| E enjte, 26.05.2022, 07:31 PM |
I ZIU SHAQO BOLENË ...
Nga
Timo Mërkuri
Ky Shaqua nga
Bolena duhej të kishte qënë, përderisa mori për llagap emrin e fshatit. Këtë
mbiemër mbase e kanë marë shumë veta, por hakçe hakçe vetën këtij i shkon për
shtat dhe i ndrin fshatit si ylli majë bredhit të vitit të ri. Ja dëgjoni e
jepmëni hakë…
Shaqua i la në
vathë ato pak cangadhe që kish doli malit kundra një mbretërie të tërë, asaj të
‘’taljanit’’ dhe më pas kundër ‘’jermanit’’dhe u vuri drunë. Do thuash ti që
dhe ai mori tri plumba në trup! Dakort
xhanëm, por po të llogaritësh se sa shokë ju vranë, hesapi s’del dhe aqë keq
për Shaqon. Mendo vetë, vetëm nga Bolena mbenë në luftë mbi pesëdhjetë djem e
vajza
Hesapet e luftës
mirë i kish bërë Shaqua, por ja që një hesap s’e kishte bërë tamam: kur vendosi
të zbriste në “qitet”. Në fakt duke bërë hesapet e luftës i doli në “defterë” e
vërteta që “qitetin” nuk e
ruanin dot ‘’qitetarët’’. Ja, bën hesap vetë, erdhi ‘’taljani’’ i parë,
’’qitetarët’’ nuk e mbrojtën dot. Më t’u lëshua çobanëria me Selam Musanë e
Salarisë me guna mbi tela dhe e çliroi.
Ua lane prapë ‘’qitetarëve’’ ‘’qitetin’’, por ata se mbajtën që se mbajtën dot, kur ja, erdhi prapë
‘’taljani’’ i ‘’ditë’’. U ngre prapë fshatarësia me dyfek në dorë mal më ma e
breg më breg dhe e mundi ‘’taljanin e ditë’’ .Tek u nisëm të iknin në fshat, ja
behu ‘’jermani’. Bam e bum Shaqo ziu e
‘’shaqëria’’, u prenë e u grinë se qe dhe i sertë ‘’ki dreq jermani’’, po prapë
bënë si bënë dhe e shpëtuan ‘’qitetin’’.
Tek do iknin prapë tek cangadhet i ranë mëndjes; -Po sikur të vijë prapë
‘’taljani tretë apo jermani i ditë’’
prapë do zbresim na? Allë na pret koha mahere? Po na ja tek jemi
këtu,.le të rime, aq më tepër që “qitetarët” muarnë Tiranën vargan vargan.
Kështu që po ‘’ertinë’’ prapë ’’jermanët e taljanët’’ këtu na ne dhe jo
“qitetarët” që vanë në Tiranë..
Kështu vendosi
Shaqua të qëndrojë në ‘’qitet’’.
Siç thamë, hesapin
s’e kish bërë mirë se ‘’qiteti’’ ka halle ore. S’ka aty t’u bërtasësh dhënve a
dhive të varen ‘’përposh’. ’’Qiteti’’do laps e penë e jo llafe grash në përua
kur lajnë e shpëlajnë lëveret e fëmijëve. Po Shaqo ziu vetëm kërrabën e dyfekun dinte në këtë botë. Ku të
mësontë mavria laps e penë.
Ndajë varri një
sorro dekorata në gjoks dhe vate i
qau hallin‘’kumandarit’’ të tij: “kështu
e kështu e si do ma bëç, se u’ vetëm për
difek jam e dua të ri në qitet, se mos vijnë dhe na e marin prapë e s’pret puna
mahere sa të zbres na fshati u’ e të tjerët, se këta qitetarët vetëm për sullaco e varavingo pazarit janë,
që na Sheshi i Flamurit e njëra më Skelë, më tutje s’dinë fare”.
“Kumanari” qesh e
bot e qafë më qafë me Shaqon dhe i tha;-Ti Shaqo mer difekun e do rishë roje te
Komiteti dhe shiko mirë ore se mos na hin bërna ndonjë armik e na bën gjëmën.
Partia ka besim te ti Shaqo ndajë të na ndero!.
