| E diele, 29.05.2022, 06:54 PM |
31 MAJI – DITA NDËRKOMBËTARE PA DUHAN. 6
SI TË NDËRPRITET TYMOSJA E DUHANIT?
Nga Lutfi ALIA
Deri në vitet ’90, efektet dëmtuese të tymit të
duhanit injoroheshin, ndërsa në këto 30 vite, me studimet e shumta shkencore,
është vertetuar rrezikshmëria për shëndetin dhe jetën e duhanxhinjëve dhe të
atyre që thithin tymin pasiv të duhanit në mjediset shtëpiake, të punës dhe në
mjediset publike.
Aktualisht 90 % e duhanxhjinjëve i njohin pasojat e
rënda për shëndetin që krijon duhani, ndërsa 10 % i minimizojnë dhe i
nënvlehtësojnë, për të mos u privuar nga kënaqësia e krijuar nga droga
nikotinë, pra mbeten skllevër të dipendencës nga nikotina.
Edhe pse i njohin dëmet që shkakton tymosja e
duhanit, po iu rikujojmë duhanxhinjëve si lëndohet shëndeti i tyre nga
substancat e shumta të çliruara nga djegia e duhanit në cigare, në puro, në
llullë dhe në nargjile.
Të dhënat shkencor kanë vertetuar se tymosja e
duhanit e shkurton jetën e duhanxhinjëve 10 – 12 vite, pra vdesin parakohe,
duke humbur një pjesë të konsiderueshme jete, vetëm për të shijuar kënaqësinë e
përkohëshme të drogës nikotinë. Është vertetuar se 50 % e duhanxhinjëve vdesin
nga sëmundje të shkaktuara nga 4700 substancat toksike, irituese, inflamatore
dhe kancerogene. Sëmundjet e shkaktuara nga duhani janë përgjegjëse për 20 % të
vdekjeve në grup moshat 35 – 65 vjeç dhe 30 % në moshat e avancuara mbi 65
vjeç.
Rikujtojmë se mbi 90 % e kancereve të mushkërive
zhvillohen në duhanxhinjë, që tymosin mbi 20 cigare në ditë. Aktualisht ndër
duhanxhinjtë është shtuar numëri i kancereve të gojës, të fshikzës urinare e të
stomakut.
Një ndër tre duhanxhinjë vdes nga sëmundje
kardiovaskulare, ndër të cilët 60 % nga sëmundje të arterieve koronare (infarkt
miokardi). Një ndër efektet e herëshme të tymit të duhanit është rritja e
presionit të gjakut, pikërisht 10 minuta pasi përfundohet tymosja e cigares,
presioni i gjakut rritet edhe 30 mmHg, çka shprehet me ndërlikime në subjektet,
që vuajnë nga hipertensioni (presioni i gjakut i lartë).
Në duhanxhinjtë, ateroskleroza është më e herëshme,
më intensitet më të lartë dhe e ndërlikuar me iskemi të trurit, me koronarosklerozë
(infarkt miokardi) dhe me dëmtime të veshkave. Iskemitë dhe hemoragjitë e
trurit janë 10 herë më të shpeshta në duhanxhinjë, se sa në ata që nuk tymosin
duhanin.
Duhanxhinjtë kronikë vuajnë nga dy sëmundje të
arterieve, sindroma Rayneaud e shkaktuar mga ngushtimi i arterieve të krahëve,
e shprehur me mavijosjen e gishtave të duarve dhe nga endoarteriti obliterant,
që pakëson furnizimin me gjak të gjymtyrëve të poshtëme e shprehur me ecje me
vështirësi duke çaluar dhe me shenjat e quajtura “këmba e duhanxhiut”, që
dikton ndërhyrje kirurgjikale, por në shumë raste pa rezultate.
Sëmundjet e aparatit të frymëmërrjes janë të
pranishme në 100 % të duhanxhinjëve, të shprehura në forma dhe në tipa të
ndryshme, si me bronkite kronike dhe bronkopati kronike obstruktive, që
shkakton invaliditet të lartë dhe është shkaku i tretë i vdekjes të subjekteve
duhanxhinjë.
