| E shtune, 14.05.2022, 04:08 PM |
Në Presheve u mbajt Manifestimi kulturor: “Promovimi dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore-Takimet e Krijuesve kulturorë të Rajonit”
Fjalë në promovimin
e librit: Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së
Preshevës dhe e viseve shqiptare, në Preshevë 07.05. 2022
Nga Prof. Dr.
Drita Halimi-Statovci
Jemi së bashku këtu sot për ta shënuar një sukses të
këndshëm pune, jemi në takim të natyrshëm dhe shumë kuptimplotë për promovimin
e librit Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së
Preshevës dhe e viseve shqiptare. Ky libër realisht është tregues dhe
pasqyrë e punës së Konferencës me të njëjtin emërtim, të mbajtur këtu në
Preshevë në tetor të vitit 2020.
Në një rast e në një Konferencë disi të ngjahsme me Konferencat shkencore të
Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Preshevës, pata theksuar se
konferencat e këtilla, ndoshta fillesën e kanë nga fakte e shkrime të vogla,
por që sigurisht se këto fakte e shkrime do të krijojnë histori dhe do të japin
tema të mëdha! Po, taman kështu! Ndërsa sot, unë me kënaqësi konstatoj se Shoqata për
Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Preshevës, vërtetë ka bërë histori, ka
dhënë dhe vazhdon të jep tema të rëndësishme e të mëdha.
Duke vlerësuar faktin se mendimet e thella jetojnë në
dukuritë shoqërore dhe në trashëgiminë kulturore, kjo Shoqatë ka hulumtuar e
regjistruar materiale të spektrit të gjerë, ka organizuar e mbajtur shumë
Konferenca shkencore, ka realizuar botimin e materialeve të këtyre
konferencave, dhe i ka ofruar studiuesëve dhe lexuesëve të interesuar një lëndë
tejet të gjerë dhe studime me tematika të larmishme, por të përzgjedhura
me kujdes, që simpatikisht dhe me domethënie të thellë vijnë nga hapësira të shumënumërta etnogjeografike të
arealit e të etnisë shqiptare. Duke iu referuar Sami Frashërit, që na
mësoi se “gjysma e punës është e mbaruar kur ajo fillon me dëshirë”, e kam
patjetër të potencoj me këtë rast entuziazmin e dashamirësve të
trashëgimisë kulturore, largëpamësinë e themelimit të Shoqatës këtu në Preshevë,
zemërgjërësinë e donatorëve, gatishmërinë e studiuesëve të marrin pjesë
në këto konferenca, punën e pandalshme dhe të palodhëshme, vizionare të
pjesëtarëve të Shoqatës, nën udhëheqjen e kryetarit të saj - studiuesit
pasionant dhe shumë të përkushtuar z. Xhemaledin Salihu, dhe të konstatoj se
vetëm kështu u mundësua kjo veprimtari shumë e dobishme dhe domethënëse.
Vërtetë shembull nga i cili jo vetëm se duhet të mësojmë, por edhe ta
lavdërojmë.
Është e njohur se studimet në nivel të krahinave etnogjeografike,
ose sipas regjioneve, sipas vendbanimeve të vogla ose të mëdha e të ngjashme,
mundësojnë vështrim specifik të thelluar të trashëgimisë shumë komplekse
kulturore sipas hapësirave përkatëse, e që të gjitha së bahsku japin tema,
shtrojnë problematika të gjëra të trashëgimisë kulturore shqiptare. Prandaj, them
se ky zell i Shoqatës së Preshevës dhe këto rezultate që ajo i shpërfaqë, vërtetë
duhet quajtur sukses. Po cili është ky sukses në rastin konkret të sotëm? Libri:
Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e
viseve shqiptare është rezultat i kumtesave të mbajtura në Konferencën
shkencore të tetorit të vitit 2020. Nga 22 punime shkencore me tematikë të
përzgjedhur e të përcaktuar qartë për Konferencën respektive me temën bosht si
në këtë Libër, dhe me 3 shkrime të natyrës informative ose vlerësuese, sikur
paraqitet vështirë të thuash cili punim
është më i arrirë, cili është më interesant, ose cili sjell vlera të larta,
vlera më të lashta, apo më të rejat kulturore e trashëgimore. Përmbledhësi
përfaqëson një paraqitje tejet dispersive dhe të hapët antropologjike në
aspektin e fushave albanologjike, por edhe më gjerë. E bukura e Përmbledhësit
qëndron pikërisht në llojllojshmërinë e studimeve të përfshira në të, në lënden e bollshme të mbledhur në terren,
në ndonjë studim krahasimtar, ndonjë rast e ndonjë punim edhe me shmangie nga
tema bosht, pastaj në përfshirjen e klasikës dhe të modernes deri në kuptimet e
gjëra të globalizimit brenda fushave përkatëse antropologjike, ndryshe
kulturore dhe trashëgimore. Të dalin përpara materialet burimore të terrenit, dhe ndjenë kënaqësi kur
të dhënat origjinale nga terreni vështrohen nën thjerrëzen e teorive
antropologjike botërore. Këto janë vetëm disa elemente domethënëse e të
rëndësishme që ofron Përmbledhësi i
Konferencës shkencore të vitit 2020.
