| E marte, 10.05.2022, 06:55 PM |
Shtatë hapa për t'u bërë autokrat
Nga
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Në
kohët e sotme duket se demokracia është frenuar. Autokracia ka fituar terren,
sidomos në Europën Lindore ish-komuniste. Demokracisë liberale i duhet të
luftojë e të përballojë sulmet dhe stilin autokrat të pushtetit, të cilin e
ushtrojnë disa liderë lindorë si Vladimir Putin, Viktor Orban, Rexhep Tayp
Erdogan, Kascynski në Poloni, Vuçiq në Serbi, Edi Rama në Shqipëri, Bolsonaro
në Brazil e shumë të tjerë nëpër botë, pa përmendur rastin kinez, ku sistemi
është një partiak.
Fjala
autokrat vjen nga greqishtja e vjetër, që do të thotë "sundues i
vetëm"! Ky lloj sunduesi mund të jetë një udhëheqës i fortë, i cili
mënjanon dy elementët themelorë të demokracisë, zgjedhjet e ndershme dhe
parlamentin si institucion i kontrollit të ekzekutivit. Panorama që paraqitëm
më lart na thotë se në përgjithësi demokracitë e reja janë ato që sfidohen
shpejt e mund të kthehen lehtësisht në autokraci. Shqipëria dhe Serbia në
rajonin tonë janë dy vendet tipike që provojnë këtë kthesë anti-demokratike.
Studiuesit
dhe studimet mbi qeverisjen e format e saj në kohët e sotme moderne zbulojnë
shtatë shkallë, nëpër të cilat duhet që një politikan lider të ngjitet deri te
froni i autokratit:
1. Autokratët vijnë në
pushtet me parullat e antistabilishment. Si të tillë ata proklamojnë "njeriun
e ri" me "filozofi të re" të qeverisjes! Shfrytëzojnë
pakënaqësitë e qytetarëve për dështimet e paraardhësve. I propagandojnë ato si
dështime të "estabilishmentit të vjetër". Menjë fjalë vijnë në
pushtet me parulla populiste të ngjashme me slloganet revolucionare. Si të
tillë ata mohojnë trashëgiminë e mëparshme. Nuk pranojnë evolucionin, pra që
t'i nisin reformat nga platformat e mëparshme. Shpikin reforma në funksion të
autokracisë. Se mos i shkon mendja ndokujt se e kam fjalën për kryeministrin e
Shqipërisë! Jooo! Ç'ne! Nuk e bëj atë "mëkat"!
2. Në retorikën dhe praktikën e lidershipit
autokrat ze gjithmonë vend populizmi, sidomos populizmi nacinalist, ose ai
fetar. Putin bazohet te populizmi mbi atë që ai e quan "civilizimi rus e
sllav"! Vuciq po ashtu bazohet te koncepti i "botës serbe" dhe
domozdoshmërisë që këtë botë ta drejtojë vetëm ai. Po ashtu Rama i përmbahet
konceptit të "babait të kombit"! Orban dhe Kaznyski flasin gjithmonë
për kufizimin e konceptit te shoqëria kristiane, duke mohuar ndikimin e
civilizimeve të tjera. Kësisoj autokratët përdorin sentimentin e konceptit
"të popullit të vërtetë" për t'iu kundërvënë të tjerëve, në një rast
pakicave, në një rast tjetër opozitës, në raste të caktuara religjioneve, pra
gjithçkaje që nuk duket në vijën politike populiste të tyre. Ndarja e shoqërisë
në dy grupe të mëdha kundërshtarësh është tipari themelor i autokracisë.
Ata
që votojnë kundër shihen si "armiq". Për to në fushata elektorale
"armiqtë", pra kundërshtarët politikë, projektohen si "e keqja",
ndërsa autokrati si "babai i kombit". Madje ndodh si në fushatën
elektorale të prillit 2021 në Shqipëri, që fotot e "armiqve" të bëhen
shënjestër i goditjeve politike dhe fyerjeve personale. Një metodë kjo e
huazuar nga diktatura, kur fotografitë e armiqve bëheshin objekt i stërvitjes
ushtarake. Ata ushqejnë besimin te zgjedhësit se "popullit i duhet një
lider i fortë"!
3. Të gjithë autoktratët
pa përjashtim vijnë në pushtet me parulla e sllogane demokratike e më pas e
rrëzojnë sistemin e demokracisë. Në të vërtetë ata e zhbëjnë demokracinë.
