Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Metaforika e amanetit të rapsodisë arbëreshe ‘Pal Golemi'

| E enjte, 21.04.2022, 07:26 PM |


METAFORIKA E AMANETIT TË RAPSODISË ARBËRESHE “PAL GOLEMI”

Vështrim mbi një aspekt të librit “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” të Anton Nikë Berishës

Nga Timo Mërkuri

I-Duke lexuar librin studimor të Anton Nikë Berishës “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”[1] më tërhoqi vëmendjen pjesa ku thotë se “Kështu, rapsodia e Pal Golemit, që sipas të dhënave të derisotme është krijimi i parë i traditës letrare gojore të arbëreshëve të Italisë i njohur në formën e shkrimit (gjetur në Fjalorthin italisht-shqip, shqip-italisht të Nilo Katalano-s, prift italian, që shërbeu në Shqipëri në pjesën e dytë të shek. XVII, vdekur më 1694) dëshmon disa nga vlerat kulminante artistike të llojit të vet në poezinë gojore shqiptare dhe përmban disa nga tiparet kryesore të krijimit gojor, i cili, para së gjithash, lind për të jetuar e për të komunikuar gojarisht[2]”.Emri i Nilo Katalanos ishte i njohur për mua sepse në vitin 1693 dukebërë një meshë (shqip) në fshatin tim të origjinës Pilur, ka dokumentuar i pari numrin e 500 banorëve të fshatit[3]. Pjesa e mësipërme më ngacmoi kureshtjen për arsye të cilësimit si mbledhësi (apo shënuesi) i parë i rapsodisë së “Pal Golemit” të lënë në dorëshkrim nga Nilo Katalano[4], ndërkohë që këtë rapsodie lidhja gjithmonë vetëm me dorëshkrimin e Kieutit.

Duke folur për përmbajtjen e Dorëshkrimit të Kieutit Anton Nikë Berisha shkruan: “[...] janë edhe tri këngë në dialektin gegë të priftit italian, Nilo Katalanit (i cili vdes në Shqipëri më 1694). Sipas të dhënave të Krispit dhe Skiroit në dorëshkrimin e Nilo Catalano-s … janë përfshirë … dhe rapsodia Pal Golemi[5]” .

Xhuzepe Krispi (1781-1859) më 1831 bën të ditur faktin se “Dorëshkrimi i veprës së tij (Nilo Katalanos) “Vocabolario albanese-italiano ed italiano-albanese-Fjalor shqip-italisht dhe italisht-shqip” ndodhej në Bibliotekën e Seminarit shqiptar në Palermo”. Ky dorëshkrim, më vonë ra në duart e studiuesit dhe shkrimtarit arbëresh, Xhuzepe Skirò plaku (1865-1927), i cili informon se: “[...] fjalori është në dialektin verior gegë (që nuk flitet as në Sicili e as në Himarë) … Ai përmbante në fillim edhe një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe përfshirë Këngën e Pal Golemit”, që Skiroi e botoi më 1923.

Pra “Kënga e Pal Golemit” është regjistruar së pari nga Nilo Katalano dhe ndonësenuk e dimë vitin e saktë, dimë që ai është bërë para vitit 1694[6], ndërkohë që Dorëshkrimi i Kieutit është shkruar në vitin 1737 nga Nikollë Filja (1682-1769), pra na rezulton se regjistrimi i Nilo Katalanos është 43 vjet më i hershëm se Dorëshkrimi i Kieutit. Në këto përllogaritje merret apriori viti 1694,vit në të cilin Nilo Katalanio vdiq në Himarë (Dhërmi), por janë një sërë arsyeshqë na shtyjnë të mendojmë se shënimi i tekstit të rapsodisë nuk është bërë në vitin 1694. Po të ishte shënuar në vitin 1694, detyrimisht duhej të ishte shënuar në Himarë ku qëndronte Katalano në këtë kohë dhe aty dorëshkrimi do ishte bërë i njohur, së paku në rrethin e bashkëpunëtorëve të afërt (Timotheo Zassi etj), të cilët do t’ia nisnin Propogandës Fide me ndonjë letër shoqëruese. Në rastin tjetër, dorëshkrimi do ishte gjetur në dokumentet e Nilo Katalanosnë ditën e vdekjes dhe me këtë rast, në letrën e datës 18 Qershor 1694 drejtuar Romës pleqtë e Himarës do ta kishin përmendur dhe nuk kishte gjasa që ky dorëshkrim të përfundonte në Manastirine Munxifsit (Mezzoiuso) ku ta gjente Nikollë Filja në vitin 1737 dhe ta kopjonte. Llogjikisht Nilo Katalano duhet ta ketë bërë regjistrimin në manastirin e Munxifit[7] gjatë viteve 1687-1692 kur shërbeu si abat, ta ketë lënë aty kur u largua për në Shqipëri, aty e gjeti Nikollë Filja. Kështu që hershmëria e tij shtyhetnga 45 në 50vjet më herët se Dorëshkrimi i Kieutit. Mbi këtëbazë logjike themi se këngët në Dorëshkrimit të Kieutitmund të jenë krijime të mbledhura dhe të shënuara nga Nilo Katalano në Munxifsit (Mezzoiuso dhe Nikollë Filja të jetë kopjuesi i tyre në vitin 1737.

