| E marte, 03.05.2022, 07:43 PM |
Simbol i dijes, përkushtimit, paqes dhe dashurisë
Nga Bajram Canameti
Mësuesi dhe historiani,
Renato Totraku, ndonëse në moshë të re, i apasionuar pas letërsisë dhe
historisë, autor i dhjetra artikujve në shtypin e kohës dhe i disa studimeve
historike, vjen para lexuesit me librin kushtuar mësuesit veteran dhe
historianit të mirënjohur, Ferit Këputa.
Me një hap të guximshëm
autori na sjell shkurtimisht jetën dhe aktivitetin e pasur të këtij
enciklopedisti, të njeriut “institucion” që u bë diell e dritë në
mësuesí, kulturë e histori.
E kush nuk e njeh
Feritin, mësuesin veteran, që e nisi këtë profesion të nderuar në vitin 1952 si
kryemësues e mësues në fshatrat më të largëta të Matit, që nga Martaneshi,
Batrra e Vogël, Bazi, Laç-Bruçi dhe Uraka. Të imponohej që në prezantimin me
‘të, një burrë me trup gjigand rreth 2 m i gjatë, simpatik, elegant dhe i
ëmbël, me dritë që rrezaton mirësi e kulturë. I veshur me këpucët që i
shkëlqenin dhe kostumin që i shkonte mrekullisht, me këmishën e kollarisur dhe
kapelen republikane. Një e folur me diksion të pastër dhe mendim të thellë.
Kudo rrezaton mirësi e dashuri, kulturë, dije e tolerancë. Një burrë fisnik, me
aftësi të jashtëzakonshme në komunikimin me njerëzit. Simbol i njeriut të mirë,
shpirtbardhë e human. I dekoruar për mësimdhënie me urdhëra e medalje dhe një
rresht dekoratash e çmimesh si organizator i festivaleve dhe veprimtarive
kulturore. Një mjeshtër i madh dhe artist i vërtetë, autor i dhjetra këngëve,
pamfleteve, skeçeve dhe i shumë temave shkencore. Autor i njëmbëdhjetë librave
të vlerësuara nga kritikë, studiues, historianë dhe akademikë. Kjo figurë
emblematike, fitues i disa çmimeve letrare e kulturore, i shpallur “Qytetar
Nderi” i Matit dhe “Nderi i krahinës së Martaneshit”, është
përmbledhur në një monografi me vlera të veçanta.
Renato, me fjalor
hyjnor, me gjuhë të pastër e plot metafora, me art dhe ëmbëlsi, na fut në botën
e emocioneve. Në çdo rresht të librit gjen pasionin e talentin që të ngroh e të
ngazëllen, të frymëzon e të rrëmben për ta rilexuar. Autori, me elegancën e
fjalës e të mendimit, të josh e të flet për veprat e historianit, të cilat janë
një enciklopedi e pasur që nderon bibliotekat. Fjala e matur dhe e gdhendur, e
stolisur me kolorit, e bën librin sa historik aq dhe artistik. Ai e shkrin
fjalën e zgjedhur me fisnikërinë e vizionin, guximin dhe përkushtimin e
intelektualit të ndershëm, mësuesit të talentuar, mjeshtrit të kulturës,
luftëtarit të dijes e të lirisë, historianit të përkushtuar, monarkistit
demokrat të betuar, euriditit dhe humanistit, Ferit Këputa.
Monografia është shkruar
me dashuri e pasion dhe është pasuruar me opinionet e shumë personaliteteve dhe
akademikëve në fushat e historisë, letërsisë e të studiuesve, shkrimtarëve,
poetëve e mësuesve. Akademiku prof. dr. Beqir Meta ndër të tjera shprehet: “Dua
të përgëzoj historianin Ferit Këputa që ka ndriçuar me kujdes dhe kompetencë
historinë e Matit. Ai na sjell argumenta bindëse në lidhje me heroin tonë
kombëtar Gjergj Kastrioti”. Edhe historiani prof. dr. Pëllumb Xhufi
vlerëson profesionalizmin e studiuesit dhe historianit Ferit Këputa, duke respektuar
tezat dhe konkluzionet e tij në librin “Mati dhe Skënderbeu”.
-Me argumenta bindëse
dhe dokumenta, -shprehet prof. Xhufi, historiani Këputa na tregon se Mati i
sotëm nuk është Mati i djeshëm. Në kohë të hershme kufinjtë e tij shtriheshin
më gjërë e më gjatë. Në këtë trevë të gjërë
ishte bërthama e shtetit të Arbërit, ku janë zhvilluar ngjarje të
rëndësishme e përcaktuese për historinë kombëtare.
