| E hene, 25.04.2022, 07:17 PM |
“I HOLD THE ALBANIAN PEOPLE IN MY HEART”
Conversation with Mather
Teresa
Fjala
e plotë e Visar Zhitit
-
Në përurimin e librit të Don Lush Gjergjit, përkthyer në anglisht, në takimin
në Detroit, SHBA, 24 prill 2022 -
“Popullin
tem shqiptar e kam në zemër”.
Një
fjali e thjeshtë, thënë thjeshtë, që, besojmë se e ka çdo shqiptar si ’credo’
brenda vetes, por dhe populli na mëson se fjala peshon aq sa ai që thotë…Kur
kjo thënie na vjen nga një grua, madje nga gruaja më e njohur e planet, jo
vetëm kaq, por që është dhe shenjte, çdo fjalë aty shkëlqen si e gdhendur në
mermer, shndërrohet në porosi, në detyrë, në mision.
Prandaj
dhe këtë thënie, me fuqinë e proverbit dhe të urdhëresës, Don Lush Gjergji e
bëri titull libri,që jo shumë kohë më parë doli në Prishtinë dhe para disa
ditësh u botua dhe në aglisht dhe ne këtu kemi dhe librin dhe autorin tani, mes
nesh.
Librat
për shenjten tonë Nënë Tereza janë të shumtë dhe të vazhdueshëm dhe të
llojllojshëm, lutje, albume, monografi, thënie, kalendarë, etj, letërsi
artisitike, poezi e romane, deri edhe drama e filma, etj, dalin kudo, qe Vatikani,
ku është Selia e Shenjtë e në Itali, në
Ballkan, në Francë dhe Angli, në Gjermani
etj, në të gjithë Europën dhe përtej oqeanit në kontinente të tjerë, në
SHBA, në Indi, në Japoni, në Australi, në
Afrikë, kudo në të gjithë botën.
Nënë
Tereza i përket botës mbarë ashtu siç i përket universit të mrekullueshëm
katolik, misionare e të cilit mbetet, Nënë e të gjithëve në shërbim të Krishtit
në ndihmë të më të varfërve të të varfërve, të jetës së tyre dhe prandaj dhe u
shpërblye me shumë çmime, duke marrë edhe më të lartin, Nobelin për Paqe, por
ende më lart, atë të Selisë së Shenjte, e shpallur shenjtore në shekullin XXI,
por mbi të gjitha ajo ka shpërblimin e Bekimit nga Zotit dhe atë të dashurisë
së pakufishme të të gjithë njerëzimit.
.
Librat
më familjarë e më të gëzueshëm për shenjten tonë Nënë Tereza natyrisht që për
ne janë ato që dalin në gjuhën shqipe kudo, në Shqipëri e në Kosovë, nga ku ajo
ka prindërit e saj, të atin nga Prizreni e nënën nga Gjakova, kur tani Kosova
është e lirë siç e ëndërruan prindërit, dhe dëshiroj të them se pikërisht
botimet e Don Lush Gjergjit, të ndryshëm e të njëpasnjëshëm janë kulmi që
përbëjnë një pasuri të vërtetë e të vyer, sepse dalin nga pena e vëllait të
Shenjtes tonë të gjakut e të shpirtit, bashkëmisionarit, të atij që e ka njohur
dhe e ka ndjekur, që ka folur me të dhe na ka treguar aq shumë, me urtësi dhe
dinjitet dhe përunjësi, me përmallim si në një meshë…
Ky
libër u përurua së pari në Katedralen madhështore në zemër të Prishtinës, që
mban emrin “Nënë Tereza”, unë fola dhe atje, dhe po përurojmë botimin anglisht
këtu në Miçigan, pas ditës së Shën Gjergjit që është dita botërore e Librit,
sepse atij si çlirimtar një vajzë spanjolle i dhuroi një libër, ndërkohë në 23
prill kanë lindur dhe Shekspiri, Servantesi… jemi në kishën e “Pajtores së
Shqiptarëve”, Zojës së Shkodrës, të Këshillit të Mirë, që Nënë Tereza e
adhuronte dhe e kishte frymëzuesen dhe mbrojtësen e saj. 555 vjet më parë ajo
kishte ikur nga Shkodra, për t’i shpëtuar pushtmit otoman, shkoi në Genacano të
Italisë, që t’i kujtonte Europës popullin martir shqiptar…
Kjo
qendër kulturore këtu mban emrin “Nëne Tereza” dhe shenjtja jonë shpërndan
vërtet vazhdimisht besim dhe kulturë .
Institucioni
i Bisedës:
“I
HOLD THE ALBANIAN PEOPLE IN MY HEART” është dhe mesazhi kryesor i librit.