Që të fluturonte
nuk i duheshin krahët Shaqos. Me vrap me dyfek në dorë e zuri portën e
Komitetit dhe s’linte as mizë të kalonte pa e pyetur për babanë e për gjyshin,
për krushkun e për mikun. Kur i mbushej mëndia i linte të kalonin Për ca
malukatër desh bëri hatanë, se njëri që i biri i një ballisti (ç’kërkon balli
në komitetet tona xhanëm) dhe tjetra qe shumë e pispillosur, si ato që kishte
me vete “taljani”. Nejse zbriti një nga shefat dhe e sqaroi se i kishin
thirruar ata që të vinin, ndaj duhej t’i linte të shkonin. Të themi dhe atë që
është: dhe me këta shefat e kishte pakëz inatin Shaqua. Ja, më qe bërë shef i biri i Remziut që vetëm në fund doli në luftë dhe i hodhi a
s’i hodhi nja tri dyfeqe. Kulmi qe kur erdhi “krietar” Liçua. Ai de, që as të
mbante difekun s’dinte, po e mësonte Shaqua si ta shkrepte. Pesë kile burrë ish
kur erdhi në luftë dhe ja tani, një të kthierë nga Moskovi e hop “krietar”.
Mirë kjo se edhe haetë, por ditën e tretë e thirri në “zirë” dhe e bëri
fërtele, mor po leckë fare e bëri dhe pse thua ti? Sebepi qe pse kishte ndaluar të hinte në
Komitet nipin e Shefki Beut i cili ishte i dërguar nga Komiteti më i madh, nga
Tirana. Haetë “kijo”. Po ku është armiku atëherë që ta mbërthente Shaqua e të
ruantë komitenë.
-Të kemi vënë të tundësh derën e jo të tundësh Komitenë
Shaqooo-i sokëlliu ‘’krietari’’ në fytyrë! -Mbëlidh radakën të them, se do të
ta them pas veshit tjatër herë. S’ta kemi shumë ngenë se kemi halle plot.
Nejse nejse, hiq
të bërtiturat shpëtoi mirë këtë herë. I
hoqën vetëm vërejtje të rrëndë. E
mblodhi mëndjen e nuk i ndalonte më njerzit të hinin e të dilnin, të ngjiteshin
e të zbrisnin. Dëgjonte pakëz i mërzitur si kërcisnin shkallët ë drunjta të
Komitetit kur hipte e zbriste shoqja Behije tetëdhjetë qillo tule e tetë okë lule. Tha njëherë ta ndihmonte duke e shtyrë
nga pas a duke e tërhequr nga rëpara, po “ lere” tha mavria burrë, s’dihet si e
marinë e më del për ters kjo punë. Rinte e dëgjonte llomotitjet e Gërta Gërbosë nëpër zyra e
nëpër shkallë që si pushonte e si pushonte e flamosura gojë.
Ama se ç’punë
bëntë tamam tamam kjo Gërta Gërbo a Gërta Gërxho (pse dreqin i thoshnin kështu
me emrin e një artisteje të madhë andejë nga frëngjia, kur kësaj vetëm ti
shikoje dhëmbët, dhe në krevat ta kishe s’bëheshe dot burrë), pra ç’punë bënte
kjo Gërta, Shaqua as ja kishte idenë Vetëm një herë kishte shkëmbier llafe
Shaqua me të, atëherë kur ajo e talli e i tha;- Ike dhe ti Shaqo, u plake a
mavri, u plake.
Shaqos i hipi
inati. Ç’dreqin ka kjo pizevenkë me mua, tha me vete ndërsa asaj ju përgjegj;
-U plaka u plaka, po vëne vëne ama, jo i tëri.
Kjo fyryfiçka
vetëm të nesërmen e mori vesh se ç’donte të thoshte Shaqua me atë “vëne vëne“
dhe bëri një zallamahi në komitet e vate drejt e te Sekretari i Partisë duke i
thënë se Shaqua kishte koncepte armiqësore ndajë ta arestonte.
Sekretari i
Partisë s’kishte nge të shikonte se çfarë vëndi
a pjesë e trupit i qe plakur dhe çfarë nuk i qe plakur Shaqos dhe cilat
qenë vëndet armiqësore të tij. S’deshi a s’pati kohë kjo s’u muar vesh se pas
disa ditësh e arestuan për veprimtari armiqesore.