Flasin për zgjedhje të lira dhe instalojnë fallsifikimin, blerjen, manipulimin
e votës së lirë. Premtojnë ndarjen e pushteteve dhe ndërtojnë sistemin e
mos-transparencës e mos-llogaridhënies. Betohen për drejtësi e lirinë e medies
dhe bëjnë çmos për të kap të gjitha institucionet e drejtësisë dhe për të blerë
të gjitha mediet në vend. Bëjnë be për lirinë e protesës dhe më pas përdorin jo
vetëm policinë, por edhe ushtrinë e forcat speciale kundër protestuesve! Gjithçka
transformohet në emër të luftës kundër "reaksionarëve"! Modeli i
vitit 1945 te ne! Se mos mendoni që e kam fjalën edhe për Edi Ramën?!
4. Ekonomisti rus Sergej
Guriev, në një libër të tijin e quan presidentin Putin një "Spin
diktator"! Me këtë ai nënkupton një diktator më pak i dhunshëm sesa
diktatorët klasikë, por mjeshtër në manipulimin e opinionit. E njëjta gjë ndodh
në Beograd e në Tiranë me përpjekjet e dy autokratëve ballkanas për të
manipuluar me shpikje të ndryshme e në emër të "fjalës së lirë". Pas
çdo kërcënimi, Vuçiq dhe Rama dalin e justifikohen me fjalët "Ky është
mendimi im dhe askush nuk më ndalon të them atë që mendoj"! Ndonëse
kërcënimet e Vuçiq shkojnë në adresë të Kosovës dhe ato të Ramës në adresë të
opozitarëve rezistentë. Ky lloj manipulimi për të fsheh autokracinë dhe
diktaturën synon që njerëzit të vihen në një lloj gjumi letargjik. Pra të
besojnë se vetëm AI, 'i modhi" të zgjidh punë dhe kështu qytetarët të
ndalojnë së menduari si njerëz me logjikën dhe racionalitetin e tyre.
Ndërkaq
dezinformacioni është mjeti kryesor i vënies në dilemë e në gjumë të
qytetarëve. Dezinformohet për gjithçka. Autokratët të thonë se "ti po
shpif" edhe për ngjyrat, edhe për dritën ose errësirën, nëse kundërshtari
prononcohet për këto terma. Para tri vitesh Berisha denoncoi veprat kriminale
në Spanjë të drejtorit të ujësjellësit të Laçit. Por atëherë shteti, qeveria,
mediat pranë saj e konsideruan shpifje akuzën që ai bëri. Para pak ditësh ky
drejtor u arrestua për t'u ekstraduar për në Spanjë. Por autokratët nuk guxojnë
të kërkojnë falje. Ata dezinformojnë për ta rrënuar të vërtetën.
5. Të gjithë autokratët
janë edhe kleptokratë. Ata drejtojnë shtetin bashkë me hajdutët. Autokratët e
sotëm në Lindje të Europës, përfshirë dhe këta në vendin tonë, marrin në qeverisje
hajdutë të sprovuar. Ata i gjejnë hajdutët edhe në errësirë, sepse duan të
shfrytëzojnë përvojën e tyre për të mbushur thasët për vete. Kontributi i
hajdutëve bën që pasuria të shkojë në pak duar dhe varfëria të zgjerohet pa
fund. Shkurt, autokratët e shndërruar në kleptokratë, në hajdutë të pasurisë
kombëtare, janë përbindëshit e vërtetë të një shoqërie të sunduar prej tyre.
6. Në autokraci propaganda
dhe realiteti janë shumë, shumë larg njëri-tjetrit. Dhe ajo jeton derisa
qytetarët të kuptojnë se çdo gjë në këtë lloj regjimi është propagandë,
gënjeshtër e mashtrim. Propaganda, nëse besohet, e bën autokracinë një
diktaturë të frikshme.
7. Autokratët nuk rrojnë
dot pa "armiq të jashtëm"! Në këtë kuptim ata janë diktatorë që
manipulojnë popujt e tyre me "rrezikun" e jashtëm. Madje flasin
vazhdimisht për këtë lloj rreziku. Ndonjëherë, siç ka ndodh me Vuçiq dhe Ramën,
ata bëjnë presion një pale gjeopolitike me bashkëpunimin me një palë tjetër
gjeopolitike.