Autori bën një qasje ende më të afërt duke përzgjedhur biseda të tij me
Shenjten Nënë Terezë në kohë dhe vende të ndryshme, me porosi përherë të
vlefshme, sa herë që i lexojmë, tani dhe në gjuhën e punës së Nënë Terezës,
anglisht.
Çështje
nga më të larmishmet, flitet për familjen dhe varfërinë, dashurinë dhe motrat e
misionit të dashurisë, për Kishën tonë dhe Krishtin dhe shkojnë lart, nga toka
në Qiell.
Pra,
skena janë toka dhe qielli dhe personazhet: Shenjtja dhe meshtari.
Don
Lush Gjergji na sjell ndërkaq të përtërirë Institucionin e Bisedës, nderimin
për të ashtu siç e kishin kult shqiptrët e hershëm dhe që duhet rikthyer me atë
dinjitet në kuvende e parlamente.
Papa
Françesku porosit që të zhvillojmë Kulturën e Takimit, se kështu do njohim më
shumë, do të duam më shumë dhe do të bëjmë më të mirës së bashku.
Dhe
ky libër është një takim e bëhet shkak takimesh të tjera me ikonë Shenjten
moderne të shekullit XX, ku mes gëlimeve të ndjesive sa tokësore, por me hirin
e Hyut, përthuket dhe meraku ndaj atdheut dhe vendlindjes: me popullin shqiptar
në zemër, duke marrë kështu një vlerë të fuqishme aktuale, duke u shndërruar në
porosi: duajeni vendin, ku ke lindur dhe je, njëri tjetrin, të çdo race dhe
besimi dhe së bashku përparoni…
Libri
është shoqëruar me ilustrime, fotografi e faksimile letrash të Nënë Terezës, të
shkruara shqip, që kanë forcën e dokumentit.
Misionarja
e përkushtuar na shfaqet njësoj kudo, si në kuvende dhe në rrugë, si mes të
varfërve në Indi e gjithkund edhe para personaliteteve më të larta të botës, si
në vendlindje dhe në metropole, në emër të të varfërve dhe vetëm për ta, në
kriza sociale dhe në luftë, ku shkonte Nënë Tereza, ndërpriteshin luftrat. Nga
plagët tek yjet, kam thënë.
Njëra
nga pyetjet më të zakonshme dhe nga më të thjeshtat, por që permbledh brenda
hapësira ndjesish, që Don Lushi i bën Nënë Terezës është:
-
Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj...?
Përgjigja:
“Jam shumë e lumtur... Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të
ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në
Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo...Nuk e kam
parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime...
Këtu
fytyra e saj, - tregon Don Lushi si një kronikan ungjillor, - u bë hijerëndë,
madje edhe paksa e pikëlluar, nga që, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa
herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe
për ta marrë nënën dhe motrën, por më kot. Sundimtarët e Shqipërisë nuk i dhanë
kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën…
Unë
shtoj këtu se Tirana politike nuk duhet të lajë duart si Pons Pilati për
persekutimet e shumta në diktaturën komuniste sidomos të klerit katolik,
burgosjet, internimet, deri edhe pushkatime, shëmbja e tempujve të fese,
ndalimi i besimit duke u shpallur Shqipërinë e atëhershme si vendi i parë dhe i
vetëm ateist në botë. Thënë shkurt: burg ose ferr.
Dhe
duhet të kujtojmë që Nënë Tereza lutej për Shqipërinë, edhe pse nuk futej dot,
dhe për Kosovën, ku do të shkonte shpesh, të paktën nja 5 herë na e dëshmon Don
Lush Gjergji, në Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.
Më
mbeten sytë te Fjala e shkruar e Nënë Terezës për motrat e saj në Binçë: Ne
jemi të fejuarat e Krishtit....Asgjë s’mund të na ndajë prej dashurisë së Tij.
TË VAZHDOJMË TË
SHFLETOJMË LIBRIN
Ja,
një tjetër episod, sa domethënës! Një ditë para ceremonies së madhe të dhënies
se çmimit Nobel, teksa nëpër rrugët e Oslos endeshin mijëra e mijëra njerëz me
pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte
bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin, ndërkaq
ja, ç’do t’i thoshte asaj Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V:
-
… po sikur të mos vij nesër në ceremoni?
-
E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm.
-
Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, - kishte buzëqeshur Mbreti.
-
E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, - e ndërpreu Nënë Tereza, - por
Zoti...
Mbretërve,
presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si
guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te vlera njerëzore dhe barazia
para Zotit, vetvetja është e mjaftë.
Dhe
kur pritej fjala e saj, të gjithë të pranishmit e shquar në ceremoni ajo i ftoi
të bënin një lutje bashkarisht.
