| E shtune, 14.05.2022, 07:05 PM |
Familja
Mehmedoviq, nga Zogajt e Ulqinit
Shqiptarët e Ulqinit
festuan së bashku festën e Bajramit të Madh
Nga
Gjekë Gjonaj
Besimtarët
e fesë islame në Komunën e Ulqinit , pas
përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit , kremtuan festën e Fitër Bajramit ( Bajramit të Madh). Kjo festë për besimtarët
islamë është një moment shumë i gëzueshëm, sepse afron familjen, farefisin, miqtë, shokët e të tjerët.
Derisa
dy vitet e kaluara shumica e ceremonive të kësaj feste u zhvilluan në shtëpi
për shkak të pandemisë COVID- 19, këtë vit qindra besimtarë morën pjesë në
ceremonitë e faljes së Bajramit
të Fitrit në xhamitë e kësaj komunë. Kjo festë
e shenjtë sivjet u kremtua
në një atmosferë festive si dikur
, duke shijuar mirësitë e saj, me vizita
të ndërsjella të të gjitha besimeve
fetare, duke uruar dhe përgëzuar njëri-tjetrin.
Ditëve
të Bajramit të Madh në Ulqin me
rrethinë festuan së bashku shqiptarët e besimit të krishterë dhe islam, sipas traditës shumëshekullore.
Familjet shqiptare pa dallim feje
vazhdojnë ta ruajnë frymën e tolerancës e harmonisë fetare. Shumë familje katolike ishin për vizitë tek familjet e vëllezërve të tyre të besimit
islam, për të kremtuar së bashku këtë
festë, duke iu uruar të gjithë
njerëzve që festojnë begati, paqe, rehati e mirëkuptim. Dhe, nuk ka vlerë më të madhe se kjo e
cila përshkruan dhe dëshmon tolerancën fetare tek shqiptarët, pikërisht
ashtu siç thoshte Atë Gjergj Fishta “
vërtetë ne kemi bajram dhe pashkë, por shqiptarin e kemi bashkë”.
Ky
respekt i shqiptarëve të të
dyja feve që t’ua kthejnë festat
njëri-tjetrit, kryesisht Pashkët dhe
Krishtlindjet ( Kërshëndellat) me festën e Bajramit, por edhe festa të
tjera që në këtë komunë nuk janë të pakta,
nuk ka munguar kurrë dhe kjo
traditë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ulqini gjithmonë ka qenë shembull i
tolerancës etnike dhe fetare, ndërsa ky mozaik është pasuri e çmuar e
shqiptarëve, të cilëve as kësaj here, si
përherë, nuk i ka munguar kënaqësia vëllazërore. Qytetarët e
Ulqinit përmes festave çdoherë e më shumë po i forcojnë vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes e
mirëqenies.
Kjo
festë solli atmosferë gëzimi në çdo
familje të besimit islam, pavarësisht kushteve financiare. Kështu ishte edhe në
familjen e Sadik Mehmedoviqit nga fshati
Zogaj, i cili jeton në Ulqin. Familja e
tyre brez pas brezi e ka trashëguar mikpritjen e gjithkujt, që do të thotë të presin njerëz edhe të besimeve tjera.
“Ne
Bajram e Pashkë i kemi festuar gjithmonë
bashkë. Kështu vazhdojmë t’i
festojmë edhe sot sepse jemi të
gjithë vëllezër”, thotë kryefamiljari
Sadik Mehmedoviq. Ai shprehet se u gëzohet të gjithë njerëzve të besdimeve tjera të cilët e
vizitojnë për festa fetare, njëlloj sikurse më të afërmve dhe farefisit të tij. Shton se
ajo që i bën të bukura festat është
respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin.
Ndërkohë bashkëshortja e tij Zuhraja, nënë e dy djemve
binjakë, Fatit dhe Florit, e lindur në fshatin Kllezën-vendbanim i
përzier muslimano-katolik, i njohur për respektimin e feve, na tregon
për përgatitjet dhe gatimet tradicionale që sipas traditës janë ruajtur
ndër vite për këtë festë shumë të
bukur. “Sipas traditës që është
ruajtur me vite, për këtë festë
përgatisim sofër të pasur me disa
gatime tradicionale siç janë japraku,
pite të ndryshme, mishi i qengjit dhe kecit me pilafë e supa të
shijshme. Ëmbëlsirat po ashtu janë pjesë të rëndësishme të kësaj feste dhe ato
nuk do të duhej të mungojnë në tavoilën ( tryezën) e asnjë besimtari të
fesë islame. Ndër ëmbëlsirat më tradicionale që përfaqësojnë këtë festë janë
bakllava, “ mbreti “ i sofrës”, kadaifi,
tuhafija, hallva, tullumbat, trileqet…”, rrëfen Zuhraja.
Ky
çift bashkëshortor mban mend që e festonin shumë festën e Bajramit edhe
më parë. Ata i kanë të freskëta kujtimet
kur prindërit e tyre u blinin gjëra të reja
dhe vizitat që shkëmbenin me të afërmit. Me mall flasin edhe për të
kaluarën kur si fëmijë u janë gëzuar ëmbëlsirave dhe parave të cilat u dhurohen
fëmijëve për Bajram. Kjo familje e ndershme shqiptare dëshiron që të gjitha traditat e kësaj feste t’ua përcjellë
pasardhësve të saj, siç e do tradita.
Vlen
të përmendim se në kohën kur
shqiptarët e Ulqinit dhe të tjerët në Malin e
Zi shijuan mirësitë e kënaqësitë
e kësaj feste , në shumë shtete të botës
kemi konflikte, luftëra e gjakëderdhje, ku popullata e pafajshme po përballet
me padrejtësi, shktaërrime, vrasje e dëbime.
Prandaj, shqiptarët të gjithë së bashku, krahas urimeve e
përgëzimeve, bëjnë thirrje për
solidaritet e paqe në këto kohë të vështira
që po kalon njerëzimi.