| E merkure, 08.06.2022, 06:53 PM |
ORA E ZEMRËS
Nga
Mehmetali Rexhepi
Si
rëndom e shikoi orën e murit. Ishte e qetë. Tak-taket e akrepave ishin shurdhuar.
Kishin shënuar kohën vetëm deri aty ku kishte ndaluar rrotullimi. Dita kish
vajtur në shfaqjen e vet... Si kurdo herë ajo merrte me vete disa fragmente të
dritës dhe, linte ca nuanca të hijeve, që sillnin përgjumjen.
E
pa qartë lajthitjen e pozitës tij të shtrirë kundruall ditës. Duhej ta kurdiste
orën e heshtur, ngase edhe ai kishte mbetur i pakurdisur. Atij i lypej ta
shënonte ditën me diçka; sepse diçkaje duhej t`i shërbente... Po nuk i shërbeu
një diçkaje, dita gjësendet e shpalosura i merrte me vete dhe i mbështillte me
ngjyrën e natës e i hidhte tutje... Ku? Gjithsesi, diku, tek dikush? Tek kush?
Atje ku mund të arrinte pakës më parë, por copat e dhuntive zhbëheshin menjëherë...
- Ku, si? -
i doli një shtytje...
-
Atje ku nuk je, ku nuk ke vrapuar të jesh, t`i kapësh diçka, aq sa mund të
shënonte ora jote...
-
Ora e shpirtit tënd të është kurdisur... - I shkreptiu rrezja që shqeu retë e
një vete të pa njohur. Pohimi e shkundi habinë në pamjet e amullta të Motit.
Ishte i përgjithësuar konstatimi i rrezes reflektuese të asaj vete, që
ndonjëherë i fshehkej autoritetit tij të këmbëngultë. Ajo nuk dukej, nuk
paraqitej, vëzhgonte e heshtur... Përse? Ndoshta për shkakun e mospërfilljeve
të shpeshta, ose përfilljes së përciptë, të mangët, të pjesshme, të
vetë-mjaftueshme?...
-
Më pohove se ora e shpirtit tënd të është kurdisur...?
-
A më thua nga kush më kurdisej kjo orë e paralizuar?!
-
Lype dhe gjeje vet kurdisjen! - i tha veta, hija pa diell.
-
Pra, si t`ia bëj?
-
Dil në rreze dhe, do t`i kesh shkëlqimin e hijen...
Ishte
një këshillë e rëndomtë që, nuk i mbushi
mendjen për asgjë; madje iu duk cinike.
***
Kësaj
të diele i jepte pak më tepër liri shtrirjes. Mos lëvizja i aludoi paralizën,
gjendje të palëvizshme!
-
Sa shpejt më përplasen mendimet e liga!- pohoi.
-
Paralizë!Të bëhesh barrë e shtratit, barrë e të tjerëve... Trup i prerë, trup
pa dinamikë, lis pa gjethe, që nuk i fëshfërijnë pa degë, as u matet gjatësia
me hije, cung i kalbur, i flashkët për qëndresë shtrëngatash, as për mbajtje
çerdhesh për lejlekë, as...
Iu
kujtua, ia përmendën zorrët, se darkën e kishte ngrënë si duke grabitur, pa i
përtypur kafshatat, sikur të ndiqej nga dikush që ka për ta kapur e ndëshkuar
padhembshëm.
-
Për çfarë do të më ndiqte ai ose akëcili sish?
Sërish
i mbushte mendjen vetës se nuk kishte shkak për t`u ndjekur nga askush...
-
Por, fijen e dyshimit po ma bën tra! - iu drejtua dytëshorit në prapavijë.