Prof. dr. Muharrem
Dezhgiu shprehet se veprat e Feritit janë tregues i një pune këmbëngulëse me
gjurmime e hulumtime, mbledhje të dëshmive e dokumentave duke udhëtuar kryq e
tërthor në historinë e Matit, që kanë një vlerë të madhe historike e që
dëshmojnë për hershmërinë e banimit e të kulturës së tyre. Ndërsa prof. dr.
Ferit Duka i quan studimet e historianit Këputa, vlera të çmuara në sherbim të
historisë. As. prof. Dritan Egro shprehet se historiani Këputa është një
institucion. Prof. dr. Lush Susaj në analizën e librave të Feritit shprehet: “Profesor
Feriti është një intelektual i vendosur në rrugën e ndriçimit dhe të njohjes së
historisë, është një gur i rëndë i të vërtetës historike e shoqërore të Matit,
një shembull i ndritur për sot dhe brezat e ardhshëm”.
Prof. dr. Bajram Xhafa i
cilëson librat e Feritit një pasuri të madhe, me vlera të çmuara e të pashtershme
jo vetëm për Matin, po për mbarë kombin. Princ Leka II e vlerëson z. Ferit si
një studiues dinjitoz, historian të përkushtuar, atdhetar e mbështetës të
monarkisë, i cili ka argumentuar profesionalisht origjinën e Kastriotëve dhe
historinë e lavdishme të mbretit Zogu I. Mësuesi i nderuar Ilinden Spasse
vlerëson librat e z. Këputa si shkencorë e të veshur me ngjyrime letrare, gjë
që ia shtojnë vlerat artistike. Miku i tij, Riza Buci, e vlerëson Feritin si
një njeri të ndershëm e të dashur, human e njerëzor, i pa përtueshëm dhe i
sakrificës, i ditur dhe vizionar, guximtar e bujarë, njohës i historisë dhe i
kulturës kombëtare. Ndërsa Osman Hoxha, “Mësuesi i Merituar”, e trajton
krijimtarinë e Feritit si një vlerë e veçantë për studim. Libri për arsimin na
përcjell fakte e përpjekje titanike të intelektualëve të kohës, por dhe të
njerëzve të thjeshtë për të kthyer shtëpitë e tyre në shkolla.
Gazeta “Bashkimi”
e datës 28 mars 1954 shkruan një artikull të Selim Alliut, ish-shef i Arsimit
dhe Kulturës të Qarkut Dibër për zhdukjen e analfabetizmit, në të cilin përmend
kryemësuesin Ferit Këputa si një kontributor të vlerësueshëm në Batërr të
Matit. Artisti dhe studiuesi Esat Ruka, “Mjeshtri i Madh”, e vlerëson
Feritin si organizator me mendje të kthjellët krijuese, një mësues dhe edukator
i talentuar, një studiues i zellshëm i historisë, arsimit dhe kulturës, një
komunikues i veçantë me nxënësit, prindërit dhe kolegët.
Për krijimtarinë e gjërë
në fushën e arsimit e të kulturës, të shëndetsisë e historisë, kanë dhënë
vlerësimet e tyre për veprat e Feritit shumë personalitete të rëndësishme, si
ish-ambasadori Abdi Baleta, prof. dr. Edmond Malaj, dr. Ardian Muhaj,
historiani dhe ushtaraku i lartë Ramiz Fiçorri; kritiku i letrave shqipe, Behar
Gjoka; historiani dhe studiuesi Sefer Duka, prof. Nezir Bata, “Mjeshtri i
Madh” Ymer Nelaj, studiues, poetë e shkrimtarë: Avni Leka, Isuf Neli, Basir
Bushkashi, Hamdi Hysuka, Haqif Heta, Faik Xhani, Ndue Deda, Fatmir Gjestila,
Luftar Pepmarku, Qemal Cenaj, Artan Kurti, Mehmet Rami, Haziz Porja, Eduard
Brahilika, Haxhi Neziri e të tjerë. Në kujtimet e tyre Feriti cilësohet një
historian e mësues energjik, shembull për t’u ndjekur. Ai paraqiti në librat e
tij shumë figura të ndritura të Matit, që diktatura i pati errësuar e baltosur.
Ky studiues i devotshëm i historisë i nxorri në dritë dhe i ngriti në
piedestalin që u takonte, duke nxjerrë të vërtetën historike.
Autori i librit, Renato
Totraku, me finesë, mençuri, e zgjuarësi ia dhuroi lexuesit këtë monografi të
vlefshme. Ai gdhendi portretin me përkushtim. I urojmë Renatos që në vazhdimësi
të hulumtojë e të ndriçojë shumë figura të tjera, se Mati është djepi i
korifejve të kombit shqiptar, është toka e Kastriotëve që meriton të ndriçohet.