Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Një fije shprese për shpëtim!

| E diele, 05.06.2022, 05:55 PM |


Një fije shprese për shpëtim!

Shkruan: Florim Zeqa

Dallimi mes dy shteteve (Kosovës dhe Serbisë) në dialogun e Brukselit është i madh dhe i pakrahasueshëm, është dialog mes të pabarabartëve. Problemi nuk qëndron vetëm tek mosnjohja e ndërsjellë, por tek trajtimi nga bashkësia ndërkombëtare. Përderisa Serbia e ka statusin e kandidatit për BE, Kosova nuk e ka as liberalizimin e vizave!

Zogu i ikur një herë nga dora nuk kthehet më

Presioni i madh ndërkombëtar ndaj ish liderëve shtetërorë, ka bërë që Kosova të nënshkruaj marrëveshje të dëmshme për vendin, të cilat rezultuan me humbje territori. Fillimisht përmes procesit të decentralizimit (etnik) ndodhi shndërrimi i enklavave në komuna serbe. Përmes kinse mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ndodhi zgjerimi territorial i kishave dhe manastireve serbe.

Në emrër të demarkacionit ju falen mijëra hektarë tokë e Kosovës fqinjëve tonë, përkatësisht Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Për fatin e keq, me ndihmën e institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës u ratikfikuan dhe u legjitimuan marrëveshjet e dëmshme për vendin.

Përderisa Gjykata Kushtetuese i dhuroi Manastirit të Deçanit 24 hektar tokë të Komunës, Kuvendi i Kosovës i dhuroi Malit të Zi 8200 hektarë tokë të larë me gjakun e shqiptarëve.

Në ndërkohë, në heshtje me disa hektarë tokë është zgjeruar edhe Patriarkana e Pejës dhe është legalizuar Kisha serbe e ndërtuar nën masa të dhunshme në kohën e Millosheviçit në pronën e Universitetit "Hasan Prishtina"!

Ndarja e pjesës (Mitrovices) veriore, realitet i hidhur

Të gjitha këto që i ceka më sipër i kishim në dorën tonë dhe me lehtësi i lëshuam! Shtrohet pyetja logjike, çfarë do të bëjmë tani me pjesën veriore të cilën nuk e kemi në dorën tonë që 23 vjet nga përfundimi i luftës me Serbinë.

Sikurse për rastet e mësipërme, edhe për Asociacionin, ish qeveritarët dhe deputetët e Kuvendit, disa nga lakmia e pushtetit e sa të tjerë nga presioni politik dhe trysnia e madhe ndërkombëtare, i përgatitën infrastrukturën ligjore Serbisë për gllabërimin e përjetshëm të pjesës veriore.

Janë dy marrëveshje ndërkombëtare me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) të nënshkruara nga dy ish kryeministrat e Kosovës në Bruksel, njëra prej të cilave edhe e ratifikuar (falur apo shitur, merreni si të doni) nga deputetët shqiptarë në Kuvendin e Kosovës. Në të njëjtën mënyrë është përligjur ndarja e qytetit të artë të Kosovës, në Mitrovicën Veriore dhe atë Jugore me lumin Ibër në mes.

Ndërkohë, që tashmë shumë shtete e shohin Asociacionin serb në Kosovë si formë të zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, siq janë Gjermania, Italia, Austria, Spanja, Greqia, BE-ja dhe SHBA si tërësi.

Na pëlqeu apo jo, ky është realiteti i krijuar i pasluftës në Kosovë!

Sikurse në të kaluarën, edhe sot Evropa po e ndihmon hapur Serbinë dhe shtetet sllave në përgjithësi duke i ndëshkuar sërish shqiptarët me tkurrje territoriale. Ne sa më shumë që po e duam Evropën, ajo aq më tepër po e shpërblen Serbinë.

Ekziston edhe një fije shprese për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shin dhe janë aleati ynë më i fuqishëm. Sikurse në luftën e fundit me Serbinë, që e shpëtuan qënjen tonë kombëtare nga shfarosja e gjenocidit serb, edhe tani e vetmja mundësi për të dalë fitimtar në përballje në dialogun me Serbinë, është ndërlidhja e interesave amerikane në Ballkan me interesat tona, që i bie se, nëse arrijmë të shfrytëzojmë gërshëtimin e atyre interesave do t'ia arrijmë ta nxjerrim më të mirën e mundshme, në të kundërtën, çdo mospërfillje e liderëve tonë shtetëror ndaj kërkesave amerikane në raport me arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, do t’na rrezikojë seriozisht ekzistencën e shtetit.

Pra, me moskoordinimin e raporteve të mira me SHBA-të, na pret një punë e vështirë, për faktin se është duke ndodhur militarizim i paparë me armë moderne i Serbisë nga Rusia dhe Kina; me artileri të rëndë, raketa me rreze të gjatë veprimi dhe me aeroplan modern luftarak. Ndryshe, kjo shihet si një përgatitje e Serbisë për ripushtimin e Kosovës dhe jo vetëm. Pasi, pretendimet pushtuese të Serbisë shkojnë përtej Kosovës, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni të Veriut, në Bosnje e në Hercegovinë, etj.

Për aq sa është i lartë rreziku për Kosovën, mundësia e shpëtimit nga agresioni serb bëhet më e madhe nëse arrijmë të unifikojmë veprimet tona dhe të koordinohemi me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk kemi zgjidhje tjetër alternative! Edhe 23 vjet nga përfundimi i luftës, prezenca e NATO-s në Kosovë dhe baza ushtarake “Bondsteel” konsiderohen forca kryesore mbrojtëse dhe garantuese e lirisë sonë.