II-Dorëshkrimi i Kieutit[8] [ Qeft (Chieuti)] është një kodik i vjetër prej 105 faqesh, i cili përmban një tekst doktrine të krishtere, disa poezi laike, disa poezi fetare dhe një përmbledhje këngësh popullore, autor i të cilit njihet Nikollë Filja[9] (1682-1769). Dorëshkrimin e Kieutit [..] “E zbuloi në katundin Kieuti, Dioqez i Larinos, arbëreshi Michele Marchianò - Mikele Markiano - gjatë një “udhëtimi letrar” në vitet 1901 e 1902 dhe e botoi më 1908 në “Këngë popullore shqiptare” (Canti popolari albanesi, Foggia 1908)[10]”.U ribotuan më 1961. “Dorëshkrimi i Kieutit (1736-1750),përbëhet prej : A. I Krishteu i Arbresh, B. Kënkëzë e Venecijanit, C. Kënkëzë e Nilo Katalanit, D. Kënkëzë e Pleqrisë dhe E. Kënkë fetare…. Sipas të dhënave të Krispit dhe Skiroit në dorëshkrimin e Nilo Catalano-s “Lessico italiano-albanese e albanese-italiano” janë përfshirë dhe dy tetëvargëshe nga “Cuneus Prophetarum” i Bogdanit dhe rapsodia Pal Golemi[11]”.

Me këtë shënim në artin letrar gojor shqiptar fillon epoka e oralitetit miks, të shkruar dhe gojor. Është fakt se arti letrar gojor shqiptar ka ekzistuar në epoka më të hershme, gjë që dëshmohet nga baladat, mitet, këngët etj. apo dhe nga shkrimet eshkrimtarëve dhe dijetarëve të huaj, por datë e vetme e dokumentuar që kemi gjer më sot për lashtësinë e poezisë gojore shqiptare ështëviti 1737 dhe vepra e parë është“Dorëshkrimi i Kieutit ”, ndonëse të dhënat na japin të drejtën të synojmë një hershmëri më të madhe.

III- Në kapitullin III të Dorëshkrimit të Kieutit[12], nën titullin “Kenkezë të pleqrijsë” jepen 18 këngë popullore[13], që i përkasin folklorit të arbëreshëve të Sicilisë, ku e renditur në numrin 11 me titull “Sontenith me dij or nat[14]” (Pal Golemi) është Kënga e Pal Golemit:

93. Kënka e Pál Gollemit

Sontenith më dí or natë

gjegjesh një rëkim të math.

S' ish rëkim, po Pál Gollemi,

Pál Gollemi ljavosurith,

5-çë m' atruhej' shokëvet:

- Se ju, shokë, e ju, vullazër,

u ju truhem aqë fort

të më bëni varrin tim

aqë të gjerë sa të glátë

10-e në kriet varrit tim,

të më bëni një parathirë,

të më lidhni të mburzërinë;

e në këmbë të varrit tim,

të më lidhni armëzëtë.

