kam arritur të dyshoj në ato prosperime propagandistike që
vinin nga propaganda e PPSh-së. Ndërsa me ndryshimet e sistemit politik, dhe veçmas atëherë
kur filloi të thuhet e vërteta për krimet dhe barbaritë e sistemit komunist në
Shqipëri, doli në pah bukuria fatkeqe e sistemit totalitar. Pra, filloi
të ndriçohej e vërteta për shumë personalitete dhe intelektualë, të cilët
sistemi komunist i kishte burgosur me shumë vite, internuar, eleminuar dhe
pushkatuar. Në këtë fokus të qartësimeve ideologjike, si ndihmesë artistike për
të ndriçuar të vërteta historike e jetësore, është edhe romani i Xhevat Mustafës,
“Dashuri Diktatori”.
Mesazhi dhe trajta e re e
rrëfimit historik
Romani
përçon artistikisht mesazhe historike. Në planin artistik, me mjaft mjeshtri
janë letrarizuar pjesë të gjëra nga jeta e disa prej figurave - personazhe.
Krahas këtyre është letrarizuar
artistikisht edhe masakra e 26 marsit 1951 në Tiranë, ku me urdhër të Enver
Hoxhës dhe nën drejtimin e Mehmet Shehut, janë pushkatuar 22 intelektualë dhe
tregtarë të mëdhenj atdhetarë, mes të cilëve edhe e vetmja femër, Sabiha
Kasimati. Autori ka rikthyer në vetëdije dhe me vetëdije kujtimin për tri gra
të jashtëzakonshme, Sabiha Kasimati, Aurelia Terrusi dhe Musine Kokalari, jetët
e të cilave e shkatërroi diktatori komunist Enver Hoxha. Veçanërisht për
njohësit e asaj periudhe dhe për ato gjenerata që e përjetuan atë diktaturë,
romani “Dashuri Diktatori”, është rrëfim në formë të re të historive
tragjike, realizuar në formën e rrëfimit, nga Xhevat Mustafa.
Romani “Dashuri
Diktatori”, pavarësisht rrëfimit artistik dhe përpunimeve të herëpashershme
letrare, përcjell emocione tronditëse, qoftë për mënyrën e bukur të realizimit
të syzheut, dhe për psikologjinë e krimit, që ka zbatuar diktatori Enver Hoxha,
duke i zhdukur dhe eliminuar të gjithë kundërshtarët e tij. Ai i ndëshkoi të
gjithë ata që mund t’i kenë ditur bëmat e tij, qoftë në Liceun e Korçës, në
vitet e para të shkollimet, në Universitetin e Montpelje të Francës, për
sjelljet e tij në Konzullatën e Shqipërisë në Bruksel e më vonë në Korçë, sa
ishte mësues, në Tiranë dhe gjetiu.
Çuditërisht edhe sot,
ajo diktaturë, ka ndryshuar vetëm formën, por jo edhe mendësinë e qeverisjes e
të veprimit. Tashmë fuqia e shtetit është koncentruar në duart e tyre. Prandaj
dhunimi i Elitës Intelektuale të kombit, po vazhdon edhe në ditët e sotme.
Romani i Xhevat Mustafës, si strukturë tematike është tërheqës dhe me tronditje
marramendëse, dhe ashtu si në histori e jetë përfundon me tragjedi.
Fobia e Diktatorit
Protagonisti kryesor
i romanit është diktatori Enver Hoxha. Në tërë historinë jetësore, udhëheqëse
ai ishte kontravers dhe egoist, veti karakteristike që i shpalosen edhe brenda
romanit. Për të qenë më i pranueshëm, Xhevat Mustafa, nis me dromca letrare,
rrëfime të shkurtëra qysh nga mosha e re, veçmas nga periudha sa Enveri ishte
nxënës në Liceun Francez të Korçës. Me mjeshtri artistike janë relativizuar
sjelljet e kompleksitetit që kishte Enver Hoxha qysh në atë moshë, vese të
cilat vetëm sa i shtoheshin, rriteshin dhe zgjeroheshin, varshmërisht nga
mundësitë që ia krijonte koha. Pasionin e tij për femra, autori e pasqyron në
mënyrë psikoanalitike. Përmes kësaj linje ai do t’i zbulojë mjaft teka të tij,
dhe në mënyrë të shkëlqyeshme do t’i arsyetojë edhe refuzimet e tri shoqeve të
tij të moshës së rinisë. Ato nuk do të pranojnë të kenë lidhje të afërta e dashurore
me një karakter përplot dyshime, por fundi i jetës së tyre përmbyllet dhunshëm
dhe tragjikisht.
