| E premte, 15.04.2022, 10:41 AM |
Më merr malli për njerëzit dhe vendin tim
Nga
Ibrahim Kabili
Ky është titulli i një mesazhi që më
vjen nga Italia... Më saktë nga Spitali Careggi Firence, prej kolegut tim në
arsim, zotit Nexhip Murraj. Kolegu Murraj ka rreth dy vite që kurohet në Itali
dhe ja ka dalë me sukses. Kjo falë ndihmës së mirë e të specializuar të mjekëve
italianë dhe kurajos së admirueshme dhe forcës së besimit të profesor
Nexhipit... Njerëzit e mirë, të urtë, të matur, rebel dhe mjaft të ditur lenë
gjurmë tek shokët, miqtë, kolegët dhe gjeneratat e reja. I tillë per
mendimin tim qe edhe kolegu jonë, mësuesi që dha anglisht në shkollën tone,
profesor Nexhipi. Ai qëndroi pak kohë në këtë shkollë por falë cilësive që
mbarte la mbresa tek nxënësit, mësuesit dhe komuniteti...Njeriu vlerësohet jo
për kohën që qëndron në një vend pune, por për punën që bën, për dijet dhe
vlerat që përçon. Eshtë pothuajse e pamundur të shkruash për të gjithë.Nexhipi
krahas mësimit është i përkushtuar edhe në drejtime të tjera, si në fushën e
profesionit të tij të veterinarisë edhe të përkthimit në gjuhën shqipe,të shumë
shkrimtarëve dhe poetëve të Letërsisë Botërore. Më saktë ai ka përkthyer nga
këto shkrimtar pjesët më të vlerësuara prej tij, nga poezitë apo prozat e tyre
që datojnë nga shekulli i XV dhe në vijim... Dhe kur e ka bërë këtë? Pjesën
dërmuese gjatë vitit 2021 kur ka qenë për kurim në spital... Kjo është e
veçanta e Nexhipit ndaj mua mu krijua bindja absolute që Ai të ishte
pjesë e këtyre shkrimeve... Kjo mua më nderon dhe më motivon për më tej...
Nexhipi ka lindur më 08 janar 1948
në fshatin Mërtinj, të Këlcyrës. Kaluan me Përmetin në vitet 1951-1952.
Shkollën fillore e bëri në Mërtinj dhe doli me nota shumë të mira.
Shtatvjeçaren e bëri në Bënjë, ishte nxënës i dalluar dhe doli me nota shumë të
mira.
Më pas e përzgjodhën të vazhdoj
Shkollën Ushtarake "Skënderbej" në Tiranë. Për këtë ai shton:
"Në shtator të vitit 1961 më erdhi një "Zis" i shkollës dhe pas
rreth 9-10 orësh, nëpër rrugë tërë pluhur, na çuan në Tiranë. Atje rashë në një
mjedis të ri me moshatarë të pa njohur, jo shumë të favorshëm, për ne që vinim
nga fshatrat. Ata që vinin nga Tirana dhe qytete të tjera qëndronin
"superjorë" ndaj nesh. Rashë në një mjedis të ashpër. Oficerat
silleshin rreptë me ne. Kishte ca rregulla të pa llogjikshme dhe të pa
pranueshme për këdo... Na çonin me hap rreshtor nja 300 e kthim. Unë
fatkeqësisht rashë nga paralelet, nxora këmbën dhe u largova nga shkolla bashkë
me 30-40 të tjerë. Në shkollën "Skënderbej" bënim edhe mësimin e
gjuhës Angleze. Më pëlqeu shumë dhe kur vajta në shkollën e lartë e kisha
mësuar në shkallën e të menduarit atë gjuhë. Lexoja lirshëm letërsi nga autorët
anglezë dhe u recitoja vjersha nga Bajroni. Shokët nuk më thërisnim më Nexhip,
por "Bajron". Edhe se u recitoja Anglisht edhe se isha çalaman si
Bajroni, edhe se isha kaçurel po si Ai.
Unë letërsinë e kisha pasion qysh i
vogël. Leximin e librave jashtë shkollorë e kam filluar që në klasë të pestë
dhe pa ndërprerje edhe sot.
Në Fakultetin e Veterinarisë më
shpunë me zor. Unë kërkova Gjuhë Angleze ose Gjuhë Letërsi. Në fakultet ju futa
mësimit të gjuhës Gjermane. Kishte shumë vështirësi për fjalor, dhe metodika
nuk kishte. U detyrova të përdorja metodika dhe fjalorë të botuara në Rusisht.
Kur arrita në fazën e të menduarit në Gjermanisht mësova edhe Italishten.
Kështu nga fakulteti u largova me katër gjuhë të huaja në xhep. Këto i përdora
gjatë gjithë jetës për tu rritur profesionalisht dhe nga ana kulturore, dhe në
shërbim të prodhimit. Nga fakulteti kam shumë kujtime të bukura me profesorët.