15-Prá t' i shkruani e t' i thoi,

t' i thoi sime momsë

të më qepnjë atë kumishë

me fill kripit saj;

të m' e qindisnjë atë kumish,

20-por me gjak faqevet;

por me ljanjë atë kumishë

me ljot të sí-vo-vet;

të m' e terënjë atë kumishë

me zjarr të zëmërës;

25-më dërgonjë atë kumishë,

po me shërtimë të saj.

Të më shkruani së bukurësë

të qindisnjë ksemandiljë,

por me gjak faqevet.

30-Mos isht martuarith,

thoni të martoniet,

të më vé n' atë klishë,

të pjerr sít n' atë qac,

të më shoh shokëzit,

35-të më shtjerë një shërtim,

një shërtimë e ushtëtimë,

37-gjith klishnë të kumbonjë[15].

Duke e lexuar këngën “Pal Golemi” në librin “Rapsodi e një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës ku janë disa këngë kushtuar Motit të Madh, madje dhe për vetë Skënderbeun personazh, shohim një botë, gjuhë dhe tension të përafërt mes tyre, gjë që na shpie në mendimin se edhe kënga e Pal Golemit[16] është krijuar në Arbëri, në kohë lufte si shumë prej tyre dhe më pas ka mbërritur në Siçili së bashku me familjet e shpërngulura. Në Siçili kjo këngë u këndua në valle, duke u transmetuar brez pas brezi, gjersa e shënoi Nilo Katalano, prej nga e kopjoi Nikollë Filja, duke e shpëtuar nga harrimi. Fakti që Pal Golemi u kërkon shokëve t’ia bëjnë varrin sa të gjatë e të gjerë, fakti që ai kishte shqytar, të cilët u vranë bashkë me ‘të, fakti që ka flamur të vetin dhe kërkon që shokët t’ia vendosin në krye të varrit dëshmon se ai ishte pinjoll fisnikësh. Amaneti i tij për armët dhe për “të bukurën” është i një formati me shumë këngë luftëtarësh të rënë nëpër beteja në atdhe apo larg në hapësirë dhe kohë, por ajo që na tërheq vëmendjen është fakti i amanetit të tij për nënën, i cili jo vetëm që është jashtë formatit të njohur, por ka dhe shmangie nga konteksti origjinal në përshtatjen e bërë në shqipen e sotme. Shmangia nis që nga numri i vargjeve ku në origjinal “Kënga e Pal Golemit” ka 37 vargje ndërkohë që në përshtatjet në shqipen e sotme, si te botimi i MILOSAO[17] ashtu dhe te përshtatja e Anton Paplekës[18] kënga jepet me 35 vargje ndërsa te “Folklori Shqiptar” jipet me 29 vargje. Te përshtatja e MILOSAO amaneti për nënën jepet te vargjet 17-23 me tekstin:Pra t’i shkruani e t’i thoni

t’ia thoni mëmës sime

atje ku më qep këmishën

(duke e njomur

me lotët e syve)

të ma terë atë këmishë

në zjarminë e zemrës.

...pra me shtatë vargje, ndërkohë që te përshtatja e Anton Paplekës jepet me nëntë vargje si më poshtë:

Të m’i thoni mëmës sime,

Të më qepë një këmishë

Me një fill nga kripi i saj.

Të ma qëndisë atë këmishë

Po me gjak të faqeve;

Të ma terë atë këmishë

Me zjarr të zemrës së saj;

Ta dërgojë atë këmishë

Me psherëtimën e saj...

…ndërsa Anton Nikë Berisha në analizën e tij i referohet versionit origjinal të sipërcituar :

të më qepnjë atë kumishë,

të m'e qindisnjë atë kumishë,

por me gjak faqevet;

por m' e lanjë atë kumishë

me lot të si-vo-vet;

të m'e terënjë atë kumishë

me zjarr të zëmërës;

më dërgonjë atë kumishë

po me shërtimë të saj.

