| E diele, 01.05.2022, 07:54 PM |
31 MAJI – DITA NDËRKOMBËTARE PA DUHAN
1
Nga
Lutfi ALIA
Tymosja e duhanit (tabagismi) mbetet një ndër
problemet shqet?suese të
shoq?ris? dhe të shëndetësisë në nivel botëror, është një ndër faktorët madhor të
dëmtimit të shëndetit të popullatës, e shprehur me rrezikshmëri të lartë për
zhvillimin e neoplazive (tumoreve), të sëmundjeve të zemrës dhe të aparatit të
frymëmarrjes.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tymi i
duhanit është shkaku i dytë i vdekjeve në botë, por dhe shkaktari që mund të
shmanget. Në vitin 2021 në botë humbën jetën 8 miljon duhanxhinjë nga sëmundjet
e shkaktuara nga tymi i duhanit. Nga studimet epidemiologjike rezulton se në
vitet 2025 – 2030 nga tymi i duhanit, në botë do të vdesin çdo vit nga 12
miljon duhanxhinjë (32 800 raste në ditë).
Europa mbanë një primat të padëshirueshëm, ka
konsumin e duhanit më të lartë për banorë, të përfaqësuar me 260 miljon
duhanxhinjë, nga të ciët 1, 8 miljon vdesin çdo vit nga dëmtimet që shkakton
tymi i duhanit. Në Itali janë 13 miljon duhanxhinjë, pothuajse 25 % e
popullatës me mosha mbi 14 vjeç, nga të cilët 40 % janë duhanxhinjë “të fortë”
që tymosin mbi 20 cigare në ditë. Në Itali çdo vit vdesin 90 000 persona nga
sëmundjet e shkaktuara nga tymosja e duhanit. Krahas tyre janë dhe 12 miljon
persona të ekspozuar nga tymi pasiv, ndër të cilët 4 miljon fëmijë. Nga
përmasat e përhapjes të duhanit në botë, rreth 300 miljon adoleshenta fillojnë
para kohe të tymosin duhanin, nga të cilët 30 % në vendet në zhvillim.
Dëmtimet e shëndetit nga tymi i duhanit njihen prej shumë kohësh, askush nuk i ve në dyshim, sepse janë vertetuar shkencërisht, me përjashtim të kultivuesve, të industrisë të duhanit dhe të duhanxhijëve të pakorigjue-shëm, që i nënvlehtësojnë dhe i shpërfillin rreziqet nga tymosja e duhanit. Gjethet e thara të duhanit të grira, duke u djegur pa flakë në cigaret, në purot (sigare), në llullë, në pipë dhe me nargjile, çlirojnë tym me aerosole që lëndojnë shëndetin, me përmbajtje 4700 substancash gazoze dhe korpuskulare, me efekte toksike, irituese, alergene, inflamatore, me efekte droge, ndërsa 75 prej tyre kanë veprim kancerogen.
Tymosja e duhanit krijon dipendencë fizike dhe
psikofarmakologjike nga nikotina, një drogë e lehtë me të gjitha efektet
eksituese dhe hypnotike (krijon alteracione fizike dhe psikike, svenitje dhe
trullosje mendor), që shkaktojnë ndryshime të përkohëshme psikofiziologjike dhe
në sjelljen e duhanxhinjëve. Është vertetuar se nikotina ka fuqi më të madhe
dipendence se sa drogat e mëdha si heroina, kokaina dhe alkooli. Duhani është
drogë e lehtë, fatkeqësisht e lejuar nga të gjitha qeveritë e botës.
Prodhuesit e duhanit kanë nxitur krijimin e një
industrie të fuqishme përpunimi dhe tregëtimi të duhanit me fitime kolosale,
andaj e propogandojnë si një sjellje shoqërore normale dhe pse e lidhur me
rreziqe të mëdha për shendetin dhe jetën e përdoruesve. Në Itali, fitimi nga
tregëtia e duhanit arrinë 14 miliard euro në një vit.
Tymosja e duhanit është zgjedhje individuale dhe e lirë e njerëzve, të tymosin, ose të mos tymosin duhanin, por kuptohet se janë të “bindur” në mënyrë të pandërgjegjëshme për këtë vendim të gabuar dhe kur fillohet tymosja, vazhdon gjatë për efektin e dipendencës që krijon nikotina. Tymosja e duhanit është jo vetëm veprim individual, por dhe sjellje shoqërore problematike, që ka implikuar shkencat mjekësore, që studjojnë pasojat mbi shëndetin, sëmundshmërinë, invaliditetin, vdekshmërinë, kostot mjekësore dhe shoqërore, ashtu si shpreh dhe aspektet politike, tregëtare, ekonomiko-financiare, kulturale dhe historike.
