| E premte, 24.06.2022, 07:56 PM |
DUKE I KTHYER DHIMBJET NË FRYMËZIM E PLAGËT NË MENÇURI KOHE
(Sejdi BERISHA: “LOTËT E POSEIDONIT -Ose, një
copë hartë për tokën time”, poezi, Club Kutura, Pejë, 2021)
Opusi
krijues letrar i Sejdi Berishës, i përbërë nga dhjetëra tituj veprash të
botuara e të ribotuara, shtrohet në tituj poezie, proze, letërsie dokumentare,
kritikash letrare, eseistikë e në lëmin e monografive. I përfshirë në disa
antologji, i përkthyer edhe në gjuhë tjera, i laureuar me disa çmime letrare
prestigjioze, Sejdi Berisha, tashmë i ka dhënë një kontribut të çmuar letërsisë
së sotme shqipe. Kësaj radhe, te ky vëllim po i përqasemi në tri punkte, duke i
parë më për së afërmi dy poezi dhe tematizimin e dhimbjes e të plagës
Nga
Prend BUZHALA
1. Poema "Peja, dhembja dhe krenaria ime”: vizioni i ligjërimit autobiografik
Kur poeti e nis
vëllimin poetik me poemën "PEJA, DHEMBJA DHE KRENARIA IME..."
dhe me referencën poetike kushtuar qytetit të Pejës: "Poemë të cilën kurrë
nuk e përfundova as nuk dëshiroj ta përfundoj", na sugjerohen disa përmasa
të tekstit poetik dhe të domethënies poetike. Në radhë të parë shqiptohet
dashuria e pamatshme për këtë qytet, të cilit poeti dhe njeriu i dhuroi
gjithçka nga përkushtimi i tij jetësor e letrar; në radhë të dytë poeti nuk i
jep të drejtë vetes që ta përfundojë tekstin e kësaj dashurie të pamatshme...
ajo vazhdon përjetësisht. Bashkëjetesa e Poezisë dhe e Leximit të poezisë nuk
resht, as nuk hesht. “Teksti nuk pranë”, do të thoshte Ali Podrimja ynë. Aty ku
hesht libri letrar, aty vjen leximi, interpretimi. Ky krijim poetik vjen si
biografemë lirike e ku qyteti dhe folësi lirik identifikohen plotësisht:
Pejë
Me ty rashë dhe u zgjova
Me ëndrrat e ndrydhura
Më ty kudo që shkova
Në zemër të mora
Pasi theksohen e
këndohen emra historikë, ngjarje, toponime, shpalime të jetës e ekzistencës
urbane, shënjime kulture etj., përfundon me vargjet e memorizimit lirik:
Pejë
A i mban mend të gjitha këto fjalë
Që ndoshta duken pa vlerë e fantazi
Por kjo nuk është me rëndësi
Peshë ka ajo
Që duhemi e përqafohemi unë e ti
Ti Pejë dhembja dhe krenaria ime...
Poeti është aktor
e aktant i kësaj hapësire urbane e ekzistenciale. Jeta e vepra e artistit janë
të mbushura me përjetime sa krenare aq edhe të hidhura, shpesh me vuajtje e
lëndime të fatit jetësor. Gjithçka e intrigon krijuesin për të kënduar për këtë
ambient sa spiritual e real, aq edhe imagjinar dhe mitik.