...ndërkohë në “Folklori Shqiptar[19]” jepet në versionin;

Pra ti shkruani e tia thoni

të ia thoni mëmës ime

tek më qepën atë këmishë

ture e lagur me lot t’sive

të më terën atë këmishë

ndër zjarrmit të zemrës saj[20]

Pavarësisht nga ndryshimi i numrit të vargjeve, në dy përshtatjet bëhet fjalë që nëna t’i qepë (përshtatja e A.Paplekës) ose është duke i qepur (përshtatja e Agim Matos) Pal Golemit një këmishë, ndërsa te varianti origjinal i paraqitur nga Anton Nikë Berisha thuhet shprehimisht: “të më qepnjë atë kumishë, pra bëhet fjalë për “atë “ kumishë (këmishë) që e dinë ata të dy (nënë e bir) se cila (këmishë) është dhe se po atë do ta qepë [të m(a)ë qepnjë] nëna (në të ardhmen). Po kështu dhe te botimi i Folklorit shqiptar jepet në versionin “tek më qepën atë këmishë/tuke e lagur me lot t’sive” duke mënjanuar vargun që këmisha qepet me fillin e flokut të saj, madje janë mënjanuar vargjet e tjera për “qëndisjen me gjakun e faqeve”. Mirëpo vargu“të m’e qindisnjë atë kumishë, por me gjak faqevet” instinktivisht na kujton nënat tona që çjerrin faqet gjer në gjakosje në raste gjëmash si kjo e Pal Golemit.

Për dy variantet e përshtatura dhe botimin e Folklorit[21] na lind pyetja: pse i duhet Pal Golemit këmisha e re pasplagosjes vdekjeprurëse në këtë luftë, më saktë pas varrimit të tij në atë “varrin sa të gjatë dhe të gjerë”? Kur dhe si do ti vijë ajo këmishë për ta veshur, ndërkohë që shokët e shtinë në dhe?

Dikush do na kujtojë zakonin shqiptar të të vdekurit bukur. Zakoni shqiptar i të vdekurit bukurnënkupton që luftëtari të shkojë në luftë i veshur bukur, si dhëndër dhe me këtë veshje “të bukur” ta marrë vdekja. Në rastet kur kapet rob e vendoset para skuadrës së pushkatimit ose para litarit të shprehë si dëshirën e fundit krehjen e flokëve dhe rregullimin e rrobave që ka veshur.

Luftërat mesjetare, pra dhe luftërat skënderbejane bëheshin gjithmonë larg vendbanimeve dhe të vrarët ishin me shumicë, kështu që edhe varrimi i tyre bëhej pa shumë “përkujdesje[22]”e “stolisje” të të vrarëve. Askush nuk ua ndërronte veshjet e përgjakura apo t’u pastronte e t’u lidhte plagët dhe as që premtonte koha që të prisnin sa t’u vinin veshjet e “bukura” nga familja. Ata ishin të bukur në veprën e tyre, në rënien e tyre për atdhe,me këmishët e përgjakura, sepse për një luftëtar të vrarë në luftë nuk ka veshje më të bukur se sa uniforma luftarake e përgjakur apo e copëtuar nga goditjet e armikut.

Sigurisht që në rastet kur rastiste që lufta të bëhej pranë vendbanimeve të tyre, ishin vetë familjet e të vrarëve që përkujdeseshin për trupat e bijve të tyre dhe në këto raste u bëheshin shërbime e ceremoni, por në rastin e Pal Golemit, vetë fakti që ai u jep amanete shokëve për varrin, kalin, armët, flamurin,nënën dhe të bukurën tregon se ai po vdes larg familjes. Pra, ajo këmishë që po qep e qëndis nëna e tij (sipas përshtatjes së bërë) Pal Golemit nuk i duhet fare dhe nuk ka për t’i mbërritur. Kjo nënkupton se amaneti i tij nuk flet për ndonjë këmishë prej basme, mëndafshi apo çfarëdo lloj cohe të qepur e qëndisur. Gjetkë e ka fjalën Pal Golemi, për tjetërlloj këmishe flet ai. Ajo këmishë duhet të jetë qepur me flokët e nënës, (kujtojmë që flokët kanë edhe aftësinë e penjve kirurgjikalë), kërkon të qëndiset me gjakun e nënës (jo me fije muline qëndismash) duke na rikujtuar ritualin e çjerrjes së faqeve nëpër morte, duhet të jetë e larë me lot dhimbje nëne (nuk shterin lotët e nënave për bijtë e tyre rënë në luftë) si dhe të jetë e terur me zjarrin e zemrës (së përvëluar) të nënës. Dhe sigurisht nuk do t’ia dërgojë me ndonjë shërbëtor,korrier apo zog, por do t’ia dërgojë meshërtimë”, një psherëtimë e pafundme dhe të pandalshme të saj. Ç’ këmishë po kërkonte nga nëna Pal Golemi fisnik dhe djalë i vetëm i shtëpisë fisnike arbërore, rënë në luftën për atdhe?