Tymi i duhanit shkakton shumë sëmundje
invalidizuese, madje dhe vdekjeprurëse, pra nga duhani njeriu mund te vdesi,
por çdokush mund të zgjedhi një jetë të shëndetëshme dhe të mos tymosi, ndërsa
duhanxhinjtë mund të marrin një vendim të mençur, të ndërpesin sa më herët
tymosjen e duhanit. Cigarja është instrument vdekje, andaj lufta kundër
tymosjes të duhanit mbetet aktuale, e domozdoshme, intensive dhe afatgjatë.
Vështrim i shkurtër
historik i origjinës dhe i rrugëve të përhapjes të duhanit nëpër botë.
Tymosja e duhanit prej 530 vitesh është shndërruar
në fenomen global, nuk ka kursyer asnjë shtetet, madje 35 % e popullatës
botërore në moshat mbi 14 vjeç tymos duhanin, nga të cilët 80 % janë meshkuj
dhe 20 % femra, por në dy dekadat e fundit është shtuar përdorimi i duhanit nga
femrat dhe është paksuar nga meshkujt.
Historia e duhani lidhet me zbulimin e Amerikës.
Pasi zbarkoi në Guanahana të ishujve Bahama më 12 tetor 1492, Kristofor Kolombi
tregon: “Takova burra dhe gra, që mbanin në duar një shuk me gjethe, që digjej
duke çliruar një tym me erë të pëlqyeshme. Këto gjethe të thata të mbështjella
rrotull, ishin ndezur në njërin skaj dhe në tjetrin thithnin tymin. Këto ishin
gjethet e thata të bimës cojiba (kohiva), të cilët banorët e quanin tabako, nga
emri i ishullit Tobago të Antileve ku rritej spontanisht bima e duhanit”.
Europiani i parë
që tymosi duhanin në vitin 1492 ishte Rodrigo de Jerez, pjestar i ekipit të
Kolombit, të cilin dhe e burgosën për këtë veprim. Është interesant fakti, se
duhani në Europë u përhap nga klerikët misionar. Kur u kthye nga Amerika, pas
udhëtimit të dytë me Kolombin, murgu Ramon Pane e përshkruan përdorimin e
duhanit nga banorët e Haitit, të cilët bimën e quanin “cojiba – kohiva” dhe
sipas tij, tymin e duhanit të thithur me pipë të bëra me argjilë, apo me dru, e
përdornin për të larguar mushkonjat, madje dhe i përtypnin gjethet e duhanit
për mjekimin e disa sëmundjeve.
Duhani arrijti në Europë në gjysmën e parë e shekullit
XVI. Në vititn 1518, murgu Ramon Pane pruri në Spanjë farat e bimës të duhanit,
që shënoi fillimin e kultivimit të kësaj bime në Europë. Në vitin 1519 kapiteni
Fernando Kortes mori në Meksikë, farat e duhanit dhe ia dërgoi Karlit V,
mbretit të Spanjës, por kjo bimë e re ende nuk tërhoqi vemendjen e publikut, në
ndryshim nga domatja, nga perimet e tjera dhe nga misri, të ardhur nga
kontinenti i ri, të cilat filluan të kultivoheshin gjërësisht. Në vitin 1519,
Gonzalo Hernandez de Oviedo y Valdes guvernatori spanjoll i Santa Domingo, kur
u kthye në Madrid, kishte sjellë gjethet e thata dhe farat e bimës të duhanit
dhe nxiti kultivimin e kësaj bime. Valdes tregon: “Krahas shumë sjelljeve dhe
riteve djabolike që aplikonin indigjenët, tymosnin dhe gjethet e bimës tabako,
që shkaktonte një gjendje të thellë inkoshience”.
Në vitin 1555, frati Jean André Thévet kur u
kthye nga Brazili në Francë, farat e kësaj bime çudibërëse i mbolli në kopshtin
e kishës dhe nën kujdesin e tij e kultivoi duhanin në provincën Angouléme.
Në vitin 1558, në Portugali, kultivuesit e bimës, gjethet
e thata të mbështjella i quajtën cigarro dhe nga ky emër u krijuan
emërtimet sigaro – sigare – puro, në frengjisht cigare, në italisht sigaro e më
pas kur u mbështo-llën me letër të hollë u quajtën sigaretta (sigare të vogla),
ashtu si dhe në shqip u quajtën cigare.
Në vitin 1560,
farat e bimës së duhanit i solli në Spanjë mjeku natyralist Françisko Hernandes
de Toledo, të cilin mbreti Filipi II e kishte dërguar në ishujt Karaibe, për të
vëzhguar natyrën dhe qytetërimin në ato vende.
