Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Lamtumirë, Naser Berisha!

| E enjte, 26.05.2022, 08:12 PM |


LAMTUMIRË, NASER BERISHA!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Në harkun kohor tre mujor, qyteti i Ludwigshafenit, në Republikën e Rheinland Pfalzit gjerman, përcolli 4 (katër) mërgimtarë, në arkmorte, për t`u prehur, në Kosovën e tyre, përjetësisht: Sefer A. Zeqiraj, Ahmet Gorçaj, nga Studenica, Ibrahim Blakaj nga Vrella dhe, së fundi, Naser Berishën nga Volljaka e Klinës. Tre të parët ishin punëtorë ekonomikë, që nga fillim-vitet `70-a. Ndërsa Naseri, pasi u shënjestruar në demonstratat studentore të vitit 1981, edhe pse mbaroi studimet me kohë, nuk gjeti rehatinë dhe qetësinë e nevojshme, për jetë normale në Kosovë. Në vitet `90-a, bëhet ikanaku i radhës nga Kosova, duke gjetur strehë në Gjermaninë zemërmadhe, pikërisht, në qytetin e Ludwigshafenit.

Qyteti me 170 mij banorë, falë dy ndërmarrjeve të mëdha: Kombinati BASF, me një sipërfaqe gjatësore 15 kilometra, me 70 mijë punëtorë, dikur, çdo mëngjes hyjnë 60 mijë vetura në qytet, dhe Ndërmarrja e Lëndës Izoluese, kanë mundësuar punësimin dhe pagat e majmë. Janë këto arsyet, që qyteti ka një kumunitet shqiptarësh të madh në numër.

Naser Berisha shpejt u mjedisua me qytetin dhe organizimin, që kishin bërë mërgimtarët e hershëm dhe të vonshëm. Ai u bë pjesë e aksioneve të shumta në ndihmë të Kosovës, përfshi edhe aksionin 9 (nëntë) vjeçarë, për begatimin e Fondit Shtetëror 3%-shit.

Në hollin e Ndërtesës 15 katëshe të Qeverisë të Qytetit Ludwigshafen, ishte lokali anësor, i hapur, kryesisht, me ushqime mëngjesore, vetëshërbim. Oda pa dyer, me divane dhe tavolina me karrike, shqiptarët e konsideronin si odë të tyre dhe zhvillonin, kresisht, biseda politike. Naseri ishte gjithëherë i zjarrtë në debate. Kjo odë, tashmë, është mbyllur, ngaqë është planifikuar shëmbja e godinës dhe të urave ndërlidhëse.

Naseri ishte njeri i dashur, shumë i sinqertë dhe rrezatonte pozitivitet në rrethin shoqëror. Ishte shumë emocional dhe kur kishte hezitim apo kundërshti, nga individ apo grupe, për t`u përgjegjur, në aksionet ndihmëse për Kosovën, ngushtohej e nevrikosej, deri në shpërthim vaji. Kjo ndodhi edhe me rastin e vizitës të profesor Zekirja Cana, më vonë të akademik Fehmi Aganit dhe të tjerë.

Naseri me nusen Eminën lindën dhe rritën 6 fëmijë, 5 (psë) vajza dhe djalin e dëshirit. Naseri u përball me një ndërhyrje operacioni të komplikuar në zemër. Shkova për ta vizituar, por, gjendja pandemike, Kovid 19, ishte e pamundur vizita.

Tri javë më parë udhtova nga Mynihu në Ludwigshafen, në - Pamjen - e organizuar për Ahmet Gorqaj. I telefonova, por, pa përgjgje, ngaqë ishte në dializë, e cila ia rëndoi edhe më shumë gjendjen shëndetësore. Pasdite më telefonoi Naseri: "Sot jam i lodhur nga dializa, por, a ka mundësi t`ju takoj nesër paradite"? Me caktoi lokalin, orën dhe shokët, që ai i kishte ftuar: Tefik Ramadanin, Elez Berishën, Nexhmedin Sylën dhe kryetarin e Nëndegës të LDK-së vendore, Alush Zeqiraj. Naseri shtroi një drekë, e cila rezultoi e lamtumirës, mjerisht! Pas ndejes, u ndamë nga mysafirët tjerë, ndërsa unë e shoqërova Naserin ke autobusi. Koxha do plane i bëmë për verën e pritshme. Një nga këto ishte edhe vizita në Redaksinë Radio-Televizionit "FONTANA"; në kompleksin hotelier e turistik "Trofta".

