| E diele, 15.05.2022, 06:58 PM |
ILUMINIZMI DHE INTERPRETIMI SOCIAL DHE KULTUROR
Nga Xhelal
Zejneli
Interpretimi social dhe kulturor – Në kundërshti me qasjen historiografike
intelektuale iluminizmit, që i analizon rrymat ose diskurse e ndryshme të
mendimit intelektual brenda kontekstit evropian në shekullin XVII dhe XVIII,
qasja kulturore-sociale i studion ndryshimet që kanë ndodhur në kulturën dhe në
shoqërinë evropiane. Sipas kësaj qasjeje, iluminizmi më tepër është proces ndryshimesh në
shoqëri dhe në kulturë, dhe më pak është një grumbull koherent idesh.
Përmbajtja dhe procesi me të cilin kjo përmbajtje është përcjellë, njësoj janë
të rëndësishme. Historiani dhe historiografi francez, i cili ligjëron në
Universitetin e Pensilvanisë, Rzhe Shartie (Roger Chartier) këtë e
sqaron në këtë mënyrë: “Kjo lëvizje prej qasjes intelektuale në qasje
kulturore-sociale, implikon hedhjen e dyshimit ndaj dy ideve: e para, praktikat
mund të dedukohen (të nxirren si përfundim)
prej diskurseve që i autorizon ose i arsyeton; e dyta, është e mundur që
domethënia latente e mekanizmave socialë të shndërrohet në terma të ideologjisë
eksplicite”.
Një prej elementeve
parësore të interpretimit kulturor të iluminizmit është ngritja e sferës
publike në Evropë. Filozofi dhe sociologu gjerman Jyrgen Habermas (Jürgen
Habermas, 1932-) ka ndikuar në idenë mbi sferën publike si asnjë tjetër,
edhe pse modeli i tij, gjithnjë më tepër vihet në dyshim. Çështja kyçe të cilës
u përpoq t’i përgjigjet Habermasi, ka të bëjë me kushtet “e diskutimit të
hapur racional, kritik dhe të sinqertë për sferat publike, apo me kushtet
shoqërore që nevojiteshin për përhapjen e iluminizmit dhe për shqyrtimin e
tyre”. Sipas Habermasit, kah fundi i shekullit XVII dhe gjatë shekullit
XVIII janë formuar “sferat publike borgjeze”, ndërsa “mbretëria e
komunikimit karakterizohet nga arenat e reja të debateve, nga format e hapura
dhe më të arritshme të hapësirës publike urbane dhe të socializimit si dhe nga eksplozioni i
përmbajtjeve të botuara”. Habermas thotë se janë tri karakteristika të
sferës publike: ka qenë egalitare; ka debatuar “për brenga të
përbashkëta”; argumentet janë bazuar në arsye.
Gjeografi,
natyralisti, hulumtuesi gjerman, ithtar i filozofisë dhe i shkencës romantike, Aleksandër
fon Humbold (Friedrich Wilhelm Heinrich Alexander von Humboldt, 1769-1859)
shfaqte neveri ndaj bujkrobërisë dhe shpesh e kritikonte politikën koloniale.
Gjithmonë vepronte me bindje të thella humane, të lindura nga idetë e iluminizmit.
