| E hene, 18.04.2022, 05:46 PM |
“ERRËSIRËN”, MESJETËS DHE ARBËRORËVE IA KA KRIJUAR QASJA JOSHKENCORE NDAJ SAJ
Nga
Jusuf BUXHOVI
Akademik
Pëllumb Xhufi, në një leksion me temën “Mesjeta arbërore e shek. XI-XIV: një
vështrim mbi problematikën” paraqiti një varg problemesh që pengojnë në
ndriçimin e historisë së mesjetës së hershme. Mes tyre, u përmend metodat e
studimit. U theksua “se ka një material të ngjeshur dokumentesh të botuara në
gjuhën latine dhe italishten mesjetare, e më gjerë për të cilat duhet përdorur
origjinali krahas përkthimit”.
Ajo
që bie në sy te hapja e kësaj çështje gjithsesi ka të bëjë me nxjerrjen në pah
te një fakti tejet të rëndësishëm - të Arbërve në Bizant, ku, pos tjerash,
thuhet se “burimet bizantine pohojnë se ekzistonte një marrëdhënie e rregulluar
me marrëveshje të veçanta, ku Arbrit gëzonin njohjen e një autonomie
politiko-administrative të tyre nga Perandoria Bizantine. Shqiptarët nuk
quheshin bizantinë, por quheshin aleatë.”
Natyrisht
se këtu dhe te kjo çështje fillojnë keqkuptimet, që historiografia institucionale
shqiptare ia ka krijuar vetes prej më
shumë se një gjysmë shekulli ngaqë është ndjekur blanco metodologjia e njohur e
shkollës vieneze të shekullit XIX dhe diktati i saj me mangësi shkencore, ku
vendi i shqiptarëve në historiografi nga antikiteti, mesjeta hershme, ajo e
mesme dhe koha më e re, nuk është parë në qendër të saj, siç ka qenë në të
vërtetë me ndërlidhjen me Pellazgët dhe
fuqinë e trinomit mbretëror ilir (Maqedoni, Dardani, Epir) që e ka dominuar atë
në periodën para dhe pas heleniste, por në periferi, gjithnjë në kuadër të
tërësive “të huaja”, pra të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve dhe të
tjerëve!
Kjo
pikëpamje, që ka dominuar historiografinë prej gati dy shekujsh nga shkolla
sllaviste e Vjenës, e ndërtuar kryekreje mbi koncepte politike dhe në emër të
interesave të caktuara të ridizajnimit
të hartës shtetërore europiane nga Kriza Lindore e këndej dhe e
përqafuar me zell të madh nga propaganda hegjemoniste ruso-sllave, është pranuar edhe nga historiografia
institucionale shqiptare nga themelimi i saj thuajse me inferioritet të plotë.
Ngjashëm ka ndodhë edhe me teorinë
indoeuroiane si dhe vendin e shqipes në të, ndonëse e përcjellë me dyshime të
mëdha nga shumë studiues të njohur ndërkombëtarë pikërisht për këtë arsye.
Nëse
dikur si alibi ka shërbyer faktori ideologjik dhe ai i diktatit të
historiografisë serbomadhe, gjithnjë i lidhur me faktorin e parë në rrethanat e
sistemit komunist në Shqipëri dhe Jugosllavi, megjithatë, eliminimi i këtyre
faktorëve është dashtë të përcjellët edhe me rishqyrtime, korrigjime si
dhe me rishkrime historiografisë.
Dhe,
tash, kur hapen këto çështje në nivel të një Akademie të Shkencave, që deri më
tani e ka përfaqësuar këtë diskurs me mjaft fanatizëm, madje edhe duke i
anatemuar përpjekjet që ato të shihen “ndryshe” nga studiues jashtë saj si dhe
ndërkombëtarë, shtrohet nevoja për rishqyrtime të gjithmbarshëm historiografike
të atyre nga antikiteti, mesjeta e deri te koha më e re, mbi konceptin e pamjes
së iliro-arbërorëve-shqiptarëve në të si pjesë e qendrës dhe jo e
shkapërderdhur tek të tjerët, si periferi, siç pretendon shkolla sllaviste e
Vjenës, që edhe sot e gjithditën me perfiditet, përfaqëson këto qëndrime
nga historiani kontrovers Olivier Shmitt
dhe disa të tjerë.
