Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Miqtë e Babait

| E hene, 13.06.2022, 04:36 PM |


Albert Habazaj

Miqtë e Babait

Nuk është drejtvizore e njëtrajtshme

udha e njeriut, ka ulje - ngritje,

në jetë miqësitë s’janë të ngjashme

feks ndër to tejdukshmëria me ndritje.

Unë kam shumë të njohur e miq plot

me ta i mbërthej rrufetë me vetull,

që ligësia të enjtet keq në lot

Miqtë e Babait i kam në Tempull.

Të paktë janë ata…, sa të shenjtë

në shpirt u mbruhet kombëtare buka,

për kë e kam fjalën e merrni me mend

kur “Jetë dhe këngë” thur  Agim Ruka.

Njeriu që me vendlindjen sinonim

është bërë, si duket, gjenetikisht,

pa Matogjinin Agimi s’ka kuptim

me të mirësia çel fisnikërisht.

Në Matogjin ka dhënë mësim Halimi

Mësuesi i Lirisë emërlartë,

për Halim Xhelon ka shkruar Agimi

vargje jo me shkronja, po mbushur me mjaltë.

Dhe Babai im mësues ka qenë

dhe, me mall, për Matogjinin bënte be,

në ato hapësira kënge ku folenë

kanë shqiponjat tek çajnë përmbi re.

Më njohu im atë me miqtë e çmuar

ndër të rrallët: Agim Ruka e Dane Hoxha,

kur i vogël isha, më merrnin në duar

sot, që jam me thinja, sa ata s’vlen bota…

Ç’t’i shpreh më parë Agim Matogjinit?!

Lule mirënjohjeje qofsh moj poezi,

Lexohet që tej portreti i të mirit

Si fjalën, ai zemrën e ka flori.