Roland Barthes e
krijoi nocionin biografemë (biographème), duke pasur parasysh njësitë
tekstuale që i ngërthenin pikat kryesore të jetës, librit dhe veprimtarisë, për
ta thurë, mbi to, reflektimin apo mbitekstin biografik. Kjo është ajo trinia e
shenjtë e artit letrar. Më saktësisht, biografemat poetizohen për t’i dhënë
liri kënaqësisë së tij të shkrimit: a është më shumë shkrimtar apo biograf i
mirëfilltë autori i asaj vepre, për këtë vendos vetë autori. Tekstet e
motivuara sa nga jetëshkrimi personal, aq edhe nga jetëshkrimi kolektiv i
qytetit, përbën rindërtimin e brendshëm lirik të kohëve që u jetuan dhe
përjetuan. Ligjërimi autobiografik përbën po ashtu edhe një çështje komplekse
të zhanrit poetik që gërsheton dokumentaren me historiken, përmasën shpirtërore
me rrëfimin e jetës, prezantimin e subjektit lirik me kontekstualitetin e
kujtesës, vetërrëfimin lirik me paraqitjet artistike të realitetit, përshkrimet
e vetvetes me ri-interpretimet lirike të së kaluarës. Me një fjalë, Sejdi
Berisha është një krijues aktiv i ringjalljes së të kaluarës:
Pejë
Po kush ka fuqi të na shpalojë historinë
Që është në një libër të veçantë e të pahapur
Edhe fare të pashkruar
Kush ka fuqi të na ndajë ne të dyve
Vizioni i
ligjërimit autobiografik është ekuivalencë e përjetimit të kohëve, e që e
ngërthen fuqinë evokuese të vargut. Folësi lirik transmeton vlerat dhe momentet
kyçe të përkushtimit personal dhe të gjallërisë së jetës që zien në gjirin e
qytetit. Përvojat e jetuara mbushullohen me komunikimin si urë lidhëse me
përvojat nacionale dhe kolektive, kulturore dhe urbane, historike dhe të
përditshmërisë deri te një etnografi shënjuese e leximit dhe artit. Kjo
marrëdhënie e subjektit autobiografik me rrjedhat e kohëve, merret si parim
krijues dhe kriter projektimit ligjërues.
Pejë
Nuk ka si të mos shkruhet
Për shenjat e historisë që pak të kanë ngelur
Se nuk i kemi ruajtur
Pak i kemi hedhur dritë dhembjes e krenarisë
Te secila njësi
tekstuale poetike përsëritet apelativi "Pejë", i përdoru si vokacion
poetik. sa herë i drejtohet qytetit, ai kërkon e gërmon brenda vetes së tij
fuqinë e emocionit e të thënies, energjinë e evokimit dhe të përjetimeve të
përbashkëta. Është në kërkim të kategorive të vlerave sublime. Ndryshe, poezia
nuk do t’u shërbente gjërave të madhërishme në jetë e në art.
Po ashtu, edhe
cikli “Njëqind herë e putha pragun e derës së shtëpisë” ngërthehet nga këndimet
e tilla e nga njësitë tekstuale poetike të biografemave. Si nte poema e parë,
si tek ky cikël, hasim kudo dashurinë e pafund për tokën e atdheut, a këngë të
një cope harte “për tokën time”, me heroiken e romantiken e vet.
2. Ora e lënduar e krijuesit: plagët e dhembja
Mirëpo, nëpër
ciklet tjera, në vazhdim, ai do t’i rikthehet botës së tij të shqetësimeve
krijuese, si jehonë poetike e librave të përparshëm, kur kundron dhe i shqipton këto shqetësime për problemet
e mëdha të kohës e të qenies nacionale. Ai prek plagën që dhemb dhe që ther më
shumë. E, ta prekësh universin e tillë të dhimbjes, kjo do të thotë, pra, se
poeti depërton më thellë në hapësirën e tillë të frymëzimit dhe domethënies
poetike.
Kësisoj, poezia “Ëndërroj
beharin e kësaj pranvere” dhe poema “Qetësohu të lutem e ta bëjmë
lumturinë e re”, me ngjyrosjet e tyre elegjiake e të baladës, janë
krijuar në kohën e pandemisë, kur vetë njeriu nuk përmbahet nga e keqja dhe
është shkaktari i këtij virusi vdekjeprurës, helmues kohe, vrasjesh, luftërash
e gjenocidesh. Poeti përpiqet ta eufemizojë covid-in:
Por e kam një lutje
Të bëhemi bashkë unë e ti
Dhe sërish botën ta bëjmë të lumtur
Edhe njerëzit që janë trembur
Si zogjtë pa fole...
