| E marte, 19.04.2022, 09:35 PM |
Jo retorikë për armatosjen e Serbisë, por njohjen e genocidit të saj në Kosovë!
Nga
Enver Bytyçi
Më
15 dhe 16 prill 2022 u zhvilluan aktivitete në Prishtinë, Mitrovicë, Xërxë dhe
Kukës për të përkujtuar 23 vjetorin e Eksodit biblik të shqiptarëve në vitin
1999. Shoqata "Eksod 99" e drejtuar nga zoti Mustafë Kryeziu ishte
organizatore dhe udhëheqëse e këtyre veprimtarive. Ajo organizoi në Prishtinë
konferencën me temën e eksodit, në të cilën morën pjesë ish-presidenti i
Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-kryeministri Abdullah Hoti. Por nuk u pa në atë
konferencë asnjë shtetar aktual i institucioneve të Kosovës! Me këtë rast dua
t'u përkujtoj autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë se pas Luftës së
Dytë Botërore bota ka vendosur ligje e rregulla me të cilat dënohen autorët e
genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.
Me
9 dhjetor të vitit 1948 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 260
të saj, me të cilën shpalli Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve
kundër Njerëzimit. Kjo konventë hyri në fuqi më 12 janar të citit 1951. Për
këtë rezolutë shërbeu si nxitje një tjetër rezolutë e mëparshme e 21 nëntorit
1947, në të cilën përcaktohej se "Krimet kundër njerëzimit janë krime
ndërkombëtare, ndaj dhe ato kërkojnë përgjegjesinë e njerëzve dhe
shteteve"
Sipas
nenit 2 të Konventës së 9 dhjetorit 1948 janë të dënueshme krimet që asgjësojnë
dhe shkatërrojnë pjesërisht ose tërësisht jetën e pasurinë e njerëzve për arsye
nacionale, etnike, të racës ose religjionit. Dhe në këto krime bëjnë pjesë
vrasja e anëtarëve të një grupi të lartpërmendur, dëmtimi dhe plagosja fizike e
shpirtërore e anëtarëve të grupeve të mësipërme, masat imponuese për kufizimin
e lindjeve, masat detyruese kundër fëmijëve, shkatërrimi I pronës etj. Këto
vepra janë parashikuar të dënohen edhe nga kodi penal i vendeve, të cilat kanë
nënshkruar Konventën e OKB-së.
Tani
le të kthehemi te Kosova. Duke i ballafaquar krimet e Serbisë në Kosovë me
Konventën e OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve kundër Njerëzimit,
rezulton se të gjitha veprat çnjerëzore që ushtria, policia, paramilitarët, pra
shteti serb dhe strukturat e tij kanë kryer në Kosovë gjatë më shumë se një
shekulli, por veçmas gjatë viteve 1989-1999, janë të tilla. Këtu bëjnë pjesë
helmimet e fëmijëve dhe nxënësve shqiptarë, të dokumentuara nga ekspertët e
OKB-së. Bëjnë pjesë vrasjet në ushtri dhe vrasjet e tjera, si dhe burgosjet e
qindra mijë shqiptarëve. Duhen konsideruar gjithashtu largimi nga puna i 114
mijë shqiptarëve me një ligj të posaçëm në vitin 1990, mbyllja e universitetit
dhe shkollave shqipe, mbyllja e botimeve dhe Shtëpisë Botuese "Rilindja",
mbyllja e televizionit, heqja e autonomisë në kundërshtim me kushtetutën
jugosllave, mbyllja e Akademisë së Shkencave, përndjekja e shqiptarëve etj.