Me atë rast, i dorëzova kopjen e një shkrimi, që kisha botuar ato ditë për Naserin, marrë shkas nga kujtimet e Azem Vllasit, për demonstratën e 26 marsit 1981, me ç`rast përmend vetëm dy emra studentësh: Ali Lajçin dhe Naser Berishën. Zoti Vllasi habitet me të vetmën pyetje politike-publike të Naserit: "Pse Kosova nuk mund të bëhet Republikë"?!

Duke qenë pjesë e dhimbjes të madhe, për shuarjen fizike të parakohëshme, të Naser Berishës, përfitoj nga rasti, për të shprehur ngushëllimet e dlira Familjes Berisha në Gjermani dhe Volljakë; miqve dhe dashamirëve të Naserit; komunitetit shqiptar në Ludwigshafen; Radio-Televizionit -FONTANA-, me drejtorin Zeqir Mehmetaj dhe ekipin e tij të mrekullueshëm, ku Naseri ishte dëgjues dhe komunikues i rregulltë dhe me një konsideratë të veçantë, për mediumin në fjalë, të cilin e kishte përzgjedhur si të vetmin medium, për t`u çmallur me Atdheun Kosovë.

Sinqerisht, po e ndjejmë ikjen e hershme nga kjo botë, mungesën Tënde fizike.

Lamtumirë, miku ynë i dashur - Naser Berisha!

Me këtë rast, po sjellim vetëm një fragment nga shkrimi në fjalë, si homazh për mikun tim të mirë, Naser Berishën:

Azem Vllasi, në kujtimet  për demonstratën e 26 marsit 1981, flet për grumbullimin e studentëve në mes konvikteve nr. 5 dhe nr. 1, që përkonte edhe me përcjelljen e stafetës të rinisë, për ditëlindjen e Titos. "Mahmut Bakalli, kryetar i LK të Kosovës, në mëngjez, më njofton se ka informata, për lëvizje të një grupi të studentëve.

Shkova aty, rreth orës 20.oo, pashë disa qindra studentë. Ishte aty rektori i Universitetit, Prof. Dr. Gazmend Zajmi, nënkryetari i Qeverisë të Kosovës, Prof. Dr. Pajazit Nushi, disa profesorë dhe aktivistë të tjerë. Ali Lajçi dukej aty si koxhabash.

"Në një moment, shikoj drejt para meje, në anën tjetër një djalosh i ri e ngre dorën lart dhe thotë se ka një pyetje, për neve, që kemi ardhë nga udhëheqja e Kosovës. Të tjerët afër tij e qetësojnë, nuk donë që ai të flet. Ai është këmbëngulës, do të bëjë një pyetje. Unë insistoj që ta lejojnë. Të gjithë dëgjojnë. Ai, paksa i kthehet Gazmend Zajmit dhe thotë:

"Po ju pyes juve, shok Rektor, ngase jeni i pari i Universitetit, e ne jemi studentë, por, mund të përgjigjën të tjerët, që janë këtu. Na intereson: "PSE KOSOVA NUK MUND TË BËHET REPUBLIKË"?!

Disa aty prezent, paksa duatrokasin dhe, më shumë insistojnë për heshtje, për të dëgjuar përgjigjën. Gazmendi paksa habitet dhe thotë se "vet nuk është kompetenti, që të përgjigjet në këtë pyetje, pasi që këtu janë politikanët". Dhe, disi shikon në drejtim timin, paksa dorën e drejton kah unë. U ndjeva si i thirrur që Gazmendit paksa t`ia lehtësoi punën dhe përgjigjëm:

"Me 11 mars ju kemi lutë, që të shkojmë në një ambient të përshtatshëm dhe të bisedojmë për çfarë të doni. Ju nuk pranuat. Tashti, ju lusim, ju sërish refuzoni. E ti, nëse mendon se këso pyetje mund të shtrosh kështu, në rrugë dhe të marrish përgjigjën, kështu në këmbë, më duket se edhe vet nuk e ke seriozisht" , - i dha përgjigje Azem Vllasi, studentit të Fakultetit të Shkencave të Natyrore-Matematikore, Katedra e Gjeografisë, Naser Mehmet Berisha, i lindur më 25 maj 1959, në fshatin Volljakë, komuna e Klinës.

