| E diele, 08.05.2022, 07:55 PM |
NË 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE – KUJTOJ AMBASADORIN E SHQIPËRISË NË WASHINGTON, TË NDJERIN LUBLIN DILJA
Nga
Frank Shkreli
Kur
kam shkruar për marrëdhëniet amerikano -shqiptare, gjatë 15 viteve të fundit,
kam pëmendur kryesisht, diplomatë dhe politikanë amerikanë për meritat e tyre
sa u përket marrëdhënieve të forta midis dy popujve tanë. Por, ka edhe diplomatë shqiptarë që kanë
kontribuar dhe kontribojnë për forcimin e këtyre lidhjeve miqësore. Një prej
tyre, ka qenë ish-Ambasadori i Shqipërisë në Washington, (1993-1997) i ndjeri
Lublin Dilja.
Me
10 Tetor të vitit 2009, një sëmundje e rëndë i mori jetën para kohe në moshën 51-vjeçare
-- në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë diplomatike -- ish-ambasadorit të
Republikës së Shqipërisë në Washington, Lublin Dilja.
Ishte
një vdekje e rëndë për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin Lublinin, pasi
ndërroi jetë kur ishte në kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike
dhe shoqërore. Ishte kjo një vdekje e rëndë sidomos për familjen e
të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj,
post-komunist. Njëkohësisht, ishte një humbje e rëndë edhe për
komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja, pothuaj
menjëherë pasi filloi nga detyra në Washington – dhe si asnjë ambasador tjetër
i Shqipërisë në SHBA, ç’prej atëherë e sot -- kishte lidhur marrëdhënie të
ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi dhe me individë të
komunitetit, në veçanti.
Unë
e kam njohur Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi ka arritur në
Washington në Nëntor të vitit 1993 si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë
i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar
gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada. Ai qëndroi në këtë detyrë
deri në tetor të vitit 1997. Ishte kjo një periudhë shumë e rëndësishme por
edhe e vështirë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Më
kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit
Virxhinia, nja 10-kilometra jashtë Uashingtonit, atë natë të nëntorit 1993
kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga
Shkodra edhe ata në vizitën e tyre të parë në Shtetet e
Bashkuara. Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington,
por vizitorët nga Shkodra më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur
ambasadori i ri shqiptar, të cilin ata e njihnin, në personin e Lublin Diljes
dhe më sugjeruan që t’a ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me
njëri tjetrit. Në atë kohë, mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur
nga Shqipëria, e lere më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në
Washington. E pranova me kënaqësi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse
-- ndonëse kam qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e
marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit
1991-- ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqsues i një
qeverie post-komuniste të Shqipërisë - më dukej gjithnjë si një ëndërr që
ishte vështirë të merrej me mend, si realitet. Ishte diçka që në të
vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për aq shume vite, por që pothuaj se
kishim humbur edhe shpresën se do të ndodhte ndonjëherë rivendojsa e
marrëdhënieve midis dy vendeve tona – përball armiqësisë së regjimit komunist
të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara, për pothuaj një gjysëm shekulli.
Sidoqoftë,
Ambasador Dilja e pranoi ftesën për të ardhur atë natë tek shtëpia ime, pa
asnjë hesitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë, i ardhur nga
Shqipëria vetëm një ditë më parë. Ndejtëm deri vonë atë natë duke
biseduar për Shqipërinë dhe ëndërrat e popullit shqiptar për liri, demokraci
pas pothuaj një gjysëm shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egëra
komuniste që ka njohur bota. Natyrisht, ishte i interesuar për të
mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për
misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqyttein amerikan. Ambasadori
Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me
të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo
vetëm në fushën diplomatike por dhe në fusha të tjera të që e njohën dhe e donin. Jo vetëm
gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqsues i denjë i Republikës së
Shqipërisë në Uashington, por edhe disa vite më vonë, edhe si
Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si
deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit
shqiptar. Për mua personalisht, përshtypjet e mia shumë të mira për
Ambasadorin Lublin Dilja si njeri dhe si përfaqsues i denjë diplomatik i
Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virxhinia jashtë Uashingtonit
dhe nuk kanë ndryshuar atë ditë e sot. Lublini lente përshtypjen si njeri
i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore dhe
atdhetare. Megjith sfidat shëndetsore, ai e përballoi situatën
me kurajo të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie në punën e tij
prej diplomati dhe në jetën e përditshme. Ishte shumë i urtë, me
sjellje prej zotënie, serioz në punën e tij dhe i vetdijshëm se përfaqësonte
Shqipërinë. Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në
Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet
diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, ashtu edhe në radhët e komunitetit
shqiptaro-amerikan. Ai ishte pjesë e pandarë e komunitetit tonë, ndërkohë që
nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, megjith sëmundjen e rëndë që e kishte
lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, sidomos gjatë kohës që ka
shërbyer në Misionin e Përherëshëm të Shqipërisë pranë OKB-së në Nju Jork. Ish-Ambasadori i Shqipërisë pranë OKB-së,
Adrian Neritani ka thenë për Zërin e Amerikës, me rastin e kalimit në amshim të
ambasadorit Dilja, se cilësitë e veçanta njerëzore dhe profesionale të Amb.