E vërteta është që
Shaqua s’kishte gisht në këtë punë, në arestimin pra, por hajde mbaje triumfin
e Gërtës e cila trumbetonte poshtë e lart se: ajo e para e zbuloi veprimtarinë
armiqësore të sekretarit të partisë që kur vajti dhe denoncoi te ai faktin se
Shaqua e shikonte nga këmbët kur ngjitej nëpër shkallë. Tani, kjo puna e
këmbëve doli von në skenë, a Gërta e sajoi me qëllim që të kujtonte dynjanë që
tja shikonin vërtet këmbëtë, se e
paskëshin lënë pas dore atë deli bukurane, a ja kishte shtirë ndër mënd shoqja Behije, këtë nuk e di tamam. Kishte
një zakon kjo Gerta apo Gërta si ato radiot e moskovit kur i vë në prizë, niste
e nuk pushonte pa mbaruar emisionin informativ, jo vetëm të zyrave po të tërë
qytetit. Ja niste që në saba;
-E morët vesh moj
motrani? Xhixhua dhe Xhixhia vajtën te
xhaxhesha që të pajtonin Muçon dhe Ruçon
se qënkëshin zënë për të bijën e Mahmutit. Etj etj. Dhe as që i vente në
mëndjë se asnjë nuk e njihte xhixhon, xhixhinë e xhaxheshën e saj, pale më
Ruçon e Muçon.
Por duke qënë se
këtë punën e Shaqos e tha dhe e stërtha aqë shumë, sa erdhën e
u mërzitën gratë e Komitetit, bile një ditë Rukia s’ja përtoi;
- Moj, po ç’ke me Shaqon se nuk e kuptoj, Ç’të
ka thënë e ç’të ka parë?
- Këmbët moj, tha Gërta duke u rotulluar si
balerinat, nuk e shikon që unë kam këmbë.
-Që je dykëmbësh e
shoh, ja priti Rukia, po ç’ka për të parë te ato këmbë si kunja cipali për të
kruarë dhëmbët, këtë nuk e kuptoj. Po na lerë rehat tani, se ne kemi ardhur për
punë këtu e jo për të dëgjuar si leh ti tërë ditën ham ham e hum hum.
Të qeshurit që
shpërtheu mes grave bëri që një gruaje
ti zihej fryma, e desh u bë hataja në komitet.Por shyqyr zotit s’pati dëme në
njerëz, vetëm ca lotë nëpër faqe.
Thonë se që në atë
moment ja njitën llagapin ‘’Shoqja ham ham
ham’’ e qesh e bot gjithë komiteti e tërë ata që e morën vesh. -Kujt i flet kështu ti moj ham ham ham-lehu a
bërtiti Gërbua a Gërxhua, quaje si të duash se unë s’kam nge për të përzgjedhur
llagape-.Moj e tilla e këtilla ham ham ham.
Thonë se për tu
mbyllur kjo zënkë u mblodh organizata e Fronti të Qytetit dhe sekretari i
Frontit, pasi parashtroi problemin, duke dashur që tja japë fjalën Gërxho Gërtës
tha;-Tani do na sqarojë problemin vetë ‘’shoqja ham ham ham’’.
Ilariteti në sallë
e tërboi kryetarin e Frontit që e kishte dhe ca si kushërirë të gruas Gërxho
Gërbon ndaj ju kthye me tërsëllimë sekretarit, i cili kërkonte të falur pas çdo
fjale të kryetari. Pasi e bëri ‘’pesë para burrë’’ sekretarin ju kthye Gërtës
me mendimin që t’i jipte fjalën:-Tani pa na sqaro problemin, por të lutemi, mos
leh shumë se s’kemi kohë të tepërt .
Të qeshurat që
shpërthyen bënë që të qarat e saj të dëgjoheshin si kuisje të vërteta bushtre që porsa kishte pjellë.
Këto ndodhën në
mbledhjen ë Frontit, por Shaqua s’kishte gisht fare në to. Që s’kishte gisht e
di dhe unë, sepse atë ditë e kishte thirur në zyrë “krietari” i ri, shoku Visi
dhe i kishte thënë të dorzonte “difekun”
se tani s’ka më armiq në “qitet”.