Është ai mesazhi i
madh historik: e ç’të duhet të bësh në këso situatash, krejt papritur, kur
njeriu matet me tragjedinë e vet, me mungesat e veta? Kur secili prej nesh
ishte një aktor në atë ngjarje joaksidentale (luftërat, konfliktet)... Ndërsa
tragjedia ndodh, ndodh me vlerësimin që ia jep Çmimin e kushtueshëm jetës apo
sakrificës, ndodh mu aty ku kërkohet shlyerja e një borxhi jorastësor. E
mandej, kur gjithçka ndodh, njeriu kot do ta kërkojë pasqyrën e dëmeve,
tragjedive, pasojave... ndërsa njerëzit vdesin nga e padukshmja. E padukshmja
të hakmerret. “Vendosja e qëllimeve është hapi i parë për shndërrimin e të
padukshmes në të dukshmen”, thotë Toni Robbins, një autor bashkëkohor amerikan.
A do ta gjejë te ato shtylla të vetëdijes tashmë të shembura për tokë? Njeriu e
ka shembur edhe atë që e kishte më të çmuarën te vetvetja: Vetëdijen,
Ndërgjegjen...
Zemërplasjet e
poeti nuk pushojnë as nëpër vargjet tjera, duke e kënduar socialitetin e rëndë
të jetës (poezitë “Fytyra e saj i ngjante një qershize”, “I kishte pyetur
yjet”, “dakik i lig, apo...(Si ligjërim dhembjeje apo zemërplasje)”.
Sado që ka shumë
humbje, plagë, mall, psherëtima e ofshamë nëpër këto vargje, megjithatë poeti
kujdeset të mos bjerë në shkallën e sentimentalizmit të tekstit poetik.
Përkundrazi, ai e fisnikëron këtë strukturë këndimi me energjinë e thënies
lirike, me fuqinë e monologut poetik, me shpërthimet e ligjërimore të unit
poetik. Sa pak i shëruaka plagët koha! “Brenda shkrimit ka një balsam për çdo
plagë, një ilaç për çdo plagë” shprehet autori anglez Charles Spurgeon. E
balsamin për to poeti e gjen tek këndimi poetik, ato i zbut nëpërmes
fshehtësive të thënies lirike:
Arrite shumë netëve të trishta
Edhe në fshehtësitë e qiellit më gjete
Atëherë në rrëfim përrallash
Toka u shndërrua
Ëndërr qoftë historia
Kurrë të mos dihen
As fitimtarët
Se humbës ka shumë...
Arrite shumë para mëngjesit
Muzë e vargut tim...
(Poezia “Muzë e vargut tim”)
Ato janë plagë
nderi e plagë motesh, kurse folësi lirik jepet në kërkim të rrugëve për të mos
i acaruar ato, por për t’i shikuar drejt në sy:
Më lejo
Plagëve tuaja t’i hedh një sy
Jo
Plagët e mia kurrë nuk shërohen...
Kund e kund ai i
gjen këto plagë të trashëguara brez pas brezi. Madje, ato acarohen e kundër këtij
acarimi poeti i shpall betejat e tij të jetës. “Zoti hyn përmes plagës”,
shprehet psikanalisti e filozofi Carl Jung. A nuk lëndohet njeriu fisnik, kur
rreth tij sillen keqkuptimet, kur rrethi ta refuzon përkushtimin e dashurinë që
ke për të? Ora e krijuesit është e lënduar.
