| E enjte, 28.04.2022, 05:55 PM |
O.
Kaceli dhe K. Tarelli
NJË LIBËR QË TË DJEG
DUART!
“22
Martirët e 26 Shkurtit 1951”. Ngjarjet e bombës në legatën sovjetike”. Autor
Osman Jonuz Kaceli
Nga
Kadri Tarelli
Sot
në përkujtim të 71-vjetorit të tragjedisë njerëzore, ndodhur në Tiranë, shkaktuar,
ideuar, drejtuar dhe organizuar nga organet shtetërore shqiptare, në hollin e
pallatit “A. Moisiu”, në Durrës, në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të
qytetit, u përurua libri, “22 Martirët e
26 Shkurtit 1951. Ngjarjet e bombës në legatën sovjetike”. Autor Osman Jonuz Kaceli.
Krejt
rastësisht, duke pritur botuesin z. Aurel Kaçulini, pronari Shtëpisë Botuese
“Jozef” në Durrës, Shpendi Topollaj më njoftoi se sapo është botuar libri,
lidhur me ngjarjen e bujshme të “Bombës në Legatën Sovjetike”, në shkurt 1951. Nuk
e zgjata dëgjesën, duke menduar se di mjaftueshëm, ndaj i thashë se është
ngjarje mjaft e njohur, të paktën për brezin tonë, që diçka kishim dëgjuar në biseda
të thëna si nëpër dhëmbë nga më të vjetrit, pa guxuar që të thuhej e plotë dhe
me plot gojën ajo ngjarje tragjike. Pas viteve 90, të shekullit të kaluar, pati
shkrime, libra dhe emisione televizive, që hodhën dritë mbi të vërtetën e
mbuluar nga balta, fshehja dhe hiri i kohës. Tani bindem se nuk është thënë e
gjitha.
Libri
në pamje i vogël, por me peshë të rëndë, pasi mban mbi vete jetën e 22 qytetarëve
të pafajshme, të vendosur sipas rendit alfabetik, duke bërë përjashtim për
shkencëtaren bukuroshe Sabiha Kasimati, portreti i së cilës i jep nur bukurie
ballinës së librit. Portret që do t’i bënte nder çdo reviste bukurie, apo
prodhimit në seri të kartolinave, që as kohe ishin në modë për urime festash.
E
lexoj dhe më duhej të ndaloj nga pyetjet që nuk më hapnin udhë:
Si
është e mundur që shqiptari të vrasë racën e vet, pa shkak dhe pa ja kërkuar
kush? Vetëm pushtuesi e përligj masakrën, pasi nuk i kërkon kush llogari dhe
nuk mban përgjegjës, sepse është vetë ligj dhe vetë drejtësi. Një mendje më
shtynte të arsyetoj, se edhe para çlirimit, nga forcat partizane janë bërë
masakra, madje edhe më të mëdha, siç është vrasja e rreth 70 burrave në kodrat
e Belshit, dhe askush nga ekzekutorët nuk mbajti përgjegjësi dhe nuk u bë as
gjyq i thjeshtë, sa për të larë gojën. Justifikimi ishte i thjeshtë: “Kohë
lufte”.
Edhe
në ditët e para të çlirimit u bënë dënime dhe pushkatime, por të paktën
formalisht bëheshin gjyqe, ku vendimet ishin me pushkatim apo me varje, siç bërtiste
turma që mbushte sallat e kinemave. Me një fjalë, kishte një trup gjykues dhe
ca letra. Po si i bëhet halli që, pas 7 vjetësh shtet me të gjitha strukturat,
të arrestojë në mes të natës pa shkak dhe me akuzë të sajuar, “Bombë në legatën
Sovjetike”, dhe të vrasë pa gjyq 22 martirë? Unë sado i kënduar që jam, nuk i
jap dot shpjegim, aq më tepër përpjekjes për të mbushur letrat pas pushkatimit,
veprim që përbën një faj dhe turp të paimagjinueshëm shtetëror. Vetëm bandat
kriminale mund të veprojnë kështu, pa ligj dhe pa kanun.
Në
libër, në faqe 23, has një fjalë: “Nënshtrim ma të thellë e ma të pështirë ndaj
Stalinit”, më duket mjaft e butë dhe disi lehtësuese, sepse diktatori rus, nuk
besoj se ua kishte kërkuar udhëheqësve tanë, një veprim të tillë. Po ashtu nuk
e pëlqej fjalën e huaj “Servilizëm”, kur kemi fjalën tonë “Përulësi, sa t’i lëpijnë
këpucët”, veprim i ndyrë, i pështirë deri në neveri, i drejtuesve tanë, që i
mbanim për “Burra shteti”.
Cilido
lexues, mund të përfytyrojë shkaqet e këtij veprimi të nxituar kriminal, që me
një gur të vriste disa zogj:
Së
pari, për t’i shprehur besnikëri diktatorit rus, “Mikut të madh”, i cili, pak
vite para se të prisheshim me jugosllavët, me gjeste e kishte cilësuar Shqipërinë
një kafshatë e vogël, që duhesh kapërdirë pa fare mundim.
