Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Populli në brez me 'dy alltia' londrën e grisi nënë partia

| E hene, 06.06.2022, 06:54 PM |


POPULLI NË BREZ ME “DY ALLTIA”

LODRËN E GRISI NËNË PARTIA

(Shkrim i publikuar më herët. Shkaku, aktualitetit: i marrur edhe një herë nëpër duar)

NGA KALOSH ÇELIKU

Historikisht, shqiptarët problemin më të madh e kanë pasur me veten si popull. E kanë edhe sot këmbëkryq te pragu i derës. Brez pas brezi i kanë dalldisur armiqtë, siç thotë populli “para pampurrit”: trima që e rrokin për fyti topin e Mic Sokolit, shkaun e vrasin me çifteli dhe e kanë derdhur gjakun deri në gju për Liri Grykës së Kaçanikut, sa që është mbytur edhe kali me gjithë shalë. Armikut i kanë dalur ballë për ballë edhe në Londër me dy kobure në brez. E kam fjalën për Isë Boletinin, e jo për misionarët e sotshëm fetar me këmbët dhe trutë në legen, që bien “shehitë” në Siri. “Kurbanë” therin me thika para syve të botës si kasapë Ballkani.

Përçudi, ky popull kaq trim me Shqipërinë Etnike në gojë, si nuk bëri ende një Shtet shqiptar, copë - copë i ndarë me kufinj politik?! Shtet, për të cilin me shekuj është duke ia vënë flakën Ballkanit. Ose, siç thotë tek ajo kënga popullore me çifteli: për çdo vjet e nisim nga një luftë. Herë me Krajl e herë me Mbret. Dhe, kurrë vetes nuk ia këputi prangat e robërisë. Fatkeqësisht, popull që ka mbetur edhe sot e kësaj dite nën nivelin e Rilindasëve shqiptar. Ende, që nuk ia shohim tymin zjarrit të tyre në oxhak mbi çati, e këndej në kokërr të shpinës e presim flakën në qiell mes reve.

Dalldisja e tyre “patriotike” vazhdon edhe në Ditën e sotshme. Vetëmse, i kanë ndërruar armët e luftës heroike. Përderisa dje, e kishin penën dhe pushkën, sot e kanë rrokur lodrën dhe cinganën nëpër dasmat politike shqiptare. Çiftelinë, e kanë varur në mure të “Odave shqipatre”, ose e kanë hudhur në tavan si instrument “haram”. Vallen e heqin krah për krahu me shokë. Alltia e pushka, nateditë na këndon nëpër kulla. Copë - copë gratë i bënë dajret. Vallen për inatë të burrave e heqin brez për brezi edhe me lodra. Shaminë duke hedhur lartë mbi kokë e pas shpine. Dollarët e eurot edhe këtë verë si gjithmonë përfundojnë në ballin e gojën e lodraxhinjve. Cingana piskat, në dy gjunj e herë në kokërr të shpinës me eurot e dollarët në ballë. Dhëndri me tirqi e xhamadan, me “nagantin” në brez, hyn në valle si burrat. Babai e nxjerrë mauzerrin nga hatullat. Katundit ia bënë me dije, se: më në fund erdhi Nusja e maleve me koçi. Fundekrye e veshur me ari e franga përqafe si në kohën e Turqisë. Ose, Serbisë. Nuse, që këtë verë të zbresë nga malet na kushtoi, hiç më pak: rreth njëqindë mijë uro, në Tetovë dhe Shkup. Partizanëve partiak, që presin në rend, përcjellur me këngë tallava ua jep nga një copë ëmbëlsirë nga tepsia. Cucave, po t’u teket përmes këngës me dajre u japin edhe dy - tri copa të tjera në gojë.

Viçat herët pa lind dielli, rrëzë Sharrit Plak rrotullohen në hell mes livadhit. Pronari i dasmës ka vendosur t’i bëjë dy dasma: një në Tetovë, dhe një në Shkup. Dasma e Katundit Madh do të mbahet mend sipas traditës shqiptare. E, ajo e Kryeqytetit Historik, si dasëm e ndryshimeve shoqërore dhe “fitoreve” politike: me këngëtarë e muzikë tallava, që kushtuan mbi njëqindëmijë euro. Çmim letrar, që shumë poetë të mirënjohur shqiptar anembanë Atdhuet, nuk do ta shohin as në ëndërr. E di, ju do të thoni: kush u ka faj, pse edhe ato nuk u bënë këngëtarë dasmash partiake, por poetë. Vërtetë, këtu keni të drejtë si partizanë të partive politike në pushtet. Dasma partiake, patjetër, duhet t’i ketë mijëra dasmorë. Nata duhet kaluar me këngë e valle. Këngëtarët me ato vargjet e “zjarrtë”, “sonte do ta kallim flakë shtëpinë”: plot llokuma, sheqera, tollumba e gurrabia. “Halla e Madhe” ka hyrë në valle. Cucat copë-copë e bëjnë dajren. Konkurencë e madhe u bëhet “javëve kulturore”, që i organizojnë komunat shqiptare për kurbetçarët, mes tyre edhe me ndonjë aktivitet islam me ilahi sa për ilustrim për sy e faqe të zezë si “myslimanë” shqiptar. Punemadhe, që nuk kanë me shtëpi asnjë institucion klturor, bibliotekë me libra. Larg qoftë, në këtë kohë të mendojnë për tekste shkollore, lektyra shkollore, revista për fëmijë.