Më mirë ta kish
vrarë se sa i tha ato fjalë. Ju kthye
Shaqua e s’ja përtoi fare:
-Plumbat e armikut
u’ i kam akoma në trup e ti më thua se s’ka armiq në qitet. Ka more ka, po
s’vijnë këtu se këtu jam unë e ju ruaj. Po ku dini ju. U ngrohët me ato zira e
me ato fëmëra që gër mëren tërë ditën poshtë e përpjetë dhe e harruat
Shaqon fare. Kush e bëri luftën more, u’ apo ti. U’ e bëra, u’. Ja me këtë difek e bëra. Me këtë difek që ti
do të ma heqësh. Po nuk e jap jo, nuk e jap. Do e mbroj qitetin u’ edhe nga ca
si ti. More vesh, mora thuaj. Ja,
kështu. Hë.
Kështu sokëlliu
Shaqua atë ditë te “zira” e shokut Visi, i cili thonë, që mezi e kish marë
shkollën atje në Moskovë. Mandje “shoqja ham ham ham” u kishte dëftuar
disave se ai, shoku Visi pra, vetëm pesa
kish marë në shkollë. Bile ajo ja kishte
parë vetë dhe ja kishte marë me duar
shokut Visi, dëftesënë pra, atë ditë kur
e pinë kafen e mbasdites bashkë te hoteli në anë të detit. Atje de, në
katin e dytë, nga duketë dhe deti e Sazani bashkë. Është vërtet Hotel i mirë
ai, ndajë vete shpesh Gërta Gërxhua herë
me shokun Visi e herë me shokun
Nasi. Dhe ju , po të kini ndonjë mik që doni ta nderoni, te ai Hotel
çojeni dhe ju siguroj unë që e fituat davanë..
Shaqua s’kishte
nge për këto kafera e hotelera. E kish zënë hall i madh vërtet. E peshoi mirë e
mirë punën, e mati gjatë e gjërë muhabetin dhe i dha karar që të gjënte ndonjë
punë tjetër. Domosdo që do ti jipnin. Pse pak kish luftuar ai për këtë pusht-pushtet. Pesë vjet në male s’janë pak,
tre plumba në trup e shtatë dekorata në gjoks domosdo që do ti hapnin udhë.
Ndajë një ditë u ngre e i vate
komandantit të tij të kompanisë të luftës, se komandanti i batalionit, ai de që
e regulloi në fillim Shaqon në punë roje komiteti, paskësh dalë armik i regjur
i shtatë agjenturave.
I vate në zyrë
atje në Këshill dhe i qau hallin. Zyra qe vërtet e ftohtë se qe në katin
përdhes, zyrë e vogël xhanëm, po më i ftohtë që “kumandari i tij” në muhabet;
-Dëgjoi Shaqo, se
s’kemi kohë të tepërt na. Jemi njëra në grikë me hallet e popullit e s’kemi
kohë për goricat e tua. Të të vëmë në zirë, ti s’ke shkollë . Ja thuame ç’punë mund të bësh në to. Të të vëmë shef
tregëtie, ti as cangadhet e tua nuk i tregëton dot. Të të vëmë shef llogarie,
as të mbledhurat e as të zbriturat s’di ti bësh. Ndajë ri atje tek je dhe
sidomos, ri rehat, se ca llafe na kanë ardhë ne, dhe një rëmujë është bërë
andej nga Fronti për tija. Ndajë ri rehat e lëri dënglat.
Shaqo ziu s’pa nga
iku.
Që nga ajo ditë
ndryshoi i tëri aqë sa nuk njihej fare. Rinte i heshtur në punë e nuk kërkonte
fare llogari kush hinte e kush dilte, kë takonte e ku e takonte. S’thonë kot, po t’u qep e keqja, nuk të
ndahet. Dhe e keqja e zuri atë ditë që e thirën të dorzonte dyfekun në Degë të
Brëndëshme ndryshe do vinin tja mirnin me policë. Pse s’e vranë kur ja thanë
këtë llaf. Qe e prëmte ajo ditë. E
prëmte e zezë siç thonë kaurrët. Në një ditë të tillë e gozhduan Krishtin atje larg në Jerusalem a
ku di unë. E çë pastaj se e gozhduan? I hoqën gjë dyfekun atij? Kish luftuar me dyfek ai si Shaqua dhe t’ja
hiqnin tani? Jo .I ngulën nja dy gozhdë në duar e në këmbë, e çë pastaj? Ku ma
gjëje ta gozhdonin Shaqon, jo me tre gozhdë po dhe me tridhjetë e tre gozhdë
evgjiti, a perona, si u thoshnin atyre. Ua bënte hallall Shaqua.Vetëm dyfekun
mos t’ja mirnin more, vetëm dyfekun. Te ai e kishte xhanin Shaqua. Ja që
vetëm dyfekun i morën, thua se ja bënë për inat.
