| E hene, 02.05.2022, 07:58 PM |
MALËSORI, AS MITIK, AS MALOK
NGA
NDUE DEDAJ
Nuk është aspak për t’u habitur që malësori jo
gjithëhere është kuptuar në thelbin e vet. “Lahuta e Malësisë” nuk është
ndaluar vetëm se autori i saj ishte një poet “reaksionar”, por dhe se sillte
për herë të parë në letërsinë shqipe, në ato përmasa, “kultin” e malësorit,
përmes një vargu portretesh fishtiane gdhendur në relieve shkrepash dhe malesh,
si Oso Kuka, Marash Uci, Pater Gjoni, Tringa etj., të papranueshëm për
internacionalen socialiste që predikonte një botë të re. Naimi shkroi himnin e
përjetshëm të kësaj toke, që nis me vargun proverbial “O malet e Shqipërisë e
ju o lisat e gjatë…” Dhe Koliqi do ta barte kultin e maleve dhe të malësorit në
prozat e tij, pa folur për shkrimet e autorëve të huaj si Durham etj. Nuk ka
reshtuar as më vonë qasja letrare ndaj arketipit të malësorit apo dukurive
malësore si kanuni, në romanin “Prilli i thyer” të Kadaresë etj. Jusuf Buxhovi,
në romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, përmes plakut Mic Shpendi,
shpalos palcën e jetës shqiptare te mesjetës së vonë dhe profilin autentik të
malësorit, i cili i përcillte si një testament vlerat themelore të etnosit
shqiptar nga ati te biri: “Im atë, gjithnjë më thoshte, malësorët kanë dy palë
mend: nji palë për jashtë e nji palë për mbrenda. Kur vinë në sheher (qytet), sillen
si sheherjanë, ndërsa në malësi si malësor… Nuk janë mashtrimtarë, por as nuk
mashtrohen…” Se në ç’lartësi mund të ngjitet një malësor që prek qytetërimin
europian, mjafton të kujtosh Gjon Gazullin, Pal Engjëllin apo Pjetër Bogdanin.
Se çfarë mund të bëjë një malësor për flamurin, kombin dhe atdheun e dëshmon
Dedë Gjo Luli që e shpalli Pavarësinë nga maja e Bratilës në Deçiç që në prill
të vitit 1911. Në kohë moderne është po një malësor në origjinë, Anton Çeta, që
më 1990 mbledh në vendin e quajtur Verrrat e Llukës në Deçan të Pejës 500 mijë
kosovarë për pajtimin e gjaqeve. Malet kanë qenë jo vetëm logu i burrave, por
dhe i “Zhan D’Arkave” shqiptare, si Nora e Hotit, Shotë Galica etj., krahas
granisë që vuajti shtypjen patriarkale, mishëruar në personazhe femërore të
dlira si Lula e Fabian Barkatës, Dija e Haki Stërmillit, Hajria e Nazmi
Rahmanit etj. Kemi dy anë të medaljes sa i përket femrës malësore, ndrydhjen
dhe lartësimin. Mis Bjeshka, që organizohet vit për vit në Kelmend, nuk është
një dukuri e re, por traditë e hershme që flet shumë për pozitën nderuese të
femrës në malësi. Malësorët ngjanin me kreshnikët, por nuk ishin të atillë,
kështu që nuk ka vend për mitizim të tyre. Ata ishin si gjithë të tjerët, bujq,
barinj, druvarë, por ajo që i dallon është se ishin edhe prijës, kuvendarë,
pleqnarë në bashkësinë ku rronin, nga shtëpia e vet, katundi e deri te krahina,
çka i bënte fisnikë të aristokracisë së maleve. Në këtë kuptim termi malësor
ishte status social.
