| E diele, 15.05.2022, 07:55 PM |
Prindi apo mësuesi, kush ndikon më shumë në edukimin e brezit të ri?
Shkruar
nga: Fran GJOKA
Jo thjesht për të shuar kureshtjen, por si një obligim për fëmijët, për të ardhmen e afërt dhe të largët të tyre, do të ngulmonim se, trinomi shkollë - familje - mbetet gjithnjë faktor primar dhe që kërkon vlerësim të vazhdueshëm për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve ndaj me te drejte bejme pyetjen: Prindi apo mesuesi, kush ndikon me shume ne edukimin e brezit te ri?. Në realitetin e sotëm , kur shkolla po integrohet gjithnjë e më tej drejt standardeve bashkëkohore evropiane, kur tekstet e programet po pasurohen dhe alternohen me përzgjedhje dhe cilësia e tyre vjen e rritet, pjesëmarrja e prindërve dhe ndihmesa e tyre në të mësuar po merr rëndësi të veçantë dhe po shfaq tipare e rrugë të reja në menaxhimin sa më racional të kohës , për t'u dhënë ndihmë sa më të kualifikuar dhe efektive fëmijëve tanë. Që të realizohet plotësisht dhe pa ekuivoke ky objektiv madhor, doemos që duhen investuar energji pune konkrete edhe nga prindërit, familja që është baza e shoqërisë dhe që përgatit fëmijën për t`u futur në rrugën e shkollimit, që ta përgatit atë si një lastar të freskët, të drejtë dhe pa cene e dëmtime fizike e biologjike. Kjo është një garanci e madhe që fëmija të integrohet sa më mirë dhe sa më natyrshëm në mjedisin shkollor dhe të ecë përpara drejt rritjes dhe zhvillimit të tij të vazhdueshëm si qytetar i shoqërisë moderne.
Që
të edukosh dhe të moralizosh, duhet të jesh vetë një shembull jete, pune dhe
edukimi. Dhe, si i tillë, je në gjendje të ndihmosh fëmijën më shumë sesa me
fjalën tënde, me veprën tënde, me të qenit qytetar dhe njeri, me karakter të
fortë dhe të palëkundur për të përkrahur të renë dhe përparimtaren, kërkesat e kohës dhe të
zhvillimit. Kjo nuk do të thotë që të
gjithë prindërit duhet doemos të jenë në kulmin e shkollimit, që të jenë në
krye të shkencave dhe zhvillimeve, sepse këto janë raste që nuk i gjen me
bollëk, por që të jesh njeri dhe qytetar i denjë në radhë të parë, që të
transmetosh në jetë dhe në punë vlera njerëzore, kjo varet nga gjithkush, nuk
ka të bëj as me përgatitjen shkencore dhe sociale, por me qëndrimin njerëzor
ndaj jetës, punës, njeriut. Kjo ka shumë rëndësi në edukimin e njeriut dhe veçanërisht në edukimin e
fëmijëve me vlera morale dhe njerëzore, por edhe me vlera që hapin horizonte
dhe të zgjojnë dëshira, nxitje dhe kërkesa për të ecur në jetë dhe për të
dhënë secili kontributin e tij në këtë shoqëri moderne, ku ne jetojmë
sot.
Por,
sidomos mendojmë se është e domosdoshme që
anëtarët e familjes kërkohet të
jenë model në shfrytëzimin sa më racional të kohës për t`u marrë me
edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Kjo
do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përgatitjen psikologjike dhe
formimin me aftësitë dhe shprehitë më të nevojshme dhe më elementare për t`u
integruar sa më lehtë dhe sa më natyrshëm në shoqërinë e sotme demokratike. Në
këtë kuadër, fëmijët t`i edukojmë të
zbatojnë me rigorozitet një regjim ditor, që, është në përputhje me orientimet
dhe këshillat e specialistëve, psikologëve dhe sociologëve, edukatorëve që kanë
përvojën e punës frytdhënëse e që garanton të ardhmen e sigurt të fëmijëve.
