| E enjte, 21.04.2022, 07:50 PM |
RECENSION PËR LIBRIN NË GJUHËN ITALIANE “GLI ANNI DELL’ORGOGLIO NAZIONALE” (VITET E KRENARISË KOMBËTARE)
RECENSENT:
ATTILIO MIANI
Atdheu mbrohet me çdo
kusht, qoftë edhe me jetë!
“E
vetmja gjë që prisnim në atë kohë ishte tortura apo plumbi serb, i cili na
ndoqi hap pas hapi, por nuk u përkulëm kurrë”.
Me
këtë frazë të thjeshtë dhe të fuqishme mund të përmbledhim veprën emocionuese
me titull “Vitet e krenarisë kombëtare”, të autorit Florim Zeqa, botuar nga
shtëpia botuese Lena Graphic (Prishtinë) në vitin 2020 në shqip dhe në vijim në
italisht, libri përbëhet nga një kronologji e ngjarjeve personale, profesionale
dhe kombëtare nga ku lind një bashkim origjinaliteti i rrallë, i aftë për të
transmetuar tek lexuesi pastërtinë e ndjenjave që sot vështirë përjetohen dhe,
në të njëjtën kohë, shumë aktuale në një skenar gjeopolitik në evolucion të
vazhdueshëm: ndjenja e atdhedashurisë, dashurisë për tokën, rrënjët, popullin.
Të mbrohet atdheu me çdo
kusht, qoftë edhe me jetë.
Rrëfimi
i Zeqës nis nga vitet e rinisë së tij, kur plot entuziazëm iu bashkua Forumit
Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Që
nga ai moment, duke u përballur me mosmarrëveshje dhe pengesa të shumta, autori
– si dhe protagonisti i tregimit – nuk ka pushuar kurrë së luftuari për vendin
e tij, i cili, kujtojmë, e mori pavarësinë në vitin 2008 pas pushtimit të gjatë
serb.
Vlen
të përmendet veçanërisht angazhimi i tij në arsim, me punën e tij në shkollën
fillore "Azem Bejta" në Grabanicë.
Guximi
dhe peripecitë e punës së Zeqës hapen për reflektim për rolin e mësuesve në
periudhën më të vështirë për Kosovën, në të cilën liria kaloi edhe përmes
edukimit të gjeneratave të reja.
“Të
jesh pedagog në atë periudhë historike ishte një sakrificë dhe një sfidë e
vështirë, sepse përballja me regjimin serb ishte e drejtpërdrejtë dhe e
përditshme”, shkruan autori, duke zbuluar detaje të veprës së tij që dëshmojnë
për gjithë sakrificën intelektuale dhe morale të mësuesve kosovarë të asaj
kohe.
Një
nga betejat më të vështira që bëheshin në atë kohë, për shembull, konsistonte
në mbrojtjen e emrave të institucioneve shkollore, mbrojtjen e tyre nga
skllavërimi ideologjik i regjimit serb.
Por
lufta për pavarësi, siç u përmend më lartë, nuk u kufizua vetëm në "betejë
intelektuale", por me mbrojtjen e fuqishme të lirisë për të afirmuar dhe
lartësuar etninë e vet.
Ka
nga ata që u është dashur të paguajnë me gjakun e tyre dhe ndonjëherë edhe me
jetën e tyre. Kështu e ka parë dhe përjetuar vetë autori në pushtimin serb të
vendlindjes së tij, Bokshiqit, më 23 shkurt 1993.
Një
datë e gdhendur në kujtesën e tij si momenti më i vështirë i ekzistencës së
tij, por që në të njëjtën kohë forcoi moralin dhe ndjenjën kombëtare, duke u
ngritur një rezistencë paqesore ndaj shtypjes mizore të pushtuesve serb.
"Sa
më shumë ushtronin dhunë kundër meje, aq më i fortë dhe më i guximshëm
bëhesha", kujton Zeqa, duke iu referuar një kontrolli dhe keqtrajtimi të
përjetuar nga forcat e armatosura serbe, të cilat e kishin maltretuar atë
fizikisht dhe psiqikisht teksa po udhëtonte me autobus.
Veçanërisht
prekëse në këtë kuptim janë, për më tepër, historia e disa momenteve të jetuara
të autorit me të atin dhe nderimi për Ali Zeqa, i cili vdiq në moshën
65-vjeçare në spitalin e Pejës për shkak të lëndimeve të rënda fizike të
shkaktuara nga serbët.
Edhe
pse pushtetarët politikë nuk e përmendin, ky njeri ishte një dëshmor i vërtetë
“i orëve të para”, duke u flijuar për lirinë e Kosovës; kujtimi i tij dhe i të
gjithë të rënëve duhet nderuar, respektuar në mënyrë solemne, ndërkohë që
shpesh, siç denoncohet nga autori, indiferenca është e shfrenuar dhe mbizotëron
si në radhët e qytetarisë ashtu edhe në ato të politikës.
Nuk
është për t'u habitur që historia e Zeqës përfundon me një reflektim të hidhur
për kushtet aktuale në të cilat ndodhet Kosova, në mëshirën e interesave të
fuqive të mëdha botërore dhe manipulimeve të cilave iu nënshtrohet rajoni i
Ballkanit, një nga më të cenuarit nga pikëpamja gjeopolitike.
Edhe
ndjenja e solidaritetit dhe vëllazërisë që kishte karakterizuar tranzicionin e
trazuar drejt pavarësisë duket se është zbehur, tashmë e zëvendësuar nga
idealet e një shoqërie të bazuar në individualizëm.
Por
nuk ka humbur gjithçka, sugjeron autori, duke kujtuar një figurë tjetër
emblematike: atë të Miftar Sejdiut, një intelektual dhe veprimtar i përkushtuar
dhe i palodhur që luftoi për vendin e tij në periudhën më të vështirë, nga
paslufta e dytë deri në vitin 2006 (viti i vdekjes së tij).
Atij
i detyrohemi një citat të veçantë dhe domethënës, një frymëzim i fortë për të
gjithë ata që luftojnë për vlerat e tyre morale dhe lirinë e vendit, me të
cilin dëshirojë ta përfundojë recensionin për librin e autorit Florim Zeqa:
"Nëse jeni nisur një rruge, mos u ktheni, edhe nëse hasni në vështirësi,
sepse mbërritja në destinacion do t'ju shpërblehet".
(Attilio Miani, drejtor i International Web Post)
Dërguar për publikim nga autori i librit: Florim Zeqa,
21.04.2022