Mes
gazetarëve të shumtë pohoi se: nga gjaku dhe gjuha jam shqiptare dhe i përkas
zemrës së Krishtit. Ky kumt u përhapën në të gjithë botën, përveçse në
Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg. Por dhe aty, në burg, u fut lajmi, mes
telave me gjëmba dhe rojave me armë.
Ç’ka
ndodhur ndonjë gjë jashtë? - pyetën nja dy të burgosur të vjetër një të
porsaardhur në burgun e Spaçit.
Dëgjova
para se të më arrestonin, në televizorin Italian fshehurazi se çmimi Nobel për
Paqe iu dha një murgeshe shqiptare.
Vërtet?
Po,
e dëgjova vetë.
Të
burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim të gjithë. Mes
tyre isha dhe unë, “në ferr” e dëgjova për herë të parë emrin e Nënë Terezës.
Në burg kishim dhe prifterinj. Dhe natyrisht s’kishim si ta dinim se në Oslo,
pranë Nënë Terezës ishte dhe një meshtari i ri, bashkatdhetari i saj, i ardhur
nga Kosova, si vëlla, si bashkëmisionar që shkruante, mbante shënime,
projektonte librat e ardhshëm. Ishte Don Lush Gjergji.
Dhe
jemi së bashku këtu nën mrekullinë e Shenjtes tonë, të gjithë.
Ndiej
zërin e Don Lush Gjegjit që pyet prapë: Çfarë do të thotë për ju dhe motrat
tuaja Çmimi Nobel për paqe? Zëri qiellor
i Nënë Terezës: …asgjë nuk ndryshon te ne… çmimi është vetëm për të varfërit
tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë
diçka… Pyetje tjetër e Don Lushit: Cili
është mesazhi i paqes për botën… tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?”
“Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse
lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe feja ushqen dashurinë. Nëse ne
besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin
dhe për të tjerët” – Kështu foli Nënë Tereza. Don Lush Gjergji e dinte më mirë
se kushdo aty se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte
dramat e familjes së saj, babain ia helmuan kur u kthye nga Beogradi nga një
mbledhje patriotike, ndërkaq ai ndjente dhe se kush do të ishte Nënë Tereza,
sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga
ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe bëri pyetjen ende më të thjeshtë,
por sa të çuditëshme për atëhere dhe sa e vlevshme për më pas: Kush jeni Ju?
Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht
Nëna Tereze: “Origjina ime është
shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar.
Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht
Zemrës së Jezusit”. JAM SHQIPTARE! – tha
Nënë Tereza Të gjithë do të donin të kishin sa më shumë prej saj, çdo popull do
të donte ta kishte të veten, që si dhuratë të Zotit ia falte njerëzimit. Ballkani
ynë, fqinjët tanë shquhen për konflikte kësisoj, për përvetësime të historisë
dhe heronjve të njëri-tjetrit. Don Lush
Gjergji i dha fletën e bardhë Nënës dhe ajo shkruajti me atë shkrimin e saj të
bukur e të rregullt si rilindasit, ku kuptohet se kemi të bëjmë me një person
të kultivuar që shkruan, fjalëpak, por urtësisht saktë, me ato shkronjat
harmonike si kokrrat e rruzares dhe ja, ç’na la:
“Unë
gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij
të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë
për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”
E
noterizuar për përherë. Pikërisht kjo letër e thjeshtë, gati si e rastësishme,
ku do të vinte dhe mbiemrin e saj të familjes, i njohur ndër shqiptarë, duket
se do të ndihmonte biografët, historianët dhe akademitë, do të hidhte dritë mbi
hulumtimet e një të vërtete, do t’u mbyllte gojën debateve të mëvonëshme për
përkatësinë, rrëmbimeve të mundëshme, etj.
Ishte Don Lushi që bëri kështu avokatin shpirtëror duke e ruajtur si
pjesë të një testamenti, duke dhënë kështu mundësinë për t’u botuar herë pas
here me shumëçka të grumbulluar ndër vite për Nënën, duke u bërë ndërkohë
biografi më i mirë shqiptar i Shenjtes tonë.
Dhe
erdhi dita që Nënë Tereza të vinte dhe në Shqipëri. Kishte rënë Muri i Berlinit
dhe po binte perandoria komuniste. Vuri lule te varri i nënës dhe te I motrës
pranë. Dhe erdhi prapë e prapë, kur Shqipëria u hap dhe vendosi sitemin
demoktarik, e lidhur me botën euroatlantike. Vëllezërit e mi myslimanë, thoshte
ajo dhe ashtu siç bekoi projektin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, po
kështu firmosi për ngritjen e Kryegjyshatës bektashiane atje, një degë e
shëndoshë e së cilës është dhe këtu në Detroit.