Ndryshimi
i kësaj paradigme, krahas rishqyrtimit të lidhjeve të ilirëve me botën pellazge si dhe raportet me helenizmin,
pa mëdyshje nënkupton përqendrimin te rishikimi i vendit të Arbërve në Bizant,
si pjesë shpirtërore (me krishterimin),
asaj institucionale - në ngrehinën e saj
në kuadër të strukturave administrative-vetëqeverisëse (me Ilirikun dhe
themat në kuadër të statusit të
qytetarisë bizantine romarios), ku Arbrit bashkë me Grekët dhe Latinët shkrinë
identitetin e tyre etnik në dobi të atij perandorak. Ndriçimit të kësaj
çështje, po ashtu, i ndihmon vendi dhe roli i Arbërve edhe në kuadër
strukturave feudale dhe të asaj që Shufllay me të drejtë e quan “separatizëm
feudal” nga koha e procesit të shthurjes së Bizanit (midis shekujve XII-XIV),
sidomos nga kryqëzata e katër e këndej, kur shfaqet edhe Despotati i Epirit, si
alternativë e përjashtimit të qendrës së Bizantit nga Kostandinopoja në Nike
pas vendosjes në të Perandorisë Katolike nga 1204-1267 dhe më vonë edhe “Mbretëria e Arbërisë”
Anzhue (1272-1296) dhe garës së
njohur e despotëve për krijimin e
strukturave autonome-feudale, në kuadër të hapësirës perandorake.
Në
këtë proces dezintegrues, rol të madh luan edhe ndriçimi i dinastisë Nemanjane të Rashës, si një faktor hegjemon
force në Ilirik, që për dy shekuj, në hapësirën e Dardanisë, atë të Maqedonisë
dhe pjesërisht të Epirit, në kohën e Stefan Dushanit, u vetëshpall “perandor” me pretendimin që ta
zëvendësojë kurorën e Bizantit. Në bulat e tij dhe të paraardhësve, jo
rastësisht përmendën dhe Arbrit bashkë me grekët, vllehët dhe të tjerët. Shumë
nga këto bula janë falsifikuar nga Kisha ortodokse serbe si dhe Akademia Serbe
e Shkencave dhe Arteve në përputhje me konceptin e përvetësimit të Rashës
Nemanjane si “shtetit mesjetar serb”, prej nga përjashtohe koncepti i “Ilyricum
Magnum”.
Interpretimi
i drejtë i raporteve të Rashës Nemanjane në Ilirik ka rëndësi jo vetëm për
Arbrit, por në përgjithësi për ndriçimin e zhvillimeve në kuadër të Bizantit,
meqë kjo dinasti luajti rol tejet të rëndësishëm në garën midis krishterimit
lindor dhe atij perëndimor si dhe luftë
së vendeve katolike kundër atyre ortodokse nën kurorën e Bizantit. Rasha dhe,
mbretëria e Bullgarisë para saj, po edhe feudalët e shkapërderdhur arbëror,
patën një vend të veçantë në këtë garë. Meqë aty përcaktohej hegjemonia midis tyre, në rrethanat e
shfaqjes së osmanëve, të cilët ndikuan që
Bizanti, në kohën e Paleologëve të
kthehet në aleatë të tyre, gjë që
përshpejtoi ngritjen e osmanëve në fuqi në dëm të krishterimit katolik. Në këtë
kthesë të rëndësishme, Rasha, pati një ndikim të madh, ndonëse fillimisht ishte
në anën e Vatikanit. Stefani i I, më 1219, u kryqëzua “mbret” nga Papati, në
mënyrë që më vonë, siç veproi Dushani, të marrë anën e Bizantit me pretendimin
që ta fitojë kurorën e tij. Në këtë proces, pra të luftës së dy kishave,
përfshirja e Arbërve është aktive me
anën e formacioneve shoqërore-shtetërore të një rë ndësie të madhe strategjike,
