| E enjte, 28.04.2022, 08:56 PM |
Zgjedhen me votën e popullit, mbrojnë interesat partiake ne Kuvend!
Shkruan:
Florim Zeqa
Jo
të gjithë politikanët janë të njëjtë, por me veprimet e tyre duken të jenë të
njëjtë. Politikanët, në veçanti deputetët derisa janë në opozitë i “qajnë” të
gjitha hallet e popullit, ndërsa në momentin që vijnë në pushtet i zbatojnë
urdhërat e liderëve partiak dhe mbrojnë interesat e tyre personale.
Kosova duke u zbrazur,
deputetët në gjumë të thellë dimërorë
Përderisa
deputetët e përgjumur të partive në pushtet i kanë harruar qytetarët,
opozitarët ndezin motorët, jo për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por për
rikthimin e tyre në pushtet. Së paku deri më sot nuk më ka rënë ta dëgjojë
asnjë deputet qoftë të pushtetit apo opozites të merret me dukurinë e zbrazjes
në heshtje të Kosovës nga qytetarët e saj, filluar nga të rinjët e papunë, nga
mjekët dhe infermierët, nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, nga të
punësuarit në sektorin publik dhe privat, nga arsimtarët dhe profesorët, nga
intelektualët dhe shtresat akademike!
Pushtetarët
aktual derisa ishin në opozitë krrekoseshin për zbrazjen e Kosovës nga të
rinjët dhe akuzonin pushtetarët paraprak, ndërsa sot kur janë në pushtet
heshtin përballë largimit masiv të të rinjëve dhe jo vetëm!
Një
largim kaq masiv i popullatës nga Kosova nuk ka ndodhur në asnjë periudhë
historike, madje as në kohën e okupimit klasik të Serbisë!
Mërgimtarët, të
harruarit e të gjitha pushteteve
Sikurse
bashkatdhetarët në Kosovë, edhe ata në mërgatë i kanë problemet dhe pripecitë e
panumërta në shtetet perëndimore. Për shkak se, jo në të gjitha vendet
shtetasit kosovar trajtohen në mënyrë të barabartë dhe si shtetas të Kosovës!
Duket
paradoksale, por disa nga shtetet njohëse të shtetit tonë, edhe pse me
pasaportë të Republikës së Kosovës, bashkatdhetarët tonë i trajtojnë si shtetas
të Serbisë apo ish Jugosllavisë së dikurshme!
Si
shembull po i marrë dy nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Europian,
Italinë dhe Gjermaninë, të cilat në mënyrë parciale i trajtojnë mërgimtarët
tonë si shtetas të Kosovës!
Përderisa
në Itali, shtetasve kosovar lejet e qëndrimit (“Permesso di Soggiorno”) ende ju
lëshohen me kodin fiskal të ish Jugosllavisë (118), në disa republika të
shtetit Gjerman, shtetasve kosovar që aplikojnë për shtetësi gjermane, ju
kërkohet të bëjnë ç’regjistrimin nga shteti i Serbisë, peripeci këto të
mundimshme dhe me kosto të lartë financiare!
Për
këto probleme, ju kam drejtuar me letër hapur të gjithë Ministrave të Diasporës
me radhë, nga i pari deri tek kjo e fundit (edhe Ministre e Punëve të Jashtme),
por nga asnjëri prej tyre nuk kam marrë përgjigje!
Problemi
nuk qëndron në faktin pse më injoruan më përgjigje, por tek papërgjegjësia e
tyre politike dhe diplomatike, papërgjegjësia shtetërore dhe mungesa e kultures
njerëzore. Një fjalë e urtë italiane e thotë; “E legittimo chiedere, cortesia
da rispondere” (Është legjitime të pyesësh, mirësjellje të përgjigjesh).
Përderisa
një ministër i jashtëm dhe i diasporës, një ambasador apo konsull nuk merret me
problemet e mërgatës, atëherë kush duhet të merret me to?!
Heshtja
e pushtetarëve në Prishtinë dhe diplomatëve të akredituar në vendet perëndimore
ndaj problemeve të sipërcekura, përveqse e pajustifikueshme dhe e papranueshme,
është fyese dhe nënçmuese ndaj mërgimtarëve.
Në
fund, edhe një herë po i kthehem përfaqësimit në Kuvend. Të zgjedhurit e
popullit, përkatësisht deputetët, më shumë sesa interesin e partive politike,
duhet të mbrojnë interesin e qytetarëve, gjegjësisht interesin e votuesve të
tyre, duke e trajtuar me urgjencë në Kuvend largimin masiv të qytetarëve nga
Kosova, për arsye se, nëse nuk ndalet trendi i zbrazjes së Kosovës, në të
ardhmen e afërt Kosova do të mbetet vend pa qytetarët e saj, ndërsa Parlamenti
do të mbushet me familjarë të politikanëve të pasur dhe militant partiak, kurse
republika parlamentare do të kthehet në monarki të oligarkëve politik dhe
ekonomik!