| E diele, 12.06.2022, 06:20 PM |
Më 9 qershor 2022, nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, u bë përurimi i romanit të autorit Mehmetali Rexhepi. Një fjalë përmbledhëse për romanin e paraqiti shkrimtari dhe nënkryetari i LSHK-së, Xheladin Mjeku.
DISKURSI I NARRACIONIT
MODERN
Mehmetali
Rexhepi: “KALLINJTË E ÇATISË”, roman,
botoi “Lena” – Prishtinë, 2020
Nga
Xheladin Mjeku
Romani “Kallinjtë
e çatisë“ i Mehmetali Rexhepit, është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore:
laryshia tematike, trajtimi i periudhave të ndryshme kohore dhe thellësia e
mendimit filozofiko-letrar. Këta katalizatorë e bëjnë të veçantë mbarështrimin
tematik që trajtohet në gjithë veprën romanore. Gjatë leximit të kësaj proze,
me lehtësi e hetojmë kalimin nëpër ngjarje të ndryshme, që në brendinë e tyre
ngërthejnë kujtime të shumta, të cilat, ashtu të shkapërderdhura nëpër periudha
të ndryshme kohore, bëjnë të mendojmë se kemi një tufë rrëfimesh, që secila më
vete shpërfaq një ndodhi të veçantë. Të rëndësisë së veçantë janë, sidomos,
shtruarja tematike, mendimi filozofik dhe diskursi psiko-analitik i ngjarjeve,
të përshkuara me figuracione të shumta estetike dhe rrjedhshmëri gjuhësore, që
lehtësojnë absorbimin e kësaj materie tregimtare. Bashkëveprimi i këtyre
elementeve me shtrirje kohore dhe gjeografike, si dy vegëza të pashkëputura
deri në përmbyllje e ndërtojnë këtë prozë romanore. Mendimi i Jorge Luis Borges se “libri është vazhdim i kujtesës
dhe i imagjinatës”, e përkufizon këtë vlerësim që në fillim të zbërthimit
lëndor të romanit.
Katër copëzat e
kësaj vepre letrare mund të trajtohen edhe si katër grupime esesh, apo edhe si
katër novela. Në fakt këto përbëjnë katër skajet e një ngrehine të përbashkët,
që si një tërësi e ndërtojnë strumbullarin fabulativ të romanit. Ky ndërtim i
ndërsjellë trajton “ngeshëm” situata të ndryshme, duke i plotësuar këto “copëza
romani”, që bëjnë tërësinë e “Kallinjëve të çatisë”, prej nga prekim
begatinë e këtyre orvatjeve narrative në kohë dhe hapësirë. Qëndresa e
gjeneratave të shumta do të veproj parreshtur në shkëputjen e zingjirit të
prangave shekullore, që pastaj të kurorëzohet me realizimin e ëndrrave për
liri. Kjo do të evoluoj gjatë tërë rrugëtimit prozaik të romanit, për të bërë
kupolën e fruteve të një pune në përmasa kombëtare.
Romani “Kallinjtë
e çatisë” nuk i qëndron besnik ndërtimit klasik tradicional, ku
kryepersonazhi në vazhdimësi tërheq ngjarjet drejt pikëqëllimit, rreth të cilit
trajtohen ngjarjet e tjera. Shtrirja e gjërë e veprimeve krijon pasqyrën
tablore, përmes së cilës parakalojnë ngjarje e personazhe, tërësia e të cilave
ndërtojnë kupolën narrative të lëndës prozaike.
Kjo prozë e
modelimit poetik, me narrativë ndryshe nga ajo klasike, që jemi mësuar ta kemi
pothuajse çdoherë në romanin tonë, shquhet për veçantitë e saja krijuese, për
lëndën përmbajtësore, dendësitetin e shtjellimit, ruajtjen e origjinalitetit
dhe mendimit intelektual gjatë trajtimit
të universit letrar.
Qasja e vëmendshme
ndërtimit prozaik dhe zbërthimit të diskursit socio-psikologjik
të ngjarjeve bënë të kuptojmë se proza romanore “Kallinjtë e çatisë”
për më shumë se një prodhim letraro-estetik, është një prozë me formë dhe
ndërtim modern, si trase e një shtegu të ri të çasjes kësaj gjinie prozaike.
Origjinaliteti i kësaj proze elitare dokumentohet në çdo rast. Ajo vjen e
çiltër, meditative, e paisur me leksikun gjuhësor, me metafora të shumëta, me
trope e figuracion të pasur stilistik, që bashkëveprojnë në ndërtimin letraro-estetik
të romanit. Universi krijues shumë shtresor, ku frekuenton bota e askujt dhe e
gjithkujtë në kontekstin e shtjellimit të ngjarjeve, në kuptimin kreativ të
leximit, e bën të veçantë dhe pothuajse ndër të rrallët, në opusin krijues të
prozës këtu te ne dhe më gjërë.