Sigurisht, duke pasur parasysh elementet e qepjes, qëndisjes, larjes dhe tharjes që janë element organikë njerëzor, të cilët krijohen në situata të caktuara shpirtërore, arrijmë në përfundimin se edhe vetë këmisha që po qep nëna apo ia kërkon Pal Golemi nënës është një “këmishë” shpirtërore. Me atë mund të metaforizohet shumë bukur (dhe jo vetëm)kujtimi i nënës për të birin, qysh nga momenti i ngjizjes e deri në momentin e nisjen për në luftë. Biri i saj do jetë në shpirtin e saj i gjallë për sa të jetojë ajo. Ai do jetë duke lozur nëpër shtëpi apo në oborr, ajo do t’i krehë flokët e do t’i veshë rrobat, do ta marrë për dore për të shkuar në kishën e katundit apo nëpër miqësi, por asnjëherë më nuk do ta lejojë të shkojë në luftë. Pal Golemi tashmë i përket i gjithi vetëm asaj, nënës dhenë kujtesën, dashurinë dhe shpirtin e saj ai do jetë i gjallë dhe do ketë nevojë për një “këmishë”. Këtë këmishë do t’ia qepë nëna dhe do t’ia nisë me “shërtimë të saj”, me psherëtimën (metaforike) e saj të përjetshme e të përditshmepër djalin e vrarë.

Të mendosh se ky metaforizim është krijuar në një kohë lufte, vetiu të lind pyetja se: si do ketë qenë arti letrar gojor i popullit tonë në kohën para turke. Vetëm duke e menduar këtë yllësi të nxirë të zymtohen sytë nga hapësira e pamatë e artit letrar gojor arbëror të shkrumbuar nën zjarrin e pushtuesit turk.

Dikush do që të heqë një paralele mes kësaj kënge dhe këngës “Mbeçë more shokë, mbeçë”, por unë ju them se: te kënga e nizamëve ka një dhimbje të dukëshme qysh në tekst, si një ndjesë që bijtë u kërkojnë nënave për dhimbjen që u shkaktojnë me vdekjen e tyre si ushtarë dhe për llogari të të huajve, larg shtëpisë dhe atdheut. Te këngët arbëreshë edhe vdekja ka një bukuri yllësore dhe krenari të dukëshme për faktin se luftëtarët vdesin për atdheun dhe në atdheun e tyre. Këngët e nizamëve (kënga “Mbeçë more shokë, mbeçë” etj) janë një klithmë dhimbjeje, por kjo klithmë dhimbjeje është në melodi, kryesisht në iso, por këto këngë nuk pretendojnë ti qasen poetikisht tekstit të Pal Golemit.

Teksti i rapsodisë arbëreshe të Pal Golemit, për fat të keq,  nuk u vështrua asnjëherë si tekst poetik, po vetëm si porosi, si një amanet dhe nuk u vlerësuar fakti i rëndësisë që ka në një tekst poetik amaneti i të vrarit.

Për nga teksti, artin dhe metaforizimin e këngës së

Pal Golemit unë personalisht nuk kam gjetur as në nivelet më të larta europiane të letërsisë e jo më në letërsinë shqipe apo ballkanike.  Ajo që nuk dimë dhe smund ta zbërthejmë te Kënga e Pal Golemit ështëniveli i të kënduarit të saj dhe kjo për vetë distancën e madhe kohore.

Anton Nikë Berisha me finesë dhe mprehtësi profesionale, duke e zbërthyer “sekretin” e amanetit të Pal Golemit shprehet se: bëhet fjalë për tjetër “këmishë”:[..] “Këto vargje, që ngërthejnë një simbolikë, metaforikë e kuptimësi të pasur dhe një nëntekst shumësor poetologjik, i japin kësaj poezie gojore një përmasë dhe vlerë të tillë që e radhisin, të themi me gjuhën e artit, në mbretërinë poetike të letërsisë sonë[23] ”.[..].

