| E enjte, 23.06.2022, 06:21 PM |
Sonila Meço:
Dhe
risku më i madh i refuzimit en bloc të pjesmarrjes në samitin e BE-së të
Shqipërisë krah Serbisë e Maqedonisë së Veriut është dëmi individual
shpërpjestimor i shteteve në fjalë.
Raporti
gjeopolitik dhe historik i Serbisë me unionin në terma integrimi ka qenë shumë
më i favorizuar pavarësisht se Serbia nisi luftra në Ballkan, shkaktoi genocid,
nuk njohu Kosovë e nuk kërkoi falje për krimet e luftës.
Çelja
e negociatave me Serbinë ka ndodhur në 2014-ën dhe arsyet e ritmeve të ngadalta
të avancimit janë lidhur të paktën formalisht me normalizimin e marëdhënieve me
Kosovën. E megjithatë synimet e Serbisë kanë qenë të qarta, dominimi në rajon
për një botë srpska, izolimi i Kosovës dhe bjerrja e çdo nisme për avancimin e
njohjeve dhe integrimit të saj në strukturat ndërkombëtare. Dhe materializimi i
këtij synimi për Serbinë është edhe Ballkani i Hapur.
Nismë
që po imponohet tek ndërkombëtarët me shumë zell nga Serbia me ndihmën e
Shqipërisë, duke krijuar idenë se avancimi me njohjet e Kosovës ka më shumë
kosto se mbajtja e atij shteti. Sepse Serbia në çdo kohë ka edhe partnerë të
tjerë të fuqishëm ekonomiko-politik si Rusinë dhe Kinën.
Po
ndërsa Serbia po ndjek me përpikmëri planet e saj sipas interesave të veta,
çfarë plani po ndjek Shqipëria në proces?
Serbia
ka plan A, B, C dhe sërish nuk i ndahet A-së, dominimit në rajon dhe minimit të
Kosovës deri në konsiderimin e saj “barrë” për integrimin e Ballkanit. Ndërsa
Shqipëria nuk ka as plan A të vetin dhe vrapon me ngut drejt atij B, C të
Serbisë.
BE
ka kusuret e veta, si çdo aleat strategjik i rajonit që nuk mundi të avancojë
proceset demokratizuese e europianizuese të tij, ama me bojkotin e samitit të
BE-së en bloc, levën e shantazhit ndaj Unionit e ka Serbia. Që dëshmon se
dominimin në rajon e ka të sigurt dhe se një Kosovë gjithnjë e më e izoluar e
bën të padobishëm si shtet për stabilitetin në rajon.
Dhe
kjo është leva e shantazhit që Shqipëria po ia le me shumë “sportivitet”
Serbisë në raport me ndërkombëtarët. Duke e favorizuar atë në çdo rast e duke
na defaktorizuar ne në çdo rast.
https://www.facebook.com/sonilamecoA