Përmasat e pandemisë të tabagismit, numëri i madh i
duhanxhinjëve dhe pasojat dramatike për shëndetin dhe jetën e tyre, shprehen me
probleme komplekse mjekësore, shoqërore dhe ekonomike. Trajtimi i një duhanxhiu
më sëmundjet e më sipërme, ka kosto 40 – 50 % më të lartë, se trajtimi i një të
sëmuri që nuk tymos duhanin, pra ndikon direkt në rritjen e shpenzimeve
sanitare. Në Itali shpenzohen 10 miliard euro vetëm për të sëmurët duhanxhinjë,
shpenzime që përfaqësojnë 8 % të buxhetit për shërbimin shëndetësor kombëtar.
Nga kjo situatë dramatike shtrohet domozdoshmëria e
forcimit të luftës kundër tymosjes të duhanit e zhvilluar në parandalimi i
tabagismit dhe kurimin e duhanxhinjëve të dalin nga dipendenca ndaj nikotinës.
PARANDALIMI I
TABAGISMIT.
Parandalimi i tabagismit shtrihet në fronte të
gjëra, duke filluar me masa për pakësimin e kultivimit të bimës së duhanit, me
pakësimin e prodhimit industrial dhe të tregëtimit, me ndalimin e tymosjes të
duhanit në mjedise publike, në mjediset
e punës dhe në shtëpi, me ndalimin e tymosjes të duhanit nga minorenët etj.
Këto masa parandaluese shtrojnë detyrë imperative
impenjimin e institucioneve shëndetësore, institucionet kulturore dhe
artistike, shkollat dhe familjet të aplikojnë strategji dhe taktika edukimi,
për ndërgjegjësimin e çdo individi për dëmet e shumta që shkakton tymosja e
duhanit.
Të gjitha masat dhe aktivitetet për të kufizuar
tabagismin, janë nxitur fuqishëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, më
vendimin për ndalimin e tymosjes të duhanit në mjediset publike. Këto direktiva
janë adaptuar nga shumë shtete, sidomos në vitin 2003, me aprovimin në parlamente
të ligjit për ndalimin e tymosjes të duhanit në mjediset publike, në mjediset e
administratës, në mjediset spitalore, në auditoret, në shkollat, në bare,
restorante, plazhe, parqe lojrash për fëmijët, në mjetet e transportit publik
(autobuza, trena, anije, tragete, taksi), në kampet sportive, në stadiumet, në
sallat e kinemave dhe të koncerteve. Ndër masat e rëndësishme është dhe gjoba
për ata që tymosin në mjedise ku ndalohet tymosja e duhanit, si dhe gjobat për
subjektet, që hedhin në tokë bishtat e cigareve. Në të gjitha institucionet dhe
mjediset publike funksionojnë njësitë e luftës kundër duhanit, që survejojnë
dhe ndëshkojnë abuzuesit dhe individët e pandergjegjshëm, që shkelin rregullat
dhe ligjet kundër tymosjes të duhanit.
Gjithashtu janë përcaktuar rregulla për etiketat e
paketave të cigareve dhe të konfeksioneve me duhan të grirë, me vendosjen e
shkrimeve ku theksohen rreziqet për shëndetin të provokuara nga tymi i duhanit.
Në zbatim të direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për
parandalimin e tabagismit, shumë shtete e kanë ndaluar me ligj reklamat e
prodhimeve të duhanit, nisëm që filloi me bllokimin e reklamave të paketave
“Marlboro” në makinat e Formula Uno, përvojë që u përgjithësua nga kanalet
televizive, revistat dhe gazetat. Ndalimi i reklamave të prodhimeve të duhanit
u shpreh me pakësimin 15 % të tregëtimit të paketave dhe të konfeksioneve me
duhan të grirë.
Direktivat dhe vendimet e Organizatës Botërore të
Shëndetësisë dhe masat me karakter legjislativ që morën shumë shtete,
përfaqësojnë instrumenta të rëndësishme dhe rezultative në luftën kundër
tabagismit dhe me ndikim në tutelën e shëndetit të subjekteve që nuk e tymosin
duhanin.