Ndërkaq
dosja e krimeve kundër njerzëimit tejmbushet me vrasjet dhe masakrat serbe
kundër shqiptarëve në vitet 1998-1999. Të 13,200 shqiptarët e masakruar kanë
emër e mbiemër. Po ashtu të zhdukurit, 1630 prej të cilëve ende sot nuk janë
gjetur! Ndër të masakruarit duhen veçuar fëmijët, pleqtë dhe njerëzit e
paarmatosur në 99 përqind të rasteve. Krim kundër njerëzimit është shpërngulja
me dhunë e njerëzve për shkak të etnisë, rracës ose besimit. Një milion
shqiptarë të Kosovës u detyruan të shpërngulen në dy muaj nga vendlindja e tyre
si rezultat i dhunës së Milosheviçit. Po ashtu u shkatërruan banesat, qendrat e
biznesit, objektet e kulturës dhe të kultit të shqiptarëve. Dhe u përdhunuan
mijëra gra e vajza!
Të
gjitha këto krime dënohën nga Konventa e OKB-së e 9 dhjetorit 1948. Ato do të
duhej të ishin dënuar me kohë. Konventa përcakton se për krime të tilla mbajnë
përgjegjësi individët që i kryejnë si edhe shtetet. Shteti i Serbisë, qeveria e
saj, shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe, Komanda Qendrore e Policisë së
Beogradit dhe ajo e Prishtinës kanë hartuar plane e programe konkrete për
realizimin e krimeve kundër njerëzimit për asgjësimin fizik të shqiptarëve. Kjo
është lëhtësisht e provueshme. Prandaj në krimet në Kosovë është përgjegjës
para së gjithash shteti i Serbisë dhe jo vetëm individët që kanë zbatuar
programet, projektet, planet dhe urdhërat për shfarosjen e tyre.
Por
ndërsa shoqatat e luftës në Kosovë bëjnë organizime përkujtimore të tilla,
politika tenton ta shmangë diskutimin dhe denoncimin e krimeve kundër
njerëzimit të Serbisë në Kosovë. Në konferencën e organizuar për ditën e
Eksodit dhe evokimin e këtij krimi të Serbisë kundër shqiptarëve nuk erdhën
përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Nuk ishte i pranishëm as ambasadori i
Shqipërisë në Prishtinë. As edhe përfaqësues të tjerë të Trupit Diplomatik.
Presidentja,
kryeministrat, disa ministra, ambasadorët kishin ftesa të pjesmarrjes. Por mesa
duket kishte një marrëveshje në heshtje për të bërë të paditurin. Nuk e kam
fjalën te nderi që ata duhej t'i bënin shoqatës. Mospjesmarrjen unë e lexoj si
refuzim të evokimit dhe pohimit me zë të lartë të genocidit serb në Kosovë.
Ndërsa sa i përket ambasadorit shqiptar në Kosovë, unë e di se ai nuk mund të
marrë pjesë në përkujtimin e ngjarjeve të tilla pa lejen e ministres së Punëve
të Jashtme. Ndërkaq Tirana zyrtare e Edi Ramës është kategorikisht kundër
përcaktimit të përgjegjësisë së shtetit të Serbisë sa i përket genociidit dhe
krimeve kundër njerëzimit që ai ka bërë ndaj shqiptarëve. Madje zoti Rama
vazhdimisht e shpreh publikisht refuzimin e tij për t'i përmendur Beogradit
këto krime!
Në
këto kushte do të ishte e udhës që opozita shhqiptare në Shqipëri të
riorganizohet sa më parë dhe të ushtrojë presion në parlament e në shoqëri me
qëllim që të inicohet miratimi i Rezolutës me të cilën të njihet genocidi serb
në Kosovë si dhe përgjegjësia direkte e shtetit të Serbisë për këtë genocid.
Eshtë diçka tjetër ta njohësh genocidin serb. Me rëndësi është të njihet edhe
përgjegjësia e shtetit të Serbisë. Ndryshe nuk do të ndëshkohet e keqja. Madje
ajo mund të përsëritet!
Diskutimet
për armatosjen e Serbisë dhe reagimet e Beogradit për armatosjen e Kosovës janë
retorikë që marrin përgjigje nga njohja e genociidit serb kundër shqiptarëve
nga ana e të dy parlamenteve, atij të Tiranës dhe të Prishtinës!