Mbi partiturat e dhembjes
Për t’i dhuruar inspirimin
Ditarin që nuk shkruhet
Një ditë për ta përfunduar
Se ndoshta dikur do bëhet histori
E ballinë libri do ta ketë
Edhe lumturinë
Edhe gëzimin
Edhe dhembjen
Edhe dashurinë
Edhe tragjedinë
Edhe kujtimet
Të gjitha këto
Ilaç apo helm për plagë shpirti
Ai është i
përgatitur për t’i marrë e pranuar këto plagosje. Bota e prekur e tij ushqehet
me qëndresën e brendshme të shpirtit. Dramaturgu amerikan Edward Albee thotë:
“Nëse nuk keni plagë, si mund ta dini nëse jeni gjallë?” Ndryshe poeti as jetën
e as dashurinë, as atdhedashurinë, nuk ka se si t’i ndjejë a përfytyrojë pa
plagë.
Sa herë atdhe
Nga malli për Ty
Mërgimtarët u bën poetë
Edhe këngëtarë elegjish
Për t’i kënduar këngët
Me plagë loti
Për ta ledhatuar
Ballin e lodhur Ty atdhe
Nëpër vargje
hetojmë përkushtimin fisnik që këto dhembje e vuajtje shpirtërore, këtë mall që
djeg dhe këto brenga, pikëllimet dhe dëshpërimet, lëndimet e brendshme dhe ato
të jashtme, të gjitha së bashku t’i kthejë në urti poetike: s’ka gjë më të
fisme se sa dhimbjet t’i kthesh në frymëzim e plagët në mençuri kohe e në
thesar të përvojës jetësore. Gjithsesi, nuk është fjala për gjakderdhjet që
shihen me sy, ani s e ato pamje na faniten nëpër kohë e luftëra. Por fjala
është për ato gjakderdhjet e brendshme, të padukshme, tejet therëse e sëmbuese
(shih ciklet “Dhembja dhe krenaria e kohës, ose, varret të flasin duke kënduar”
dhe “Do dhembje që i kam”). Është e qartë se ato lënë vragë e gjurmë, se ende ato
rrjedhin gjak, porse poeti e gjen forcën t’i fusë duart në brendinë e këtyre
lëndimeve e dhembjeve, në fakt, të zhytet shpirtërisht në to, për ta nxjerrë së
andejmi thelbin e tyre. E poeti e bën këtë për t’u ngritur mbi hakmarrjet e mbi
thyerjet e zemrave, mbi urrejtjet e mbi dhembjet e pashërueshme, mbi të keqen e
mbi të ligën, për ta krijuar paqen me atë realitet të tillë:
Që këndojnë për plagët e pambyllura
Për ato grimcat e dashurisë
Ato lëndim-plage
janë medaljonet e tij artistikë e jetësorë, historikë e të përditshmërisë sonë.
Së këndejmi poeti nuk është ai që përpiqet të ikën nga e kaluara e tillë, as
për ta fshirë atë si me gomë. Jo. Ai e bën këtë për t’u çliruar edhe koha jonë
nga errësira e brendshme e shpirtit, për ta ndriçuar këtë terratisje të
brendshme kohe. Paradoksi poetik: plagët u shëruakan duke i thelluar ato! Janë
mësime në pësime. Plaga e dhembja janë dëshmia e jetës dhe ekzistencës sonë.
3. Poezia “Lotët e Posedonit”: ose
sakramenti lirik i lotit
Sejdi Berisha e
pagëzon librin e tij “Lotët e Poseidonit”. Poseidoni është
perëndia e detit dhe e ujit në përgjithësi), i tërmeteve dhe kuajve.
Ç ‘përfaqëson ky
Poseidon poetik?
Trerrembëshi i tij
është personifikim i autoritetit dhe forcës.
Ndërkaq poeti
përdor figurën e subversionit poetik, për të na komunikuar
shqetësimin, dallgëzimin lirik, nga njëra anë, si dhe harresën e së keqes, së
ligës, tragjedive, nga ana tjetër.
Ç’ është ky
subversion në daç lirik, në daç poetik?