Së
dyti, justifikonte eliminimin e pjesës së mbetur të elitës së kulturuar në
shkollat e perëndimit, ku shqiptarizmi ishte i fuqishëm.
Së
treti, Për t’i dëshmuar shqiptarëve se terrori është në fuqi dhe mjet për të
mbajtur pushtetin, njëherazi duke i mbyllur gojën atdhetarëve që nuk pajtoheshin
me lidhjet dhe nënshtrimin ndaj sllavëve rus.
Mbase
nuk është e fundit: Gjyqi, pa dashje mund të shndërrohej në vatër demaskimi për
pushtetarët e rinj. Më tej, të ideatorëve, urdhëruesve, organizatorëve dhe
organeve shtetërorë të këtij krimi mesjetar.
Kështu
gjer në vitet 1990, kaluan rreth 40 vjet nga ajo ngjarje, “Luftë civile në kohë
paqe”, lexoj diku në libër, dhe askush nuk shprehu pendesë, nuk kërkoi falje, nuk
shkoi në gjyq për tejkalim dhe mos zbatim ligjesh, madje për më tepër,
mburreshin e krekoseshin me dekoratat, ngaqë kishin vrarë shqiptarë të pafaj.
Nuk
kam ndërmend të analizoj përmbajtjen, as gjuhën dhe stilin e përdorur, që duhet
pranuar, një shqipe e krehur hollë. I takon lexuesit t’i vendosë kapelen siç
thotë qyteti, plisin siç thotë Dardania, apo qeleshen siç thotë Shqipëria e Mesme.
Madje nuk e kam as për zakon, që në shkrimet e mia të futëm në hollësi
përsëritëse të librit, por po mbetem në vlerësimin e formës, paraqitjes së
materiali dhe mesazheve që përcjell te të gjithë shqiptarët, sidomos te brezi i
ri, për të mësuar të vërtetat të mbuluara e mohuara qëllimisht dhe forcërisht.
Në
përfundim të leximit, si fillim, unë mendoj se ky libër i ri, nuk është letërsi,
as libër përkujtimor. Akti tragjik i përmasave të pa imagjinuara, si krim
shtetëror, do të humbiste në frymëzimin krijues dhe figurat letrare. Këtu
autori, me mjeshtëri e thjeshtësi, si në filmat “Horror”, na paraqet jetën e
gjithsecilit hero, duke gjetur edhe disa hollësi që e bëjnë të bukur, të
besueshëm dhe drithërues. Po mjaftohem vetëm me dy ndodhi:
Rasti
i parë: Fadil Dizdari 35-vjeç, origjinë nga Shkodra, banues në Tiranë. Pronar i
një librarie. U pushkatua, ndërsa mbante në dorë unazën e fejesës, që unë po e
quaj “Unaza e besës”, sepse nuk e treti dheu.
Rasti
i dytë: Kapiten Gafur Jegeni, komandant i forcave të mbrojtjes në Vlorë, më 7
Prill 1939, urdhëroi “Zjarr” ndaj italianëve pushtues. U dënua me vdekje nga
gjykata ushtarake pushtuese. Ju fal jeta, duke e internuar në Venotene Itali. U
kthye në atdhe në prag të çlirimit. Pa pritur, pas gati 7 vjetësh, u vu para
skuadrës së pushkatimit të ushtarëve shqiptar, pa faj dhe pa vendim gjykate??
Më
pas, mendoj se ky libër nuk është as histori, pasi historia në vetvete, me
ligjet e saj, është e ftohtë në pasqyrim dhe analizë të ngjarjeve dhe të
fakteve. Kështu duam, apo s’ duam ne, do të mbetej thjesht një copë historie krimesh,
e një sistemi që pranonte botërisht “Diktaturë proletariati”.
Në
gjykimin tim, ky libër është një akt akuze, ndaj një krimi të pa gjykuar dhe të
pa ndëshkuar. Madje, pse mos të themi: është një gjyq i hapur publik me përmasa
kombëtare, për të dhënë drejtësi duke ndëshkuar kriminelët, të cilët koha nuk kursen
t’i sjell në bangon e të akuzuarve. Shpirtrat e pafajshëm, pavarësisht
nderimeve që u janë bërë, nuk do të gjejnë qetësi pa vendosur drejtësi.
Përshëndetje
dhe mirënjohje autorit Osman Jonuz Kaceli, që solli në kujtesë një “Album”
jetësh të këputura, nga krimi shtetëror i diktaturës. Nëpërmjet librit, ai u
ngre heronjve të pafaj, përmendore në letrat shqipe. Monument që do të shpërnahet
në shumë shtëpi shqiptarësh, për t’u parë, lexuar dhe kujtuar në përjetësi.
Urime!
Amaneti i At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, duhet çuar deri në fund.
Kadri Tarelli
Durrës më: 26. 02. 2022.