Ky fat e përcolli
edhe Aurelian, vajzën e një italiani, i cili ishte vendosur në Gjirokastër dhe
jetonte me familjen në një shtëpi fare afër me atë të prindërve të Enver
Hoxhës. Derisa babai i saj punonte ndërtues dhe meremetues i shtëpive, ajo
vazhdonte shkollimin në një kolegj murgeshash në Selanik. Diktatori bie në
dashuri me Aurelian, e cila përveç intelegjencës, ishte edhe e bukur. Por ajo
kategorikisht e ka refuzuar Enver Hoxhën, gjë që ai do të xhindoset nga ky
qëndrim refuzues i saj. Po ashtu, sa ishte në Korçë, Enveri i vardisej edhe një
vajze tjetër, që e kishte shoqe të klasës në Liceun Francez të Korçës. Sabiha
Kasimati ishte e bukur dhe e sjellshme, kurse Enver Hoxha pa humbur kohë i
shpreh dashurinë, siç dinte ai, me lajka e premtime, për t'u martuar dhe për ta
bërë të lumtur. Refuzimi edhe i Sabihasë do ta tërbojë edhe më tej Enver
Hoxhën. Për këtë arësye ai qysh në atë kohë ishte betuar se do t’u hakmerrej
kur t'i vinte koha. I kësaj natyre është edhe raporti i tij me Musine
Kokolarin, vajza gjirokastrite, e cila bashkë me familjen, jetonin në qytetin e
vogël të Gjirokastrës dhe për më tepër, ishte kushërirë jo fort e largët.
Frika nga epërsia intelektuale
Pas mbarimit të
Liceut francez në Korçë, Sabiha Kasimati shkon për studime në Universitetin e
Torinos në Itali, në fushën e biologjisë, dega Ihtiologji, përkatësisht për
studimin e pasurive nën-ujore dhe shumimin e peshqve në ujrat e Shqipërisë.
Përveç studimeve, që i kreu me sukses të lartë, ajo po në Torino i përfundoi
edhe studimet e doktoraturës, duke u bërë gruaja e parë shqiptare me gradën kaq
të lartë në këtë fushë deficitare për Shqipërinë. Profesorët e atjeshëm do ta
këshillojnë Sabihanë të mos kthehej në Shqipëri, pasi lufta tashmë ishte
zgjeruar edhe në vendlindjen e saj. Por Sabihaja ishte e vendosur të
kthehej dhe ashtu bëri. Me pikëpamje politike ajo ishte liberale, prandaj
asnjëherë nuk e mbështeti komunizmin, por as nuk iu kundërvu hapur. Megjithatë,
kudo në biseda, ajo fliste për veprimet e dëmshme, që bënte shoku i saj nga
Liceu Francez i Korçës. Pa dyshim, zgjuarsia dhe epërsia intelektuale e
Sabihasë e pengonte Enver Hoxhën, i cili tashmë e kishte futur në listën e njerëzve
që do t’i hakmerrej. Bashkë me Musine Kokalarin do të jenë tri gratë fatkeqe,
që do të pësojnë nga hakmarrja komuniste e Enver Hoxhës.
Trajtimi i figurës së
Aurelias dhe Sabihasë përbëjnë pjesën kryesore të romanit, pasi edhe subjekti
kishte për qëllim pasqyrimin sa më real të Ego Karakterit të Enver
Hoxhës. Autori jep detaje të hollësishme, ku përmes personazhit dhe dramave
jetësore të këtyre tri grave ai do të nxjerrë në pah karakterin e një individi
me komplekse, deri në shkallë skizofrenie. Për shkak të fobisë që kishte nga
njerëzit që e njihnin për bëmat e tij jetësore, do t’i eleminon njërin pas
tjetrit, për të vazhduar karrierën e tij prej një përbindshi monstër. Para
pushtetit të tij absolut Enver Hoxha nuk do të njihte mirësitë dhe ndihmat e askujt,
as të njerëzve të familjes e rrethit familjar. Janë të njohura
ndëshkimet e pashpirt nga Enver Hoxha të dhëndrrit të tyre, Bahri Omari, burri
i motrës së madhe Fahrijes. Ai, edhe pse e kishte ndihmuar për shkollim e
punësim, u pushkatua më 14 prill 1945, me udhër e dijeni të Enverit, pa u
prekur aspak as nga lutjet dhe lotët e të motrës, një ditë më herët. Po kështu,
shpreh mosmirënjohjen edhe ndaj Abaz Omarit, djali i vajzës së axhës. Pastaj
Enver Hoxha do të burgosë drejtorin e bankës italiane në Vlorë, Xhuzepe
Terrusin, burrin e Aurelia Pozelit, poetin e publicistin Manush Peshkëpia,
Qemal Kasaruhon dhe shumë të tjerë.
Ndëshkimeve të Enver
Hoxhës nuk i shpëtoi, pothuajse asnjë intelektual që kishte studiuar në Francë,
Itali, Austri, Gjermani, Kroaci e gjetkë. Me theks të veçantë kanë pësuar të
gjithë ata intelektualë që i kishte fqinjë në Gjirokastër, shokë shkolle në
Liceun Francez në Korçë, sikurse edhe të njohur të tjerë, që dinin për sjelljet
e turpshme të tij gjatë studimeve në Montpelje (Montpellier), të Francës, dhe sa kishte punuar në
Konsullatën e Shqipërisë në Bruksel.
Vetëdija e EGO Karakterit
Hakmarrja e Enver
Hoxhës, jo vetëm kundër tri grave që nuk u dashuruan me atë, por të të gjithë
atyre që e ndihmuan dhe e njohën, është esenca e nënvetëdijshme e romanit.