“Artistët e popullit” e presin verën tjetër edhe më të nxehtë “kulturore”, shkaku se këtë verë nëpër këto sofra “kulturore” partiake janë ulur këmbëkryq partizanët e Nënës Parti. Vështirë e kanë artistët e “opozitës” të afrohen, ulen krah për krahu në ndonjë shkam me tri këmbë. Rrënjët i kanë shti në vendlindje, po degët i kanë lëshur nëpër qytetet tjerë për “javët kulturore”. Manifestimet tradicionale kulturore i kanë rrokur për fyti partizanët e partive politike, tashti nuk bëjnë manifestime poetike institucionet kulturore, por argatët e tyre në Ministritë e Kulturës. Partitë politike i kemi “revolucionare” e organizatore, perveçse me politikë “madhore”, ato merren edhe me kulturë mbarëkombëtare shqiptare. Populli e heq vallen me “dy alltia” në brez: “flakë le të kallet sonte shtëpia”. Lodrës, me tupan i bie Partia.

Armikun e vranë dhe e mbytën edhe këtë verë nëpër koncerte partiake, klanore, miqësore dhe familjare. Nuk e di, a ka mbetur gjallë edhe ndonjë “armik” i popullit shqiptar. Mezi i presin kurbetçarët, që të bëjnë “javë kulturore”, krah për krahu me dasmat familjare. Në një thesë ta shtinë kulturën shqiptare me “aktivitete kulturore” Islame. Poezinë e bëjnë lëmsh me ilahinë. O Imzot, sa bukur e qajnë nëpër vera kulturore! Partizanë të partive politike, që kitarën e kanë varë në mur si “haram”, dhe u janë përveshur verave kulturore shqiptare me ilahi si “shpëtim” nga armiku shekullor. Plan - programe kulturore, përpilojnë sipas arshinit të turkut e serbit. Historinë shqiptare duhet ta rishikojnë, përsëri ta marrin nëpër duar “historianët”, patjetër duhet ta zhveshin nga “falsifikimet”. Artistët shqiptarë i ndajnë në “myslimanë” dhe shkje. Anësh, lënë emra të mirënjohur të kulturës shqiptare. Legjendat e letërsisë dhe muzikës shqiptare, vështirë i shtinë në program “artistët” e dasmave politike shqiptare me të cilët bëjnë pazare kulturore.

Edhe, po t’u hedhësh një sy vlerave të tyre kulturore-artistike, janë nën nivelin e dasmave tradicionale shqiptare. Dallimi është, dasmat shqiptare i bënë i zoti i shtëpisë me paratë e veta, ndërsa dasmat politike partiake, dhe verat kulturore nën ombrellën e kryetarëve të komunave me paratë e popullit shqiptar. I hurit e i litarit bën programin e “Javës kulturore”. Përmëtepër, kur komuna ka përgjegjës të kulturës, i cili merr edhe rrogë për këtë punë. Partizanët e partive politike, që gjithë vitin turren komunë më komunë për të bërë “Javë kulturore”, si ajo grerëza që shkon lule më lule të pjellë mjaltë, futet dhe organizon vera kultutore aty pas shtëpie, ku nuk e ka vendin. Verë për verë po na shurdhojnë me zhurma kulturore, e shumë pak me vlera të arrira artistike të këtyre trevave shqiptare, që deri dje i mbante nën këmbë turku e serbi, sot me të dyja këmbët i shkelë partizani partiak shqiptar për përfitime materiale, interesa personale e familjare. Krye më vete fut “artistë” nga të katër anët e botës, e i lë anësh artistët e dëshmuar të vendlindjes. Talentët, që janë mbi nivelin e këtyre “dasmave” të katundeve, dhe mezi presin t’i shohin në skenë mërgimtarët.

Verë kultuore të bësh sot, e të mos kesh asgjë nga vlerat e arrira artistike dhe tradita shqiptare e këtyre qyteteve, për mua është të heqësh valle si Arusha me dajre nëpër katundet e “Vilajetit”.  Maxhupi t’i bie dajres për pak lekë, ose një torbë drith, e Arusha përdore e heq vallen për fëmijë me pak para në Katund. Artistët më të mirë të vendlindjes t’i lësh jashtë “Javës kulturore”, e këndej t’i përkrahësh matrapazët e kulturës myslimane, që nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën shqiptare, për mua organizatorët e këtyre aktiviteteve “kulturore” partiake, i meritojnë shtatë lapsa (plumba) në lule të ballit. Vërtetë, është vetëvrasje e paralajmërur t’ia bësh para syve një populli historik. Padashtas, ma kujtojnë një thënje antologjike të humoristit dhe satiristit shqiptar Niko Nikolla, gjatë një Akademie përkujtimore përkushtuar poetit Mehmedali Hoxha nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar, në Strugë (1997): Nuk ka popull shqiptar, por ka popull shkrimtar.