Qe e prëmte ajo
ditë. Sheshi para Komitetit ishte gati
i shkretë, ndaj dëgjoheshin tej e përtejë hapat e Shaqos tek vej e vinte para portës kryesore. Befas ndaloi sikur çoç ju kujtua. Hoqi festen e
leshtë nga koka me dorë të djathtë dhe e
tundi sikur përshëndeste dikë larg e larg. Pastaj i bëri trupit një gjysëm
rrotullim nga e djathta, pastaj nga e
majta, mbështeti dy duart në kokë dhe duke u
ulur ngadalë mbi gjunjë, ashtu duke u rotulluar lëshoi një klithmë
therrëse;
- I ziuuu, o i ziuuuuuuuuuuuu.
Dy tre kalimtarë
ndaluan të trëmbur nga kjo klithmë dhe morën pozicionin sikur donin ta
ndihmonin të ngrihej. Njëri e kapi nga dora, po Shaqua e shtyu tutje dhe hodhi
një hap djathtas. Më i moshuari diçka
kuptoi, por s’donte ta besonte. Shaqua e hodhi këmbën djathas si në valle. Nuk
e hodhi para si në gjëmë, si në vaj.
-Këtu çoç ka tha
me vete, ndërsa shokut i tha nënë zë që ta linte rehat Shaqon.
Shaqua nuk
shikonte si mblidheshinj njerëzit. Tundi dhe njëherë festen sikur të qe shami,
dhe zuri përsëri kokën me të dy duartë duke u tundur sa majtas-djathtas dhe
duke u ulur sikur donte të ulej mbi gjunjë, dhe ja dha prapë me një sokëllimë
rënqethëse që i bëri të dridhen ata që e dëgjuan;
I ziuuuu,o i ziuuuuuuu.
Lëvizjet qenë të
këngës, tingulli qe i vajit. S’mirej vesh se ç’qe, këngë a vaj. Të qe këngë
s’kish kuptim. As përvjetor, as festë, as themelimi i Partisë apo i Rinisë.
Pastajë ç’ne Shaqua do këndonte. Po tribunat ku janë, po shokët e partisë
domosdo në ballë të tribunave. Pastaj pse me vargje të tilla do këndohej, me “
i ziu, i ziu”. Domosdo diç i ka ndodhur Shaqos. Zi ndillte e gjithë pamja e tij
ndajë një grua duke çjerur faqet bërtiti; -Korba, mos i ka pësuar gjë djali, se
e ka të vetëm mavria.
Se nga mbiu Gerta Gërxhua menjëherë në shesh s’e
mori vesh njeri, vetëm kur ja dha
vikamës;
-Uaa, e di unë moj
motrani e di. I ka ikur plaka me atë mballomaxhiun nga lumi i Vlorës, se i kam
parë vetë një ditë atje tejë. E dija moj e dija
unë, e dija po s’më besonin.
-Qepe moj, tu
qepshin të trembëdhjetë vrimat- i pëshpëriti pas veshit egërisht një zë. Gerta u kthye rëmbyeshëm por e hapi gojën nga habia
dhe mbeti ashtu gojëhapur
….
Shaqua hodhi këmbën e djathtë dhe vazhdoi;
…………….. I ziu Shaqo Bolenë
Dhe sikur donte ta
theksonte më tepër e përsëriti vargun
përvajshëm;
I ziuuuu, more i ziuuuuuuu, oooo i ziu Shaqoooo Bolenëëëëë
Sikur të qe
penduar që e zgjati kaqë shumë këtë varg e ripërsëriti po këtë herë të
shoqëruar me vargun tjetër që s’dihej si i doli nga shpirti mes atij ngashërimi
të vargut të parë duke thënë;
I ziu Shaqo Bolenë
Që bëre difek me mbrenë
-Dreq o punë- se
kush tha -i këren këngë vetes ki. Dreq o punë këjo.