Nëpërmes tre protagoisteve gra, autori ka zbërthyer tërë maninë e një
diktatori, cili të gjitha i arrin falë aftësisë së tij spekulative, dhe me
kalimin e kohës, është shndërruar në monstrum, në përbindësh, kundër të
gjithëve që kanë mundur të shprehin mospajtime me të. Por dashuria si nocion
ngërthen vetëm pjesën e brendshme aventuriere të Enver Hoxhës, pjesa tjetër
është refuzimi i Aurelias, Sabihasë dhe Musine Kokalarit, që e shndërrojnë
karakterin e tij në egocentrik dhe hakmarrës. Pa dyshim, romani është pasuri
shumë e bukur e letërsisë së sotme shqipe, falë qasjes tematike që ka trajtuar.
Mbase më duket është i pari i këtij lloji që i kushtohet veprimit dhe manisë së
diktatorit Enver Hoxha. Së këndejmi autori përveç se ka qenë njohës i saktë i
rrethanave duket të ketë shfrytëzuar material arikivor dhe është shërbyer edhe
me rrëfime të përjetuara të të afërmëve dhe të atyre pak shokëve e miqve të
Aurelias, Sabihasë e të Musinesë, të cilët i kanë shpëtuar diktaturës
komuniste.
Arroganca e Enver
Hoxhës, jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por ndaj të gjithëve që e
njihnin, ndaj atyre që e kishin ndihmuar, po sidomos kundër shokëve të shkollës
dhe studimeve, të cilëve nuk ua duronte epërsinë intelektuale e bëjnë Egon e
Diktatorit specifike dhe unikale. Nga romani shihet se ai nuk ua duronte
gradat akademike, që ata i kishin fituar nëpër universitetet prestigjioze të
kohës. Vetë Enver Hoxha e degradoi vlerën intelektuale, duke e kthyer vendin
nën udhëheqjen e çobanëve dhe individëve të kompleksuar siç ishte ai vetë. Ky
karakter udhëheqësi nuk ndeshet askund në kampin socialist dhe as në udhëheqjet
më primitive që ka njohur historia e njerëzimit. Enver Hoxha i posedonte të
gjitha epitetet e një udhëheqësi me marrëzi të bollshme, duke persekutuar dhe
ekzekutuar vajza, të cilat nuk iu kanë nënshtruar epsheve të tij qysh në rininë
e tyre të hershme. Pushkatimi dhe internimi i bashkëpunëtorëve të vet ka
vazhduar tërë karrierën e tij politike. Por, në roman kjo ilustrohet vetëm me
rastin e Nako Spiros. Eliminimet e kundërshtarëve politikë, kualifikoheshin si
vetëvrasje ose me epitete të tradhtisë ideologjike dhe të vlerave të
revolucionit komunist, i cili tashmë kishte triumfuar në Shqipërinë e pas
Luftës së Dytë Botërore, dhe madje karshi numrit të banorëve duhet të jetë
shembull i krimit ndërvëllazëror. E nëse statistikat reale nxjerrin numrin e
pushkatimeve, internimeve dhe eliminimeve ndaj Elitës Intelektuale në raport me
numrin e kufizuar të të shkolluarve, që kishte Shqipëria në ato vite do të
duhej diktatura staliniste e Enver Hoxhës, të hynte në Librin e Rekordeve
Guiness, për krime që ia ka bërë shoqërisë dhe Elitës Intelektuale të vendit.
Padyshim sundimi i tij do të konsiderohet si pushteti më diktatorial në tërë
Kampin Socialist, jo vetëm në Evropën Lindore, por në përmasa globale. Këtë të
vërtetë historike dhe trishtim e përjetojmë edhe nga romani “Dashuri
Diktatori” të Xhevat Mustafës. Ai ka ndërtuar një roman monumental kushtuar
tri grave, që kanë pësuar tragjedi nga hakmarrja e Enver Hoxhës. Po ashtu ai ka
ndërtuar një piedistal artistik për 22 viktimat në natën e 26 marsit 1951, nën
komandën e Mehmet Shehut dhe drejtuesit të lartë të Policisë, Arqile Derrit (emër
i trilluar nga autori), ku janë pushkatuar intelektualët e pafajshëm: Sabiha
Kasimati, Reiz Selfo, Zyhdi Herri, Qemal Kasaruho, Manush Peshkëpia, Pjerrin
Guraziu, Gjon Temali, Zyhdi Herri, Ali Qorraliu, Petro Konomi, Thoma Katundi,
Pandeli Nova, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Niko Lezo, Anton Delhysa, Tefik
Shehu, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni, Haki Kodra, Mehmet Shkupi dhe Lluka
Rashkoviç, (faqe 314).
Viktimat e 26 marsit
1951, deri në vitet e nëntëdhjeta u anatemuan, madje nuk iu diheshin as
eshtrat, kurse për gjatë viteve të diktaturës komuniste u trajtuan si
tradhtarë, antikomunistë e epitete të tjera, por e vërteta shkon në dy kahe. E
para, hakmarrje e drejtpërdrejt e Diktatorit me të gjithë ata që njihej. E
dyta, ishte fobia e sistemit komunist nga intelektualët, të cilët pse mbajtën
qëndrim refuzues ndaj partisë komuniste ose drejtpërdrejt ndaj diktatorit Enver
Hoxha, nëpërmes intrigave që i sajonin njerëzit e pushtetit, ndëshkoheshin
egërsisht. Çfarëdo epiteti kundër atyre viktimave ndoshta mund të kapërdihej,
por në asnjë mënyrë si bandë terroriste që paskan hedhur Bombë në Ambasadën
Sovjetike në Tiranë. Për Diktatorin dhe diktaturën komuniste, Bomba në
Ambasadën Sovjetike në Tiranë, ishte pretekst dhe u bë shkas për t'u hakmarrë,
për t’i eliminuar edhe disa nga intelektualët që ua kishte frikën edhe vetë
Diktatori. Ndërsa në anën tjetër kishte për qëllim ta shtonte frikën dhe
tmerrin te pjesa tjetër intelektuale, e cila kësaj radhe i kishte shpëtuar
hakmarrjes së paskrupullt komuniste.