Poseidoni është
figurë ambiguitive, që ngërthen dhe personifikon të kundërtat: hyjninë dhe
keqbërësin, shënjuesin e mbamendjes së të keqes dhe trazuesin e kohëve, fuqinë
e djeshme dhe dëshpërimin e të sotmes... Thjesht, është personifikim i kujtesës
së përmbytjeve, tragjedive, mbytjeve të anijeve... Nëse i tërë vëllimi thuret
si strategji e posaçme kundrim-reflektimi i kujtesës, i dramës së kësaj
kujtese, poeti te kjo poezi thur kontrapunktin e tij muzikor-poetik: mbizotëron
harresa. Aty lexojmë lotin e hyjnisë së fuqishme. Por përse ky lot,- mund ta
shtrojë pyetjen e tij lexuesi, e, së bashku me të, edhe poeti. Poeti hesht e
lexuesi ndien dhe ligjëron. Ligjëron edhe Poseidoni, i brengosur “Që
detet dhe oqeanet/ Asgjë nuk mbajnë mend...”. U harrua ajo botë mitike
e hyjnive, e heronjve mitikë, e të mëdhenjve dhe gjigantëve të kulturës dhe
civilizimit? E humbëm atë botë të mitit të vetvetes së lashtësisë së dikurshme?
Bien e rrëzohen
edhe ata që janë guximtarë të pashoq kohësh. Ky rrëzim, do të thoshim, ky lot,
nuk është përmbysje perëndish, por një personifikim i rrallë i lotit si
personifikim i vajtimit, i dëshpërimit të brendshëm e të pa rrëfyer.
Ta vendosësh lotin
te i mbifuqishmi?!
Pikërisht këtu,
kjo metamorfozë e fuqisë së perëndisë së deteve, të mbifuqishmit mitik të
tokës, ujërave, gjunjëzohet nga një lot! Ky lot përmendet vetëm në titull e jo
brenda vargjeve. Loti është gjunjëzimi i titanit, por ai është edhe forcë:
d.m.th. çlirim nga vuajtjet. Dihet që simbolet përdoren për ta përcjellë tek
lexuesi një kuptim më të thellë e me thellësi shtresimesh emocionale. Në këtë
drejtim, kjo poezi që dallon nga të gjitha krijimet tjera të këtij libri,
shfaqet më e ndërliqshme në thurjen e tekstit poetik. Dikush e ka nënvizuar se
lotët na e bëjnë të mundshme të hyjmë në kontakt me ndjenjat tona më të thella.
Loti i takon botës së brendshme, shpirtërore, sepse gjithmonë ai buron nga
zemra. Është përvoja e pikëllimit të folësit lirik, kësaj radhe, në veten e
tretë. Në tekst këtë lot (shumëkuptimësi poetike), a mund ta lexojmë si lot
pendimi? Apo si lot dëshpërimi? Apo si lot gëzimi? Lot vajtimi? Në mos është
simbol i përvojave mistike? Gjithçka fshehin barku i detit e oqeanit që
përmenden te vargjet e kësaj poezie. Asgjë nuk na thotë poeti, përpos që e
përmend në titull dhe kah fundi e shoqëron me dëshpërimin, kujtesën, qortimin e
detit dhe oqeanit për tragjeditë që kanë ndodhë. Do të thoshim, janë çaste të
transcendentes lirike përtej kuptimeve të para, të drejtpërdrejta. Të duket
sikur poeti i ka para vetes ato fjalët e Gerard Way-it, një këngëtari, kompozitori
dhe shkrimtari të ri amerikan, i cili thotë: “Lotët janë fjalë që zemra nuk
mund t'i shprehë.” Loti është vetëm një përgjigja për gjithçka tjetër. Nëse
dashuria është emocion sublim, i së bukurës, një poet do të thoshte se ai është
sakrament i erosit. Loti vë në pah lidhjet e marrëdhëniet me të tjerët, por ai
shënjon edhe përvojat shpirtërore (dhimbje? Izolim? vuajtje? festë gëzimi?...
këtë le ta thotë lexuesi).