Shqiptari autentik i
maleve
Malet
u kanë dhënë emrin e tyre trevave të tëra, si Malësia e Gjakovës, Malësia e
Madhe, ashtu siç kemi male të pagëzuara me emra figurash historike: Mali i
Skënderbeut, Mali i Çajupit etj. Kurse “Nëntë Malet e Dibrës” nuk shënojnë
vetëm gjeografinë por dhe përkatësinë etnografike dibrane. Një autor austriak,
jo aq i përkthyer tek ne, Walter Peinsipp, që i ka njohur nga afër shqiptarët
këtu dhe në Kosovë dhe librin e tij kushtuar të drejtës tonë zakonore e quan
“Populli i shqipeve të malit” (Një kontribut në “arkeologjinë” e Drejtësisë dhe
antropologjinë sociologjike të Ballkanit), duke bërë fjalë për malësitë
shqiptare, shkruan se ato “janë zemra e një popullsie dhe ruajtëse të një
etnie”. (Peinsipp, 2005, 25.) Malësori është banori tipologjik i trevave
malore, bile dhe i fushës, pasi fushat shpesh janë populluar nga malësorët që
bashkë me ngulimet e reja i kanë mbartur për aty dhe zakonet e veta. Ata kanë
ditur të bëhen në çdo kohë pjesë e qytetërimit dhe e qyteteve. Mjafton të
vështrosh mbiemrat familjarë të qytetit të Shkodrës, ku llagapë si Hoti,
Shllaku, Shkreli, Temali, Kastrati, Kraja, Xhuxha, Paluca etj. flasin për
familje fisnike që kishin zbritur nga malesitë. Malësori nuk kishte shkollë,
por kishte krijuar “shkollën” e odës e kuvendimit. Tjetër është mungesa e
shkollimit dhe tjetër të jeshë i paqytetëruar. Se ishin idhëtarë të diturisë
hapën shkolla në male në shekullin XVII në kulmin e agresionit otoman.
Malësorët e Mirditës, Dukagjinit, Dibrës, Lumës, Elbasanit, Laberisë etj.
krijuan kode vetëqeverisëse, ashtu si qytetet Shkodra e Drishti statutet e
tyre. Qytetet e kanë bërë jetën në marrëdhënie me fshatrat dhe nuk ka pasur
kurrë dasi qytet - fshat, jo vetëm se disa qytete të moçme kanë qenë ngritur në
male, si Dalmacja, Voskopoja, Kruja etj., por dhe se qendra si Sapa, Rubiku,
Pulti, Lisi (Mat), Oroshi ishin seli dioqezane/ ipeshkëvore apo abaciale, teksa
Ndërfanda do të ishte për do kohë dhe seli e Shtetit të Arbërit. Dëshmi të
qytetërimit të maleve janë qytezat e shuara ilire e mesjetare, manastiret, kalatë,
fortifikatat, kullat e gurta, rrugët e karvaneve, urat e gurta, ujësjellësit
antikë, minierat e bakrit, panairet (pazaret) etj. Mali dhe fusha ishin si dy
gjymtyrë të të njëjtit trup. Heroi Kombëtar i përdori malet si prapavijë të
ushtrisë së tij skanderbegiane, ku njërën këmbë e kishte poshtë në Albulenë dhe
tjerën në kreshtat e Kurbinit. Nuk duam ta teprojmë, por ka anë ku qyteti mund
të marrë mesime prej fshatit.
Krenaria shqiptare si
virtyt
Malësori
kurrë nuk fliste për vete, flisnin të tjerët për të. At Konrad Gjolaj (Tom
Marku), në librin e tij “Çinarët” (1996) shkruan: “A kam të drejtë me u krenue
se jam malësor?” dhe e le që përgjigjën ta japë lexuesi pasi të ketë mbaruar së
lexuari librin, por paraprakisht tërheq vëmendjen: “Ata që i kanë vizitue e pa
me sytë e tyne Bjeshkët e Namuna, nuk don me thanë se i njofin banorët e atyne
viseve”. Ky është problemi. Duhen njohur malësorët për t’i dashur ata dhe jo
paragjykuar. Frati, ndër të tjera, argumenton: “Shpesh harrojmë se edhe fort
janë la me gjak ato maja, krepa e shpate, ato stane e shpella, ato troje e
ledhe, për idealin me të cilin ka lind e ka vdekë me te në gji malsori ynë”.