me Despotatin e Epirit në anën e Bizantit dhe të krishterimit ortodoks dhe, me
Mbretërinë e Arbërisë Anzhue, në pjesën e tyre më të madhe, në anën e
katolikëve të perëndimit. Në këtë zhvillim historik, me kapërcime dramatike dhe
e përcjellë me luftëra të ndërsjella në dobi të njërit apo tjetrit kryq, që
është minimizuar nga historiografia
shqiptare për arsye që u cekën më lartë,
Rasha Nemanjane inkorporohet si faktor hegjemon me pretendimin që ta
fuste në konceptin e vet faktorin arbëror, ndonëse të shkapërderdhur nëpër
feude, në përputhje me raportin e forcave të kohës, që do të ishte kompatabil
edhe me interesat e veta. Raportet ndërlidhëse në vend të atyre përjashtuese të
arbërve me Nemanjajt në kuadër të kësaj gare midis Lindjes dhe Perëndimit, kanë
rëndësi të madhe për ndriçimin e një kornize komplekse historike që ka të bëjë
kryekreje me Arbërinë Mesjetare në kuadër të Mesjetës dhe të faktorëve kyç në
të. Kjo fiton peshë edhe më të madhe nga fakti se historiografia hegjemoniste serbe dhe ajo ruse-sllave në
përgjithësi është munduar që despotatin e Rashës, nga shfaqja e paqartë si
zhupani në shekullin XI e deri te forcimi në shekullin XIII dhe XIV, ta
konvertojë në “shtet mesjetar” serb, ndërsa rasianët t’i konvertojë në serbë,
përkundër fakteve të shumta historike nga autorë bizantinë (përfshirë këtu edhe
perandorin Kantakuzen) ku ata paraqiten si Tribal (sipas autorëve antikë fis
ilir),ndërsa Rasha si Tribalia,të cilën filologu serb Budimir, krahas
etimologjisë së emërtimit Rasa nga Arsa në shqipe, jo rastësisht e quan
“kështjellë e fundit të Bizantit në Ilirik”. Konvertimi i tribalëve në serbë,
është i pranishëm edhe në gjashtë vëllimet e “Historisë së popujve të
Jugosllavisë në dokumentet bizantine” të botuar midis viteve 1953-1974, por me
një ndërhyrje flagrante kur emërtimi tribal i rasianëve “shpjegohet” si “hutim”
i perandorit të Bizantit dhe të tjerëve nga Herodoti!
Historiografia
institucionale shqiptare, ka sot mundësi të
shumta që të kundërshtojë, madje edhe ta demantojë konvertimin e Rashës
Nemanjane në “shtet mesjetar serb” që është bërë me falsifikimin e dokumenteve kishtare nga Beogradi (kristobulat dhe
zhititë – përshkrimet fetare nga Hilandari) dhe të tjera. Këto falsifikime
pranohen edhe nga historianë objektivë serbë (Ruvarac, Budimir dhe, edhe rusi Jastrebov). Kundërshtohen, po ashtu edhe
nga shumë e shumë relacione diplomatike
të Vatikanit, të Vendikut, Raguzes dhe atyre hungareze, në të cilat
Rasha quhet vetëm Rasia, Rascia dhe assesi “mbretëri serbe”. Ky veprim madje
mund të gjendet edhe te historiani serb
S. Novakoviq, i cili, në parathënien e veprës “Zakonik Stefana Dushana cara
srpskog” pranon se në studimin e tij nuk
mbështetet mbi “Kanun mesjetar të
shekullit XIV”, por të sajuar në shekullin XIX nga disa rrëfime të priftërinjve
rus në Prizren! Në parathënien e kësaj
vepre, Novakoviq pranon se ato
rrëfime që ai sjell në libër,
fillimisht “si rrëfime” nga priftërinjtë
rusë në Prizren janë bartur te A.