-Kërreja Partisë
Shaqo, kërreja Partisë këngënë, se do e haç në Burrel. Do i lëshë kockat minjerave o i zi!
-Futja more
kumanarit, futja kumanarit një varg, se do i lëçë kalamanjtë rrugëve. Në Bënçë do veç. Najë
futja kumanarit. S’bënetë qameti po t’ia futësh njëherë. Vetëmë një varg, Shaqooo.
Po Shaqua as ja
kërreu Partisë dhe as ja futi kumanarit, hodhi hapin ashtu i përulur dhe
vazhdoi:
Lëftove o lëftove, o o h o lëftove o
sa tune dhenë
Tri pluma në trup të menë
Sikur donte të
theksonte mirë numërin e plumbave e citoi përsëri me një thirje që drodhi të pranishmit;
Hajdeeeeee deeeeeee o tri pluma o tri plumaaaaa o ho ho
Tri more pluma o në trup të menëëë
Nuk vinte re
Shaqua se njerëzit reth tij qenë shtuar duke krijuar një formë rethi dhe as që
disa po i mbanin si nënë zë dhe si fshehur iso. Ai nuk shikonte gjë. Xhanëm në
atë shesh qenë vetëm dy, Shaqo Bolena dhe kënga e tij, apo më mirë këngëvaji
apo vajkënga. Se i dridhej buza e i dridhej zëri Shaqo Bolenës si në vaj, paçka
se e hidhte hapin si në vallen e rëndë të burrave.
Vazhdonte a
vajtonte Shaqua;
Po nashin,o po nashinë, po nashinë more
mirë ta gjenë
Të lanë lidhur si qënë
Që të ruaç komitenë
Kur erdhi në këtë
pikë e drejtoi trupin, pa njëherë reth e rrotull si i habitur se pse qenë
mbledhur ata njerëz aty kur dihej se atë ditë s’kishte pritje kryetari, pastaj
si të kujtohej për diçka u përul majtas
e djathtas, goditi fortë tokën më këmbë dhe duke mbajtur dorën e majtë në kokë, si nëpër gjëma dhe të djathtën me
festen shtrënguar duke e zgjatur drejt qiellit, ja dha me sokëllimë:
E hume o e hume, e hume Shaqo Bolenë
E hume o e hume, e hume se s’dije penë.
Këtu qe gjithë
sekreti i këtij vaji apo kënge, quaje si të duash. Unë që e dëgjova vetë ju
them që nuk qe këngë po qe vaj. Ah si e drodhi zërin te ajo e shkreta
fjalë “e hume”. Kishte humbur i ziu vetë
kuptimin e jetës, lumturinë e të jetuarit, i kish vdekur gëzimi i jetës, ndaj
domosdoi vetëm do vajtonte. Ndaj i dridhej zëri më të qarë, sa që filluan të
fshinin sytë ca pleq që e dëgjonin Shaqoziun që vajtonte:
E hume se s’dije penë, oohooo
Sot që të hoqnë dufenë.
Askush nuk
duartrokiti mbarimin e vallës së kënduar të Shaqo Bolenës para zyrave të
Komitetit, madje asnjë s’mori vesh si iku e nga iku e ku vate.
Thonë se e thirën
në Komitet te Partisë dhe i dhanë një
dru të mirë dhe u muar një vendim që kjo këngë të harohej sikur s’kish qënë
ndonjëherë. Bile bile, një profesor i ditur erdhi urgjent nga Tirana dhe në një
mbledhje Fronti apostafat për këtë këngë, sqaroi të pranishmit se kjo këngë e
kënduar a e vajtuar nga Shaqua në shesh të “qitetit” ishte shumë reaksionare
dhe me ndikime të huaja. Qe tepër e pakuptimitë, hermetike, revizioniste,
futuriste, pesimiste , iste dhe viste, dhe aspak frymëzuese. Qe as më shumë e
as më pak ndikim i armikut te jashtëm e të brëndshëm në jetën tonë socialiste. Hataja e mbledhjes nuk qe kjo fjala, hataja
qe kur u ngre një veteran dhe kërkoi në mes të mbledhjes që të arestohej
Shaqua, kudo që qe, e ti hiqeshin edhe dekoratat që i qenë dhënë për luftën se
në fakt ai, Shaqua pra, s’kishte marë pjesë në asnjë luftë kundër armikut dhe se
ato plagë që thonë se kishte në trup, nuk i kishte farë. Ose po i kishte, nuk i
kishte marë në luftë, po mund t’i kishte marë në ndonjë “palo luftë” si ajo e
ballistëve. Ndaj duhej ti shikonte mirë ai de, Sigurimi këto punë. Ç’bënin ata
të Degës xhanëm? Flinin në bithë. Kështu e ruanin atdhenë dhe Partinë ata?