Saktësia e shtjellimit dhe fati tragjik
Shtjellimi i saktë, i
ndjeshëm dhe përjetues i figurës së vajzës së re italiane, siç ishte Aurelia, e
cila asaj kohe jetonte në Gjirokastër bashkë me familjen e saj dhe përshkrimi
aq i përafërt me realitetin, e bën romanin për t'u përjetuar, dhe për të mos u
harruar shpejt. Përfytyrimet e figurës së Aurelias në romanin “Dashuri
Diktatori”, janë fine, dhe të kapshme. Portreti i saj shpaloset nga
rrjeshti në rrjesht dhe nga faqja në faqe, prandaj mendoj se me pak mund,
kinomatografia shqiptare ose ajo italiane, mund ta shndërronin këtë prozë në
film, për t’i shprehur nderim familjes Terrusi dhe të gjitha viktimave të tjera
italiane, të cilët bartnin të vetmin mëkat se kishin ushtruar veprimtari
ekonomike dhe të biznesit në Shqipëri, kurse koha e luftës i kishte gjetur në
këtë vend, nga i cili nuk nxituan të iknin, edhe kur koha shënoi fitoren e
Partisë Komuniste të Shqipërisë. Për fat të keq të të gjitha viktimave dhe të
vendit në përgjithësi, në krye të Partisë Komuniste u gjend manjaku, që vuante
nga komplekset e inferioritetit intelektual. Prandaj eliminimi i të afërmëve
dhe i shumicës së gjeneratës së tij, i të gjitha grave që i kishte njohur dhe
ëndërruar, ishte shndërruar në mani, kurse me kalimin e kohës iu bë paranojë,
eliminimi i të gjithëve, nga të cilët ai mund të shihte ndonjë rrezik. Epshet e
shfrenuara të Diktatorit dhe defektet psikike të tij, artistikisht dhe
letrarisht nuk janë trajtuar asgjëkundi më bukur se në këtë roman, i cili
urojmë të jetë i pari, por jo edhe i fundit, që trajtojnë njeriun monstrum,
sundimtar abosolut i Shqipërisë për më shumë se gjysëmshekulli diktaturë të
hekurt dhe primitive.
Nëse romani "Dashuri
Diktatori", i Xhevat Mustafës, merret me vesin hakmarrës ndaj tre
grave dhe të një elite të caktuar intelektuale, vepra të tjera dhe nga autorë
të tjerë, mund t’ia zbulojnë edhe veset e tjera siç janë prirja e tij
homoseksuale, (shih faqe 62), dhe dyshimi për atësinë biologjike, ku pjesa e
parë brenda romanit nuk është interes i trajtimit, pasi këto vese i janë
përmendur në mënyrë periferike, ndërsa dyshimi për atësinë theksohet edhe nga
Fahria, motra e Enverit (faqe 187). Diktatori ka pasur edhe shenja të
pedofilisë, kanibalizmit, kur dihet se nëpër koluare është shkruar se janë
sakrifikuar me dhjetëra foshnje për gjakun e tyre të mirë, sa për t'i zgjatur
jetën atij. Gjithashtu është e njohur edhe urrejtja patologjike dhe fobia e
Diktatorit kundrejt klerit shqiptar dhe kundrejt shtresës aristokrate të
Shqipërisë, që nuk janë pjesë e romanit, por janë me interes për t'u trajtuar.
Kjo, sepse vetëm veprat artistike e letrare mund ta shkëpusin shoqërinë
demokratike nga mëdyshjet dhe nostalgjia, për një periudhë kaq të errët, me
pasoja të bartura edhe në vitet e demokracisë së brishtë, e cila nuk po
këndellët. Prandaj si në asnjë vend të Evropës Lindore tranzicioni nga botëkuptimi
komunist në mendësinë pluraliste ka zgjatur së tepërmi në Shqipëri. Për fat të
keq edhe sot ka prirje të mendësisë së dhunës, eliminimit dhe të diktaturës.
Romani "Dashuri
Diktatori" është një vepër e mirëfilltë artistike në shërbim të
proceseve dhe të vërtetës historike. Njëkohësisht, mund të konsiderohet një
homazh artistik për Sabiha Kasimatin, Aurelia Poceli Terrusin, Musine
Kokalarin dhe për të gjithë viktimat e 26 marsit 1951.