Duke analizuar 50 studimet shkencore ndërkombëtare,
dedikuar ndikimit mbi shëndetin e popullatës 10 vjet pas ndalimit të tymosjes
të duhanit në mjediset publike, rezulton se u pakësuan 20 % shtrimet në spitale
me sëmundje të zemrës dhe me sëmundje të aparatit të frymëmarrjes, u pakësua 10
% numëri i rasteve me kancere të mushkërive. Në një studim spanjoll, botuar në
revistën “Nicotine & Tabacco Research”, rezulton se ndalimi i tymosjes të
duhanit në mjediset publike, ndikoi që 12 % e punonjësve në bare, në
restorante, në dyqane dhe në adminsitratën publike, e ndërprenë tymosjen e
duhanit.
Këto rezultate inkurajuese kanë ndikuar që lufta
kundër tymosjes të duhanit të zgjerohet, duke e ndaluar tymosjen dhe në parqet
dhe lulishtet publike, përvojë rezultative fillimisht në Belgjikë dhe
aktualisht e shtrirë pothuajse në të gjitha vendet e Unionit Europian. Tymosja
e duhanit po ndalohet dhe në sheshe ku zhvillohen koncerte, në bankinat ku
priten autobuzat urbane, trenat etj. Me këto vendime, krijohen kushtet e
jetesës në mjedise të pastra natyrore dhe publike, pa ndotje me substancat
toksike të çliruara nga djegia e duhanit.
Një ndër masat e rëndësishme dhe efektive në luftën
kundër tabagismit është edukimi i masave popullore të mos tymosin duhanin,
kësisoj parandalohen dëmet e shumta që shkakton, por dhe për të bindur duhanxhinjtë
të ndalojnë tymosjen.
Parandalimi i tabagismit ka shumë rëndësi për
mbrojtjen e shëndetit të adoleshentëve dhe të rinjëve, duke i edukuar dhe
bindur me fakte dhe argumenta, se tymosja e duhanit e shkatërron gradualisht
shëndetin fizik dhe psikoemocional. Në këtë drejtim rol vendimtar kanë familja
dhe shkolla, që t’i edukojnë fëmijët dhe sidomos adoleshentët, të ruajnë
shëndetin dhe të zbatojnë një stil jetese të shëndetëshme.
Në Itali, 21. 9 % e djemëve dhe vajzave të moshave
15 – 24 vjeç e tymosin duhanin. Shumica e tyre e fillojnë duhanin duke imituar
prindërit duhanxhinj, një pjesë tymosin për të treguar se janë “burrëruar” dhe
se kanë fituar pavarësinë, një pjesë e vogël tymosin për të shoqëruar
duhanxhiun kapo. Ndonëse me ligj është e ndaluar tregëtimi i cigareve
subjekteve nën moshën 18 vjeç, ende abuzohet nga shitësit, veprim i gabuar që
ka lejuar tymosjen e duhanit nga adoleshentët, por që është favorizuar dhe nga
mungesa e kontrolleve nga organet kompetente.
Në zbatim të politikave dhe për të nxitur
masivizimin e aktiviteteve për parandalimin e tymosjes të duhanit,
për të sensibilizuar opinionin publik për
domozdoshmërinë e ndalimit të tymosjes të duhanit, Organziata Botërore e
Shëndetësisë ka shpallur “31 maji, dita pa duhan”, aktivitet i
praktikuar në të gjithë botën.
KOMPROMISET DHE DILEMAT E DUHANXHIUT ME DUHANIN.
(TË TYMOS, APO TË MOS TYMOS DUHANIN!)
Duhanxhinjtë
janë subjekte të vështirë. Edhe pse i njohin dhe i ndjejnë efektet
dëmtuese të tymit të duhanit, janë të pavendosur, konfuza dhe justifikohen me
te gjitha mënyrat për të vazhduar tymosjen, nuk gjejnë forca e nuk kanë vullnet
të eleminojnë dipendencën nga nikotina. Nuk e them për humor, as për ironizim,
por në fakt duhanxhinjtë jetojnë me dilemën: ”Të vazhdoj të tymos, apo ta
ndërpres duhanin !?”.
Kur
bashkëbisedohet me duhanxhiun, përgjigjia e parë justifikuese është: “Duhani
më relakson dhe më ndihmon të përqëndrohem. Në se nuk tymos duhanin, bëhem
nervoz”.