Zallamahinë në
këtë mbledhje e shtoi edhe diskutimi i shoqes “ham ham ham“ që e nisi fjalën e
saj si me pëshpërimë me një ‘’Turp më vjen por do e them. Për Partinë de, për
Partinë unë jap çdo gjë’’. Pasi u kollit nja dy- tri herë, si të pastronte
fytin, afroi mikrofonin te goja dhe ja nisi:
-Ki Shaqua moj
motrani kish rënë keq ne sevda me mua. Ëhë, për kukën time në ju gënjej moooj.
Po mani vesh, mani vesh e mo qeshni ju nga
mesi e përposh sallësë.
-Si ju thashë në
krie, ki Shaqua moj xhane kish rënë në sevda me mua, najë kathe ditë më binte
lule te zira. Po, po. Lule .Lule e ç’deli lule moooj. Ku t’i gjëçë nashtinë ato
lule. Po u’, e nurëshme siç jam, ja mirja
e ja hidhja na dritarja moj. Kështu rodhi këjo punë Ai mëlidh e sill, e unë mer
e hidh. Se unë moj xhanet e mia, vetëm nga ai imi pranoj lule.(Po ai i
mavrisuri s’është as për lule e as për tule. Vetëm për një çik xurxule). Po
nejse, për Shaqon llafosim nashtinë
këtu, se u’ e niqja gjithënjë.
-Pa erdhi e t’u
lig buri i botës moj motrani, sa të vinte ligsht ta shije ashtu. Nga një lis që
qe në krie, t’u bë burri si një shufër
arixhiu. Nga sevdaja ime, moooj. Najë një ditë s’duroi dhe ja dha këngës më të
qarë te sheshi para Komitetit e më thosh në këngë: -Trëndëlin o trëndëlinë /
Pse s’më do mua të zinë/U për ti prisha shtëpinë... Si thua ti moj? E ke
dëgjuar ndrishe këngën. U më marsh të keqenë. Ua kjo. Moj e tilla e këtilla.
Ham ham ham.Ua, erdhi këjo të na tregojë Ham ham ham….
Për Shaqo Bolenën
s’u dëgjua më. Edhe unë s’di gjë të
saktë, rron a ka vdekur, ku iku e ku mbeti, por këngën e tij e di gjithë
Labëria, përkundër urdhërave të dhëna për tu haruar a dënuar. E di gjithë
Labëria dhe e këndon. Duhet t’ju them se kjo këngë nuk është kënduar asnjëherë
nëpër dasma a ziafete. Jo se e kishte ndaluar Partia, jo. Po se nuk i
shkon gëzimit të njeriut melodia e saj.
Si mund të gëzosh e të këndosh në një dasëm , psh, me fjalët ‘’i ziu,i ziu’’ kur
vetë veshja e nuses sjell e ndjell vetëm bardhësi. Jo jo, nuk shkon në gëzime
kjo këngë. Ama ke një hall a ke një brengë, të kanë heqë nga puna a të kanë
ikur fëmijët në kurbet e ti s’ke fare haber si janë e ku janë? Je duke ecur
monopatit i vetëm e i trishtuar e do një shok të qash hallin? Atëherë pooo. Ja
tek të vjen Shaqo Bolena me këngën e tij famoze; I ziu o i ziu ,i ziu Shaqo
Bolenë’’
Do ta heqësh emrin
e Shaqos e të vëshë tëndin? Do të ndryshosh tekstin se ty ‘’nuk ke hall pse të
vunë roje komiteti’’,por ke tjetër hall. Ndryshoje emrin e tekstin. Shaqos nuk i ngelet hatri fare.
Për këtë ju
siguroj unë.
Nga libri “Vesa mbi këngë”