Profesori i
historisë në Emory University, Atlanta, Xhejms Van Horn Melton (James
Van Horn Melton, 1952-) jep një pasqyrë të mirë të vlerave të sferë publike
borgjeze: anëtarët e saj, arsyen e kanë vendosur në kulm; çdo gjë i
nënshtrohej kritikës (sfera publike është kritike); pjesëmarrësit
e saj i janë kundërvënë çfarëdo lloj sekreti. Kjo mundëson që të sqarohet më
lehtë se ç’ka nënkuptuar Habermasi me “sferat publike kanë debatuar
për brengën e përbashkët”. Habermasi e përdor këtë term për
t’i përshkruar ata lëmenj të diturisë politike e shoqërore dhe të debatit i
cili më parë ka qenë fushë ekskluzive e shtetit dhe e autoritetit religjioz,
kurse tani hapet për kërkime kritike nga sfera publike. Habermasi thotë se në
zhvillimin e sferës publike kanë ndikuar dy tendenca historike
afatgjata: paraqitja e shtetit kombëtar modern dhe paraqitja
e kapitalizmit. Shteti kombëtar modern dhe konsolidimi i
forcës publike të saj, krijoi si kundërpeshë një rreth privat shoqërie, të
pavarur nga shteti, duke mundësuar kësisoj lindjen e sferës publike. Kapitalizmi
ndërkaq, e rriti autonominë dhe vetëdijen e shoqërisë. E rriti edhe nevojën për
shkëmbimin e informatave. Shtrirja e sferës publike, mundësoi përhapjen
e saj edhe institucione të ndryshme. Ajo përfshiu kafenetë, sallonet e debateve
si dhe sferën publike letrare, që të gjitha të vendosura në Res publica
letteraria.
Forcimin e sferës
publike e përshkruan edhe historiania angleze Dorinda Outram (1949-).
Doktori filozofinë në Kembrixh. Ligjëruese në University of Cambrdige. Në vitin
1998 vajti në ShBA. Sipas saj, sfera publike u forcua si rezultat i
ndryshimeve ekonomike dhe shoqërore të ndërlidhura me revolucionin
industrial: “Ekspansioni ekonomik, rritja e urbanizimit, rritja e
numrit të popullsisë dhe përmirësimi i komunikimeve përballë ngecjes në
shekullin paraprak”. Rritja e efikasitetit të teknologjisë së prodhimit e
uli çmimin e produkteve të konsumit të gjerë, duke rritur njëherazi edhe
asortimentin e produkteve që qenë në dispozicion të konsumatorëve, përfshi edhe
literaturën, të domosdoshme për zhvillimin e sferës publike. Në
të njëjtën kohë, interaksioni apo ndërveprimi me kolonitë bëri
që shoqëria evropiane t’u ekspozohet kulturave, skajshmërisht heterogjene. Në
shekulli XVIII, shumica e shteteve të Evropës kishin perandori koloniale. Outrami
thotë se rezultati ka qenë shembja “e barrierave midis sistemeve kulturore,
ndarjeve religjioze, dallimeve gjinore dhe rajoneve gjeografike”.
Pikëpamja
deduksioniste apo përfundimi logjik i modelit të Habermasit u shfrytëzua si
nxitjen e kërkimeve historike të zhvillimit të sferës publike. Ka shumë
shembuj të pjesëmarrjes, si të fisnikërisë, ashtu edhe të klasave të ulëta, në
rrethet siç janë kafenetë apo lozhat e masonëve, që tregon se sfera publike
e epokës borgjeze, ka qenë e pasuruar me ndikimet ndër-klasore.
Përshkrimit grosso
modo të sferës publike si të pavarur dhe kritik ndaj shtetit, i kundërvihen
raste të ndryshme të institucioneve publike të sponsoruara nga shteti dhe
pjesëmarrja e qeverisë në debat, si dhe rastet e shfrytëzimit të njëkohshëm të
hapësirave publike nga personat privatë për promovimin e status quo-s.