Nënë
Tereza priti në Tiranë dhe Papa Gjon Palin II ashtu si një bijë qe prêt
mysafirët në derë të atit, e shoqëroi dhe për në Shkodër.
Aeroporti
në Tiranë tani mban emrin e saj. Shqiptarët, kur udhëtojnë nëpër botë, duket
sikur nga aty i përcjell Nënë Tereza drejt qiejve të hapur dhe kushdo që shkon
në Tiranë me avion, përseri në atë aeroport duket sikur i mirëprej ajo.
Lutjet
e Nënë Terezës për paqe, por vëllazërim mes popujve dhe dashuri mes njerëzve,
kanë frymë të përhershme kundë urrejtjes, sidomos sot, që buçet lufta në
Ukraine e vriten të pafajshëm e fëmijët mbeten rrugëve mes bombardimeve. Dhe
s’ka si të mos na kujtohet lufta në Kosovë.
Nënë
Tereza pa dyshim si katolike e madhe ishte është kundër çdo lufte dhe kundër
çdo lloj arme, që nga ato të abortit dhe deri te ato të lemerishmet që
shfarosin njerëz në masë, njëlloj janë, e te pandemitë, që i perhap djalli.
Që
të çlirohej Kosova, ndërhyri NATO-ja dhe bëri të parën luftë morale, të
shpëtonte një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në bibël,
nga zhbëria.
Presidenti
i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton do të dëshmont botërisht në qershor të
vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar,
dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj
vlerave të lirisë”.
Kaq
herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim! I
telefonoi dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington.
Dhe lutja Zotit iu dëgjua. E lëvizi botën. Dhe ajo përsëriste shpesh:
Mësomë të dua, o Zot!... Dhe Don Lush Gjergji ka kaq kohë që përpiqet t’i
mësojë shqiptarët se si ta duan Shenjten Nënë Tereza dhe më duket sikur e ka
marrë prej dore sërish që të ecin së bashku rrugëve të vendlindjes, në Ballkan
e më tej, matanë oqeanit, në SHBA, deri këtu për të përhapur dritën e Saj
qiellore.
Nënë
Tereza kishte dhe qytetarinë amerikane ashtu si atë të Vatikanit bashkë me atë
italiane e indiane, por kur mori dhe pasaportën shqiptare, diplomatike madje.
Ishte vërtet e gëzuar.
Po
ajo ishte vetë gezimi i botës, investiore e buzëqeshjeve e quanin,
industrialist e dashurisë. Jam një copë lapsi në duart e Zotit, thoshte ajo për
veten e saj.
E
di e gjithë bota tani që ajo është shqiptare, por sa janë shqiptarët të Nënë
Terezës, pyes herë pas here, kjo ka rëndësi tani, them.
Zoti
na e dha Shenjten Nënë Tereza 500 vjet pas kryeheroit, Gjergj Gjergj Kastrioti
– Skënderbeu, që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën Perëndimore dhe
krishtërimin dhe u bë kryekomandant i përbashkimit. Siç duket duhet të kuptojmë
të gjithë se mjaft më me shpatë dhe me armë, por me lutje dhe dashuri. Dy emblemat më rrezëllitëse që populli
shqiptar ia dha botës, Kryekomandantin dhe Shenjten. Jemi një popull që ka
dhuruar shenjtër,
Papa
Françesku në Selinë e Shenjtë, por dhe në Tiranë, ku kreu vizitën e parë
apostolike në Europë, dhe në vende të tjera ka përsëritur shpesh që duhet të
jemi krenarë për këtë grua dhe e kanonozoi para 120 mijë vetëve, të ardhur nga
e gjitha bota, në sheshin “San Pietro”, ku atë ditë mes shumë e shumë flamujve,
të Vatikanit, Italisë, të SHBA-ve, Indisë, nga e gjithe bota katolike,
valëviteshin më së shumti flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës, po edhe të
Maqedonisë së Veriut, (të Jugut për ne, shqiptarët). Në atë shesh ka shumë pëllumba të bardhë, që
u afrohen njerëzve dhe u ulen dhe mbi supe.
Mos vallë njëri nga ata pëllumba fluturoi dhe erdhi sonte këtu në Kishën
tonë dhe është ky libër që po përurojmë? Apo ky libër është një pëllumb paqeje,
i nisur për kudo me lajmin e mire?
Gjithsesi
Vepra për Shenjten Nënë Tereza është si një Ungjill sipas Don Lush Gjergjit.
Aleluja!
Visar Zhiti