Shafariku në Vjenë dhe ai i ka plasuar te “Documenta slavica”. Të tilla pastaj
janë pranuar edhe nga Jiriçek dhe
sllavistë të tjerë të Vjenës, bashkë me
falsifikime të tjera nga punëtoria e rishkrimeve të dokumenteve mesjetare në
Odesë dhe Hilandar. Përballë këtyre
argumenteve dhe të tjerave që mund të zbulohen nëpër arkiva meritore, thyhet
“miti” rreth Rashës “serbe”. Ndërkohë që del në pah pikërisht ana tjetër e saj,
ajo e krijimit të një “Illyricum Magnum” nga vendet katolike (Hungaria,
Gjermania e të tjera), që lidhen me
kryqëzatën e katër e këndej
(1204-1353), bartëse e së cilës ishte paraparë të jetë Rasha Nemanjane, pasi që
ajo të zgjerohet nga Nishi për në Prizren dhe Ohër, gjithandej Ilirikut në
hapësirën e Dardanisë mesjetare atë të Maqedonisë dhe pjesërisht të
Epirit, e ku do të përfshihen edhe shumë
nga feudalët arbër: (Balshajt, Kastriotët, Topiajt e të tjerët).
Se
thyerja e “mitit” të “shtetit mesjetar”, nuk paraqet ndonjë vështirësi
shkencore, këtë, madje, e pranon edhe V. Çubrilloviqi në librin e tij
“Politi?ka misao Serbije” me atë që
thotë se “ekziston një shpërputhje e madhe, thuajse e papërballueshme
nga aspekti historik, midis etnisë serbe me qendër në Bosnjen
Qendrore dhe Sllavoni, siç e paraqet edhe Porfirogeniti Serbisë
politike, të shekullit XIX.” Nëse kësaj i shtohen edhe ato që thotë Jagidiq se
“Serbia etnike i ka gjurmët në pjesën perëndimore të lumit Drina, ndërsa kultura
serbe dhe nacionalizmi serb, që do të pranohet ndërkombëtarisht në Kongresin e
Berlinit më 1878, bërthamën e ka në
pjesën hungareze të Vojvodinës (Karlovc dhe Temishvar) dhe jo në Kosovë”,
atëherë përballimi i kësaj çështje, në përputhje me dokumentet e shumta nga
autorë mesjetar, nuk do të duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Kësaj duhet
t’i paraprijë heqja dorë e historiografisë shqiptare nga dogma e “shtetit mesjetar serb” në Kosovë dhe
të Rashës qendër të saj dhe aprovimi
i një plani hulumtues-shkencor afatgjatë
(nga studimet multidisciplinare), në të cilin do të përfshiheshin që të gjithë
historianët shqiptarë (institucionalë dhe jashtë tyre) për kompleksitetin e
mesjetës, me theks të veçantë te roli i Dardanisë mesjetare dhe i krishterimit , ku ai u zyrtarizua në
shekullin IV, atij të ndarë në shekullin
XI (në ritin lindor dhe atij
perëndimor), pastaj të gjuhës së liturgjisë
kishtare (greke dhe të sllavishtes së vjetër kishtare) dhe faktorëve që
krijuan që në shekullin XIX, etnitë fetare mbi bazat e liturgjisë kishtar (të
sllavishtes së vjetër – në serbë dhe malazias, dhe të greqishtes – në grek), të
kthehen në etni kombëtare. Natyrisht se te trajtimi shkencor i këtyre
çështjeve, i përcjellë me simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, me
botime komplekse shkencore si dhe te
përkthimi i veprave të autorëve shqiptarë në anglisht dhe depërtimi i
tyre në universitetet prestigjioze botërore, institutet dhe bibliotekat
e tyre, gjendet edhe përgjigjja rreth përvetësimit të krishterimit
ortodoks nga kisha ortodokse serbe që ajo e ka përvetësuar jashtë realiteteve
historike në dëm të shqiptarëve dhe të trashëgimisë së tyre të krishterë - nga
shfaqja në Ilirik si dhe Rashës dhe dinastisë Nemanjane -jashtë
përvetësimit serb me çka i hiqet velloja “errësirës mesjetare” të Arbërve.