| E hene, 13.06.2022, 06:02 PM |
Recension:
“Drejt Arbërisë”, roman historik me peshë të veçantë kohore
KOHERENCA FILOZOFIKE DHE
RRËNJA PSIKOLOGJIKE NË ROMANIN ” DREJT ARBËRISË”,TË AUTORIT GJON MARKU
Nga
Tahir Bezhani
Këto ditë qershori me vapë,
mbarova së lexuari romanin ” Drejt Arbërisë,” një roman me përmbajtje
historike, shkruar nga prozatori i
spikatur z. Gjon Marku. Tema e trajtuar në këtë roman është mjaft e vjetër në
kohë, por porositë që dalin, kanë vlerën e kohës së sotme, brenda vorbullave që sillen hapësirës që na
rrethon....Pikërisht, për vet faktin e kësaj rëndësie, ndjeva kënaqësinë gjatë
leximit të kësaj vepre që ngelet gjatë në kujtesën time.
Gjon Marku, tanimë emër i
njohur në letrat shqipe, në disa zhanre letrare, me atribute te mendësisë
shkencore, në romanin “Drejt Arbërisë,” na ka rikujtuar kohët më të vështira të
historisë së popullit tonë, nën sundimin
Osman, ato vuajtje të pasosura kurrë; atë qëndrese e luftë të paepur për
ekzistencën tonë si popull, kur ecej në tehun e shpatës, të jesh apo mos të
jesh ai që je, luftë mbi pesëqindit vite për të pasur
emër me dinjitet e vatan me taban.
Mrekullia e
përshkrimeve të ngjarjeve në romanin “Drejt Arbërisë,” janë vetëm një veçanti e
shkathtësisë së pendës së Gjon Markut, i cili zhvillimet e ngjarjeve na i
përfytyron si të një kohe, thuaja sa e lamë pas, me tërë tmerrin e përjetuar
rrugëve plot errësirë, të veshura me mjegulla kohe....
Veprimet dhe
represaliet e atyre viteve të largëta ,mbi pesëqind, për ta zhbërë një popull të tërin dhunshëm deri në detyrim
të ndërrimit të fesë, është një koincidencë e hapur edhe me pushtuesin sllav, i
cili veproi deri në fund vitet e shekullit 19-të,për të na asgjësuar nga trojet
tona ku frymojmë që nga krijimi i qenies njerëzore.
Besëtytnitë mitologjike dhe rrënja psikologjike e një populli në romanin
“Drejt Arbërisë”.
Gjon Marku, në
romanin e tij, “Drejt Arbërisë,” ka treguar të gjitha shkathtësitë dhe
imagjinatën krijuese, duke u thelluar si njohës i mirë i rrethanave mitologjike
dhe bestitnyve si elemente të mbijetesës, që i kanë paraprij njerëzimit të asaj
kohe që të mbijetojë rrethanat
ekzistuese. Në të gjitha situatat e koklavitura për derdalje, si paraprirje,
shërbenin zanat, kukuvajkat, shpendkeqet, ëndrrat, egërsirat, pra e gjithë
natyra me natyrën e saj të pa ekzaminuar.
Të gjitha këto
“paralajmërime” me kuptime mitologjike, autori Gjon Marku i ka radhitur
mrekullueshëm për të kuptuar besimin e kohës si rrëfimtarë të ngjarjeve të
padëshiruara ose e kundërta.
E gjitha kjo,
padyshim se e spikatë, e madhështon
elementin psikologjik të një populli historik në rrethana të caktuara kohore e
historike. Ky element është bartë e është livruara gjithmonë në letërsinë tonë
e jo vetëm. Autori i romanit, ka theksuar në veçanti aspektin psikologjik të
trimave të Mirditës, duke përshkruar edhe kodin e tyre të bisedës, mimikën dhe
lëvizjet tjera fizike, si referencë e rastit kur nuk donin t’i dinin të tjerët
sekrete e tyre....
Elementi i besës, bujarisë, trimërisë, por
dhe tradhtia në konotacionin historik.