Mbizotëron arsyeja: Interesat serbo-shqiptare, në dëm të Kosovës!

"Pse Kosova nuk mund të bëhet Republikë", e bërë si pyetje, nga studenti Naser Berisha, ishte hera e parë, gjatë atyre ngjarjeve, e thënë dhe e dëgjuar publikisht, - shkruan, i habitur, në kujtimet e tij, Azem Vllasi. Që këtu, kërkesa për Kosovën-Republikë, u bë temë e debateve legale kudo, pavarësisht represionit, dhunës enormë, të organeve policore dhe gjyqësore të Federatës jugosllave.

Protesta e 11 marsit 1981, e filluar në Menzën e studentëve, me hedhjen për tokë të pjatës së parë me ushqim, siç thuhet, nga studenti Zymer Adem Kuqaj, i fshatit Studenicë, të komunës së Istogut, e pasuar nga dhjetra pjata të tjera të hedhura, ishte nisma, për të vazhduar më demonstratën e 26 marsit, e deri më 1 dhe 2 prill 1981, që përfunduan përgjakshëm.

Kanë kaluar 31 vjet nga demonstratat studentore, të vitit 1981 dhe ende nuk ka marrë përgjigje të saktë, pyetja: "Kush i organizoi, realisht, këto demonstrata, pikërisht, një vit pas vdekjes së Titos? Pse këto nuk u bënë në gjallje të tij dhe a ishte momentumi i duhur të bëhen tani?

Në mesin e shumë arsyeve, të lakuara në debate, mbizotëron ajo se zhvillimin e hovshëm, politik dhe ekonomik të Kosovës, ishin të interesuara ta stoponin Serbia dhe Shqipëria. E e para, Serbia, kishte arsye politike, sepse Kosova po pavarësohej, gjithnjë e më shumë, politikisht dhe natyrshëm e heshturazi, po e braktisnin serbo-malazezët. E dyta, Shqipëria, ishte në kolapsin ekonomik. Dhe, gënjeshtra e madhe se Shqipria është vendi më i pasur dhe populli shqiptar më i lumtur në botë, ishin sllogane cinike e bajate!

Përrallisjet fyese, përgjatë propagandës lehaqene, të Hoxhës me polit-byronë e tij, për ikanakët nga Kosova, se pakot me rroba e gjësende, i dërgon UDB-a dhe jo familjet e tyre, sepse "kosovarët hanë bukë me qepë". Tashmë, pas një hapje të kontrolluar, këto gënjeshtra, nuk i besonin më shqiptarët vendorë. Andaj, në konspirimin e koordinuar, qeveritë e dy vendeve, i bënë gjëmën Kosovës.

Veç arsyeve tjera, kryesisht, ekonomike, që, realisht, nuk ishin më keq se ato të rajonit, është hedhur ideja se në organizimin e tyre, "pati dorë" edhe Shqipëria. Në Kosovë, këtë dyshim e hodhi Azem Vllasi, por, pa e shpjeguar pse-në. Pro këtij mendimi ishin edhe intelektualët në Shqipëri, si informacion i rrjedhur nga Sigurimi i Shtetit, të cilët do ta pësonin, me plumb dhe burg, së bashku me krerët dhe kuadrin e lartë të Ministrisë së Brendshme. Ata ishin më konkret, duke i përmendur shkakun se ecejakët, në mes dy shteteve, u përditësuan dhe "agjitacioni figurativ", në shëndet, veshje e vetura, sfidoi standartin e përtokshëm në Shqipëri.

Bashkëvuajtës me rishtarët e dënuar dhe të sjellur në Burgun e Burrelit, më  1981, ishte e trishtme dhe skajshëm kriminale, atë që mësova nga ata, deri ku arrinte bashkëpunimi i Sigurimeve Informative Shqipëri-Jugosllavi, gjithëherë në kurriz të popullit të Kosovës. Pleqtë shqiptarë, nacionalistët që vuajtën kalvarin e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, thonin: "Komunizmi është si bari i magarit, i ka rrënjët thellë". Vërtet, këtë e provuan shqiptarët në dekada dhe ende nuk janë liruar nga kjo dogmë fatale kombëtare!