| E merkure, 25.05.2022, 07:32 PM |
Dendias në Tiranë për të bërë presion mbi Shqipërinë!
Nga
Enver Bytyçi
Ministri
i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, nuk njihet për ndonjë agresivitet të
dukshëm së paku kundër Shqipërisë. Por ashtu si kolegët e tij të mëparshëm,
edhe ai ka mohuar ekzistëncën e problemit çam dhe ka zvarritur zgjidhjen e
konfliktit midis dy vendeve e që lidhet me ligjin e luftës të tetorit 1940. Por
nuk kemi parë të kërcënojë me bllokimin e integrimeve europiane për Shqipërinë,
një praktikë kjo të cilën e ka vuajtur dhe po e vuan Maqedonia e Veriut si me
Greqinë edhe me Bullgarinë. Kjo ndodhi ditën e sotme gjatë vizitës së tij në
Tiranë.
Shqipëria
është vendi i vetëm në rajon pa asnjë problem të deri-sotëm më fqinjët, së paku
pas vitit 1999. Por ky avantazh nuk u shfrytëzua për ta përshpejtuar integrimin
në BE. Pra, nuk plotësoi kriteret e avanacimit të këtij integrimi. Sidomos prej
vitit 2014 e deri në ditët e sotme. Dhe Greqia, duke parë se Shqipëria nuk
punon për integrimin europian, sepse ka në agjendë korrupsionin, autokracinë
dhe konfliktin politik, nuk është treguar agresive dhe nuk ka kërcënuar me
veton e saj. Sot ministri Dendias e paralajmëroi veton e vendit të tij, nëse
Shqipëria "ngre probleme "të paqena"ndaj saj"!
Ai
u shpreh se “Marëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë. Ligji i luftës është
diçka që duhet të shkëputemi dhe do të bashkëpunojmë këtu”. Por vazhdoi me
pjesën tjetër, përtej "zhvillimit shumë të mirë të këtyre
marrëdhënieve"! Nikos Dendias tha se “Dua
të jem i çiltër! Ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike, çështje që
kanë të bëjnë me palën greke. Nuk mendoj, tha, se gjërat janë ashtu fiks siç
paramendohen. Të mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese, sepse kjo gjë do
na çojë në pasojat e niveleve të shumëfishta ku Greqia pastaj do të vendosë
çështje të tjera që kanë të bëjnë me itinerarin tuaj në Evropë”.
Kush
e lexon këtë deklaratë ve re me lëhtësi dy paralajmërime:
Së
pari, se Shqipëria do të duhet ta pranojë pa kushte, pa kundërshti, pa klauzola
dhe me dashamirësi Marrëveshjen e Detit dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare
të Drejtësisë në Hagë. Pra Tirana zyrtare nuk duhet të kërkojë që ishujt të
përjashtohen nga pika fillestare e matjes dhe të mos reagojë kundër 12 miljeve
det që duhet t'i shkojnë Greqisë. Vetëm nëse vija kufitare detare e Greqisë
zgjerohet nga gjashtë miljet e "tradhëtisë së Sali Berishës" në 12
miljet e rekorduara me bujarinë e Edi Ramës, paqja mund të forcohet midis dy
vendeve. Dhe gjithashtu vetëm nëse matjet fillojnë nga shkëmbi afër Ksamilit
dhe ishujt e tjerë në brendësi të detit! Po ndodhi kjo, atëherë Tirana dhe
Athina do ta kenë "grurë" midis tyre! Territori shqiptar i detit do
të bëhet kështu kurban i teorisë edvinjote "Zero probleme me
fqinjët"!
Por
Dendias nuk kërkon vetëm kaq. Momentin e dytë ai e tha troç: Nuk duam
"probleme të paqena"! "Duam të diskutojmë vetëm për çeshtje
praktike që shqetësojnë palën greke"! (Por jo që shqetësojnë palën
shqiptare)! "Të mos krijojmë
çeshtje që nuk janë ekzistuese"! Cilat janë këto çeshtje inekzistente?
Çdokush e kupton se çfarë ka parasysh shefi i Diplomacisë së Greqisë me këtë
çeshtje jo "ekzistuese"! Para së gjithash është fjala për problemin e
pronave çame e zgjidhjen juridike të kësaj çeshtjeje. Por para se të ndodhi kjo
duhet hequr Ligji i Luftës. Edhe kjo varet nga ajo, nëse pala shqiptare do të
heqë përfundimisht dorë ose jo nga çeshtja çame.
Ministrja
jonë Xhaçka e përmendi shkarazi kërkesën për pronat çame. Por me gjysëm zëri,
sa për të krijuar përshtypjen se "qeveria shqiptare nuk e ka varrosur këtë
problem"! Në fakt diplomacia shqiptare ka heq dorë nga çdo angazhim në
këtë drejtim. Pse? Nga frika se Greqia do të vinte veton për integrimin e
vendit tonë në BE? Nuk besoj. Vetë kryeministri nuk është aq i interesuar që
Shqipëria të afrohet sa më shumë e sa më shpejt me Europën. Ndryshe ai do t'i
kishte plotësuar shtatë kriteret e kërkuara për hapjen e bisedimeve.
Përkundrazi, ai e ka zhyt vendin edhe më thellë në korrupsion, ka forcuar
luftën e brendshme politike, ka prekur deri te e drejta e zgjedhjeve të lira e
të ndershme, ka vendosur një auto-kleprokraci të dukshme dhe madje kërcënon se
"mund të kërkojë alternativa të tjera aleancash" përtej Europës!
Kryeministri nuk e do veton greke për ndonjë projekt të tijin personal!
Megjithatë
Dendias e paralajmëroi: - Po u ngritën probleme "të paqena", atëherë
Athina do të vendosë veton për anëtarësimin e Shqipërisë në BE! Kjo u tha përmes formulës se "Greqia do
të vendosë çeshtje të tjera që kanë të bëjnë me intinerarin tuaj në Europë'! Me
troç nuk thuhet ajo se çfarë ka ndërmend të bëjë qeveria greke, nëse Shqipëria
do t'i nxjerrë telashe të paparashikuara Greqisë. Kjo deklaratë ka mundësi të
jetë paramenduar edhe për t'i ardhur në ndihmë kryeministrit Rama. Pas kësaj ai
mundet të justifikojë 12 miljet e detit dhe heshtjen për Çamërinë me integrimin
europian. Do t'u thotë shqiptarëve: "E patë se çfarë tha Dendiasi në
Tiranë? Do të bllokojë integrimin. A mund të pranoj unë që të cënoj ardhmërinë
e shqiptarëve për ca metër det apo për një çeshtje, së cilës i ka kaluar koha?
JOOOO! Atëherë do jap det dhe prona të çamëve për hir të integrimit"!
Kaq
i duhet Ramës e kjo i duhej edhe Dendiasit që të rekordohen midis tyre për
planet që kanë hartuar! Tani po vjen edhe presidenti i ri! Rama nuk do të ketë
më pengesa për të bërë marrëveshje xhentelmenësh me cilindo shtet në kurriz të
territoreve shqiptare!