Në vitin 1560,
Jean Nicot, duka i Villemain, ambasadori i Francës në oborrin mbretëror të
Portugalisë, mori farat e bimës së duhanit nga flamingu Damian de Goes, që ai i
kishte sjellë nga Florida dhe i mbolli në kopshtin e rezidencës së tij. Jean
Nicot i eksperimentoi cilësitë e kësaj bime të re, madje e përdori për kurimin
e disa personave, duke u bërë i famshëm në Lisbonë me përdorimin e duhanit si
medikament. Jean Nicot, bazuar në rezultatet, gjethet e thata të duhanit i
dërgoi në oborrin mbretëror të Francës, ku mjekët i përdorën për trajtimin e
mbretëreshës Katerina De Mediçi e cila vuante nga migrena (hemikrania). Pasi
thithi tymin e çliruar nga djegia e gjetheve të thata të duhanit, mbretëresha
Katerina De Mediçi humbi ndjenjat, por kur e rimori vehten, pati përmirësime, i
ishte pakësuar shumë dhimbja e kokës, që ia provokonte migrena dhe për këtë
efekt, kjo bimë u quajt dhe Herba Reginae (bima e mbretëreshës), si dhe Herba
Kateriniana.
Në nderim të Jean
Nicot, që kultivoi bimën e duhanit në Francë, duka Françesku I i Guisa,
propozoi që kjo bimë të quhej “Nikotiana”, propozim që u miratua nga botanisti
Jacques Daléchamps, ndërsa emrin shkencor Nicotiana tabacum
ia dha Karl Linneo, i cili e klasifikoi këtë bimë të re në familjen e
Solanacee, grup bimësh me përmbajtje të lartë alkaloidesh.
Në vitin 1561,
kardinali Prospero di Santa Kroçe, Nunci Apostolik në oborrin e mbretit të
Portugalisë, mori në Lisbonë farat e bimës të duhanit dhe me aprovimin e Papës
iu a dha murgjërve ta koltivonin në kopshtet e Vatikanit dhe të manastireve të
Romës, madje ky varietet u quajt Nicotiana rustica. Nga disa burime jo
të plota të kësaj epoke, thuhet se në vitin 1574, Ipeshkëvi Nikolò Tornabuoni,
Nunci Apostolik dhe ambasadori i Vatikanit në oborrin mbretëror të Francës,
farat e Nicotiana tabacum ia dërgoi të vëllait Alfonso Tornabuoni (Ipeshkëv i
Sansepolkro), i cili i mbolli në kopshtet e kishave dhe prodhimin e parë ia
dërgoi dhuratë Grandukës të Toskanës Kozimo I dei Mediçi, i cili e aprovoi dhe
e nxiti kultivimin e duhanit në tokat e Toskanës. Në vitin 1574 kultivimi dhe
tregëtimi i duhanit mori zhvillim në Republikën e Kospaia (Umbria), ku ekonomia
e këtij shteti të vogël u mbështet në kultivimin e duhanit në 25 hektar tokë
dhe zhvilloi tregëtinë aktive, duke iu a shitur shteteve fqinje, sidomos
shtetit Papal, dukatit të Firences dhe Republikës së Venedikut.
Kultivimi i
duhanit u përhap gjërësisht në Itali, ku sejcili rajon kultivonte varjetet e
veta të kësaj bime, kështu ishin “Nostrano” në Brenta të Veneto, “Spadone” në
Marke dhe Umbria, “Moro” në Lacio, “Brasile” në Kampanja, “Katarro” në Salento,
“Selvaxhio” në Sicili etj. Kultivimi, përpunimi dhe përhapja e tymosjes të
duhanit, diktoi krijimin e monopolit të duhanit, që u ligjërua për herë të parë
në Republikën e Venedikut, ndërsa në vitin 1655 Papa Aleksandri VII, krijoi
monopolin e duhanit në Shtetin Papal, me një “Privativa”, me të cilën lejonte
kultivimin dhe tregëtimin e duhanit nga familja Mikilli, në lagjen Trastevere
të Romës.
Në fjalorin
enciklopedik të botuar në vitin 1584, Etienne de Thierry përfshiu dhe Nikotiana
tabacum, që e përshkruan: “Bimë me cilësi të mrekullueshme veprimi kundër
ulçerave, dermatit skuamoz si dhe ndaj shumë sëmundjeve të tjera, të cilat i
zbuloi zoti Jean Nicot në Francë, andaj dhe bima mori emrin e tij.”
Kultivimi dhe
tymosja e duhanit u përhap gjërësisht në botë, fillimisht në Spanjë dhe
Portugali, në vitin 1561 arrijti Francën dhe Italinë; në vitin 1565 u përhap në
Angli; në vitin 1570 protestanti Ugonoti i persekutuar nga kisha katolike e
Francës, iku në Gjermani, ku kultivoi bimën e duhanit dhe e përhapi gjërësisht;
në vitin 1570 duhani arrijti Vienën; në vitin 1580 Turqinë, që hapi portat për
përhapjen e kësaj bime në vendet aziatike dhe në vendet ballkanike, kësisoj në
vitin 1580 duhani arrijti dhe në Shqipëri. Në vitet 1580 – 1595 kultivimi dhe
tymosja e duhanit pushtoi Kinën, Japonin, Korenë dhe vendet juglindore të
Azisë. Në vitin 1593 bima e duhanit arrijti në Marok dhe vendet e Magrebit.
