| E marte, 10.05.2022, 07:53 PM |
FLETËZA NGA DITARI I PËRZHITUR
SI MË ‘NDIHMOI’ KADAREJA PËR TA FITUAR ÇMIMIN E PARË PREJ PROFESORI
Nga Sinan
Gashi
Është viti shkollor 1977/1978.
Jam profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Skënderbeu” në
Gllogovc. Si ditëve të tjera të punës, edhe sot, e hënë, 26 shkurt 1978, u përgatita
që në pasditen e djeshme për orët e mësimit. Fillimisht plotësoja Fletoren e
punës për orën e caktuar, për njësinë mësimore, e tok me to edhe mjetet që do e
konkretizonin, e cila i përshtatej asaj njësie mësimore. Synimi im ishte gjithsesi
që të jem sa më real dhe bindës në mësim, në mënyrë që nxënësit mos të ngeleshin
të hamendësuar se a është vërtetë ashtu ajo e dhënë e dëgjuar në klasë, apo
profesori e ka krijuar paksa me fantazi që ta bëjë sa më interesante për nxënësit.
Mu për këtë, bagazhin e veturës sime e kisha shndërruar në ‘mini bibliotekë’ lëvizëse,
duke marrë me vete gjithçka që kisha dhe e gjëja për qëllimin e tillë. Po e zëmë,
veç tjerash, aty kam vendosur harta memece, për të shpjeguar ecejaket e kushtëzuara
të rilindësve tanë, ku piketoheshin vetëm qytetet ku ata kishin qëndruar apo
jetuar dhe, me një laps ngjyrë kaltër, i bashkoja ato qytete kur krijohej një përkufizim
‘shteti’ mbi shtetet reale, e që unë u thosha nxënësve se ky është ‘shteti’ i këtij
krijuesi, ngase krijuesi e ka shtetin e tij, brenda të cilit ndihet më i qetë,
dhe vetëm aty mund të krijoj. Për çudi, nga përkufizimet, disa dilnin ‘shtete’
të mëdha krijuesish, e disa fare të vegjël, që reflektonin madje ngjasore me
jetëgjatësinë e atyre krijuesve. Po e zëmë ‘shteti’ i madh i tej kontinenteve
ishte ai i Fan Nolit që, ngjasonte edhe me jetëgjatësinë e tij të lakmueshme,
ndërsa që Migjeni jetëshkurtër kishte një ‘shtet’ të ngushtë lëvizjeje (Shkodër
- Tivar - Manastir (Bitol)-Torre Peliçe-Itali), që ngjasonte madje me një thikë
që sikur e shponte, për t’ia shkurtuar sa më shpejt jetën e tij delikate. Këto
përmasa territori edhe afroheshin me sasinë e krijimtarisë së tyre. Noli sa e
Migjeni sa.
Ismail Kadarenë me jetën
dhe krijimtarinë e tij e kisha atë ditë në plan-program, me klasat e katërta të
gjimnazit. Një fotoportret me ngjyra, që ishte botuar në revistën ‘Zëri i rinisë’,
e kisha vendosur me ngjitës mbi një pllakë kartoni, së cilës ia kisha vënë edhe
një mbajtëse dhe e vura në tavolinën përballë nxënësve. Në pjesën e fundit të
tabelës, e cila kishte një mbajtëse teneqeje për shkumës e sfungjer, i radhita
për mjet konkretizimi, veprën e aktualitetit ndërkombëtar të tij, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. I
pari ishte botimi i ‘Naim Frashërit’ të
Tiranës, pastaj kopjen “Gjenerali
i ushtrisë së vdekur”, botimin e ‘Rilindjes’ së Prishtinës; në gjuhën
serbokroate “General mrtve vojske” e
‘Radit’ të Beogradit, përkthim i Hamit Thaçit, pastaj “General mrtve vojske” e ‘Bagdalles’ së Krushevcit, përkthim i Esad
Mekulit, në maqedonisht “Generalot na
mrtvata vojska” e ‘Narodna knjiga” e Shkupit dhe, në frëngjisht, “Le Général de l’armée morte” e ‘Hachet
littérature’ e Parisit.
Pasi shënova në krye të
tabelës njësinë mësimore me shkumës, u ktheva nga nxënësit për t’ua treguar
shkurtimisht biografinë e Ismail Kadaresë. Pas fjalisë së parë, trokiti dera
dhe, ende pa thënë ‘Hyr!’, u hap dera. U fut brenda drejtori i shkollës, Musa
Haxhiu, e pas tij edhe tre persona të tjerë.
Shikimi im ishte hutues
dhe njëkohësisht pyetës...
Drejtori sqaroi se ata ishin
një komision i Bashkësisë së Arsimit e Kulturës të Krahinës së Kosovës, të cilët
kanë dalë nëpër shkolla të mesme për të kontrolluar suksesin në zhvillimin e mësimit.
Edhe për të testuar mësimdhënësit, me vajti mendja mua.
Ata përshëndetën qetas,
më shumë më lëvizje kohe. Vetëm njërin, atë që paskësh qenë kryetar i atij
komisioni, e njihja. Ishte prof.dr. Isak Shema, i cili madje kishte qenë anëtar
komisioni me rastin e mbrojtjes së diplomës sime në fakultet, me temën “Botëkuptimet e Asdrenit sipas veprës ‘Kambana
e Krujës’”, lënë në dorëshkrim.
Profesor Isaku, si
dashamirës i veprave letrare, nxitoi kah romanet e renditura në fund të tabelës
dhe i shikoi me interes. Përshtypje më të madhe i bëri botimi në frëngjisht,
format ‘Le livre de poche’, të cilën si duket nuk e kishte parë ende.
I thanë dy-tri pyetje, sa
par të thënë, për mësimin dhe zhvillimin e tij.
Doni të qëndroni që të
vijojë unë mësimin?, i pyeta qetas. Jo, faleminderit, thanë njëzëri dhe dolën
jashtë.
***
Pas dy javësh me erdhi
një ftesë nga Bashkësia e Arsimit dhe e Kulturës e Kosovës, për marrjen e çmimit
vjetor, ku unë isha vlerësuar Profesori
më i mirë i vitit.