| E hene, 25.04.2022, 07:49 PM |
Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare – sfidat dhe mundësitë
Nga
Anton Marku
Njëri
ndër qëllimet kryesore të Kosovës, si subjekt relativisht i ri në arenën
ndërkombëtare, është shtimi i numrit të njohjeve, fuqizimi i shtetësisë dhe
etablimi si faktor regjional i paqes. Ky objektiv është formuluar si i tillë që
nga themelimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme si një ndër prioritetet
qenësore. Në ndërkohë, katërmbëdhjetë vite pas shpalljes së Pavarësisë, me
gjithë përpjekjet e pareshtura, ky synim është përmbushur vetëm pjesërisht.
Muajve të fundit është duke u debatuar intensivisht nëse, duke pasur parasysh
zhvillimet globale, me theks të veçantë në agresionin e Federatës Ruse kundër
Ukrainës, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të mund të
ndodhë shpejt, duke anashkaluar kështu procedurat formale për një proces të
tillë. Por sa do të ishte e mundur që diçka e tillë të bëhet realitet. Është
kjo një pyetje e cila meriton një përgjigje që lë anash euforitë e çastit që
sjellin titujt e gazetave dhe portaleve.
Këshilli i Evropës
Përhapësit
e tezave të mundësisë që Kosova të pranohet në këtë organizëm marrin si shkas
largimin e Federatës Ruse në mars të këtij viti, vendin ‘‘vakant‘‘ të së cilës
do të mund ta mbushë Kosova. Një krahasim i tillë, sado qëllimmirë të jetë,
është i pabazuar dhe i paqëndrueshëm, kjo dhe për faktin se Këshilli i Evropës,
pos tjerash, shërben edhe si vend ku qytetarët, si individë apo si grup, mund
të deponojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ankesat e tyre ndaj
institucioneve shtetërore, duke denoncuar kështu padrejtësitë e bëra në raport
me ta. Kur kësaj i shtohet mosmiratimi nga ana e Kuvendit të Kosovës të
projekt-kodit për komunitetin LGBTQI i përcjell edhe me manifestime të forta
homofobie, atëherë kjo nuk e afron por vetëm sa e largon Kosovën mentalisht nga
Strasburgu.
Bashkimi Evropian
Është
mbështetësi dhe sponzoruesi më i madh i zhvillimit politik dhe ekonomik të
Kosovës përgjatë dekadave të fundit. Sidoqoftë zbatimi kuptimplotë i
Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe vendimit mbi liberalizimin e vizave
janë të lidhur ngushtë edhe me progresin serioz në dialogun mes Kosovës dhe
Serbisë në Bruksel. Përpos obstruksioneve të vazhdueshme nga ana e Beogradit,
vërehet qartazi se edhe Kryeministri Kurti këtë proces më shumë e konsideron
debatues se sa bashkëbisedues. Përderisa kjo të mbetet kështu, arritjet do të
jenë të varfëra, të ngadalshme dhe me pengesa të vendosura qëllimshëm, në
mënyrë që të imponohet ri-dizajnimi i formatit të tij apo dhe që të gjendet një
mekanizëm tjetër, i cili do ta zëvendësonte atë. Hezitimi i implementimit të
obligimeve të marra nga të dy palët është tregues më se i qartë për këtë.
NATO
Aleanca
më e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, e përbërë nga 30 shtete
anëtare, disa prej tyre në fqinjësi direkte me Kosovën (Shqipëria, Maqedonia e
Veriut dhe Mali i Zi) është prezent në Kosovë që pas përfundimit të luftës, me
1999, dhe atë në formë të KFOR-it që përkujdeset për një ambient të sigurt për
të gjithë qytetarët e saj. Kampi ushtarak ‘‘Bondsteel’’ afër Ferizajit është
një garanci e integritetit të saj territorial. Në anën tjetër, me idenë e
hapjes së ‘‘Fondit të Sigurisë’’, e cila si koncept është për t’u mirëkuptuar,
shteti po sprovon që, së paku pjesërisht, t’u shmanget përgjegjësive të veta
ligjore dhe buxhetin e ushtrisë, i cili përcakton infrastrukturën dhe armatimin
e saj, kushtimisht ta lë në duart e qytetarëve, sidomos atyre në diasporë. Nuk
do të ishte e dëshirueshme që ky fond të përjetojë fatin e ngjashëm me atë për
luftimin e pandemisë, të iniciuar para dy viteve po nga Kryeministri Kurti.
Kosova
nuk do të jetë në NATO edhe për shumë vite, por për aq gjatë NATO do të jetë në
Kosovë si mburojë e saj ndaj çdo lloj sulmi eventual nga kushdo qoftë.
Organizatat tjera
Në
vitet e fundit kishte disa tentativa për të aplikuar për anëtarësim në Interpol
dhe UNESCO, të cilat dështuan jo aq për shkak të mosangazhimit të zyrtarëve
kosovarë dhe miqve ndërkombëtarë se sa për shkak të propagandës serbe të
shtrirë në të gjitha kontinentet, gjë që rezultoi me mossigurimin e numrit të
mjaftueshëm të votave për t’u bërë anëtarë të tyre.
Konkludim
Në
ndërkohë, ka më shumë se një gjysmë viti që ka skaduar moratoriumi për aplikime
në organizatat ndërkombëtare, si pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit, të
ndërmjetësuar nga kryetari i atëhershëm i SHBA, Donald Trump, dhe Kosova ende
është në proces të ristrukturimit dhe ri-definimit të politikës së saj të
jashtme, duke u marrë kryesisht me ndryshimet kadrovike brenda Ministrisë, të
cilat mbase, pjesërisht, kanë qenë të nevojshme. Është e sigurt se në mesin e
diplomatëve të Kosovës ka shumë të tillë, të cilët me përgatitjen e tyre
profesionale, etikën morale dhe integritetin personal përfaqësojnë republikën
në mënyrë të guximshme, të denjë dhe me takt duke bindur me argumente
hezituesit e anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare se ajo e
meriton që një ditë të bëhet pjesë e tyre.
Deri
aty është një rrugë e gjatë por nga e cila nuk duhet hequr dorë asnjëherë. Sot
Kosova më shumë se për vrapues në shtigje të shkurtra ka nevojë për
maratonistë.
Vjenë, 24 prill 2022