Ekskluziviteti i sferës publike – Fjala “publike” implikon nivelin më të
lartë të inkluzivitetit (të përfshirjes) – për nga përkufizimi, sfera
publike do të duhej të ishte e hapur për të gjithë. Mirëpo, analiza e shumë
institucioneve “publike” të iluminizmit, tregon se sfera publike ka
qenë publike vetëm deri në një masë të caktuar. Sikundër thekson Rozhe
Shartie (Roger Chartier), koncepti i mendimtarëve të iluminizmit, për atë
që është cilësuar “publik”, shpesh ka qenë në kundërshti me konceptin e
njerëzve të thjeshtë. Rozhe Shartie (Chartier) e citon polihistorin (të
gjithëdijshmin) francez, teoricien i progresit, Kondorse (Marie jean Antoine
Condorcet, 1743-1794), i cili “mendimin” ia kundërvë populace-s
(vegjëlisë, popullit të thjeshtë). Shkrimtari, historiani dhe esteti
francez, bashkëpunëtor i Enciklopedisë, Zhan Fransua Marmontel (Jean François
Marmontel, 1723-1799), “mendimin e njerëzve të ditur” e ballafaqon me “mendimin
e shumicës”, ndërsa filozofi, fizikani dhe matematikani francez d’Alamber*
(Jean le Rond d’Alembert, 1717-1783), “opinionin mirëfilli të ndritur”
e nxjerr kundër “shumicës së verbët dhe të zhurmshëm”. Aristokracia në
Francë ka luajtur rol vendimtar në sferën publike, kur në vitin 1720
është zhvendosur nga Versaja (Versailles) në Paris. Harxhimi i parave e ka
nxitur tregtinë me produkte të shtrenjta dhe luksoze, si dhe me vepra arti,
sidomos me vepra të artit figurativ, që kanë pasur vlerë artistike të madhe.
Historiania dhe
filozofja franceze Mona Ozouf (e lindur Mona Annig Sohier, 1931-), thotë
se mendimi publik ka qenë në opozitë ndaj masave të gjera. Natyra e mendimit
publik në kohën e iluminizmit vështirë është të përkufizohet, siç është ajo
sot. Megjithëkëtë, është më se e qartë se mbartësit e sferë publike të
asaj kohe, kanë qenë më tepër ekskluzivë (përjashtues) se inkluzivë
(përfshirës). Ky konstatim bëhet akoma më e shprehur kur përshkruhen
institucionet e sferës publike, shumica e të cilave i përjashton femrat
dhe klasën e ulët.
Shënim: d’Alamberi
kishte prirje të rrallë për matematikë. Për këtë arsye në moshën 23-vjeçare u
pranua për anëtar të Akademisë Franceze të Shkencave. Ishte shpirt i pavarur. U
dha pas shkencës dhe u bë – siç thotë vetë – rob i lirisë së vet.
Implikimet sociale dhe kulturore në muzikë – Iluminizmi e theksonte arsyen dhe jo besëtytninë,
ndaj e kultivonte artin. Theksi mbi mësimin, artin dhe muzikën
filloi të përhapet gjithnjë më tepër, sidomos në mesin e klasës së mesme, që sa
vente, rritej. Lëmenjtë e mësimit siç janë letërsia, filozofia, shkenca, arti
figurativ dhe arti muzikor gjithnjë më tepër i kanë shtjelluar apo i kanë
hulumtuar temat, që kishin të bënin me interesin e përgjithshëm të publikut dhe
jo vetëm fushat e profesioneve të të diturve të izoluar apo të mecenëve.
Muzikantët gjithnjë më tepër bëheshin të varur nga publiku i përgjithshëm, ndaj
koncertet publike bëheshin gjithnjë më të popullarizuar. Kjo u sillte
muzikantëve dhe kompozitorëve të hyra shtesë. Koncertet u mundësonin të arrinin
te publiku i gjerë. Kompozitori i lindur në Gjermani, i cili prej viti 1712
banoi në Angli, Xhorxh Fredrik Hendel (emri i lindjes George Friedrich
Händel, 1685-1759) këtë e arrinte në veprimtarinë e vet muzikore në Londër.
Atje u bë mjaft i famshëm me operat dhe oratoriumet e veta.
Muzika e kompozitorit austriak, mësues i Mocartit dhe i kompozitorit
gjerman, Betoven (Ludwig van Beethoven, 1770-1827) - Xhozef Hajdën (Franz
Joseph Haydn, 1732-1809) si dhe muzika e kompozitorit austriak Volfgang
Amadeus Mocart (Johann Chrysostom / Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791), me
stilin klasik vjenez, konsideroheshin se janë në përputhje me idealet e
iluminizmit.