Përfundimi: “Artistët e popullit”, gati të gjithë në numër për çdo vjet si delet kokë më kokë i ke në vathë, nderohen me nga një “Mirënjohje” nga kryetarët e komunave, përfaqsuesit e Ministrive të Kulturës. Çmim “kulturor” për të cilin, sot për sot kanë më së paku nevojë. Çmim, të cilin ndonjëri e ka “harruar” edhe në hotel. Shkaku se, nuk ka nevojë për gjithë ato “salltanate” kulturore: mirënjëhje, fletore të mbështjellura me imitime të lëkurës, lapsa propagandistik të prodhuar me shumicë për fushata parazgjedhore të partive politke e ndonjë pllakate “përkujtimore”, kur artistin tone: sot, këto partizanë partiak kulturor e kanë lënë pa punë dhe bukën e gojës. Tekefundit, t’i japin një honorar modest për poezinë e lexuar para këmbëve të heronjëve të Atdheut, t’i mbulojë shpenzimet e rrugës. Dasma kulturore, në të cilat më nuk merr pjesë Gani Xhafolli, dhe i ka vënë vetes një Çmim letrar: Njëqindmijë euro, aq kushton një poezi e imja e lexuar nëpër këto “dasma kulturore” partiake të shqiptarëve, thotë plot ironi Gani Xhafolli. E, puthjet e peoteshave pjesmarrëse në faqe nëpër këto “dasma kulturore” t’ia bëjnë Gani Xhafollit, e pyesim ne pjesmarrësit me kurreshtje. Qeshet, poeti: kushtojnë shumë më pak, pesëdhjetë mijë euro.

Përjashtim bënë këtu, regjisori i mirënjohur i filmit shqiptar “Njeriu prej dheut” - Fadil Hysaj, i cili ishte tërhequr në një katund të braktisur malor Kukaj të Kosovës, dhe atje ishte vendosur me Shtëpi. “Larg rrëmujës dhe rrëmetit”, siç thotë Fan Noli. Katundin e braktisur nga shqiptarët, e kishte ringjallur me frymën e traditës dhe kulturës shqiptare plot vepra artistike. Shtëpiza të thurura me gardhiçe, rrota të qerreve, sofra, puti e oxhak katundi. Strehim për artistët që kërkojnë “azil politik” mes maleve. I mungonte vetëm rruga e asfaltuar plotë këthesa të rrezikshme, të cilën e ka për obligim në mënyrë solemne ta hapë dhe përurojë në të ardhmen gjatë fushatës parazgjedhore Qeveria e Kosovës. Përndryshe, po të mos ishte K. Cufa me dy - tri “melaqe” si përforcim t’i “ndihmojë” shoferit në errësirë, kësaj radhe të gjithë do të përfundonim në greminë. Nesër, me siguri Nëna Parti do të na shpallnin dëshmorë të poezisë. Amani, kush do t’i duronte edhe gjithë ato poezi patetike pa shpirt e gjak përkushtuar ne kaçakëve të poezisë.

Dorën në zemër, nata e fundit shqiptare në këtë fshat kulturor, që posa i kishte shti rrënjët e mbuloi maltertimin e një nate të gjatë me “përshëndetje e urime” të njëqind krijuesve nga Mërgata dhe Diaspora Shqiptare e Atdheu me poezi patetike: që nga ministrat, përfaqsuesit e tyre me gjithë shoferë e deri te dëshmorët e kombit që preheshin në vendlindje. Fati ynë, që ato heronj nuk u zgjuan nga varret, se po t’i hapnin sytë atë natë poetike, shumë poetë patetik me nga një plumb në ballë do të na vrisnin para këmbëve të tyre si derra të kulturës shqiptare, që ua prishim qetësinë edhe mes varreve.

Dalje nga këto dalldisje “kulturore” partiake: shqiptarët, koha është më të mos shkojnë pas partizanëve të fushës, por pas ujqërve të malit. “Artistët” e këtij soji, që turren me të katra për përfitime materiale klanore, familjare e partike me një shqelm bythëve duhet’i përzëmë nga kultura shqiptare. Larg, shumë larg t’i shohim profetët e Ditës Nesërme. Arsimi dhe kultura janë themelet e një shqoqërie demokratike, Shteti shqiptar. Artistët duhet t’i prinë këtij populli në ballë. Askushi nuk mund t’i pri kulturës shqiptare në Ditën e sotshme nëpër beteja të përgjakshme për Liri, po zemra e truri.

Populli në brez me “dy alltia”, Lodrën e grisi Nënë Partia…