Dihet se fëmijët nuk janë të njëjtë për
të gjithë, sepse secili ka përgatitje e aftësi të ndryshme për të kapur me
shpejt ose më ngadalë fjala vjen nivelin përvetësues të dijeve që merren në
shkolla. Nëse nxënësve me prirje të veçanta dhe të talentuar, u mbetet më shumë
kohë e lirë që të mund ta shfrytëzojnë për zgjerimin e horizontit, për të
mësuar gjuhët e huaja për zbavitje, pushim etj., nuk ndodh kjo me ata që janë
disi më të ngadaltë dhe që u mungon pasioni dhe dëshira, apo që edukimi i tyre
i lihet spontanitetit, në radhë të parë nga ata prindër që, ose nuk i kanë
kushtet e duhura ekonomike dhe sociale dhe arsimore, apo ata që neglizhojnë me
edukimin e fëmijëve, duke u kënaqur vetëm me faktin se i kanë shpurë fëmijët e
tyre në shkollat më të mira, se u japin para çdo ditë për të plotësuar kërkesat
e tyre etj. Një prind i tillë harron se,
më shumë sesa biznesi i madh që drejton, më shumë sesa ato para që ai depoziton
dhe shtonë përditë në bankë, investimi i tij më i madh është dhe mbetet në
radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës së tij, që ai të
ndjek rrugën e drejtë të dijes për t`u bërë dikush në jetë dhe jo të mburret
apo të jetojë me thërrimet apo emrin e babait të tij. Sigurisht që është e domosdoshme të hiqet dorë nga privimi
i fëmijëve nga aktivitetet çlodhëse, që
fatkeqësisht praktikohet nga disa prindër.
Pushimet e çlodhjes duhet t'u kushtojnë po aq rëndësi sa edhe mësimit sepse ato
shërbejnë për freskimin e sistemit mësimor, gjë që ndikon për mirë në përvetësimin e dijeve . Psikologët e sotëm
rekomandojnë që fëmijët t`i mësojnë e
realizojnë herë pas here administrimin e kohës, ato kërkojnë që brenda ditës
nxënësit të dijë se çdo të bëjë dhe çka
bërë. Por fëmijët nuk e kanë të lehtë që të bëjnë këtë punë në rrugë
krejtësisht të pavarur, ata kanë nevojë për ndihmën e prindit, që të
ndërgjegjësohen se sa kohë kanë harxhuar për gjëra të parëndësishme në dëm
të problemeve mësimore. Psikologu Alan
në librin e tij që titullohet " Si të arrini të kontrolloni kohën dhe
jetën tuaj", këtij problem i vë shumë rëndësi. Me pak fjalë ai thotë se
njerëzit më të suksesshëm e dinë mirë se çdo të bëjnë ditë për ditë. Kur
veprohet kështu , nxënësit do të mësohen ta shfrytëzojnë kohën me projekte
produktive. Kjo ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për kohën e shkollës por
edhe si përgatitje për jetën. Ka raste që fëmijëve ua marrin kohën edhe
prindërit. Jo rrallë ndodh që ata t`i ngarkojnë
kohë pa kohë me punë të dorës së dytë, ose në dimër kur nuk i krijojnë
kushte për studim dhe ata detyrohet
" të përgatiten" për të nesërmen duke qëndruar pranë televizorit apo komjuterit në mes bisedave të anëtarëve
të tjerë të familjes. Vetëm ata që merren me studimin e këtij problem, mund ta
dinë se si nxënësve u humbet koha që kanë në dispozicion për t'u përgatitur për
mësime. Nxënësit nuk janë gjithnjë fajtorë për të mësuarit me hope. Në këto
kushte s`ka se si ndodh ndryshe. Në radhë të parë janë mësuesit pastaj vijnë
prindërit që nuk përpiqen ta harmonizojnë punën, që përfundimisht ta shërojnë
këtë plagë që po shfaqet dukshëm në sistemin e punës së nxënësve. Duke