Për më tepër, është e trishtueshme që shteti shqiptar atdhetarët e vet i mbyti
për së gjalli në shpellat e bjeshkëve, Bajram Currin më 1925 qeveria e Zogut,
Dom Nikollë Gazullin më 1946 qeveria komuniste, vetëm se këta malësorë të
iluminuar kishin idealin e përjetshëm të lirisë. Malësorët, siç shkruan Marin
Bici më 1610, ishin mësuar të qëndronin në liri, të vetëqeverisur, në malet e
veta përkundrejt sulmeve sllave, turke etj. Kjo është një krenari e ligjshme e
gjithë shqiptarëve, edhe e krasniqasve, edhe e mirditorëve, edhe e vlonjatëve,
edhe e skraparlinjve, edhe e suliotëve etj. Askush nuk i ka vënë në dyshim
tiparet themelore të karakterit dhe ekzistencës së malësorit, si trimëria,
nderi dhe besa, një trini vlerash e mjaftushme për të ndërtuar një shtet, jo më
një individ apo një familje. Jemi kundër glorifikimit të figurës së malësorit,
mitizimit, ashtu si dhe ndaj linçimit të tij si “malok”, çka shpreh mendësinë e
një dore njerëzish që nuk e njohin botën e maleve në larminë dhe diversitetin e
vet kulturor, pa ndodh që e përçmojnë atë. Kjo është e papranueshme dhe në
rrugë, le pastaj në zyrat e shtetit. Malësorët nuk kanë nevojë për apologji në
këtë rast, pasi ata e kanë mbartur mbiemrin Maloku dhe kur kanë shkuar me banim
në Prishtinë e Tiranë. Në një studim gjuhësor për Gjakovën thuhet se “mbiemri
Maloku është shumë i vjetër dhe familjet që mbajnë këtë mbiemër kanë prejardhje
nga zonat e rrethit të Shkodrës dhe Ulqin-Tivarit. Fiset shqiptare të cilët
shtriheshin në këto zona e quanin veten “malok”, gjë që na bën të kuptojmë se
nuk ishte aspak emërtim ofendues”. Përndryshe, studiuesi i njohur i letërsisë
Krist Maloki, profesor në Graz të Austrisë, do ta kishte ndryshuar së paku
mbiemrin e tij. Migjeni mbetet poeti emblematik i maleve tona, me “Recital i
malësorit” etj. Ai “mali që s’bëzan” (shteti) është shkaktari herët e vonë i
varfërisë dhe mos-zhvillimit të malësive. Është mbase i vetmi rast që mali
përdoret si një metaforë me konotacion negativ, duke nënkuptuar me të qeverinë.
Martin Camaj është poeti i “përpajnimit” të bjeshkës, njerëzve, breshkës e
gjarpërit në modernitetin poetik. Pa malin dhe tërmalen e teposhten e tij nuk
do të kishim as “Mitin e Sizifit” si filozofi, që mund të jetë ngjizur në
vetëdijen e Kamysë bash prej mundimeve të malësorëve të kësaj bote, që ndryshe
nga ne që i kemi lëshuar malet gjatë këtij tranzicioni, ata i kanë prirë
qytetërimit drejt maleve. Thoshte një ditë një bujkeshë në një ekran, nuk mund
të ketë qytet modern pa fshat të zhvilluar dhe se Europa nuk na pranon pa i
“punuar” dhe malet. Mali është vërtet rezervat të mirash materiale për qytetin,
ama kur dhe ky i fundit i jep atij.