Fuqia pushtuese dhe kundërshtimet e para për tymosjen e duhanit.
Në shekujt XVI -
XVII duhani pushtoi botën, tymosja e duhanit u bë modë masive, por në të
njejtën kohë filluan të shfaqen dhe kundërshtimet për tymosjen e duhanit, duke
evidencuar dhe dëmet ndaj shëndetit.
Në fillimet e
shekullit XVI, klerikët katolikë prunë farat e kësaj bime, e kultivuan në
kopshtet e kishave e të manastireve dhe përhapen tymosjen e gjetheve të thata
të Nikotiana tabacum në popullatë. Ky “ves” i ri u përhap shpejt dhe në përmasa
të gjëra, sidomos pasi u kthyen marinarët europianë nga tokat e botës së re, që
e kishin zbuluar me Kolombin. Duhanxhinjtë e parë i dedikuan duhanit efekte
afrodiziake.
Në vitin 1527,
ipeshkëvi Bartolomeo i Las Kasas iu kundërvu banorëve të Spanjës dhe të
Portugalisë, duke i kritikuar se tymosja e duhanit ishte një “veprim i
turpshëm”, ndërsa duhanxhinjtë mbroheshin duke insistuar se nuk arrinin të
ndërprisnin tymosjen e duhanit, duke shprehur dëshimtë e para të dipendencës të
provokuar nga nikotina, gjendje që ende vazhdon t’i mundojë duhanxhinjtë.
Në fillimet e
shekullit XVII, në Angli, të gjitha klasat shoqërore organizonin “smoking
parties” (festa me tymosje duhani), madje fëmijëve kur shkonin në shkollë,
prindërit iu jepnin pipën dhe duhan të grirë në qese dhe gjatë pushimit të
madh, mësuesi ndizte pipën dhe iu mësonte fëmijëve si mbushesh pipa me duhan të
grirë, si ndizesh dhe si tymosej. Mbreti i Anglisë Xhiakomo I Stuart (1566 –
1625), nxorri një dekret kundër tymosjes të duhanit duke e cilësuar “zakon i
dënueshëm, bezdisës për sytë, i pakëndshëm për hundën, i rrezikshëm për trurin,
shkatërrimtar për mushkëritë”. Gjithashtu vendosi një taksë të rëndë për
kultivimin dhe tregëtimin, çka nxiti kultivimin dhe tregëtimin klandestin të
duhanit.
Në Francë, në
periudhën e mbretërimit të Luigjit XIII (1601 – 1643), kur ishte bërë modë
tymosja e duhanit, disa mjekë filluan ta konsiderojnë të dëmshëm për shëndetin
e përdoruesve, por autoritet shtetërore mbajtën qëndrim indiferent, pasi
shihnin interesat ekonomike, sepse duhani ishte bërë mall fitimesh të mëdha për
arkën e mbretërisë. Më 1621 kardinali Richelieu, i rriti në mënyrë të
konsiderueshme taksat për importin, kultivimin dhe tregëtimin e duhanit.
Në Persi, shahu
Abbaz, duke iu referuar Kuranit, urdhëroi prerjen e hundës dhe të buzëve
duhanxhinjëve. Në perandorinë Osmane, Sulltan Murati IV nxorri fermanin për
dënimin me vdekje të duhanxhinjëve, duke iu dhënë mundësinë të zgjidhnin varje
me cigare në buzë, ose djegia e duhanxhiut në zjarrin e turrës me gjethe të thata
duhani. Në Rusi, duhanxhinjtë dënoheshin me rrahje publike, ose iu pritej
hunda, megjithë këto masa të rrepta, Cari Pjetri i Madh e tymoste duhanin me
pipë të gjatë argjile, qetësisht dhe në kënaqësinë e tij.
Kundërshtime dhe
mosaprovim i tymosjes të duhanit shprehën dhe shumë gra europiane, kështu p. sh
në qytetin Bayonne të Francës, në vitin 1610, gratë u shprehën: “Më mirë të
puthim prapanicën e djallit, se gojën e burrave tonë që tymosin duhanin me erë
të keqe”.
Papa Urbani VIII,
në vitin 1630, inspiruar nga Santa Inkuizicioni Spanjoll, nxorri bulën që i
skomunikonte duhanxhinjtë, megjithatë tymosja e duhanit vazhdonte të përhapej
gjërësisht dhe në mënyrë të fshehtë. Në këto vite, duhani i tymosur në cigare
mbështjellë me gjethet të thara dhe tymosja me pipë dhe përtypja e gjetheve u
përhap ndër marinarët dhe ushtarët e të gjithë shteteve europiane. Ushtarët i
përtypnin gjethet e duhanit, ndërsa oficerat kishin privilegjin ta tymosnin me
pipë.