qëndruar indiferent, të dy palët nuk
mund të nxjerrin kurrë rezultate nga puna që po bën mësuesi. Prandaj lufta
kundër të mësuarit me hope të nxënësve në shtëpi mbetet problem përfundimtar në
rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Edhe bota e jashtme akademike, këtij
problem i kushtojnë një vëmendje të veçantë, aftësinë dhe dhuntinë natyrale të
nxënësve të sotëm nuk duhet ta lëmë të na firojnë gjatë periudhës shkollore
është edhe një nga objektivat e reformës
së sotme arsimore. Ndodh shpesh që të dëgjosh nga goja e mësuesve e prindërve
akuza të forta si më zemërim thonë: "Janë të zgjuar , por nuk mësojnë
".Kjo akuzë prindërore ndaj mësuesve lëshohet nga ata që bëjnë pak ose
aspak punë për t'i ndihmuar që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj mësimit. Kjo
kategori mësuesish e prindërish harrojnë se shoqëria e sotme shqiptare i ka
thirrur pikërisht ata që t`i edukojnë edhe këta nxënës me shpirtin e disiplinës
shkencore në mësim. Psiko - pedagogët kanë
provuar se po të orientohen
mirë edhe mjaft nga këta fëmijë bëjnë
përpjekje për të kapërcyer vështirësitë. Mësuesit në bashkëpunim me prindërit
duhet të punojnë për t`i kalitur vullnetin nxënësve , që të mund të përballojnë
edhe vetë kryerjen e detyrave mësimore jetësore në rrugë të pavarur.
Kjo
kërkesë vlerësohet si shumë e rëndësishme dhe
bën pjesë në kulturën e re të të nxënit. E parë në këtë këndvështrim me
keqardhje vërejmë aty-këtu në shkolla, ku mjaftohen edhe me akuza (këta janë
nxënës që nuk mësojnë). Dhe s'bëjnë asgjë konkrete për t'i ndihmuar . Është
fatkeqësi e madhe kur fëmijët bien në duar të disa prindërve dhe mësuesve të
tillë. Prindërit e mësuesit nuk duhet të tërhiqen nga vështirësitë që paraqet
puna më këtë kontigjent nxënësish, sepse po të punohet mirë vjen një ditë kur
ata shpërthejnë. Mjafton të kujtojmë
edhe Ajnshtajnin që deri në
moshën 9 - vjeçare nuk fliste normalisht. Në shpirtin e çdo mësuesi duhet të ç
rrënjoset mendimi antipedagogjik që dëgjohet " Shyqyr që ikën, shpëtuam
prej tyre!". Kjo mënyrë e të gjykuarit ndeshet në disa shkolla të mesme
sidomos tek mësuesit që punojnë me klasat e para dhe të dyta. Duhet të pranojmë
se mbartësit e këtyre koncepteve nuk mund të quhen me edukatorë të vërtetë.
Jeta shkollore dhe ajo prindërore ka provuar se po të veprohet me kritere
shkencore dhe me përkushtim, kjo masë nxënësish mund të përmirësohet dhe të
integrohet në veprimtaritë mësimore dhe
edukative. Kontrolli i shfrytëzimit racional të kohës ka mjaft vlera konkrete,
se parandalon shpërdorimin e saj që
është shfaqja më e rëndë e keq administrimit të mundësive reale që ka secili
për të ecur përpara. Për këtë problem në kohën e tij ka folur dikur edhe Gjergj
Fishta" Si ka me u rritë, siç e lyp arsyeja e detyra po qe se prindërit
nuk janë të qytetënuar e përparuar. Prandaj për në daçim që shteti shqiptar të
përparojë në udhë të qytetenisë së
vërtetë, përpara çdo pune tjetër duhet pasë parasysh edukata e familjes
shqiptare tue ba që prindët si dhe fëmija e tyne të jenë të qytetnuem".
Kaq rëndësi i vë ai këtij problemi. Pra mësimi dhe edukimi mbeten një proces
aktiv që zhvillohet pa ndërprerje çdo ditë.