Në romanin “Drejtë
Arbërisë,” pos elementit qenësorë, si mit i traditës dhe element tradicional në
vetëqenien tonë, si vlerë mbi vlera,
është padyshim BESA, bujaria e trimëria për të cilat, përherë është mburrë kombi
shqiptarë. Këto kanë qenë vlerat suplementare që e kanë bërë të njohur popullin
tonë në historinë ekzistuese. Këtë vlerë autori i romanit, më së miri e trajton
gjatë vizitës së At Filipit, të deleguarin e Papa Klementit XI, në zonat e
veçanta të tokave shqiptare, për ta parë, regjistruar e pasqyruar realitetin e
kohës, veprimet e mizorisë Osmane në
tokat shqiptar kudo, me fokus, në zonën e Mirditës, zonë kjo e cila gjatë
gjithë historisë së rezistencës shqiptare, ishte e pamposhtur nga barbarët
Osman. Gjatë gjithë kohës sa qëndron në
tokën shqiptare At Filipi, që mblodhi e muer në ruajtje thesarin ekzistues, dëshmi të kohës, në libra e gjëra
tjera, ishte i përcjellë nga njerëzit më të besueshëm e trima të zonës së
Mirditës. Kjo flet më së miri për vlerën dhe virtytet e BESËS ,bujarisë e
trimërisë, që ka ekzistuar gjithmonë në mesin e këtij populli të lashtë, vlerë
të cilën pastaj e njohu dhe e vlerësojë bota .
Autori i romanit
“Drejt Arbërisë”, duke iu qëndruar besnik rrethanave historike, zhvillimeve dhe
ngjarjeve të kohës, nuk le anash as “tradhtinë,” si element negativ i futur nga
arsye e rrethana kohe të sundimeve të ndryshme, element ky që ka vepruar falë
dhunës e varfërisë njerëzore . Këtë dukuri e përshkruan më së miri me rastin e
kthimit të At Filipit në Romë, në afërsi të lumit Buna, ku barte thesarin me
vete në disa qerre ngarkuar me kuaj,
materiale të mbledhura nga zona
të ndryshme te vendit, për t’i ruajtur në Romë, me porosinë Papa Klementit
XI-të. Në buzët e lumit Buna, tradhtia del sheshit, disa njërës shqiptarë të
asimiluar në osmanli, bëjnë aktin e tradhtisë, pra vrasin njerëz e shkatërrojnë
materialet e mbledhura. Kjo shëmti e dhuruar nga sundimet nëpër shekuj, nuk është
element i lindur nga etimologjia shqiptare, por dhuratë e sundimeve të
pamëshirshme. Koha do ta zhbëjë edhe këtë dukuri negative në mesin tonë.
Gjatë leximit të
romanit “Drejt Arbërisë,” jam mahnitur me shprehjet poetike të autorit Gjon
Marku i cili, në çdo rrethanë e situatë, natyrën, ambientin kohën, bukurinë e natyrës, lemerinë e natës,
egërsinë e egërsirave, të gjithave u gjen vend adekuat duke i spikatur
poetikisht e me rëndësinë e gjetjeve sipas arsyes, duke ndërtuar fjalë e fjali kuptimplote e joshëse
për lexuesin e pasionuar në artin letrarë. Padyshim, romanin e bëjnë akoma më
joshës prurje të reja të fjalëve, fjalëformime, si psh. udhnajës, majekodrës,
kapqaleve, buzëqeshjengrirë, buburrectoret e shumë të tjera, të cilat do iu
shërbejnë niveleve shkencore për qështje
gjuhësore.
Mendoj se romani
“Drejt Arbërisë,” është ndër romanet më të bukura shkruar kohëve të fundit,
roman i cili përçon porosinë tek lexuesit, te masa në tërësi, se sa kujdes
duhet kushtuar, në radhë të parë,
çështjes kombëtare, ruajtjes së grackave të armiqve të vendit tonë, bashkimit
të tokave të copëtuara, ndërtimit të shtetit e shoqërisë bashkohore shqiptare.
Sado të shkruaja
për vlerat e këtij romani dhe rëndësinë e tij,
gjithsesi do i mbetem borxh
kuptimësisë dhe thellësisë së tij
filozofike kombëtare. Megjithatë, e konsideroj si një prurje me shume vlerë,
një pasuri-thesar në bibliotekat tona personale e shkollore.