Format e hakërrimit egoist
Fatin e Aurelias,
vetëm me një formë tjetër, do ta pësojë Sabiha Kasimati. Derisa hakmarrja e
Diktatorit kundër italianes kap linjën e nxirjes së jetës, duke ia burgosur
burrin dhe shkatërruar familjen, te Sabihaja ndiqet një linjë kriminale tjetër,
e hakërrimit egoist, një urrejtje patologjike, duke mos ia duruar suksesin
universitar, akademik dhe shkencor. Prandaj hakmarrja e Diktatorit përfundon me
pushkatimin e saj, pa pasur mëshirë se ajo ishte e vetmja shkencëtare që merrej
me kultivimin dhe shtimin e peshkut në ujrat e Shqipërisë. Po ashtu në roman
shpaloset edhe një linjë tjetër e hakmarrjes komuniste të vetë Diktatorit
kundrejt Musine Kokalarit, të parës grua shkrimtare që kishte Shqipëria. Kësaj
intelektualeje, përveç se ia shkatërroi familjen, duke ia vrarë dy vëllezërit,
të cilët ishin edhe mësimdhënës të tij, do ta përplasë e poshtrojë gjatë tërë
jetën nëpër burgje e kampe internimi, pa shprehur pendim dhe pa bërë asnjë
amnesti për të. Dhe sikur të ishin vetëm këto tre raste ia vlente të shkruhej
ky roman. Autori ishte i vetëdijshëm se përmes këtyre tre grave kryente një
shërbim edhe për gratë e tjera, që pësuan ngjashëm tragjedi tronditëse nga
diktatura komuniste.
Tragjikët dhe pësimi i tyre tragjik
Një ditë më parë në
duart dhe zyrën e Mehmet Shehut ishte vrarë tregtari Januz Kaceli, të cilin ai
së bashku me një tjetër, e kishin hedhur për vdekje nga dritarja e zyrës së
tij. Për të treguar mosmirënjohjenn, ligësinë apo çmendinë, Enver Hoxha me të
rrëmbyer pushtetin në duart e tij, kishte vrarë Bahri Omarin, bashkëshortin e
motrës së madhe Fahrijes, pastaj Abaz Omarin, djalin e vajzës së axhës, që i
bie nipin e vet. Në vijim, kishte vrarë dy vëllezërit e Musine Kokalarit, kurse
vetë ajo kishte kaluar vite të tëra në Burgun e Burrelit. Po ashtu Diktatori
kishte degdisur në burgun e tmerrshëm të Burrelit edhe Xhuzepe Terrusin, burrin
e Aurelias, ish drejtor i filialit të Bankës Italiane në Vlorë. Ky personazh
është ndër më tragjikët e romanit, prandaj zë vemendjen e autorit. Ai ka pësuar
tragjikisht për fajin e vetëm pse ishte martuar me Aurelian. Akuzat e tjera
kundër tij janë farsë dhe sajesa për të justifikuar krimin morbid. Roli i
Aurelias, në këtë roman është trajtuar dinjitetshëm, si personalitet i gruas
fisnike e të ndërgjegjshme, por me fat tragjik pse për shumë vite ishte fqinja
e Enver Hoxhës në Gjirokastër. Refuzimi i saj për lidhje dashurie me Diktatorin
në kohën e rinisë së tyre është vetëm shkas i hakërrimit të Enver Hoxhës, për
t'ia nxirë jetën Aurelias së gjorë.
Dhuna si mani për vetëkënaqësi
Vetëkënaqësia, përmes
dhunës dhe krimit, ishte shndërruar në mani për Diktatorin, siç përshkruhet
edhe në këtë roman. Këto detaje janë përfolur në shtypin e kohës, nëpër artikuj
të shumtë, po sidomos nëpërmes intervistave dhe rrëfimeve të viktimave, që kanë
mbetur gjallë. Ky narracion artistik sjell në vetëdijen e shoqërisë së sotme
atë kohë që ishte shndërruar në frikë e tmerr për shoqërinë, sidomos për Elitën
Intelektuale.
Dashuria e Diktatorit
me Aurelian është vetëm një histori dhe një rast i trajtuar me finesë e
besueshmëri nga autori autori, i cili ka arritur që t’i zbërthejë disa pamje të
panjohura nga karakteri i Diktatorit. Për atë djalosh të ri me urrejtje kundër
të gjithëve, që nuk iu kanë nështruar veprimeve aventureske, e bëjnë edhe më
paradoksale prirjen kriminale për moshën që kishte. Aurelia, është vajzë
italiane, e bukur dhe e admiruar nga brezi i saj, pra edhe nga Enver Hoxha i
cili i prirë nga ambiciet egoiste dëshironte të realizonte me këtë vajzë çdo
pasion dhe epsh që kishte. Ishin përpjekje të kota për ta bindur Aurelian për
lidhje serioze, për fejesë dhe martesë me të. Ajo e njihte prandaj e refuzoi,
gjë që do ta dëshpërojë Enver Hoxhën. Refuzimi i saj, në Egon e Diktatorit
që po lindte, do të ngjallë instiktin për hakmarrje të herdokurdoshme, instikt
ky që shkon duke ia sforcuar egon dhe pasionin për të dominuar mbi rrethin dhe
shoqërinë e brezit, në kohën kur shkollimi dhe studimet nuk i kishin shkuar
mbarë.