Duke e parë në këtë prizëm “Këngën e Pal Golemit”, ndjej një ngushtësi në shpirt për mësuesit tanë që në orët e leximit letrar na e shpjegonin këtë baladë diamant duke e copëzuar, në klishe të socrealizmit, pa e kuptuar se: diamanti që goditet (nga jo mjeshtrat) copëzohet e grimcohet dhe humbet vlerat e tij.

Sa i zakonshëm na është dukur Pal Golemi dje, ndërkohë që ai është tepër madhështor.

Sarandë, më prill 2022



[1]Prefazione Domenico Corradini H. Broussard, Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2008.

[2] Anton Nikë Berisha, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, Luigi Pellegrini editore, vep. e përm., f. 11

[3]Moikom Zeqo: Forumi Al. “Ju rrëfej kush ishte Nilo Catalano” Aug 24, 2015;Himara në atë kohë kishte 1430 frymë. Katalanipredikoi shqip edhe në fshatin e Pilurit me 500 banorëdhe në fshatin Vuno me 600 banorë.(Këto të dhëna i përkasin vitit 1693).

[4]Nilo Katalani,Italian (me prejardhje spanjolle)i lindur më 1637 në fshatin e Sicilisë,TerraDi Massa, afër Mesinës. Në 1659u vesh murg bazilian në manastirin e Grotaferratës afër Romës. Më vonë u dërguanëmanastirin baziliantëfshatit Munxiftisi lektor. Moikom Zeqo thotë se Nilo Katalano erdhifillimisht në Himarë para vitit 1677, por nuk specifikon kohën e qëndrimit. (M.Zeqo: Vepër e cituar).Në vitin 1682 Katalano u emërua nga Vatikani si Vikar apostolik dhe u dërgua në Korsikë ku qëndroitre vjet sepse një sëmundje e detyroi të kthehen në manastirin Grotaferratës,ku nisi të shkruajë gjuhën shqipeme dialektin e Veriut.Në vitin 1692 «gjashtë mijë [të krështerë] të popullit të Himarës iu drejtuan Sekretarit të Shtetit të Vatikanit kuankoheshin për faktin se nuk kishin dërguar më misionarë, duke dëmtuar kështu mbarëvajtjen e Kishës së tyre» [..].Mateo Mandala “Nilo Katalano dhe kisha e Shën Thanasit” Panorama Aug 25, 2015.

Papa i Romës e emëroi Nilo Katalanon si Kryepeshkop të Durrësit më 4 janar 1693.Më 10 maj 1693 u njoftua se «mbërriti në krahinën e Himarës imzot Nilo Catalano, arkipeshkëv i Durrësit dhe Vikar Apostolik, i cili qëndroi në selinë e Dhërmiut”. Bashkë me të ishin dhe Filotheo Zasin dhe Lorenco Mariotti.Që të tre nisëntë predikonin në fshatrat e bregdetit,në Dukat, Tërbaç, Kuç,Zhulat, që bënin pjesë në krahinën e Himarës, që në atëkohë përmblidhte tërë Labërinë, me gjithsej 40 fshatra. Predikimi bëhej në gjuhën shqipe.Katalano informonte Vatikanin se i kishte dhënë «përparësi ngritjes sërish të shkollës për të rinjtë dhe fëmijët për t’u mësuar të gjithëve Doktrinën eKrishterë». Saktësojmë këtu se mësimi i katekizmit zhvillohej në gjuhën shqipe. Këto shkolla ishin të njëkohshme me ato, që u hapën në Shqipërinë Veriore nga Bogdani, Budi dhe misionarëtë tjerë katolikë. Shkolla shqip e Katalanit kishte80 nxënës, gjë shumë e madhepër kohën.. Dhërmiu më 1694 kishte 1850 banorë.

Rikujtojmëse:I pari misionar katolik që erdhi në Himarëishe Neofito Rodino (1577-1659)që qëndroi 15 vjet që nga viti 1628-1643. Hapi shkollë në Dhërmi, Vuno dhe Nivicë. I dyti misionar ishte Nilo Katalanodhe i treti misionar ishte Giuzepe Schirro, i cili qëndroinë Himarre nga viti 1716 -1728. Veprimtaria e tij në Himarëndeshi një përplasje të fortë me kishën greko-bizantine me qendër në Janinë e cila varej nga Konstandinopoja.