Në shekullin XVII
- XVIII në të gjitha shtetet europiane tymosej duhani, madje u zgjeruan dhe
metodat e përdorimit të duhanit. Pas tymosjes me pipë, tymosjes të shukut me
gjethe të mbështjella rrotull dhe përtypjes të gjetheve, në vendet europiane
filloi të praktikohej nuhatja e duhanit. Gjethet e thara të duhanit
shkërmoqe-shin deri në formim pluhuri, i quajtur bernut, i cili mbahej në një
kuti të vogël dhe herë pas here, thithej në hundë, duke shijuar aromën e shpesh
duke provokuar teshtitje të pëlqyeshme. Kjo mënyrë “shijimi” e bernutit u shndërrua
në modë të aristokracisë dhe të borgjezisë. Këtë praktikë e shfrytëzuan
artizanët, të cilët prodhonin tabakiera - kuti ari, argjendi, tunxhi, druri
etj, të bukura plot art, madje të kësaj kohe janë kutitë e bërnutit me kapakun
të zbukuruar me portretet e mbretërve Luigjit XIV dhe Karli X, të rrethuar me
diamante, me gurë të tjerë të çmuar dhe të mbushura me bërnut, ndërsa masa
popullore përdorte kuti të thjeshta druri. Thithja e duhanit me hundë, krijonte
ndjenjë dehje të lehtë, dipendencë dhe natyrisht toksikomaninë.
Në vitin 1742, Papa Benedikti XIV,
urdhëroi ndërtimin e fabrikës për përpunimin e duhanit, ku puntorët i dridhnin
me dorë cigaret e mbështjella me gjethe të thatë duhani, kështu Vatikani u
shndërrua prodhuesi dhe tregëtuesi më i fuqishëm i duhanit, që i garantonte
fitime të mëdha arkës papale.
Masivizimi i tymosjes të duhanit, nxiti interesin e
kimistëve dhe botanistave të studionin përbërjen dhe cilësitë e lëndëve
përbërëse. Në vitin 1809, kimisti francez Nicolas L. Vanquelin izoloi
nikotinën, një alkaloid parasimpatikomimetik toksik, që provokon dipendencë.
Nikotina është lëndë aktive e cila e shton sekretimin e neurotransmetuesve, me
rol në rregullimin e humorit e te sjelljes individuale dhe shoqërore të
duhanxhinëve, ashtu si nxit dhe prodhimin e dopaminës, që është molekula që
krijon ndjenjën e kënaqësisë të subjekteve që tymosin duhanin.
Përhapja masive e tymosjes të duhanit, shpejt degjeneroi
dhe nxiti abuzimet, së pari nga qeveritë e shteteve që e shfrytëzuan këtë “ves
qejfi”, për të rritur fitimet me taksat e larta, ashtu si dhe duke krijuar
monoplet e prodhimit e të tregëtimit të duhanit, por dhe kontrabandën. Në vitin 1860, Papa Pio IX urdhëroi ndërtimin e një manifature
të madhe, ku u grumbulluan të gjithë impiantet e Romës, në një ndërtesë në
sheshin Mastai, kësisoj monoplizoi prodhimin dhe tregëtimin e duhanit.
Prodhimet e para të cigareve,
publiciteti i tymosjes të duhanit dhe lufta kundër duhanit.
Në vitin 1830 u prodhuan për herë të parë cigaret e holla
dhe të shkurtëra, të formoheshin duke e mbështjellë duhanin të grirë me gjethe.
Fillimisht cigaret u prodhuan duke i dredhur me dorë puntorët, ndërsa në vitin
1831 u prodhuan makineritë e para të prodhimit të cigareve, çka çoi në shtimin
e prodhimit dhe shtimin e numërit të duhanxhinjëve. Në vitin 1832, ushtarët e
Ibrahim Pashës, gjatë rrethimit të Shën Xhiovani i Akra, në cilindrat prej
letre të boshatisur nga baruti, fusnin duhan të grirë dhe e tymosnin. Këtë
shpikje të rastit e pervehtësuan ushtarët italianë që kishin marrë pjesë në
luftën e Krimesë dhe e sollën në Itali në vitin 1857.
Moda e cigareve u përhap shpejt në të gjithë Europën dhe
në vitin 1860 u shndërrua në preferencë të cigareve turke dhe më pas të atyre
të prodhuara nga anglezët dhe të tregëtuara me kutia.
Gjatë luftës civile amerikane (1861 -1865) u prodhua një
tip i ri cigare me duhan amerikan, me ngjyrë më të qartë dhe më aromatik.
Përsëri, lufta e shtoi tymosjen e duhanit nga ushtarët, fillimisht nga të
konfederatës seçesioniste e më pas nga ata të Shteteve të Bashkuara. Pasi
shijonin një cigaretë, duhanxhinjtë e rinj ndjenin dëshirë të madhe të tymosnin
të dytën, çka shprehte dhe dipendencën nga nikotina. Sa më e pakët nikotina në
cigare, aq më e madhe dhe më e gjatë dipendencë ndaj duhanit.
