| E diele, 26.06.2022, 01:22 PM |
Për njeriun e mirë, Selim Hysa...
Nga
Ibrahim Kabili
E
padrejtë u tregua jeta me shokun, kolegun, mikun dhe njeriun e mirë Selim Hysa. Ai prej
kohësh vunte nga një sëmundje e rëndë. Që të mos mjaftonte kjo bëri edhe një
aksident të frikshëm. Vdiq më 23 prill 2010 në moshën 62 vjeçare dhe u përcjell
për në banesën e fundit nga familja, shumë dashamirës, miq, shokë dhe kolegë
pune... Ky shkrim modest për, le të shërbejë si një homazh përkujtimor për
njeriun e mirë, Selimin. Unë kam patur fatin të njihem me të edhe të kisha
kontakte pune. E kam obligim moral të shkruaj disa radhë për të. Së bashku me
vëllain e tij të mirënjohur në krahinë, Besimin, vendosëm të shkojmë tek
shtëpia e tij tek Fresku. Data shënon 5 Maj 2022. Eshtë dita e dëshmorëve, një
ditë e bekuar. Eshtë dita e atyre bijëve dhe bijave më të devotshëm të kombit
që nuk kursye jetën e tyre për çlirimin e Atdheut. Eshtë dita e atyre njerëzve
me ideale të larta që na rikonformuan pavarësinë e Shqipërisë. Eshtë gjaku dhe
sakrifica e tyre që sollën ndryshimet e viteve 1945-90, me arritjet dhe
dështimet e tyre. Qe amaneti i tyre që u bënë edhe ndryshimet demokratike të
viteve '90. Gjaku i tyre është gurëthemeli i Shqipërisë. Lavdi të përjetëshme
dëshmorëve të Atdheut! Pseudot nuk mund ta "minimizojnë" apo
"baltosin" Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe gjakun e
dëshmorëve...
Ne
nuk mund të iknim në destinacionin tonë, pa kaluar nga varrezat e dëshmorëve të
kombit. Herët në mëngjes kaluam aty dhe
nderuam në mënyrën tonë herojtë dhe dëshmorët e kombit. Së bashku me
Besimin shkojmë tek shtëpia e djalit të Selimit. Një konçidencë e bukur, kjo
vizitë bëhet në këtë ditë të shënuar. Selimi dikur u ka thurur këngë dhe u ka
kënduar me gjithë fuqinë e shpirtit të tij, dëshmorëve! Në shtëpi na pret
bashkëshortja e Selim Hysës, Hankja. Biseda
solli kujtime të bukura, ku fiksuam disa...
Selim
Ahmet Hysa lindi në fshtin Mëner i Sipërm më 23.05.1952 në një familja të
varfër dhe me tradita në krahinë. Qe një fëmijë i zgjuar dhe i etur për
shkollë. Mësimet e para i kreu me rezultate shumë të mira në fshatin e tij të
lindjes. Shkollën 7- vjeçare e bëri në Zall-Mëner ku u vlerësua me nota
maksimale ku mori edhe fletë nderi. Meqenëse kishte kushte të vështira
ekonomike nuk mundi të vazhdonte shkollën e mesme dhe u detyrua të fillonte
punë. Kryen shërbimin ushtarak në Vaun e Dejës në Shkodër në vitet 1972-73 në
repartin e këmbësorisë. Dallohet atje për rezultate shumë të mira në
përgatitjen politike dhe luftarake dhe vlerësohet me fletë nderi. Kjo e motivoj
më pas për t'u inkuadruar në radhët e ushtrisë. Pas shërbimit ushtarak
regjistrihet në Shkollën e Mesme të Frutikulturës në Tiranë. E mbaron atë në
vitin 1980. Pas mbarimit të saj ai punon provizorisht si agronom në Mëner të
Sipërm për një vit. Vishet ushtarak dhe punon si nënoficer në Zall-Dajt në
vitet 1980-83. Këtu punojë shumë mirë dhe ndihmojë me çka mundi rezervistët dhe
ushtarët e repartit atje. Sot bashkohësit thonë fjalët më të mira, për Të. Në
vitin 1983 gjendja e tij shëndetsore sa vjen dhe rëndohet. Ai nuk mund ta
përballonte më punën e tij në ushtri duke qenë edhe larg shtëpisë. Bën kërkesë
dhe largohet nga kjo detyrë. Në vitin shkollor 1984-85, autoritetet e kohës
duke vlerësuar punën dhe sjelljet e tij e emërojnë mësues provizor në Shkollën
8 - Vjeçare Mëner i Sipërm. Punon si mësues në këtë shkollë deri në vitin 2003.
