Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Liridon Miftari: Shitësi i shkrepësave

| E marte, 16.12.2008, 07:44 PM |


Liridon Miftari
Liridon Miftari

 

SHITËSI I SHKREPËSAVE

 

Rritur jam me një zjarr të përlotur që rrjedh nëpër damarët e mi por prapë mbetem i mërdhirë. Botës dua ti jap ngrohtësi me një flakë të ndritur plini e zemrës sime ti jap 25 cent ngrohje. Shkrepëse, shkrepëse, bërtet zëri im i çjerrë i një njëmbëdhjetëvjeçari nëpër rrugët e errëta që janë plot helm e vrer, shikojnë zjarrin tim të vogël.

 Dikush më buzëqesh, dikush errëson sytë si vetëtima të tërbuara të një dite të egër pranvere. Dikush as që më vëren, unë vetëm dua ti shes zjarret e mia dhe me centët që fitoj të marr një ngrohtësi në zemër. Duart më janë mërdhirë edhe pse në to kam zjarrin tim që e shes por pse nuk e fitoj ngrohjen që do të ma largonte të ftohtit nga këto duar. Sikur të mund të ia shisja qiellit shkrepëset, ndoshta ai do të më dhuronte ngrohjen që më nevojitet. Pasi që nganjëherë duke kërkuar zjarrin, gjumi im i ftohët më zë nën kulmin e tij të hapur. Ndoshta qielli do ta ngrohte gjumin tim sepse dora e njeriut që më blen vetëm një shkrepës e që përkëdhel nganjëherë faqen time e ngrohë vetëm faqen, kurrë nuk mund të më ngrohë zemrën time, e ti o qiell je shumë i madh.

 Nënë, baba sa shpejt u tretën në buzën time të tharë nga etja për zjarr. Nuk mund t’i kuptoj ata që më përbuzin, nuk e di pse e bëjnë, unë vetëm dua ti shes shkrepëset e mia. Edhe ata që më përbuzin në sytë e tyre shoh zjarr, por ai zjarr nuk ngrohë por vetëm djeg. 25 cent kërkoj prej teje o zotëri, nuk e kërkoj tërë botën, unë nuk jam si ti. Kërkoj një ngrohtësi në zemër të ndezi dashurinë sepse është shuar nga të ftohtit e madh.

 Një fjalë të vërtet ende e mbaj mend por nuk e di se ku e kam dëgjuar. E mbaj mend se fëmijët sikur unë nuk do të kenë përgjithmonë vuajtje  e përbuzje. E di se do të gjej një ngrohtësi që do të më ngrohë të tërin. Në një botë ku ngrohja nuk vlen 25 cent.