Ritmet e larta dhe masivizimi i modës me cigare të
mbështjella me letër, u shfrytëzua nga industria e duhanit e cila e shtoi
prodhimin. Tregëtarët e duhanit filluan të zhvillojnë një publicitet të
çfrenuar, kështu tërhiqnin klienta të shumtë, sidomos moshat e reja. Tymosja e
duhanit u shpreh me problematikë shëndetësore ndër duhanxhinjë, andaj në vitin
1868, mjekët themeluan Shoqata Franceze kundër abuzimit me duhanin, e para shoqatë
në historinë botërore, e impenjuar në luftën kundër tymosjes të duhanit.
Në ato vite, shpërthyen debatet shoqërore ndërmjet
promuovusve të tymosjes të duhanit, që prezantonin reklama sportistash dhe vajzash të bukura me
cigare në buzë dhe kundërshtimeve për të ndërprerë duhanin për
dëmet që shkaktonte për shëndetin dhe jetën e përdorusve.
Në këto rrethana, industria e fuqishme e duhanit,
financoi modernizimin e makinerive të përpunimit të
duhanit, kështu në vitin 1880 u prodhua një makineri që rriti shumë sasinë e
prodhimit të cigareve, çka ndikoi ne uljen e çmimit të shitjes në treg dhe
shtimin e klientave, sidomos të moshave të reja.
Në shekullin XX, mekanizimi i proçesit dhe perfeksionimi
teknologjik i prodhimeve të duhanit e shndërruan industrinë e duhanit në një
fuqi ekonomike dhe financiare, që nuk njihte pengesa.
Sipas historianit Robert Soleil, dy metodat kryesore për
përhapjen e tymosjes të cigareve janë publiciteti (reklamat) dhe luftat. Në
fakt, prodhimi dhe konsumi i duhanit u shtua në mënyrë marramendëse gjatë
luftës së parë botërore. Vetëm në USA nga 18 miliard cigare që prodhoheshin në
vitin 1914, arrijtën në 47 miliard në vitin 1918, madje qeveria amerikane iu a
jipte cigaret gratis ushtarëve, kësisoj favorizoi efektin narkotik të
nikotinës, të cilën e konsideronin të nevojshme për të përballuar vetminë dhe
rreziqet e luftës. Propoganda ndër ushtarët për të tymosur duhanin ishte
intensive, madje në një nga këngët që këndonin ushtarët anglezë thuhej: “mbylli
problemet tuaja në çantën e shpinës, nxirre çakmakun (shkrepsin) dhe ndize
cigaren etj” Masa e ushtarëve që filluan tymosjen e duhanit gjatë luftës,
mbetën klienta afatgjatë të duhanit dhe pas luftës.
Publiciteti i industrisë amerikane për tymosjen e duhanit
vazhdoi dhe u intensifikua gjatë krizës ekonomike të vitit 1929. Në vitin 1931
Industria e duhanit shpenzoi 75 miljon dollarë për publicitetin, madje u shtri
dhe në filma, duke ekzaltuar artisten Marlene Dietrich, e cila kontribuoi duke
krijuar një imazh të sofistikuar si diva dhe e duhanxhijëve, që tërhoqi pas dhe
gratë në modën e tymosjes të duhanit, madje në prag të luftës II Botërore,
gratë amerikane së bashku me burrat tymosën 180 miliard cigare vetëm në vitin
1939.
Gjatë viteve të luftës II Botërore, ushtarëve iu jipeshin
gratis cigaret dhe ata që mbijetuan vazhduan të tymosin dhe pas luftës, madje
deri ne vitin 1955 konsumimi i duhanit u shtua progresivisht. Në vitet pas
luftës një stekë me paketa duhani, fitoi vlera të mëdha, sa e zëvëndësoi valutën
në tregun e zi.
Në marshimin e gjatë triumfues, duhani e pushtoi botën e
në këtë rrugëtim pati shumë aleatë, por dhe shumë kundërshtarë. Në disa raste
në publicitetin e përhapjes të duhanit kanë kontribuar dhe strukturat
shtetërore, si ndodhi në vitin 1982, kur Posta Italiane emetoi pullën postare
kundër duhanit, e cila u ble nga Monopoli Shte-tëror i Duhanit. Si shihet
duhani ka krijuar shpesh situata paradoksale.