Nilo Katalani u sëmur në Vuno në 17 Maj 1694 dhe vendosën tadërgonin në Korfuz për mjekim. Nisen më 3 qershor 1694 me varkën nga Porto Palermo, por vdiqnë mes të detit, ndaj u detyruantëkthehen në Dhërmi, ku natën e kalojnë në breg. Në agim ngjiten në fshat,ku me një ceremoi massivebëhet varrimi i Nilo Katalanos. Më 18 qershor 1694 pleqtë e Himarës i shkruajnëRomës dhe e informojnëpër sëmundjen dhe vdekjen e tij, ku veçojnë se uvarros në kishën e Shën Thanasit,me tërë veshjet peshkopale dhe ubënë tërë shërbesat për përshpirtjen me grurë të zier dhe verë, siç e kërkonte riti mortor. Jehona e madhe e emrit të tijlidhet edhe me faktin se ai ishte Peshkop i Durrësit dhe Vikar apostolik i Himarës, pra gradë e lartë kishtare, ndërkohë që misionarët e tjerë ishin priftërinj të thjeshtë. Informacione nga Moikom Zeqo dhe Matteo Mandala, shkrime të Gusht 2015.

[5] Anton Nikë Berisha, vepër e cituarf. 19.

[6]Dorëshkrimi i Erlangenit (Erlangenski Rukopis) mbledhja më e vjetër si vëllim e poezisë popullore serbokroate, është rreth vitit 1720.

[7]Mateo Mandala; Nilo Katalano dhe kisha e Shën Thanasit. Gazeta “Panorama”25 gusht 2015: Përveç greqishtes së vjetër dhe asaj popullore, studioi me pasion të veçantë edhe shqipen, gjuhë në të cilën shkroi disa vjersha tetëvargëshe që sot na kanë mbërritur përmes Kodikut të Kieutittë Nikollë Filjas, edhe ai prift nga Munxifsi. Sipas Zef Skiroit, Catalano la edhe një dorëshkrim të vëllimshëm, që sot konsiderohet i humbur, i cili përmbante një gramatikë dhe një fjalor të shqipes….

Në vitin 1682 Catalano u emërua nga Vatikani si vizitator apostolik dhe u dërgua në Korsikë... Pasi qëndroi për tre vjet në Korsikë, një sëmundje e shtrëngoi të kthehej (1685)për t’u kuruar në Grottaferrata. Dy vjet më vonë (1687) u kthye në Sicili, me detyrën e Abatit të Manastirit të Munxifsit,

[8] Chieuti është një fshat i vogël në rrethin e Molizestë Italisë, i ngritur më 1680 nga emigrantë arbërorëpas pushtimit turk.

[9]Nikollë Filja (1671 – 1769) poet e shkrimtar arbëresh, lindur nga një familje arbëreshe, te shpërngulur në Italinë e Jugut pas pushtimit osman të Shqipërisë në shekullin XV, me origjine nga Filiati i Çamërisë. ( thuhet nga don Andrea Filja në një dorëshkrim të vitit 1764). Ai ishte nga fshati Munxift i Sicilisë, në manastirin e të cilit shërbeu dhe Nilo Katalano duke u mësuar banorëve shkrimin shqip. (Me sa duket këtu e ka pas lënë dorëshkrimin e tij Nilo Katalano dhe e gjeti më pas Nikoll Filja. Shën. im. T.M.). Shkroi dhe përshtati në të folmen arbëreshe vjersha lirike me përmbajtje fetare, të mbështetura në folklor. Përshtati shqip edhe një “Doktrinë të Krishterë”. La një dorëshkrim me këngë popullore e shkrimet e tij, që u gjendën në një kodik në Kieuti, një qendër arbëreshe (Dorëshkrimi i Kieutit). Me këtë veprimtari Filja renditet midis folkloristëve të parë arbëreshë.

