Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Një urim shqip i kohëve homerike

| E premte, 03.06.2022, 09:36 PM |


Blerim Latifi:

''Sokaku i të marrëve” në Gjirokastër. Kjo rrugicë, që në shikim të parë duket një rrugicë krejtësisht e rëndomtë, ka marrë famë ndërkombëtare falë dy njerëzve që me jetën e tyre eksploruan horizonte të ndryshme të marrëzisë njerëzore.

Në fundin e këtij sokaku, në anën e majtë, është shtëpia ku u lind dhe u rrit Ismail Kadare, ndërsa sipër sokakut, pak më tutje, është shtëpia ku u lind dhe u rrit Enver Hoxha.

Hoxha e çoi deri në ekstrem marrëzinë e totalitarizmit komunist, ndërsa Kadare, përmes imagjinatës letrare, depërtoi deri në thellësitë më të errta të marrëzisë njerëzore, sidomos asaj politike (Pallati i Ëndrrave, Piramida, etj).

Tregimet vendore e lidhin emrin e kësaj rrugice me kalimtarët e dehur që rrëzoheshin aty dhe tërhiqnin pas gurët e saj, ndërsa dy banorët më të famshëm të saj, në mënyra të ndryshme, na treguan për rrëzimin moral të njeriut kur dehet me ideologji.

_________

Një urim shqip i kohëve homerike

Po shfletoja një enciklopedi të mitologjisë antike. Më ra në sy pjesa ku flitej për Moira-t. Ato ishin tri perëndesha që personifikonin fatin e gjithfuqishëm mbi jetën e njerëzve. Besoheshin si forca që tërhiqnin të gjitha fijet e fatit të qenieve njerëzore, qoftë për të mirë, qoftë për të keq dhe njerëzit u luteshin vazhdimisht sa herë që ndërmerrin ndonjë punë.

Ka mundësi që miti i tyre të ketë mbijetuar brenda gjuhës shqipe, deri në ditët e sotme.

Ja një shembull : Kur e urojmë dikë që nisë një punë, i themi “të priftë e mara”, ose kur e shohim dikë që është duke bërë një punë i themi “puna e marë”. Në variantin toskërisht të shqipes kemi vetëm një b të shtuar, me çka "e mara" bëhet "e mbara".

Po kush është e marambara?

Nga vetë shqiptimi duket qartë se fjala është për një forcë hyjnore të gjinisë femrore, sepse nuk thuhet "i mbari", por "e mbara". Kjo na jep të kuptojmë se mbarësia shqipe, edhe në këtë pikëpamje, lidhet me moira-t antike.

Duket qartë se kemi një afërsi të madhe gjuhësore midis trajtës shqipe “e mara” dhe trajtës "moira" të greqishtes së vjetër.

“E mara” fitohet lehtë nga një ndërhyrje fonetike e shqipes në “ moira-n” e greqishtes së vjetër, ndërhyrje në të cilën "oi" greke bëhet "a" shqipe: moira ( e mara)

Tash pyetja e vjetër : a doli “moira” e greqishtes së vjetër nga “e mara” e protoshqipes, apo anasjelltas?

Vështirë, gati e pamundur, të gjendet një përgjegje. Ajo që megjithatë duket gogja e qartë është se urimi shqip “të priftë e mbara” i ka rrënjet shumë thellë në histori, diku në kohët e Homerit dhe Hesiodit.

_________

Dashunia për atdheun

Filipi I, mbreti i Maqedonisë, pasi kishte dëgjuar për famën e filozofit Aristotel, vendosi që djalin e tij 13 vjeçar Aleksandrin ta dërgonte në shkollën e tij në Athinë. Në atë kohë njerëzit besonin se nuk mund të bëhesh prijës i madh nëse të mungonte edukimi dhe dituritë.

I kënaqur me edukimin që djali i tij mori nga Aristoteli, Filipi i thotë filozofit të madh : Më kërko çfarë të duash si shpërblim, para, pasuri, privilegje!

Aristoteli ia ktheu : Nuk i dua asnjërën nga këto. Dua vetëm të ma rindërtosh qytetin tim të lindjes, Stagirën, të cilin kohë më parë e ke shkatërruar me ushtrinë tënde dhe t’i lejosh njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre.

Filipi pranoi dhe vendlindja e Aristotelit u ringrit përsëri.

Njerëzit e mëdhenj gjithmonë janë edhe atdhetarë të mëdhenj. Ata nuk e harrojnë vendlindjen e tyre, edhe atëherë kur arrijnë majat e lavdisë nëpër botë.

_________

Konstantin Jereçek, njëri nga historianët më të famshëm të Ballkanit, në librin e tij "Historia e Serbëve", shkruan se kur Sulltan Mehmeti II rrethoi Konstandinopojën në pranverën e vitit 1453 despoti serb Gjuragj Brankoviç i dërgoi si ndihmë 1500 ushtarë serbë dhe një njësi minatorësh nga Novobërda për të vënë mina poshtë mureve të qytetit të rrethuar. Trupat e Brankoviçit ishin të parat që depërtuan brenda kryeqytetit bizantin në mëngjesin e 29 majit, kur edhe filloi masakra totale dhe shkatërrimi tij. Në shenjë të mirënjohjes Sulltani i dërgoi Brankoviçit një pjesë nga plaçka e fitorës.

_________

E lexova në një portal amerikan:

" A e dini se në vitin 2015 kishte një studim që thoshte se vrasja ishte shkaku i 51.5% të të gjitha vdekjeve të artistëve amerikanë të hip-hop?

Shumë prej këtyre artistëve që janë vrarë nuk e kanë parë jetën pas moshës 30 vjeç, sepse na janë marrë në moshë kaq të re. Krimet e dhunshme në muzikën rep kanë qenë gjithmonë përreth. Ishte më keq rreth viteve 1970, kur repi ishte në kulmin e tij. Meqenëse shumë reperë në atë kohë ishin të lidhur me bandat, pati shumë dhunë në muzikën rep.Shumë reperë janë vrarë për shkak të bandave rivale si Tupac dhe The Notorious BIG. Të dy këta artistë të talentuar u pushkatuan me gjakftohtësi dhe kjo është shumë tragjike. Dhuna në muzikën e repit është një problem që nuk zgjidhet, sepse edhe sot e kësaj dite reperët po vriten gjakftohtë".