Lajmi për fejesën e
Aurelias me drejtorin e Filialit të Bankës Italiane në Vlorë Xhuzepe Terrusi,
do ta xhindosë tejmase diktatorin e ardhshëm dhe shefin e Partisë Komuniste të
Shqipërisë, Enver Hoxhën, dhe si duket egoja hakërruese këtu nis fillin e
deformimit të saj. Jeta e Aurelias me Xhuzepen do të përshkruhet e lumtur në
ato vite. Por me të përfunduar lufta dhe me triumfin komunist, do të kthehet në
ferr, pasi atëherë do të nisë kalvari i vuajtjeve të saj. Hezitimi për t’i
nisur apo jo një telegram urimi, dëshirë të cilën e kishte shprehur fillimisht
Xhuzepe Terrusi, është një detaj i vogël që shpreh frikën e tmerrshme që prej
kohësh e kishte kapluar Aurelian (faqe 97), e cila ia njihte edhe karakterin
hakmarrës Enver Hoxhës. Kjo njohje dhe frikë do të frenojë Aurelian për t’ia
nisur telegramin e urimit Diktatorit, që ta uronte për triumfin komunist. E
pikërisht për shkak të këtij triumfi edhe martesa e saj me Xhuzepe Terrusin do
të jetë jetëshkurtër.
Triumfi komunist dhe pasojat ideologjike
Siç dihet Shqipëria
përfshihet në Luftën e Dytë Botërore, kurse mbarimi i saj lidhet me triumfin
komunist, me ardhjen e Enver Hoxhës në majat e pushtetit absolut komunist. Nga
atje ai do të nisë hakmarrjen ndaj të gjithë atyre, që e njihnin dhe dinin
shumë të vërteta diskretituese për atë. Po ashtu, hakmarrja egoiste do të nisë
edhe kundër tri grave tashmë protagoniste të këtij romani. Diktatori, më parë
se të vinte rendin popullor, yshtet për aventurë hakmarrëse kundrejt Aurelias,
të cilës do t’ia burgosë burrin. Me burgosjen e Xhuzepes do të nisë kalvari i
vuajtjeve të saj dhe këtu e ka fillimin edhe zhgënjimi i madh i Aurelias.
Ngjarjet zhvillohen përplot me emocione dhe mbresa. Nëpërmjet tyre utori
shpalos edhe pamje të panjohura të Ego Karakterit, që posedonte
Diktatori me probleme të rënda psikike, dhe asnjëherë të një udhëhqësi normal,
për të cilin kishte nevojë Shqipëria e asaj kohe. Këto ambicie hakmarrëse
lidhen me një datë historike, të triumfit komunist në Shqipëri, më 29 nëntor
1944, kur Enver Hoxha, arriti të bëhej kryetar i Partisë Komuniste dhe
kryeministër i Shqipërisë.
Një gjysëm viti më
vonë, (më 25 mars 1945), me urdhër të Enver Hoxhës, do të burgoset
Xhuzepe Terrusi, me porosinë e Diktatorit për t’ia nxirë jetën jo vetëm
Aurelias, por të gjithëve që guxonin të flisnin e vepronin kundër tij. Edhe
Xhuzepe Terrusi ishte viktimë e Egos së Diktatorit. Ai dënohet me tetë
vjet burgim të rëndë dhe pas një kohe e transferojnë në Burgun e Burrelit.
Autori ka përshkruar me ndjenjë përjetimi, përpjekjet e Aurelias për ta
shpëtuar burrin e saj. Po ashtu ajo bën përpjekje për ta takuar Enver Hoxhën me
shpresë se do ta zbuste shpirtin e një xhindi që tashmë gllabronte viktimat,
duke i sjellë vendit zi. Po ashtu përjetuese janë takimet nga vizitat e saj në
Burgun e Vlorës dhe në Burgun e Burrelit. Xhuzepe Terrusi ishte i vetëdijshëm
për fundin e tij tragjik, prandaj e këshillon Aurelian për t'u riatdhesuar në
Itali, të paktën ajo të mos vuante dhe në anën tjetër t’ia shpëtonte Aldon,
djalin e vetëm të tyre. Këto ngjarje kanë zhvillimin e vet, dhe në secilin rast
autori ka dhënë emocione të çastit e rastit, që janë përjetime të rënda dhe
mbresëlënëse, pasi përmes këtij rrëfimi është sjellë në këtë kohë realiteti i
hidhur, i cili errësonte Shqipërinë e asaj kohe.
Romani, përveçse
rrëfen Dashuritë e Diktatorit, shpalos egërsinë e tij të pamëshirshme, qoftë
në takimin e vetëm që pati me Aurelian, kundrejt së cilës është sjell si
diktator, duke u arsyetuar se ai nuk mund ta ndihmonte, pasi nuk ndërhynte në
punët e drejtësisë, që ushtronte Pushteti Popullor!? Enver Hoxha i thotë
Aurelias se ai nuk kishte ndërhyrë në punët e drejtësisë as për familjarët e
tij, të cilët i kishte ndëshkuar pamëshirshëm. Këto momente janë përjetime
trishtuese edhe për lexuesin e sotëm se si ka mundësi të vinte në majat e
Pushtetit Komunist një njeri kaq i pashpirt, siç u tregua Enver Hoxha me të
gjithë, dhe veproi kundër të gjithëve që e njihnin dhe ia dinin bëmat
aventureske të tij. Sikurse me Aurelian, Enver Hoxha, ngjashëm është sjellë
edhe me Musine Kokalarin dhe familjen e saj, si dhe me motrën e tij të madhe,
të cilës do t’ia pushkatojë burrin. Më në fund Aurelia riatdhesohet diku në
fund të viteve të dyzeta, kurse Xhuzepe Terrusi nuk do ta përballojë gjendjen e
rëndë në Burgun e Burrelit. Ai vdes në mars të
vitit 1952, kurse vetëm pas tre muajsh Aurelia merr telegramin nga personeli i
burgut me njoftimin se Xhuzepe Terrusi ka vdekur, pa informacione shtesë se ku
dhe si ishte varrosur.
