| E shtune, 20.12.2008, 12:47 PM |
Kushte ekonomike zor se të afërmit e tyre mund ti gëzojnë në atdhe edhe pas dekadash të tëra
New York
Mes shqiptareve të Amerikës
Nga: Albert Zholi, Elsa Xhai
Ditë më parë u mblodhëm në USA midis njerëzve të dashur emigrantë të këtij supershteti, i cili në çdo moment, por sidomos në pragdimër, shijohet më mirë freskia e ajrit, aroma e luleve që s’njohin stinë, bukuritë e pashoqe të gjithanshme të këtij vendi të bekuar nga zoti. Në këtë vend simbol të demokracisë jetojnë mijëra bashkatdhetarë të cilët me punën e tyre, djersën e tyre kanë krijuar konfortin në familje dhe kapital të konsiderueshëm për një jetë normale.
Nju York
Ndalesën e parë e bëjmë në këtë qytet shtet. Kështu do ta quanim për nga madhësia dhe rëndësia politiko-ekonomike këtë vendbanim me përmasa të hatashme. Përfaqësues të Fondacionit Amerikano-Shqiptar na pritën në aeroportin gjigand plot ndriçim “Kenedi”. Aty takuam Elmira Mujën, Agathi Lukën, Rita Mujën, mësuesen e talentuar të shkollës publike në Neë Jersey, ish -dirigjente në shkollën e qytetit. Agathia ka punuar në kompaninë Real Estate të Neë York-ut. Ajo tashmë banon në një shtëpi moderne, së bashku me bashkëshortin Ylli Luka, të cilët na ftojnë në shtëpi dhe na presin sipas zakonit shqiptar, siç dinë të presin shqiptarët, me zemër të hapur. Atë mbrëmje e gdhimë duke biseduar. Ne u flisnim për Shqipërinë ata, për komunitetin tonë aty. Ishin çaste emocionuese, malli.
E nesërmja
Ditët në Amerikë dhe pse stinët ndryshojnë, mbeten po ato. Pastërti në ço vend, rregull, asfalt. Këmba nuk të shkel asnjë milimetër në baltë. E nesërmja na gjen në kishën e Shën Kollit. (“St Nieholas Albanian orthodox Church”), ku z. Xhon Liolin dejtonte një meshë. Viti 2008, për shqiptarët e USA ishte viti i 100-vjetorit të themelimit të kishës së Shën Gjergjit në Boston drejtuar nga Fan Noli, e cila shënoi liturgjinë e parë hyjnore në shqip, me pjesëmarrës shqiptarë, patriotë të kohës. Ky përvjetor u festua me një madhështi të tillë saqë dhe sot shqiptarët e atjeshëm nuk e heqin nga goja dhe mendja. Në kishën e Shën Kollit ku u mblodhëm atë ditë pushimi (181-4 Midland Park Ëay, Estates-Neë York, NY 1 432), takuam mbi 100 shqiptarë që së bashku me vendasit ndiqnin meshën e radhës. Z. Xhon Liolin që drejtonte meshën është vëllai i Artur Liolin, i cili drejtoi për vite me radhë meshën në Boston, tek kisha e Shën Gjergjit. Njerëz të tillë eruditë të kohës, mbajnë pranë plot shqiptarë që vijnë aty me kilometra larg për t’u bashkuar me njëri- tjetrin, për të kuvenduar dhe qarë hallet por edhe për të kujtuar atdheun mes tyre. Pas meshës, të gjithë zbritëm në katin e poshtëm të kishës, ku ishte një bar-kafe dhe një mencë. Në këtë sallë, Agathia (Kryetare e Grave Ortodokse të kishës) po kuvendonte me shoqet se si të organizonin ditën e Shën Kollit. Në këtë drekë na mbetën në mendje ardhja në tavolinën tonë dhe biseda me mesazhe e Presidentit të kishës Bill Peterss. Ai duke marrë vesh ardhjen tonë na pyeti gjerë dhe gjatë për Shqipërinë sikur të ishte shqiptar që jetonte në mes të Tiranës.
Gazeta “The ortodoks post”
Një gazetë e vogël por e këndshme. Në këtë gazetë modeste por tepër informative një vend të veçantë zinin shkrimet e intelektuales Linda Fundo. Atë e gjeje kryesisht në këto grupime shqiptarësh ditët e diela. Aty jepeshin dhe adresat e bashkatdhetarëve për lidhje të mëtejshme si emrat e respektuar të Stefan Fundos, Petrika Trojas, Nasi Pavllos, Ilir Fundos, Ilia Lukas, Adrian Miles, Andrea Kutalit, Roland Llupos, etj…Ajo gazetë ishte si një abetare për të ruajtur gjuhën por edhe për të mësuar sado pak të reja për Shqipërinë dhe komunitetin.