Mirëpo,
do ta ketë goditur ndokënd publikisht me diskurset e tij për fëlliqje
virtytesh... Mbase?... Thuajse vetëm atij i paskan mbetur në dorë frerët e drejtimit të qerres me politi-kuaj
të azdisur?... Por, duhej t`ia mprehte tehun kosës për ferrat e së keqes. Gjasa
ia drejtonte gishtin, që edhe këtij t`i kthehej kosa e mprehtë deri në asht. E
thoshte dendur: mendoj se ora ime është e kurdisur nga dikush: kur duhet të
bie, kur të fle, kur të zgjohem dhe, padëshirueshëm zë pusi në ëndrra! E lidhur
pazgjidhshëm me ndonjë kipc, që të mos mbetej kopje e dytë, ndaj kipci do të mëtojë ngufatjen e së parës,
sikurse mbrëmë ngufatja e zorrëve me të ngrëna, aq sa të pëlcisnin ato si
tullumbace festash... Sapo ngrehte kokë veta nën ëndjen e tij, i jepte një të
shtyrë mënjanimit me diskursin e
përshtatjes për ëndjen. Kush e kishte kurdisur të gllabëronte aq shumë? Çfarë
iu ofrua e nuk e sprapsi në darkën e mbrëmshme? Fijezave të lukthit iu
pamundësohej thithja e lëndës së mbingarkuar. Tretja përmes rrotullimeve të
shpeshta e trazonte Lumoren e qetë.
***
Pas
shumë rrotullimesh arriti në një xhungël të papërcaktuar... I ngjante
Amazonës?... Në stomin e një pellgu filluan t`i ngrohen këmbët brenda dy
nofullave vigane; pastaj nën butësinë e mesit anash me thepa të rëndë
shkëmborë, një tërheqje fryme e jargësh prej lymi, ia paloste krahët me
shtrëngim të dyanshëm drejt një kanali gjembor, rrethuar me rrëshirë të trashë
acidi...Një forcë tërheqëse, gjithnjë e
më shtrënguese e gllabëronte deri te koka, së cilës po i merrej edhe fryma e
fundit dhe, errësohej shikimi!... Çdo lëvizje për dalje nga ato darë e
tërhiqte, e shtrëngonte më fort, e fuste më thellë, thellë e më thellë!... As
britma, as klithje... Zot o Zot çfarë tërhiqje kishte kjo baltë e gjallë, me
zhguall të stolisur me arabeska në tërë gjatësinë e vijës saj rrotulluese,
elastike, përdredhëse, lëmsh mbështjellës!... Shpejt ajo baltë lëvizëse mori
trajtën e një litari anijesh, sakaq litari u shndërrua në përbindësh, në
anakondë!... Britmat treteshin nën mure jargësh e zhgualli të trashë...
Inserti
i këtillë i kishte përpirë të tjerat inserte, kur zgjimi ia zgjidhi litarin ankthit
të tij.
Djersë
dhe lirim gazrash...
***
Në
qoshen vertikale të dhomës, një merimangë zbriste dhe ngjitej drejt
trekëndëshit të tavanit, nëpërmjet fijes së perit që e prodhonte vet. Fijen e
zgjaste dhe e shkurtonte, sipas strategjisë të cilën ia lypte pikë-caku. Një
mënyrë jete e pa vënë re gjithaq, por e spikatur për strategji kurthesh! Ja
çfarë dhuntie i kushtëzoi evolucioni një insekti ngjyre të zezë! Mënyrë jetese
me kurthe ose me viktima kurthesh!
Krejtësisht e rëndomtë për evolucionin, por e pa rëndomtë për karakterin e
njeriut. Kurthet e tilla njerëzore brenda llojit intriguan drama dhe dramat
tragjedi; tragjedi fronesh e karrigesh... Kush kujt i modeloi kurthin: insekti
njeriut a njeriu insektit? Insekti ka shtytje instiktive ekzistenciale... Po
njeriu? Njeriu ka mësymjen e pangopur të lakmisë... Padyshim qytetërimi i
përsosi kurthet dhe, pikërisht mbi kurthe të kurdisura u kurthua mijëvjeçarëve!
Kësisoj ka për të ndodhur përderisa mënjanohet Zoti i Vërtetë; përderisa njeriu
mëton të bëhet Zot vetë; përderisa e thërret Zotin veçse çasteve të
apokalipsit, madje i prinë mëtimit, që evolucionit t`i shartojë çfarëdo
vullnetesh të veta?!...