Në
fakt këto gjendje janë sugjestive dhe të kundërta më atë që shprehin
duhanxhinjtë. Tymosja e duhanit fillimisht krijon ndjenja stimulimi të shprehura me shtimin e të
rrahurave të zemrës, rritet presioni i gjakut, shtohet adrenalina në gjak,
krijohet eufori e përkohëshme, më pas ndjehet i relaksuar dhe anksiolitik,
gjendje që shoqërohen me një kompleks shenjash si djegie dhe erë e keqe në
hundë e në gojë, dhimbje koke, kollë me gëlbazë, djegie stomaku etj. Pikërisht,
për këto efekte bifazike duhanxhinjtë tymosin njëra pas tjetrës cigaret, për të
marrë sasinë e nikotinës që i krijon euforinë, kënaqësinë dhe pëlqyshmërinë për
duhanin, por pasi ka tymosur cigaren, këto ndjenja çduken, andaj duhanxhiu
bëhet nervoz, sepse kërkon të përjetoi përsëri ato gjendje që i krijoi nikotina
– drogë. Në fakt, pak minuta pasi përfundon tymosjen e cigares, dyhanxhiu ka
ulje të përqëndrimit të vëmendjes, ndjen uri, sepse nikotina i shton
sekrecionet e stomakut, andaj dëshiron të hajë diçka, duke u justifikuar se
kësisoj largon erën e keqe të gojës, që i krijon nikotina.
Ajo që duhanxhiu e
quan nervozizëm, është padurimi për të ndezur cigaren tjetër, për të mbajtur
nikotinën në nivele të larta ne gjak dhe për të rishijuar efektet e dipendencës
psiko-fizike të nikotinës drogë.
Një dilemë tjetër
e duhanxhiut është: “E kam të vështirë ta ndaloj tymosjen, nuk kam forca,
nuk kam vullnet, duhani është më i fortë se unë”.
Natyrisht, për
efektet drogë të nikotinës, me dipendencën farmakologjike, psiqike dhe
fizikopsikologjike është e vështirë të ndëpritet menjëherë tymosja, por në fakt
jo e pamundur. Ndërprerja e duhanit arrihet hap pas hapi nga subjekte me
personalitet të fortë, si e thekson Kernberg. Personaliteti i duhanxhiut
shprehet me karakter të pa qëndrushëm, me temperament emotiv, me reagim nervoz
kur ndërpret tymosjen e duhanit, preferon të shijoi kënaqësitë që i krijon
droga nikotinë dhe pse e di mirë që duhani i dëmton shëndetin.
Ndërprerja e
duhanit kërkon vullnet të fortë dhe forca impenjative, për të bërballuar
abstinencën e nikotinës, madje duhet pak kohë për të përballuar këtë situatë të
shprehur me shenja irituese. Duhani nuk është më i fortë se njeriu, por është
duhanxhiu i dobët, që nuk i përballon dhe nuk i kundërshton efektet drogë të
nikotinës.
Një subjekt që
ndërpret tymosjen e duhanit, fillimisht ndjehet nervoz, i irituar, reagon
vrullshëm dhe ndaj stimujve të vegjël, lodhet shpejt dhe ka vështirësi të flej,
ka gjumë të shqetësuar. Në fakt ky kompleks shenjash tregon se trupi i
duhanxhiut po çlirohet nga nikotina, e cila vazhdon të eleminohet gradulaisht,
pra duhanxhiu po çlirohet nga dipendenca farmako-psiqike dhe
fiziko-psikologjike. Këto shenja vazhdojnë 1 deri 2 javë pas ndërprerjes të
tymosjes të duhanit, sidomos java e parë është më e vështirë, por në se
përballohet, në javën e dytë këto shenja minimozohen dhe çduken njera pas
tjetrës.
Kompromis tjetër i
duhanxhiut me duhanin shprehet me justifikimin: “Po provoj ta ndërpres,
andaj po tymos vetëm cigare të lehta (Light)”.
Ky është veprimi
më i gabuar e me pasoja për shëndetin dhe dipendencën me nikotinën. Cigaret e
light u prodhuan për ta mbajtur lidhur duhanxhiun me duhanin. Cigaret e
quajtura të lehta kanë sasi të pakët nikotine, andaj duhanxhiu tymos më shumë
cigare dhe e thith me thellë tymin, për të mbajtur të lartë nivelin e nikotinës
në gjak, kësisoj krijojnë dipendencë më të fortë se cigaret e zakonëshme.