Dilja janë shprehur edhe në detyrën e tij në OKB, në Nju Jork, duke shtuar se,
“Ambasadori Dilja ka qenë një figurë publike, jo thjesht zyrtare, një figurë e
respektuar nga komuniteti shqiptar i Amerikës dhe nga kolegët e tij diplomatë,
brenda dhe jashtë misionit të OKB-së”.
Autori
me Ambasadorin Lublin Dilja dhe me kolegun tim Dr. Elez Biberaj gjatë viteve të
shërbimit diplomatik të Ambasadorit në Washington, 1993-1977
Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan, gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për atë, personalisht. Megjithë vështirsitë dhe sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej çdo ditë ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja, përfshirë krizën e mallëkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe si patriot që ishte, u këthye në atdhe, megjithse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permamente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve. Me sjelljet e tija dhe bazuar në bisedat me ‘të gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë, por edhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që përfaqësonte, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte vendin e vet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë si disa diplomatë të tjerë shqiptarë të asaj kohe për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin. Por, si përfaqsues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij, të lënte përshtypjen se ai ishte, me detyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqsues i ndonjë partie ose individi të veçant.
Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, megjith sfidat serioze shëndetësore me të cilat përballej, trimërisht dhe diplomatikisht, çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – të pakën në publik, ashtu në heshtje dhe pa bujë, vuante. Dashuria e tij për Atdheun, puna e tij e palodhëshme si dhe besimi i tij i thellë në miqësinë e përhershme të Kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara dhe promovimi i marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, së bashku me komunitetin shqiptar në Amerikë -- e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta.
Në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vlerat prej diplomati dhe patrioti shqiptar të denjë, e bëjnë ambasadorin Lublin Dilja, një shëmbull të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë për brezat e ardhëshëm të diplomacisë shqiptare.
Për
këto arsye dhe të tjera -- e kujtoj këtë ish-përfaqsues të Shqipërisë në
Washington, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri - SHBA --
me respekt, si një kontribues i forcimit të këtyre marrëddhënieve -- për punën
e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i imi dhe i komunitetit
shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që
përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork.
Ambasador
Dilja, gjithmonë afër dhe në bashkpunim me komunitetin shqiptaro-amerikan, në
përpjekje të promovimit dhe të thellimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane,
ai mundësonte dhe promovonte takime me perosnalitete të politike shqiptare që
vinin në Amerikë për vizita zyrtare.
Foto
–Udhëheqsit politikë të asaj kohë, is-Kryeminsitri i Republikës së Shipërisë,
Sali Berisha dhe ish-Kryetarja e Kuvendit të Shipërisë, Jozefina Topalli me
antarët e bordit të Këshillit Kombëtar Shqiptar-Amerikan (NAAC), kur autori
shërbente si Drejtor Ekzekutiv i kësaj organizate shqiptaro-amerikane, 2005.
Ambasador
Lublin pushon në tokën e bekuar amerikane në varrezat Kew Gardens në Queens të
Nju Jorkut.
*Ribotim
i përditësuar
Edhe
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington (1993-1977), i ndjeri
Lublin Dilja ka merita për këto marrëdhënie, në këtë 100-vjetor.