-
Çfarë janë ato vullnete? - pyeti sikur të kishte përballë një bashkëbisedues.
Aty
për aty reflektoi se kjo pyetje ishte naive dhe, nuk duhej t`i drejtohej askujt.
Megjithatë, përgjigja nuk i mungoi prej dytëshorit:
-
Janë vullnete të asisoj, të cilat nuk mund t`i bartë as kurrizi, as shpirti i
jetës... - dhe vijoi:
-
Aso, aso vullnetesh, që e çartin evolucionin dhe, ajo natyrë e çartur
paparashikueshëm egërson ose robotizon njeriun?!
U
rrotullua në krahun tjetër dhe u mbulua me jorganin e heshtjes.
***
Kur
pa orën e ndalur moria e reflektimeve iu dendësua dhe, po i silleshin në kokë
sikurse plima e sorrave grindavece drejt një caku pa marrëveshje. E kishte lënë
ditën vetëm, pa pjesëmarrjen e tij, për t`i dhuruar së bashku me të copat e
dhuntive verës... Çka mund t`i merrte stinës? Me përsiatjet e tija nuk i merrte
asgjësend. Enigma e kurdisjes është universale... Si e tillë doemos është
gllabëruese... Megjithatë, kjo e diel i dukej e gjatë, nata e kishte torturuar;
ëndja kafshërore ia kishte fryrë zorrët tej mase. Një refleks i mënjanoi
reflektimet tjera dhe i përmendi ëndjen. Si duket kjo qenka imja, e brendshme,
askush nuk ma paska kurdisur... Shija... Deshi ta plotësonte konstatimin për
shijen, por iu ngatërrua perceptimi i pa saktësuar për masën; mandej pozita e
shtrirë i sillte vrushkuj të përzier: muzg-drite. Jashtë dritores tij
rridhnin ndodhitë, ngjarjet, gjësendet,
ngjyrat, intrigat, përballjet, epshet për shuarje, trajtat e pandemisë,
sherret, kërkimet e të urtëve të globit për t`i frenuar numrat e shuarjes të
jetëve dhe, tjetërsimi i dhimbjes në numra...
Mbulesën
e kredhjeve të thella ia shkundi thirrja e Lumores për pirjen e vonuar të
kafesë. Para se të zbriste në katin e parë deshi t`i dëftonte dytëshorit për
shijen dhe krupën e vet, por ndoshta do të përhapej renditja për ta
kategorizuar tek të pangopurit dhe tha:
-
Lëre mos e nga!
-
Si më gatoi Zoti i evolucionit të mos më ngopen as shqisat e të parit?
Zoti
e përsosi njeriun, duke i dhënë gjithçka nga pak prej të bukurës dhe të
shijshmes...
-
Domethënë më la mundësinë veçse t`i provoj nga pak të mirat, të bukurën, të
këndshmen, të shijshmen, por pa u ngopur me to... - këtë përsiatje nuk ia
shpërfaqi Lumores.
Tërë
perceptimet e sotme i lidheshin për orën e prapa ngelur. Jashtë sferës së
përsiatjeve të tij shkëlqimi dritësor ishte lëbyrës.
***
-
Lumore sot e kam vënë re se sa paskam qenë i lidhur për orën e murit të dhomës
tonë!
-
Ti ke dhe orën e dorës, celularin, çka po të lidh kaq ajo farë ore klasike?
-
Nuk e shpjegoj dot... - vazhdoi:
-Ndoshta
ato tak-take akrepash ishin shenjat e fillimit të frymëmarrjeve tona të
përbashkëta?...
-
T`i marrtë t` ligat! - Po, por... - Lumorja paksa hezitoi:
-
Unë... Unë... U frikësova për atë orën tënde të madhe, ajo të mos ndalet,
ajo!... Ora e shtëpisë, pak punë është kjo!
Për një çast e kaploi habia...
- Cila mund të ishte ajo orë e madhe e shtëpisë, së cilës mund t`i
ndaleshin akrepat?!
E
kuptoi, por thjesht nuk deshi t`ia tumirte atë parandjenjë të brishtë
gruas së kurorës.