Industria e duhanit, e shtoi prodhimin e cigareve light, për të tërhequr
klienta, kryesisht femrat dhe adoleshentët, që të zëvëndësonin pakësimin e
duhanxhinjëve, sidomos pas vitit 2003, kur u verifikua pakësimi 10 – 20 % i
duhanxhinjëve, çka u shpreh me pakësimin e tregëtimi të cigareve, pas aplikimit
të ligjit kundër tymosjes të duhanit në mjediset publike.
Duhanxhiu që merr
iniciativën të ndërpresë tymosjen e duhanit, duhet të vendosi divorcin
përfundimtar, jo të justifikohet se do ta ndërpresi duke pakësuar numërin
e cigareve ditore. Është një teknikë si thika me dy presa. Duhanxhinjtë
me personalitet dhe karakter të fortë, duke i pakësuar gradualisht numërin e
cigareve që tymosin çdo ditë, pas një periudhe relativisht të gjatë, apo të
shkurtër, arrijnë të desensibilozohen gradualisht nga nikotina, e përballojnë
abstinencën dhe arrijnë t’i pakësojnë cigaret deri në 5 – 10 në ditë. Në se
arrihet në këtë nivel, duhanxhiu duhet ta ndërpresi përfundimisht tymosjen e
duhanit, sepse duke vazhduar të tymosi, është një lloj si t’i hedhish përsëri
benzinë zjarrit. Kush vendos ta ndërpresi tymosjen e duhanit, të veproj në mënyrë
deçizive e të shembi mitin fallso të duhanit dhe të mbrojë e të forcojë
shendetin, të zgjasi jetesën.
Justifikimi
tjetër i duhanxhinjëve është: “E kam ndërprerë disa herë, por e kam
filluar përsëri”.
Në
fakt, ky është veprim i pranushëm deri në një farë mase, sepse ndërprerja e
tymosjes të duhanit është proçes ndryshimi gradual, i realizuar me disa faza të
një pas njëshme, mundësisht të zhvilluara në kohë të shpejtë dhe pa i
përsëritur. Këto subjekte fitojnë një përvojë, se mund ta eleminojnë tymosjen e
duhanit dhe sa më rrallë të rikthehen në “zakonin e vjetër”, aq më të lehtë do
ta kenë ta ndërpresin përfundimisht. Pasi e ke ndërprerë tymosjen e duhanit dhe
të biesh në tentacion ta ndezish një cigare përsëri, nuk është dështim, por një
mundësi tjetër për ta braktisur përfundimisht dhe mënyra më e mirë është të mos
përsëritet, mos i hidh benzinë zjarrit që po shuhet, sfidoje cigaren, mbroje
shëndetin dhe jetën.
TRAJTIMI I
DUHANXHINJËVE PËR TË DALË NGA DIPENDENCA NDAJ NIKOTINËS.
Nikotina
përthithet lehtë nga mukoza e gojës, e hundës, e trakesë, e bronkeve dhe nga
kapilarët e hojeve të mushkërive dhe pasi hynë në gjak, brenda 10 sekondave
arrinë trurin, mëlçinë, gjëndërrat mbishkore etj. Pasi lëndon qelizat e këtyre
organeve, nikotina shpërbehet në mëlçi dhe eleminohet me veshkat në formë
kotinine, ndërsa mushkëritë e eleminojnë me gëlbazën, që merr ngjyrë të verdhë
të pistë. Organizmit të duhanxhiut i duhen dy orë kohë, të përgjysmoi
përqëndrimin në gjak të nikotinës, kësisoj duhanxhiu bëhet prè dipendence të
vërtetë, e shprehur me rritjen e dëshirës së vazhdueshme e të papërmbajtur të
tymosi një cingare tjetër, për të rritur dhe për të mbajtur konstant
përqëndrimin e nikotinës në gjak dhe të “shijojë” efektet e droges. Nikotina krijon dipendencë farmakologjike, psiqike dhe
fiziko-psikologjike, është drogë me të gjitha efektet, stimuluese, eksituese
dhe hypnotike, krijon ndjenjë kënaqësie dhe ndryshime kalimtare
psikofizio-logjike në duhanxhinjtë, andaj dhe lufta kundër duhanit duhet
të përqëndrohet në eleminimin e këtyre efekteve.
