| E diele, 01.05.2022, 07:48 PM |
Pajtimi të Verrat e Llukës, ngjarja më kulmore kombëtare!
Shkruan:
Florim Zeqa
Në
32 vjetorin e ngjarjes më kulmore kombëtare të shekullit të kaluar, lexuesve po
u sjelli një rrëfim të shkurtër që sjellë emocion tek të gjithë ish
pjesëmarrësit në tubimin të Verrat e Llukës, e në veçanti tek ata që ishin protagonist
të pajtimit të gjaqeve.
Rrugëtimi nga Bokshiqi
deri tek fusha e pajtimit
Ditën
e 1 Majit të vitit 1990, në orën 8 të mëngjesit, unë me mikun Hajdar Ahmeti nga
Jabllanica e Dushkajes, bashkëshorten time Sebihanen dhe motren Florijen u
nisem me makinë nga Bokshiqi për tek Verrat e Llukës, duke kaluar nëpër
fshatrat e Lugut të Baranit; Gllogjan, Kosuriq, Çallapek, Baran, Kotradiq,
Broliq, Lumbardh dhe në Llukë, ku të njëjtës rrugë edhe jemi kthyer pas
përfundimit të tubimit.
Gjatë
rrugës për të Verrat e Llukës hasëm në kolona të gjata të makinave, minibusëve,
traktorëve dhe mjeteve tjera motorike të stërmbushura me krushq të pajtimit.
Me
të arritur në fushën e madhe të Verrat e Llukës, u pozicionuam afër shtyllës
elektrike në distancë diku rreth 50 metra përballë binës ku do të ndodhte
mrekullia më e madhe shqiptare e shekullit.
Tubimi
“Te Verrat e Llukes”, konsiderohet si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha
kohërave, ku rreth 500 mijë shqiptarë u bashkuan në fushën e pajtimit. Vlenë të
përmendet se kjo ishte një nga periudhat më të lavdishme, kur vetëdija
kombëtare kishte arritur në nivelin më të lartë të mundshëm.
Këtij
tubimi dhe zhvillimeve tjera të kohës u kishte praprirë formimi i lëvizjes
paqësore demokratike të quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Ibrahim
Rugovën, si përgjigje ndaj pushtimit klasik të Millosheviqit.
Në
kohën e pajtimit të gjaqeve nuk luftohej për bajraktarizëm apo marrje të
primatit për punët e mira për kombin, por punohej për të mirën e përbashkët.
Një nismë e mbarë që
solli pajtimin kombëtar
Në
nismën e shëndoshë të pajtimit kombëtar nuk kishte të bardhë as të kuq, nuk
kishte të mëdhenjë e të vegjël, nuk kishte bajraktar e agallarë,...por kishte
motra e vëllëzër të barabart dhe me entuziazëm të pastër patriotik, profesor e
stundent, aktivist e veprimtarë, priftrinjë e hoxhallarë, qytetar dhe katundar
të pajisur me urti e guxim, atdhedashuri e pajtim për ta ç'rrënjosë plagën e
rëndë të hakmarrjes në krye me rininë, Prof. Anton Çetën dhe "Luanin"
e pajtimit të gjaqeve, të madhin Zekeria Cana.
Në
tubimin e madh të Pajtimit të Gjaqeve të “Verrat e Llukës” me 1 Maj 1990, e
pata rastin ta shohë nga afër guximin dhe heroizmin e Zekeria Canës, të këtij
atdhetari të madh, kur e vendosi trupin e tij para Autoblindit e policisë
serbe, duke kërkuar nga policët serb që mos ta pengojnë tubimin, gjegjësisht,
të mos provokojnë dhunë dhe gjakderdhje shqiptare, duke e marrë përsipër përgjegjësinë
e këtij organizimi.
Ndjenja më e pastër dhe
më e thellë shpirtërore e pa përshkruar me fjalë
Për
të përshkruar e gjithë çfarë ka ndodhur atë ditë të Verrat e Llukës, duhen
shkruar artikuj të gjatë, libra e romane nga përjetimet e qindramijëra
pjesëmarrësve të këtij tubimi madhështorë
Ishte
e pamundur të ndaleshin lotët kur gjaqet faleshin njëri pas tjetrit, kur motrat
falnin gjakun e të vetmit vëlla, kur faleshin dy, tri e katër gjaqe mes dy
familjeve të hasmuara.
Ishte
kjo një ndjenja më e pastër dhe më e thellë shpirtërore e pa përshkruar me
fjalë. Përjetimet dhe ndjenjat shpirtërore të qindramijëra njerëzve në tubimin
e Verrave të Llukës më së miri i vërejmë në video-inçizimet e kohës.
Madhështinë
e tubimit të Verrat e Llukës e shtoi edhe unifikimi i faktorit politik
kombëtar. Në momentet kur permendej emri i Ibrahim Rugoves, gjysëm milioni
njerëz brohoritnin me të madhe "Rugova, Rugova"...
Pa
asnjë dyshim, tubimi te Verrat e Llukes, mbetet tubimi më madhështorë dhe
ngjarja më kulmore e lëvizjes për pajtim dhe çlirim kombëtar.
Ndjehem
krenar dhe me fat që isha në mesin e 500 mijë krushqëve të pajtimit.
Mirënjohje
për rininë kosovare, Anton Çeta, Zekeria Cana dhe gjithë atyre që kontribuan
për unifikim dhe pajtim kombëtar!
Lavdi
dhe nderim i përhershëm të gjitha atyre familjeve që i falen gjaqet për lirinë
e Kosovës!
Florim
Zeqa, 1 Maj 2022