Shkollat
Ajo që ishte e rëndësishme në këtë vizitë për ne (për të mos thënë një nga objektivat), ishin shkollat. Në Neë Yersi pamë disa të tilla. Shumë vajza shqiptare që punojnë si mësuese kanë të njëjtin trajtim dhe respekt si vendaset. Pikërisht në një nga këto shkolla na folën për për Rita Mujën, për Florën që punojnë me aq përkushtim me nxënësit. Në një nga shkollat ku jepnin mësim mësueset shqiptare ne hymë për të pyetur për nxënësit shqiptarë. Mësueset vendase na folën me respekt për Johanin dhe Grejsin, i pari 13 vjeç dhe i dyti 8 vjeç. Johani që shkurt i flisnin Xhan, ishte ndër nxënësit më të dalluar të shkollës, njëkohësisht një ndër basketbollistët më të mirë të shkollës për të rinj dhe luante në NDA në ekipet e të rinjve. Prindërit e tij Reli dhe Mamica përkujdeseshin ndjeshëm për fëmijët dhe ishin krenar për arritjet e tyre, pasi i respektonte gjithë qyteti.
Letrat përshëndetëse që u vinin nga shkolla ishin pafund. Johani ishte zgjedhur një ndër ambasadorët e paqes nga USA, në disa vende të Evropës si dhe në Australi, për të kontaktuar me moshatarët në këto vende. Komuniteti i vëllezërve tanë është sistemuar edhe me shtëpi. Një vizitë në shtëpitë e mësueseve të befason. Apartamente komode të mobiluara me shumë shije, pastërti shembullore. Pikërisht para shtëpisë së mikeshave takuam edhe Balin, ish gazetar dhe spiker në Radio-Shkodra.
Gruaja në emigracion
Flitet shumë për të drejtat dhe punën e grave në emigracion. Fillimet e tyre ato punojnë punë të çfarëdoshme, punë të rëndomta dhe pse mund të kenë diploma. Objekti i shoqatës “Gruaja në media” dhe “Gruaja në zhvillim” në Tiranë ka qenë të kontaktojë e intervistojnë gruan shqiptare, familjen shqiptare në USA dhe vende të tjera për të plotësuar një studim 3-4 vjeçar jashtë vendit dhe konkretisht si vazhdon ky largim drejt Amerikës. Gjithmonë është folur se gratë në Amerikë kanë një trajtim ndryshe, më të mirë, janë më të respektuara, larg punëve të lodhshme fizike.
Studimi
Edhe pse nëpërmjet bisedave mësuam se komuniteti shqiptar në USA është integruar në jetën e vendasve, jo të pakta ishin dhe vështirësitë. Vitet e fundit drejt Amerikës shkojnë rreth 1000-2000 mijë emigrantë ekonomikë, kryesisht nëpërmjet lotarisë apo bashkimit familjar. Mungesa e njohjes së gjuhës, ligjeve të vendit, informacionit mbi funksionimin e shtetit evidentonin qartë vështirësitë që kishin komuniteti veçanërisht gratë në momente e para. Sot në SHBA numërohen rreth 400 mijë femra shqiptare të ardhura nga Kosova, Shqipëria, Malki i Zi, Presheva etj…Në shkollat e larta amerikane ndodhen 50 mijë studente shqiptare që ndjekin studimet. Degët në të cilat ato studiojnë janë nga më të ndryshmet dhe më të vështirat.
Shoqata “Motrat Qiriazi”
Është një nga shoqatat më aktive në SHBA. Gjatë takimit me drejtueset e saj, qartësuam se kjo shoqatë intervenon për edukim, asistencë sociale, (ushqimore), shpërndarje informacioni, mbi punësimin, asistencë ligjore falas etj.. Përsa i përket problemeve të komunitetit na u bënë prezente (kryesisht për gratë), papunësia, probleme të legalizimit, punësimi në punë të zezë, dhuna në familje, që shpesh ka çuar dhe në probleme sociale. Por problemi më pikant, ngelet mungesa e jetës sociale e kulturore e komunitetit, kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike të komunitetit, mungesës së kohës së lirë (pasi punësimi është i dyfishtë), mungesa e një mjedisi për aktivitete kulturore. Stresi i përditshëm në një ambient i panjohur plotësisht. Mos pasja e patentës së makinës, tradita për të mos relatuar problemet, konflikti midis brezave, rritja e përgjegjësisë familjare, informacioni i pakët mbi punësimin janë probleme të tjera që e vështirësojnë jetën. Shumë nga këto probleme kanë vënë në rrezik dhe lidhjet martesore.
box
Tendencat pozitive
Por nga gjithë takimet vihet re se, pas 5 -vjeçarit të parë emigrantët, kryesisht gruaja shqiptare është integruar thuajse plotësisht në jetën e vendasve. Ato i gjen të punësuar në sektorë të ndryshëm që nga ajo e tregut informal, deri në tregun formal si arsimi, tregti, magazine, shëndetësi, fabrika, banka etj.. Ajo çka ka rënë në sy kohët e fundit është përpjekja e tyre e vazhdueshme për të konvertuar diplomat si dhe përpjekjet për të përvetësuar një diplomë të panjohur në auditoret shqiptare të mësimdhënies.
Largimi
Kur largohesh nga një vizitë të tillë merr me vete mbresa të veçanta. Largohesh nga një vend ku mbizotëron, rregulli, pastërtia, ligji, qetësia, por mbi të gjitha nga një vend, ku motrat tona kanë zënë një pozicion të caktuar në shoqëri, ku nuk ndjehen të përbuzura, pa përkrahje, me shenja racizmi dhe jetojnë në kushte ekonomike që zor se të afërmit e tyre mund t’i gëzojnë në atdhe edhe pas dekadash të tëra.