Në këtë Përmbledhës, si në kronologji mbarë e mirë
mësojmë për sa vijon: bashkëzanime ndërmjet kulturës materiale dhe asaj
jomateriale; merr informata për një teqe të vogë në një vendbanim rural; mbushesh histori për kalanë e ShkupitI mëson
edhe për trashëgiminë kulturore të Prizrenit; të vie si nihmesë historike e
dhena për xhaminë e Vërbocit e për imamët e saj; ndjen kënaqësi e mbushesh
traditë kur lexon për institucionin e Odës së burrave; mullinjt e Vushtrisë me
rrethinë të shpalosin traditën ekonomike; kultura materiale e Gjilanit të
qartëson për periudhën osmane të këtij qyteti; teqetë e rajonit të Kumanovës të
ofrojnë të dhëna me rëndësi historike për teqetë më gjerësisht; historiku i
arkitekturës në Dardanë të përplotëson tabllon për Dardaninë e lashtë;
trashëgimia kulturore materiale e Bozovcës të plotëson njohuri për hapësiren e
gjerë të etnisë shqiptare; kullat e sahatit si ndërtime të veçanta, të shpalosin
shijen arkitektonike te Mesjetës; vendbanimet nga e kaluara të plotësojnë
tabllon arkeologjike të Preshevës; hapësirat krijuese të manifestimit të
trashëgimisë kulturore të japin një pasqyrë për të vjetren dhe për të rejën;
kalaja iliro dardane e Dubovcit të Vushtrrise ose dëshmitari dardan i
manastirit të Deçanit, apo shkrimi për urën e gurit të Shkupit dhe ai për
Velegllavën e Dardanës ta qartësojnë vizionin historik dhe artistik të këtyre
vendeve e të kësaj trashëgimie kulturore; dhe në vazhdim pasojnë shkrimet për
baskëpunimin e një qendre rajonale për trashëgimi kulturore; pastaj si
përfundim vijnë shkrimet plot informacion për lokalitete arkeologjike të
Preshevës dhe për Tërnocin si vendbanim i hershëm i Luginës së Preshevës.
Natyrisht, Përmbledhësit nuk i mungon as fjala hyrëse dhe as ajo
përmbyllëse.
Risi e këndshme në
Përmbledhësin e vitit 2020 shfaqet të jetë pjesëmarria e
studiuesëve të rinj me moshë e me përvojë, të cilët sjellin punime me tone e
stile të reja antropologjike. Këto kuadro të reja sigurisht se premtojnë për të
ardhmen e mirë, të them bashkëkohore, në fushën e trashëgimisë kulturore.
Kështu tregohet se edhe kultura shqiptare prezantohet me sukses dhe përballet
me sukses me kulturat e huaja.
Besoj se jemi të vetëdijshëm se tradita-trashëgimia
kulturore na ushqen kulturalisht dhe shpirtërishtt, ajo i mëson të tjerët për
ne, por edhe ne na mëson për të tjerët. Trashëgimia të bën me traditë, të bën
rrënjës dhe me sukses të vendosë në një rrafsh të njëjtë me të tjerët, në Europë ose gjetiu, dhe të mban stabil
e me kulturë të formuar edhe në modernitet e në kohën globalizuese. Andaj
kërkohet shumë kujdes për trashëgimi, e këtë po na e shpërfaqë sot ky Përmbledhës
i Konferencës shkencore të vitit 2020 i Shoqatës për Trashëgimi dhe
Krijimtari Kulturore të Preshevës.
z. Xhemaledin përgëzime e suksese në të ardhmën!
Urime për Shoqatën e Preshevës dhe për ne të gjithë !
Ju falemnderit!