Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Pa kurrfarë busulle politike!

| E merkure, 15.06.2022, 07:54 PM |


Ndue Ukaj:

Kosova është duke lënguar, sepse lëvizja e pallavrave ideologjike, kurrë s’e ka kaluar fazën e urrejtës politike, prandaj s’ka sesi ta kuptojë vlerën e mirësisë e dashurisë politike.

Dhe kjo është arsyeja pse reagimet e tyre karshi krizës ekonomike janë kaq gjakftohta sa e shtangin secilin njeri normal.

Kjo është arsyja pse shpërfillin kategoritë e dala nga lufta, etj.

Prandaj, pengesat që u bëjnë aktiviteteve kulturore si Sunny Hill shërbejnë si mëlmesa ideologjike për t’i ekzaltuar turmat e tifozërisë që duan ngjarje të mëdha për t’i skuqë duart tek duartrokasin udhëheqësin e madh.

Historia tregon me kokëfortësi se, punët dhe veprat e mëdha e dobiprurëse, janë vepra të pastra të dashurisë, sinqeritetit, solidaritetit dhe jo të urrejtjes.

E institucionet tona janë larg nga ky mësim. Përkundrazi, ato janë duke e përça e fragmentuar shoqërinë tonë të brishtë e me telashe të mëdha.

Dhe ma e keqja: kanë krijuar probleme të mëdha me aleatë perëndimore, sepse s’janë të vërtetë dhe pakkush u beson; ecin të trullosur e pa kurrfarë busulle politike.

Dhe kjo lidhet me një shpjegim të thjeshtë: ata s’kanë asnjë ideal politik, pos të justifikojnë e shajnë të kaluarën.

E kam thënë njëherë: një qeveri e mirë kurrë s’e mallkon errësirën, por e ndez një dritëz të vogël. Qeveria jonë jo që s’ka ndezë dritëza të vogla, por po tenton t’i shuajë edhe ato pak që rrinë të frikësuara në errësirë.

E mira e përbashkët, është themeli i shoqërive të lira dhe demokratike dhe në një shoqëri të organizuar, e mira ose është e përbashkët ose nuk ekziston fare.

Po të shish  e analizosh gjuhën e pjerdhur politike, justifikimet e përditshme foshnjore të udhëheqësve të sotëm të vetëquajtur të rinj - në fakt s’janë aspak të tillë - sheh e kupton se ato janë pjellë e frikshme e shterpësisë politike e intelektuale, që vendin tonë s’e çonjnë askund.

Institucionet tona, në vend se t’i hapin urgjentisht dyert e dritaret, dhe të ajrosen, bëjnë të kundërtën, mbyllën, kukurisin dhe kukurisjet duan t’i shesin si politikë, kurse ushtrimet retorike bajate, si manifestime intelektuale. Në të vërtetë, këto manifestime janë dëshmi e trishtë e mjedisit ku ata ushqehen politikisht e kulturalisht.