Dipendenca
farmakologjike. Krijohet nga nikotina e depozituar
në receptorët nikotinikë të bërthamës amigdale të trurit, e cila rregullon
emocionet. Receptorët nikotinikë në fibrat presinaptike të neuroneve
dopa-minergjikë, provokojnë çlirimin e dopaminës, e cila krijon ndjenjat e
kënaqësisë të njejtë si e shkakton kokaina dhe heroina. Nikotinomania e
duhanxhiut shprehet me nikotinodipendencën dhe me efekte toksike në organiz-min
e duhanxhiut (toksikomania dhe toksicitieti).
Dipendenca psiqike. Nikotina,
kur kontakton receptorat nikotinikë, nxit çlirimin e substancave psikotrope,
sidomos të dopaminës e cila vepron aktivisht në funksionet psiqike të
duhanxhiut. Nikotina aktivizon dhe rrugën mesolimbike,
që është qarku i brendshëm i trurit, që rregullon ndjenjë e euforisë, aspekt i
veçantë që shprehin duhanxhinjtë. Gjithashtu, nikotina nxit çlirimin e
norepinefrinës, shton prodhimin e endorfinave, të cilat krijojnë një relaksim
të lehtë dhe ulje të gjëndjes të ankthit, shton sekretimin e acetilkolinës, e
cila ka efekte stimuluese, ashtu si shton dhe sekretimin e serotoninës, që
rregullon humorin dhe pakëson oreksin.
Dipendenca fizike. Krijohet nga tymosja kronike e duhanit dhe kur nikotina
i kapërcen nivelet e tolerancës,
provokon shenja fizike të papëlqyeshme, sidomos kur
tentohet të pakësohet tymosja, çka e nxit duhanxhiun të vazhdoi tymosjen e
duhanit, për të mos kaluar në sindromën e abstinencës.
Dipendenca
psikologjike. Ndikim të madh në
forcimin e lidhjes të duhanxhinjëve me tymosjen e duhanit ka dipendenca
psikologjike, që është shprehje e kulturës dhe e edukatës familjare dhe
shoqërore, sidomos e mangesive në edukimin e nxënësve në shkollat.
Abstinenca ndaj
nikotinës. Nërprerja e
menjëherëshme e tymosjes të duhanit, shkakton krizë abstinencës e shprehur me
një kompleks shenjash si gjendje boshllëku, nervozizmi, iritabilitet, bulemia,
kanë dhimbje të muskujve, të shpinës, të këmbëve, të duarve; të përziera,
dridhje e duarve dhe e të trupit dhe kapsllëk. Kulmi i shprehjes të këtyre
shenjave arrihet 48 – 72 orë pas ndërprerjes të duhanit. Normalisht, organizmit
të njeriut i duhen mbi tre javë, që të dizintoksikohet nga nikotina, çka
sugjeron se ndërprerja e tymosjes të duhanit duhet të kryhet gradualisht dhe në
mënyrë progresive, deri në ndërprerjen e plotë, që të çlirohet nga dipendenca.
Krahas këshillave që u renditën në pjesët e
sipërme, ndërprerja definitive e tymosjes së duhanit ndihmohet dhe me përdorimin
e disa medikamenteve dhe sidomos i leukoplastit me nikotinë të vendosur ne
lëkurë.
Mbi të gjitha është vullneti, personaliteti,
karakteri i fortë për të konkretizuar vendimin për ndërprerjen e tymosjes te
duhanit, për të mbrojtur shendetin dhe jetën nga dëmtimet dhe sëmundjet shumta,
që provokojnë moria e substancave toksike, që çlirohen nga djegia e duhanit,
ndërsa medikamentet ndihmojnë për të shpejtuar këtë vendim të domozdoshëm.
Duhanxhinjtë duhet të ndërgjegjësohen të mos e djegin shëndetin me duhanin, të
mbrojnë e të gëzojnë një jetë të shëndetëshme.