Në vitin 1952, dy epidiemologët Richard Doll dhe Austin
Bradford Hill, bazuar në rezultatet e studimeve të një numëri të konsiderushëm
të sëmurësh me kancer të mushkërive, dolën me konkluzionin se kjo sëmundje e
rëndë zhvillohej në shumicën e duhanxhinjëve, duke konfirmuar se tymi i duhanit
është shkaktari i kancerit bronkopulmonar. Rreth këtij konkluzioni, i madhi
Fischer theksoi: “Doll dhe Hill jo vetëm zbuluan shkakun, por na dhuruan dhe
mjetin për ta luftuar – të ndalohet tymosjëa e duhanit”. Në vitin 1964, Shoqata
e Kirurgëve Amerikan, botoi një raport shkencor me 387 faqe, ku argumentoi se
tymi i duhanit përfaqëson rrezik për shëndetin e duhanxhinjëve, çka diktoi
marrjen e masave parandaluese për t’u ndaluar tymosja e duhanit”. Pas këtyre
konkluzioneve, në auditoret e Departimentit të Shtetit të USA, u ndalua tymosja
e duhanit.
Në këto rrethana, industria e duhanit u bë objekt akuzash
dhe sulmesh të forta, së pari me rritjen e taksave, çka çoi në rritjen e
çmimeve të paketave me cigare nga 40 % deri ne 85 % në Mbretërinë e Madhe dhe
në Itali. Pas vitit 1990, industria e
duhanit u përballë më akuzat ligjore për lëndimin e shëndetit të duhanxhinjëve,
për më tepër se të gjithë prodhuesit e duhanit ishin njohur dhe të
ndërgjegjshëm për rrezikëshmërinë e lartë të tymit të duhanit në shkaktimin e
kancerit bronkopulmonar. Pesë vjet pas rastit të parë gjyqësor, që akuzoi
industrinë e duhanit përgjegjës për pasojat e rënda për shendetin e
përdoruesve, shoqatat kryesore Amerikane të Duhanit firmosën një marrëveshje
kuadër me 46 Prokurorët e Përgjithshëm, për t’i dorëzuar arkës së shtetit 200
miljard dollarë dëmshpërblim për shpenzimet sanitare ndaj duhanxhinjëve të
sëmurë nga efektet dëmtuese të duhanit.
Ky vendim i detyroi industritë e duhanit në shumicën e
vendeve, të ndryshojnë taktikën e publicitetit, kështu në paketat e cigareve
vendosën shkrime: “Duhani vret”, “Duhani dëmton shëndetin tënd dhe të atyre për
rreth”, “fëmijët e duhanxhinjëve rrezikojnë më shumë të tymosin duhanin” etj,
të shoqëruara me fotografi me gjendje të dëshpëruara të sëmurësh me kancer, me
diabet, me sëmundje kronike të mushkërive etj. Natyrisht ky veprim i vonuar,
është një paralajmërim për duhanxhinjtë, por më tepër është një mënyrë për t’u
mbrojtur nga akuzat e subjekteve me sëmundje të shkaktuar nga përbërësit e
tymit të duhanit, sepse megjithë gjobat e mëdha, ata nuk e kanë pakësuar
prodhimin, përkundrazi e kanë shtuar, madje filluan prodhimin dhe tregëtimin e
cigareve të tipit Slim, të atyre cigareve të holla, por me që ato përmbajnë
sasi më të pakta nikotine, krijojnë dipendencë më të fuqishme, detyrimisht
subjektet që përdorin këto tipe cigaresh tymosin më shumë dhe më gjatë.
Këto ngjarje në USA u përgjithësuan dhe në vendet e
tjera, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë, miratoi një konvencion kuadër
për kontrollin e duhanit WHO - FCTC (Framework Convention on Tobacco Control).
Ky dokument i rëndësishëm u miratua nga Asamblea e 56 e OBSH më 21 Maj 2003 në
Gjenevë dhe
hyri në fuqi më 27 shkurt 2005, e firmosur nga 168 shtete
ndër 181 anëtare, ndërsa e 9 shtete nuk e firmosën dhe 4 shtete e firmosën por
nuk e ratifikuan. Ky dokument i rëndësishëm përcaktoi masa konkrete në
kufizimin e aktiviteteve publicitare, vendosi norma të reja etikete në paketat,
në kontrollin e cilësisë të ajrit në mjediset e mbyllura dhe masa të rrepta për
kontrollin e kontrabandës të duhanit. Duke filluar nga viti 2003 shumë vende
europiane aprovuan ligje me masa të rrepta për ndalimin e tymosjes të duhanit
në mjediset e punës, ne mjediset e mbyllura etj, çka ndikoi në pakësimin e
numërit të duhanxhinjave nga 12 deri 20 % ne shumicën e vendeve.
Për të përballuar fushatat kundër tymosjes të duhanit,
British American Tobacco prodhoi dhe vuri në shitje kutitë me SNUS (kategoria e
smokeless tobacco, duhani që nuk digjet, por përtypet. Emërtimi snus është me
origjinë nga gjuha suedeze “duhani për përtypje”). Duhani që përtypej gjeti
përhapje në Suedi, Japoni, Afrika e Jugut, Kanada etj, i lejuar të përdorej me
pretendimin se shkakton dëmtime të lehta të shëndetit.