[10] Anton Nikë Berisha. vepra e cituar f. 38. Marchianoi e shoqëroi këtë botimme një parathënie prej 64 faqesh, në të cilën flitet për historikun e gjetjes së dorëshkrimit, për gjendjen e tij, për këngët popullore arbëreshe etj.

[11] Anton Nikë Berisha. vepra e cituar f. 39

[12] Dorëshkrimi i Kieutit është realizuar në botim të përbashkët ngaInstituti i gjuhës dhe të letërsisë shqiptare të Fakultetit të letërsisë dhe të filozofisë të Universitetit të Palermos dhe i Bashkësisë së Munxifsit (Mezzoiuso-s).Ky Kodik(Codice Chieutino) me titullin ‘I Cristeri arbëresh’ (I krishteri abëresh), iu dhurua në 2015-07-15 Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Vepra dorëshkrim, iu dorëzua Prefektit të Bibliotekës Apostolike, imzot Cesare Pasini-t nga arkivisti kosovar Bejtullah Bestani. Sqarojmë se Dorëshkrimi i Kieutit bënte pjesë në bibliotekën personale të prof. Namik Resulit, ku e bija e tij e kishte ruajtur edhe pas vdekjes së studiuesit të njohur dhe që më pasia dhuroi zotit Bejtullah Destani.

[13] Tetëmbëdhjetë këngët e përfshira në “Kodikun e Kieutit” janë: 1. Sontenith me dij or natë 2. O se ti Pjetrë Vajvodi3.E ligjë-roi plaku me malt 4. Vaita siprë mbij katund 5. Sontenith gëzuarith 6. Vilie, vilieza kopilie 7. Mbeta motmot me rrogë8. Kostandini i vogëlith9. Duall e bukura në derë10. Sontenith në dij or nat (Nik Peta) 11. Sontenith me dij or nat (Pal Golemi)12. Shum u desh vasha me trimt 13. Sa e vogele ish molla14. Triezë e triezezë15. Të veni n’atë fer (E bukura Katerinë) 16. Vashëza, ç’ish më mblidh liule 17. Bëri kshijll zonja Elenë 18. Vashëza çe më mblidh liule (Shega dhe Vllastari).

Këngët e kësaj përmbledhjeje u ribotuan në vëllimin e parë të serisë “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” (1635-1912), Tiranë, 1961

[14] Me këtë titull quhen edhe kënga nr. 1, Kënga nr.10 kushtuar Nik Petës dhe kënga nr. 11 kushtuar Pal Golemit.

[15] Anton NikëBerisha: “Antologji e poezisëarbëreshe” Kozencë1997fq 335, nr 93.  ,NëkëtëlibërkjokëngëështëbotuarsipasbotimittëZefSkiro (Plakut)

[16]Rikujtojmë që dhe Gavril Dara te “Kënga e sprasme e Balës” ka një personazh të poemës së tij të quajtur Pal Golemi (së bashku me Nik Petën), po ashtu edhe teAnton Nikë Berisha: “Antologji e poezisë arbëreshe” Kozencë 1997 ka një këngë: Nik Peta i lavosur.

[17]Jeronim De Rada “Rapsodi e njëpoemearbëreshe”. Përshtaturnëshqipen e sotmengaAgimMatoBotimet MILOSAO 2016.Fq 122-123.

[18]Anton Papleka : Shqipëria.com 2007, ”270 vjetori i Dorëshkrimit të Kieutit” .

[19] J. Panajoti-R. Hyso: “FolkloriShqiptar” botimivitit 1962 f. 115-116

[20]Ndryshimetëtillajanëvërejturnëshumëbutime me tëcilatjemikonsultuar, madjeedhetebotimi DE RADA: VEPRA 5 RAPSODI E NJË POEME ARBËRESHE Botimi RILINDJA Prishtinë 1983

[21] Si dhepërgjithëbotimet mekëtëmangësi.

[22]Sigurisht që bëhej përjashtim për vrasjen e mbretit apo perandorit dhe kryekomandantit të ushtrisë, sidomos kur këta ishin princër të familjeve mbretërore. Në këto raste palët ndërluftuese kishin rregulla të veçanta në trajtimin e trupave të tyre të vrarë në luftë.

[23] Anton NikëBerisha. vepra e cituar f. 50