Hakërrimi egoist për shkak të nivelit
intelektual
Historia e njohjes së
Diktatorit me Sabiha Kasimatin nis qysh në vitet e shkollës, në Liceun Francez
të Korçës. Më vonë Sabiha Kasimati, kryen studimet në Itali dhe bëhet
shkencëtare në fushën e biologjisë. Edhe Sabihaja e ka refuzuar kërkesën e
Enver Hoxhës, për t'u fejuar e martuar me të. Edhe ky rast do ta xhindoste
Diktatorin e ardhshëm, i cili edhe ndaj saj ishte betuar qysh atëherë se do t’i
hakmerrej. Refuzimi i Sabihasë lidhet drejtpërdrejt me njohjet që kishte për
karakterin e Enver Hoxhës, pastaj ajo dinte shumë edhe për të shkuarën
aventureske të tij, qysh në Liceun Francez në Korçë dhe në Montpelje (Montpellier), të Francës. Por refuzimi
që Sabihaja i kishte bërë Enver Hoxhës, në vetëdijen e tij do të ndikojë në
forcimin e egos, për t’ia rritur dozën e hakmarrjes së mëvonshme. Hakmarrja
ndaj Sabihasë duket të jetë edhe më primitive. Derisa hakmarrja e Diktatorit
kundër Aurelias kishte qëllim t’ia nxinte asaj jetën, përmes burgosjes së
bashkëshortit dhe nëpërmes formave të dhunës fizike e psikologjike, hakmarrja
kundër Sabihasë është e motivuar kundër nivelit të saj intelektual, pasi Diktatori
nuk mund t’ia duronte sukseset Sabihasë, e cila kishte arritur t’i kryente me
sukses të gjitha studimet universitare dhe akademike.
Enver Hoxha, do të
arrijë t’ia shkatërrojë jetën dhe madje edhe ta pushkatojë shkenctaren e vetme
që kishte Shqipëria në fushën ihtiologjisë. Ajo, me urdhër të vetë Enver
Hoxhës, bashkë me 22 të tjerë do të pushkatohet në mbrëmjen e datës 26 mars
1951. Autori ka përshkruar me hollësi jetën e saj, përipecitë jetësore,
shkollimin, mjekimin në sanotorium në Torino të Italisë, pastaj punën e saj
shkencore dhe takimin e saj me Enver Hoxhën, të cilit do t’ia përplasë në
surrat pikëpamjet e saj, përkitazi me udhëheqjen e gabueshme, veçmas për krimet
monstruoze që bënte në ato vite. Sabihaja, si shoqe e Liceut Francez të Korçës,
duhet të mbetet figura më tragjike e krimit komunist, e cila bashkë me Musine
Kokalarin do të pësojnë për shkak te njohjeve, që kishin me Diktatorin, po më
shumë për shkak të epërsisë së tyre intelektuale dhe krejt natyrshëm edhe për
shkak se nuk iu kishin nënshtruar pasioneve aventureske, që kishte Enver Hoxha
qysh në rininë e tij të hershme. Krimi dhe aventurat do t’i bëhen pasion i
përhershëm në tërë karrierën e tij udhëhëqëse, kurse vrasjet dhe krimet
vazhdojnë njëri pas tjetrit, madje ato bëhen pjesë e procesit të spastrimit
ideologjik edhe brenda udhëheqjes së lartë shtetërore. Kjo ego kriminale e
drejtuesit të partisë dhe të shtetit e kanë shëndërruar atë në monstrum dhe në
kanibal, veçmas për shkatërrimin e familjeve të shumta intelektuale. Ato kishin
të vetmin faj pse ishin intelektualë dhe nuk iu ishin nënshtruar diktaturës
komuniste, e cila tashmë bënte kërdinë mbi secilin individ që guxonte të
mendonte ndryshe.
Kur jemi te Sabihaja
duhet përmendur koha e Studimeve sa ishte në Torino, këshillat e dekanit të
fakultetit, (faqe 114), vallëzimet me Enrikon, një studenti italian, i cili
pastaj kishte sakrifikuar për të ardhur në Shqipëri në kuadër të kontigjentit
ushtarak italian, që vepronte në Shqipëri, për ta bindur Sabihanë për
sinqeritetin e tij, (faqe 124-126). Gjatë këtij shërbimi, në një aksident ai do
të humbasë sytë, kurse jeta e tij merr tjetër kahe, (faqe 131-132). Ky detaj
është mjaft prekës dhe përjetues. Po kështu, edhe vizita e Sabihasë sa ishte në
sanotorium, kur ajo do ta vizitojë Enrikon e verbër në shtëpinë e tij. Ai takim
është rrëfyer me ndjenjë dhe posedon nota tejet prekëse, (shih faqe 144-149).