Një vepër e
rëndësishme që lindi si rezultat i studimit të idealeve të iluminizmit, ishte “Historia
e përgjithshme e muzikës: nga periudha më e hershme deri në ditët tona” (A
General History of Music: From the Earliest Ages to the Present Period) e
historianit të muzikës, kompozitorit dhe muzikantit anglez Çarls Byrnej (Charles
Burney, 1726-1814), e botuar në origjinal në vitin 1776. Është një pasqyrë
historike e muzikës dhe një përpjekje e racionalizimit sistematik të elementeve
të muzikës nëpër kohë. Me rritjen e pasurisë së klasës së mesme, u shtua
edhe numri i muzikantëve amatorë. Një prej këtyre manifestimeve përfshinte edhe
femrat, të cilat u përfshinë në botën e muzikës, në rrafsh publik. Femrat edhe
më parë kanë qenë të angazhuara në rolin e këngëtareve profesionale, por tani e
shtuan praninë e vet në skenën e ekzekutimit amator, sidomos në ekzekutimin në
klaviaturë (instrument me tastierë).
Dëshira për kërkime,
për shënimin dhe për sistematizimin e diturive ka pasur efekt të dukshëm në
botimin e veprave muzikore. “Fjalori i muzikës” (Dictionnaire de musique)
i filozofit dhe shkrimtarit francez Zhan Zhak Ruso (Jean Jacques
Rousseau, 1712-1778), i botuar më 1767 në Gjenevë dhe më 1768 në Paris, kah
fundi i shekullit XVIII ka qenë vepër kryesore e lëmit të muzikës. Ky fjalor i
përhapur gjerësisht, jepte përkufizimet e shkurtra të fjalëve si gjeniu
ose shije dhe në të ka ndikuar qartas lëvizja e iluminizmit. Përpos
kësaj, ekzekutuesit muzikorë filluan t’u ofrojnë shërbime edhe muzikantëve
amatorë, duke botuar muzikë që mund ta kuptonin dhe ta luanin amatorët. Pjesa
më e madhe e punimeve të botuara ka qenë për klaviatura, për këndim dhe
klaviatura apo për orkestër dhome.
Nga mesi i shekullit
XVIII e më pas, këto zhanre fillestare u popullarizuan. Tani, grupet amatore nisin
të këndojnë në kor gjë që çoi në një tendencë të re ku botuesit mund të
realizonin fitime. Shtimi i studimit të arteve të bukura, si dhe
mundësia më e lehtë e amatorëve për të depërtuar te botuesit muzikorë, ndikoi
në rritjen e numrit të njerëzve që nisën të interesohen për muzikë dhe të
debatojnë për të. Filloi botimi i revistave muzikore, i
recensioneve muzikore dhe i veprave të
kritikës muzikore, të përshtatura si për amatorët ashtu edhe për njohësit e
muzikës. Edhe pse në postmodernizëm idealet e iluminizmit u
hedhën poshtë, në modernizëm ato fuqishëm ishin të pranishme dhe
me të madhe vazhduan të qëndrojnë edhe pas shekullit XVIII, madje deri në ditët
tona.
Para do kohe
muzikologët rishfaqën një interesim për idetë dhe për pasojat e iluminizmit.
Për shembull,
muzikologia e njohur amerikane Rouz Rozengard Subotnik (Rose Rosengard
Subotnik, 1942-) në veprën e saj “Variacione dekonstruktive” (Deconstructive
Variations), me nëntitullin „Muzika dhe arsyeja në shoqërinë
perëndimore“ (Music and Reason in Western Society), e krahason „Die
Zauberflote“ (1791) të Mocarit, duke shfrytëzuar perspektivën e
iluminizmit dhe të romantizmit dhe vjen në përfundim se kjo vepër është një „pasqyrë
muzikore ideale e iluminizmit“.