Ndër terapitë e përdorura për ndërprerjen e
tymosjes të duhanit, National Institute
on Drug Abuse (NIDA), sugjeron medikamentin vareniklina tartarato,
sidomos përdoret për gratë që duan të braktisin duhanin, sepse ky medikament
bllokon dipendencën nga nikotina. Vareniklina është më efektive në gratë, se sa
në burrat dhe garanton rezultate më të mira se sa nga medikamenti bupoprione
dhe nga terapia zevendësuese me leukoplast me nikotinë, që vendoset në
lëkurë. Vreniklina vepron në tru, ku lidhet me receptorët nikotinikë të
acetilkolinës, pra në të njëjtit receptorë me të cilët lidhet dhe nikotina, por
verniklina nuk ka efekte droge dhe duke bllokuar lidhjen e nikotinës me këto
receptorë, e pakëson dëshirën për të tymosur cigaret, shmang dipendencën nga
nikotina, kësisoj i ndihmon duhanxhinjtë ta nderpresin tymosjen e duhanit.
Vareniklina përdoret në trajtimin e
duhanxhinjëve me bronkopati obstruktive kronike dhe në duhanxhinjtë, që kanë
vuajtur nga sëmundje të zemrës dhe të vazave të gjakut, duke u shprehur me
ndërprerjen e shpejtë dhe definitive të tymosjes të duhanit.
ÇFARË NDODH PASI NDËRPRITET TYMOSJA E DUHANIT?
Pasi ndërpritet tymosjen
e duhanit me cigare, puro, të duhanit me llullë dhe më nargjile, fillon
gradualisht të rivendosen funksionet indore dhe organore që ishin tronditur,
ose dëmtuar nga veprimi i 4700 substancave të pranishme në tymin e duhanit:
- Pas 30 minutash, normalizohen të rrahurat e zemrës dhe
temperatura e duarve dhe e këmbëve.
- Pas 2 orësh, nikotina fillon të eleminohet me urinë,
pakësohet përqëndrimi në gjak.
- Pas 8 orësh rritet gradualisht përqëndrimi i oksigjenit
në gjak.
- Pas 12 orësh përmirësohet frymëmërrja, normalizohet
ritmi dhe thellësia e thithjes të ajrit.
- Pas 24 orëve pakësohet përqëndrimi i monoksidit të
karbonit në mushkëri, çka shprehet më përmirësimin e
oksigjenimit të gjakut dhe furnizimi e indeve me
oksigjen.
- Pas një jave pa tymosje duhani, çduket shija e keqe e
nikotinës, përmirësohen nuhatja dhe ndjenja e shijes
ndaj ushqimeve. Lëkura fillon të shprehi ngjyrën rozë,
çduket dhimbja e kokës, normalizohen të rrahurat e
zemrës, çduken të përzierat, përmirësohet oreksi dhe
gjumi bëhet i qetë.
- Pas një muaji, mushkëritë rikuperojnë 30 % të
funksioneve që ishin ulur, përmirësohet frymëmarrja, rrallohen
shumë infeksionet bakteriale dhe virale, sidomos nga
viruset sezonale.
Në këtë periudhë ripërtrihen qelizat epiteliale me cilie
të rrugëve të frymëmarrjes, kolla është e shpeshtë dhe
ndihmon në zbrazjen e gëlbazës nga rrugët e frymëmarrjes.
Fillimisht masat e gëlbazës janë të shumta me
ngjyrë bezhë të pistë, me përmbajtje bloze dhe
gradualisht pakësohen dhe bëhen ngjyrë të bardhë.
- Pas 3 muaj pakësohen shumë akceset e kollës kronike,
normalizohet oreksi dhe pesha trupore.
- Pas 6 muaj përmirësohet aftësia e përqëndrimit të
vemendjes dhe rendimenti intelektual.
- Pas 1 viti, ulet mbi 50 % rrezikshmëria e zhvillimit të
infarktit të miokardit dhe e iskemisë të trurit.
- Pas 5 vite pakësohet mbi 50 % mundësia e zhvillimit të
kancerit të mushkërive dhe në organet e tjera.
- Pas 10 vite pa tymosje duhani, nuk ka rrezik zhvillimi
i kancerit në mushkëri dhe në organet e tjera.