Malësorët, jo mikpritës
të komunizmit
Ka
ardhur koha që t’iu iket disa “tabuve” politike, kinse Lufta Nacionalçlirimtare
ngadhnjeu kudo, ku do të mjaftonte vetëm masakra e Buzëmadhes (Kukës) për të
thënë jo. Në vitin 1944 partizanët në malësitë e Veriut u mirëpritën si
antifashistë e çlirimtarë, por jo si sjellës të komunizmit dhe kjo i bëri të
padëshirueshëm për regjimin që erdhi, që u shpalli luftë me farë e me fis
shtëpive të para, Kapidanit, bajraktarëve etj. Shumë figura atdhetare që kishin
luajtur rol në shpalljen e Pavarësisë dhe mbrojtjen e trojeve nga fqinjët u
ekzekutuan apo dënuan me burgime të
gjata, si qytetari elbasanas Lef Nosi, si malësori kelmendas Prek Cali, si
frati i njohur Anton Harapi, ngaqë ata nuk ishin me regjimin e ri. Kjo i
keqësoi marrëdhëniet e qeverisë së Tiranës me malësorët. Mësuesit, mjekët,
inxhinierët, agronomët dhe specialistë të tjerë që erdhën me shumicë nga viset
jugore në ato veriore, u pritën si s’ka më mirë dhe kjo tregon mikpritjen e
malësorëve, e cila qe refuzuar vetëm për ideologjinë komuniste dhe përhapësit e
saj, natyrisht dhe nën ndikimin e klerit katolik që kishte propaganduar në
popull mbi të këqiat e bolshevizmit. Malësorët nuk qenë dakord as me hyrjen në
kooperativë. Ka individë që qenë vetëflijuar për këtë, pasi e dinin se po
humbisnin pronën. Kjo kundërshti ka prodhuar kulakë dhe në malësi e jo vetëm në
fusha. Po ashtu ata nuk ishin dakord me heqjen e institucioneve fetare, ndaj
partia u hakmor ndaj tyre duke i quajtur traditat e vjetra “zakone prapanike
dhe mbeturina fetare”?! Doemos, kishte plot gjera që duheshin ndryshuar në
jetesën malësore, por kjo nuk mund të bëhej me revolucion ideologjik “me prerje
kokash” të atyre që vazhdonin me qenë konservatorë, pa dashur të shndërroheshin
në “njeriun e ri”. Prapambetja në jetën e malësive kishte të bënte me mungesën
e infrastrukturës, ndalimin e pronës private dhe mospërfitimin ekonomik të
fshatarit nga pasuritë e tij natyrore, të cilat dhe sot e kësaj dite i bën lesh
e li shteti me myshtërinjtë e tij. Dihet që në male nuk kishte opera, teatër,
kinema, biblioteka. Me shfaqje folklorike njëherë në katër vjet dhe me ca radio
“Iliria” që iu dhuroheshin barinjve të dalluar në Malin e Thatë apo në Malin e
Hekurave nuk mund të kishte progres të vërtetë kulturor. Kurse sot, falë teknologjisë
digjitale nuk ka më dallim mes qytetit dhe fashtit, pasi ekrani i madh
(televizioni) apo i vogël (ajfoni) ka shkuar dhe në stanin më të largët,
ndonëse kultura masive e televizioneve në fundjavë e ka eklipsuar jo pak
teatrin dhe artin e mirëfilltë. Mbyllja për gjysmë shekulli e malësorëve në
rrethinën e tyre malore, pa i lejuar të lëviznin drejt qyteteve i dha “frytet”
e veta shkatërruese, mbinë ferrat në çdo derë. “Keqkuptimi” me malet ka qenë
dhe i vetë malësorëve, me kullat, trojet, bashtinat, që i braktisën masivisht
në tre dekadat e fundit. Por duhet thënë se ka filluar të ketë një shikim
tjetër të malësive, përherë e më shumë po vemi drejt maleve për investime në
turizëm, hiking etj., ku mikpritja e malësorëve nuk është bjerrë. “Mali dhe deti”
është sot formula e turizmit në Lezhë, Vlorë etj.
Malësori
e lëshoi malin e vet për qytetin, se shkrepat i kishin mundësuar vetëm
mbijetesën, sot ka njëfarë hutese të tij me u kthye prap atje (sigurisht jo më
me pendën e qeve), kurse nesër prania e njeriut në male do të jetë luks, po që,
sipas gjasëve, ato do t’i kenë fituar pasanikët e do t’i kenë humbur të zotët!
Sot nuk mund ta prekësh “metrin katror” të banesave as në Kashar, nesër për
qytetarin e thjeshtë ai do të jetë i pamundur në Theth e Lurë, Sotirë e
Progonat...