Në këtë vit ai aksidentohe rëndë dhe del
invalid. Gjatë periudhës tetëmbëdhjetë
vjeçare në arsim ai dallohet për një punë të mirë me nxënësit, qe kërkues, i
thjeshtë, i sjellshëm me fëmijët, me njerëzit dhe kolektivin pedagogjik të
shkollës. Megjithëse i sëmurë, ai gjatë këtyre viteve vazhdoi studimet e larta
për mësuesi dhe ndoqi kualifikimet përkatëse.
Në vitin 1989 mbaron arsimin e lartë pa shkëputje nga puna në degën
ciklit të ulët, pranë Insitutit Pedagogjik "Luigj Gurakuqi" Shkodër.
Me përlotje për vëllain, Besimi kujton: "Selimi qe njeri shumë i mirë,
shumë i sjellshëm në familje, në shoqëri, qe parimor, i dashur me njerëzit, qe
me shpirt të madh, i prirur të bënte mirë, i dhënë pas punës, u aktivizua me
grupet artistike dhe mori përsipër edhe disa detyra shoqërore. Ai qe model. Ne
merreshim vesh shumë mirë me njëri tjetrin. Sot më mungon shumë Selimi. Kjo
është jeta".
Në
vitet e shkollës 7-vjeçare, dhe më shumë me grupin artistit të fshatit e zonës,
ra në sy pjesmarrja e tij me grupet artistike. Ka qenë pjesë e grupit artistik
të Mënerit të Sipërm dhe grupit artistik të shtëpisë së kulturës Zall-Bastar.
Ka marrë pjesë në Koncertet e Majit, konkurimet në shkallë rrethi deri në
Festivalin e Gjirokastrës. Me grupet ka qenë instrumentist me çifteli, valltar
dhe krijues i disa teksteve këngësh. Bashkë me të në grupin e fshatit kanë
qenë; Sali Sala, Ibrahim Koçi, Nadire Sula, Hanke Elqeni, Kade Hajdini, Hysni
Lika, etj. Selimi qe organizatori i grupit. Që herët ra në sy në grupi për
tekstin e këngës dhe muzikën e bërë me çifteli për dëshmorin Sulejman Elezi.
Këngën e këndoi i shoqëruar nga grupi artistik. Ai ka krijuar edhe disa tekste
të tjera këngësh dhe ka qenë pjesë e grupit artistik për një kohë të gjatë. Ka
qenë edhe një veprimtar i spikatur shoqëror. Në vitet 1979-83 ishte Sekretar i
Komitetit të Rinisë të zonës. Gjithashtu ai ka kryer edhe detyrën e Kryetarit
të Frontit për një periudhë katër vjeçare. Në këto funksione ai u dha shtysë
shumë punëve të kohës. Në vitin 1980 martohet me Hanken dhe lindin e rrisin dy
fëmijë. Duke kujtuar bashkëshortin e saj, Hankja shton: "Me Selimin
njiheshim që në shkollë dhe u martuam me dashuri. Gjatë 30 vjetëve martese me
të, kam bërë një jetë shumë të lumtur. Ai qe një bashkëshort dhe shok ideal për
mua. Ishte i çiltër, i rregullt, i ndershëm, shakaxhi i madh dhe kishte shpirt
artisti. Mbante fjalën e dhënë dhe donte drejtësi. Me qindra herë në gëzimet
familjare, por edhe më shumë për qejf, kërcente dhe këndonte në shtëpi, dhe do
të më merrte edhe mua ta shoqëroja. Krijonte gjithnjë një ambient të bukur
familiar. Për fatin e tij të keq, por edhe timin, vdiq shpejt parakohe por edhe
vuajti shumë. Unë nuk do ta harroj deri në vdekje, Selën. I jam mirnjohës për
gjithçka që ai bëri për mua personalisht, për familjen dhe fëmijët".
E
tillë është jeta, me të mirat dhe të këqiat e saj. Një ditë do ikën të gjithë,
dhe pa kthim... Një gjë është e sigurtë, njerëzit me vepra të mira mbesin gjatë
në kujtesën e shoqërisë. I tillë qe edhe Selimi!
Tiranë më 05.05.2022