Te kjo poezi kjo
hyjni gjendet në shoqëri me dëshpërimin e vet:
Sa i dëshpëruar është Poseidoni
Në fronin e mbretërisë së vet
Që detet dhe oqeanet
Asgjë nuk mbajnë mend...
S’ka më ringjallje
të romantikës së dikurshme. Ngricat e harresës janë trishtuese. Kurse kujtesa e
poetit assesi të qetësohet, ajo tërbohet si valë deti që e çon peshë
frymëzimin. Dikur kjo memorie bredh e s zhduket
në kohë mitologjike e nëpër kohë historike a personale, bëhet përjetësi
që zhduk kufijtë e brendshëm e të jashtëm... miti zbret në kohën tonë, e sotmja
shkrihet diku te një hapësirë e largët.
E kujtimet u ndizen
Në bordet e anijeve
U fshihen edhe në anijet
E ushtrive të humbura
Edhe në nëndetëset
E fundosura si lisa
Të ikur nga tokat e djegura
Duke i çmendur dhembjet e Poseidonit
Vjen gjithçka si
kujtesë e përndritshme e vuajtjeve dhe dhimbjes, e përvojave të hidhura. Figura
kundërthënëse e këtij kulti antik sa ngjall frikë, aq edhe kërkesën për të qenë
hyjni në përballjen e kohëve e në alkiminë e jetës... shpleksen kujtime,
zbërthehen poetikisht reminishenca historike... deri te një rit i përhershëm në
përsëritje si apokalips kohësh. E këtë alkimi poeti e arrin vetëm në poezi,
pasi e ndien nevojën për mbrojtje. Nëse simbolizon fuqinë dhe vetëbesimin, ai
është edhe figurë e dualizmit; sa i veprave mrekullibërëse (liridashëse), aq
edhe veprimeve keqbërëse, i tërbimit dhe tronditjeve, mosmarrëveshjeve,
gjaknxehtësisë, ai është hero dhe përbindësh njëkohësisht.
Mirëpo, poeti na
ka sfiduar që në titullin e poezisë dhe të mbarë librit; e keni harruar lotin?
Këtë hyjni këtu
nuk e shohim të zemëruar, pr të menduar, duke evokuar e qortuar diçka përreth
tij... Më tutje le ta lexojmë këtë si një lot që e ka shenjtërinë e tij.
Shenjtërinë e kujtesës. Shkrimtari traditës amerikane letrare, Washington
Irving, përsiat: “Ka një shenjtëri në lot. Ata nuk janë shenjë dobësie, por
fuqie.”. Mund ta lexojmë edhe si shenjë të përballjes me dhimbjen, e
tematizuar dhe e shtrirë në gjithë librin.
Neuroshkencëtari e
filozofi amerikan Sam Harris përsiat:
“Ndërsa besimi i fortë, pa prova, konsiderohet një shenjë çmendurie ose marrëzie
në çdo fushë tjetër të jetës sonë, besimi në Zot ende mban prestigj të pamasë
në shoqërinë tonë. Feja është e vetmja fushë e diskursit tonë ku konsiderohet
fisnike të pretendosh të jesh i sigurt për gjërat për të cilat asnjë qenie
njerëzore nuk mund të ishte e sigurt. Është tregues se kjo atmosferë fisnikërie
shtrihet vetëm në ato besime që kanë ende shumë abonentë. Kushdo që kapet duke
adhuruar Poseidonin, qoftë edhe në det, do të konsiderohet i çmendur.”.
E dhamë këtë
reflektim për të theksuar se edhe poeti e ndërton besimin e tij, mburojën e
tij. Është një Poseidon trazues kohësh me trerrembëshin e tij poetik.
Qershor 2022