| E hene, 25.04.2022, 07:48 PM |
Shtetin e shpëton vetëm një alternativë të re politike!
Shkruan:
Florim Zeqa
Sikurse
partitë në pushtet, që nuk po e japin as më të voglën provë për një ndryshimin
e premtuar, ndërkohë që subjektet politike opozitare janë të çakorduara dhe pa
platformë të përbashkët opozitare, për qytetarët nuk mbetet shpresë tjetër pos
krijimi i një alternative të re, pa njerëz të inkriminuar brenda saj dhe që
ofron ndryshime substanciale dhe përmbajtësore në zgjedhjet e ardhshme
nacionale.
Ndryshimi mision i
mundur
Ndryshim
kualitativ në skenën politike në vend nuk është mision i pamundur, pasi që
Kosova ka njerëz të pastër e të guximshëm, që do të përbënin bërthamën e një
alternative të re, për të bërë luftën e fortë dhe të hapur kundër mashtruesve
në pushtetin aktual, por edhe ndaj opozitës së inkriminuar.
Gjendja
e pashpresë e krijuar në vend, si pasojë e papjekurisë politike dhe mungesës së
transparencës së qeveritarëve aktual, e përcjellur me skandale të njëpasnjëshme
në politikën e jashtme ka bërë që populli mos t’u besojë më as këtyre!
Si
pasojë e kësaj, në mendjen e popullit është krijuar bindja se kush më pak e
kush më shumë, të gjithë që merren me politikë, janë mashtrues e intrigantë,
janë hajna dhe kusarë politikë, derisa inteligjenca e pastër ka mbetur e
përgjumur!
Padrejtësisht
është krijuar bindja tek një pjesë e opinionit publik, se nuk kemi njerëz më të
mirë për politikë nga këta që i kemi aktualisht!
Skandalet, dëshmi e
vazhdimësisë politike
Kjo
klasë politike me besim të humbur dhe tejet të konsumuar, elektoratin e tyre po
e përdorin vetëm si objekt përgjatë fushatave zgjedhore, sa për t’ua grabitur
besimin, votën, ndërsa të gjitha pazarllëqet i bëjnë mes vete dhe me
ndërkombëtarët.
Këtë
e vërteton rasti i fundit i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Dr. Martin
Berisha i përfshirë në skandalin e madh financiar.
Pa
dashur të zgjatem tutje në detajet e megaskandalit financiar të “doktor”
ambasadorit kosovar në Kroaci, kjo e dëshmon se qeverisja aktuale nuk është
ndryshimi, por mashtrimi dhe vazhdimësia e qeverisjeve paraprake!
Kasta
aktuale politike e vendit, në veçanti liderët e partive tona politike, para
opinionit publik, elektoratit të tyre, shpesh përlahen mes vete, por asnjëherë
nuk mund t’i shkojnë deri në fund “konfliktit”, shkaku i interesave të
përbashkëta, apo thënë më qartë dhe troç, shkaku i bizneseve të përbashkëta,
tenderëve që i ndajnë me njëri-tjetrin, e deri të aferat korruptive.
Të
gjithë liderët e subjekteve politike, pa dallim, janë shndërruar në uzurpatorë
të shtetit dhe varrmihës së ardhmërisë së qytetarëve të këtij vendi, janë bërë
sinonim i së keqes, i korrupsionit, krimit të organizuar, zhvatjes së pasurisë
shoqërore (shtetërore), duke e shndërruar Kosovën e pasur me resurse të shumta
natyrore një vend të varfër dhe të pashpresë për të jetuar në të.
Kosova
ka njerëz të aftë, të pastër dhe të guximshëm, prapa të cilëve do të
rreshtoheshin shumica e qytetarëve pa asnjë hezitim, por dikush ndër më të
guximshmit duhet ta merrë stafetën në dorë dhe të nisemi përpara për arritjen e
ktheses së madhe me njerëz të rinjë të cilët do ta ndërtojnë një mentalitet të
ri qeverisës.
Vullneti
i qytetarëve të Kosovës për kthesë pozitive, jo vetëm që ekziston, por thërret
si kushtrim në ndërgjegjen e atdhetarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të
mirë. Mjafton vetëm iniciativa e shëndoshë e bazuar në vlera njerëzore, në
atdhedashuri e moral njerëzor, për ta ndryshuar mentalitetin kancerogjen të
keqqeverisjes tash e sa vite ne Kosovë.
Secili
mund të japim diçka nga vetja jonë për Republikën e Kosovës. Secili me takatin
e me zanatin e vet, mund ta bëjmë ndryshimin e nevojshëm për Kosovën dhe
qytetarët e saj, për kthimin e identitetit dhe shpirtit humanitar të
shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj. Prandaj, vendit urgjentisht i duhet një
fillim i ri, një organizim i ri, një alternativë e re politike për largimin e
këtyre kusarëve nga skena politike.