Po aq interesant duket edhe njohja me shkrimtarin Manfredo Bernardini, në kohën
sa ishte për shërim në atë sanotorium, (faqe 133-144). Po me kaq nota lirike
janë përshkruar edhe raportet e Sabihasë me të fejuarin e saj Astritin. Një
personalitet i qetë, intelektual i formuar që me sjelljen e tij i kishte
krijuar asaj çaste të lumtura, telin e të cilave e këputi hakmarrja e
Diktatorit, kur e pushkatoi Sabihanë si "armike e popullit", duke
dëshmuar për mizorinë e pashpirtshme që kishte ndaj të gjithëve, që nuk iu kanë
nështruar diktatit të tij komunist.
Rreziku që mund t’i vinte nga ata që e
njihnin
Në kuadër të këtyre
eliminimeve, vend me rëndësi në romanin e Xhevat Mustafës zë edhe rasti i
poetit dhe publicistit Manush Peshkëpia, sidomos në vitet pas triumfit komunist
në Shqipëri, deri në pushkatimin, tashmë të njohur në vitin 1951. Gjithsesi
mbresa të përjetuara dhe njëkohësisht edhe të trishtëta janë ato në natën e
fundit para se t'i pushkatonin, siç është biseda e Sabihasë me Reiz Selfon ose
me Qemal Kasaruhon dhe të tjerët. Të gjithë këta emra bashkë me tregtarin Jonuz
Kaceli i mbytur një natë më parë nga Mehmet Shehu, kanë pasur njohje të
drejtpërdrejta me Enver Hoxhën, në periudha të ndryshme, madje disa sish edhe e
kanë ndihmuar. Por për Diktatorin kjo s'kishte rëndësi, pasi fobia e tij kishte
krijuar paranojen se rreziku mund t’i vinte pikërisht nga njerëzit që e
njihnin, prandaj të gjithë i pushkatoi më datën 26 mars 1951, duke gjetur
pretekstin e hedhjes së Bombës në Ambasadën e Sovjetike në Tiranë, që kishte
ndodhur, më 19 shkurt 1951.
Arti letrar flet për të vërtetën historike
Ky përceptim letrar e
artistik lidhet drejtpërdrejt me të vërtetën historike, si dhe me realitetin e
kompleksuar të Enver Hoxhës. Lidhet me urrejtjen e shëmtuar, e cila nga fobia i
ishte shndërruar Diktatorit në ves me përmasa patologjike. Xhevat Mustafa, ka
përdorur me mjeshtri faktet historike, njohjet me të afërmit e disa prej
viktimave dhe shfrytëzimin e arkivave shtetërore, gjë që si askush tjetër ka
arritur t’i letrarizojë si duhet ngjarjet, për t'u përjetuar kjo prozë
artistike sa më mirë.
Ngjarja me Bombë në
Ambasadën Sovjetike në Tiranë, e cila ka ndodhur më 19 shkurt 1951, dhe
pushkatimi pa procedura të rregullta gjyqësore të 26 marsit 1951, e bëjnë
rastin historik edhe më tragjik, i cili tash vjen në mënyrë artistike në
romanin “Dashuri Diktatori”, si rrëfimi më i përjetuar për hakmarrjen komuniste
ndaj Elitës Intelektuale. Fati i këtij krimi, i cili u mbulua me heshtje, madje
duke bërë përpjekje për t'ua humbur edhe gjurmët, do të zbulohet vetëm pas
dyzet e ca vitesh, në saje të një bariu (Xha Bedriu), që i ka përgjuar në natën
e errët dhe të punëtorit teknik (Eskavatoristit), i cili të nesërmen duhej të
rrafshonte terrenin për t’i fshehur e mbuluar të gjitha gjurmët. Edhe ky detaj
është mjaft interesant dhe përjetohet thellë, sikurse edhe përpjekja e Aldo
Terrusit, i biri i Xhuzepe Terrusit i cili as pas shtatëdhjetë e sa vitesh nuk
ka arritur t'i gjejë eshtrat e babait tij, të groposura diku në oborrin e
Burgut të Burrelit, që mbetet epilogu më tragjik i këtij krimi, i kësaj
barabarie në romanin "Dashuri Diktatori" të Xhevat Mustafës.
Epilogu
Mund të përfundojmë
se Enver Hoxha ka vuajtur nga fobia e përhershme e të kaluarës aventureske që
kishte, prandaj të gjithë të njohurit i ka pushkatuar, internuar dhe eliminuar
për t’i fshehur gjurmët e tij, të cilat duken se përfaqësojnë udhëheqësin me
komplekse të pashërueshme, shndërruar në mani. Nga kjo që thamë, mund të
përfundojmë se Diktatori i Dashuruar, nuk ka mundur të mbajë pushtetin e
vet diktatorial pa vrasje dhe krime makabre, andaj është shndërruar në kanibal,
elemente të cilat janë përfolur edhe në dokumente të tjerë. Ai ishte vetë
xhindi që përpiu tërë mirëqenien e Shqipërisë, pasojat e së cilës po i përjeton
edhe sot e kësaj dite shoqëria shqiptare.
Autori Xhevat
Mustafa, përmes këtij romani të bukur, tronditës dhe emocionues ka synuar të
arrijë e të rikthejë, artistikisht, për aq sa ka mundur, të kundërtën e asaj
urrejtjeje, që kishte kultivuar diktatori Enver Hoxha!
CH - St. Gallen, 19 qershor 2022.
Shefqet Dibrani