Në vitin 2003, kinezi Hon Lik prodhoi cigaren elektronike
tymuese me avull, pa nikotinë dhe një tip me pak nikotinë, e cila pas debutimit
në tregun aziatik, në vitin 2004 arrijti dhe u përhap dhe në tregun europian.
Në fakt patenta e cigares elektronike (e-cig) i përket Herbert A. Gilbert, i
cili e kishte prodhuar në vitin 1963 dhe këtë zbulim ia kishte prezantuar
industrive kimike, farmaceutike dhe industrisë së duhanit, por ato në ujdi mes
tyre, bënë gjithëçka për të penguar prodhimin dhe nxjerrjen në treg të e-cig.
Në vitin 2020, shitja e-cig arrijti në 25 miljard
dollarë, ku mbi gjysma të faturuara në USA (55 %), e pasuar me Anglinë (12 %),
ndërsa 23 % e shpërndarë në Kinë, Itali, Francë, Gjermani, Poloni etj. Parë nga
ritmet e larta të përhapjes lind pyetja po cigaria elektronike a është e dëmshme
për shendetin e përdoruesve? Rreth këtij argumenti do të ndalem në veçanti në
pjesët në vazhdim.
Dhjetë shtetet kryesore të prodhimit
të duhanit.
Në traditën tonë, për të kritikuar ndonjë person që tymos
shumë duhanin thuhet: “tymos si një turk”, me idenë se janë tuqit ata që na
sollën dhe që tymosin me shumë duhanin, por në fakt Turqia rradhitet e teta
ndër 10 shtetet prodhuesit më të mëdhenj të duhanit.
1. Kina,
mban primatin botëror me prodhimin e 3 150 000 tonelata duhan, me një
fitim 150 miliard dollarë, që hyjnë në arkën e shtetit çdo vit. Vetëm China
International Tobacco Corp, prodhon çdo vit 2550 miliard cigare në vit.
Faturimi i fitimit nga shitjet e duhanit nga kjo korporate arrinë 100 miliard
dollarë në vit.
2. Brasili,
renditet në vendin e dytë dhe është vendi më i vlerësuar dhe më i preferuar në
nivel botëror, për cilësinë e gjetheve të thara të duhanit. Kultivimi i duhanit
është i përqëndruar në jug dhe në verilindje, me prodhimin e 850 000 tonellata
duhan në vit.
3. Hindia,
është në grupin e vendeve të quajtura BRICS (vendet në zhvillim me burime të
mëdha natyrale, të karakterizuara me rritje të lartë të prodhimit të brendshëm
bruto), prodhon 830 000 tonelata duhan dhe është ndër eksportuesit kryesor në
vendet e Azisë Juglindore.
4. USA,
në 50 vitet e fundit e ka ulur prodhimin e duhanit, duke preferuar importimin
dhe me çmime më të ulëta nga vendet e tjera të kontinentit. Aktualisht prodhon
345 000 tonelata duhan, por me sasitë e importuar është vendi i dytë në botë
për prodhimin e cigareve (rradhitet pas Kinës).
5. Indonezia,
prodhon 260 000 tonelata duhan në vit, madje përfaqëson sektorin më fitimprurës
të ekonomisë kombëtare. Indonezia nuk ka ligj për ndalimin e duhanit, çka ka
ndikuar që duhani të tymoset nga të rinjtë.
6. Argjentina,
prodhon 207 000 tonelata duhan. Parlamenti i Argjentinës ka miratuar ligje për
ndalimin e duhanit në mejdiset publike, çka është shprehur me pakësimin e
duhanxhinjave, por ka shtuar eksportin.
7. Zimbabve,
me 205 000 tonelata duhan në vit, është prodhuesi më i madh në kontinentin
Afrikan. Duhanet e kultivuar në Zimbabve të varieteteve Burley, Virginia dhe
Oriental, janë shumë të preferuar nga industria e duhanit dhe për faktin se
prodhimi ka kosto të ulët. Multinacionalet e mëdha të industrisë të prodhimit
të cigareve dhe të sigaro (purove), kanë bërë investime të mëdha duke i pajisur
fshatarët zimbabvianë me teknologji moderne dhe mjete fertilizante, për shtimin
e prodhimit të duhanit.
8. Turqia,
prodhon çdo vit 194 000 tonelata duhan.
9. Malawi, ndonëse
është një ndër vendet më të varfëra në botë, prodhon 175 000 tonelata duhan në
vit, që përbëjnë mallin kryesor të eksportit dhe të fitimit.
10. Pakistani,
prodhon 102 000 tonelata duhan në vit, që është dhe burimi kryesor i fitimit
për arkën e shtetit.
Në
numërat e ardhshëm do të trajtohen: 2. Dipendenca nga nikotina; 3. Dëmtimet e
organeve nga substancat e prodhuara nga djegia e duhanit; 4. Tymi i duhanit
shkaktar i kancerit etj.