Duke e ditur që dija gjuhë më shikonin me dashamirësi. Në veçanti profesori
Vasfi Samimi, pastë ndjesë, me Të ushtroja të folurin në Gjermanisht. Ai ishte
një oqean dijesh. Ai më thoshte shpesh që bëra mirë që mësoja këtë gjuhë me
kulturë të thellë. "Kultura Gjermane, kulturë e thellë" më thoshte
shpesh Gjermanisht. Bisedat me të ishin gjithmonë një shkollë. Një njeri sa i
ditur aq edhe me botë të madhe. Nga ai mësova shumë gjëra për frashëllinjtë që
regjimi i quante "tabu." Kujtime të bukura".
Më tej profesori vijon: "Mbasi mbarova shkollën e lartë, pa marrë parasysh
që isha ma nxjerje të ngofjes, i pa aftë për në terren, pa patur asnjë interes
për katër gjuhët e mija, më dërguan në fshatin tim malor të punoja
veteriner.Për laborator, ku ëndëroja të punoja dhe jepja maksimumin shoqërisë,
dërguan një që edhe shqip nuk lexonte. Një alergji e çuditshme për ne që dinim
gjuhë perëndimore. Atje më lanë deri në vitin 1991. Deshën të më trasferonin dy herë në Spaç; "për shfaqje të pikpamjeve borgjezo-revizioniste me
dashje," dhe për "sabotim," por nuk mundën ta argumentonin. Megjithatë
nuk më lanë pa riedukuar.Më çuan dy herë nga një vit në prodhim. Sektori i
blektorisë në kooperativën time e tejkalonte çdo vit planin e të ardhurave dhe
në rendimente qëndronte e dyta ose treta nga 13 kooperativa që kish rrethi. Në
dëmtime, nga 15% që ishte e lejuar, në kooperativën time zinte 4 deti 5%.
"Drejtuesit e lartë" të rrethit në vend që të më vlerësonin për punën
e dijet e fituara për të, thoshnin të kundërtën, sipas tyre blektoria në
kooperativën e Mërtinjit shkonte "keq e më keq" dhe "unë"
isha sipas tyre problemi. Kështu tek unë u forcua edhe më shumë rebelizmi.
Etj...".
Më 2001 pasi erdhi në Tiranë me
banim, u paraqit te Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë për punë në arsim me
dipllomën e Anglishtes... Për këtë kujton: -"Shefi i kuadrit Petrit
Ismaili më priti shumë mirë. Më ofroj Shkollën e Mesme të Bashkuar Zall-Bastar.
Atje më pritën shumë mirë dhe u mundova të jap maksimimin tim në dhënjen e
lëndës së anglishtes ku punova pak kohë. Unë ruaj përshtypjet më të mira për
nxënësit, kolegët dhe komunitetin e zonës. Edhe sot, si emigrant i detyruar në
Itali, mbaj marrdhënje me shumë kolegë dhe i kujtoj me respekt ato...".
Nga 30 nëntori 2020 deri më 13
shkurt 2022 ka përkthyer disa poezi dhe në prozë nga këto shkrimtar:
1-Nga gjermanishtja:
?Friedrich Ruckert -si:Unë të dua
ty, se duhet të dua; Ti je një hije gjatë ditës; Mbi tokë shkon; Unë banoj në
gjirin e të dashurës time; E vërteta si drita e diellit; Mbi tokë shkon.
?Heinrich Hejne: Ah sikur të isha
stol; Kënga e pranverës; Unë nuk besoj; Në valën e marrëzisë; Flutura; E
dashur, a s'më thua?; Vera e nxehtë; Nëna bletëzës.
?Friedrich Holderin: Pranvera.
?J.W.Gothe: E qëmotmja e humbur.
2-Nga italishtja:
?Xhoni Rodari: Në hënë; E dashur
Betana; Qielli i të gjithëve; Shpresa.
?Alda Merini: Për festën e Shën
Valentinit; Poetët punojnë natën; Nuk kam nevojë për para.
?Bruno Tognolini:Libri.
?Segio Korrazzini: Vdekja.
?Lorenzo de'Medici: Ngadhnjimi i
Bakut dhe i Arianës.
?Luçia Fedalto: Një libër për të
fantazuar.
?Gino Mazella: Një buzëqeshje.
?Andrea Kamilleri: E dashura ime.
?Gabriele d'Anunzio: Drapri i hënës
ngrënë.
3-Nga anglishtja:
?G.G.Bajron: Bestytni e ndyrë; Ku
çjerret maska e idhujve, shenjëtorëve; Poemthi; Mbishkrim mbi varrin e një
qeni; Eshtë ora; Florensës; Prap mashtrove dhe prap tradhëtove; Mbi të tridhjet
e tretat e datëlindjes time; Kur ne u ndamë; Ajo shëtit me bukurinë; Kafka;
Eshtë ora; Një zonjë më pyeti për arsyet e largimit në pranverë.
?Edgar Allan Poe: Anabel Li;
Endërra; Nënës sime; Shën Maria.
?Oskar Uald: Përshtypje mëngjezore;
Shtëpia e gjykimit; Dishepulli; Artisti.
?William Blake: Një pemë helmuese.
?William Wordsvorth: Narcistët;
Dielli ka kohë që ka perënduar.
?Robert Bërns: Ti moj e bukura
Elizë; Lamtumirë Elizë.
?Rudjard Kipling: Unë mbaj gjashtë
të ndershëm; O moj nënë.
?Nikita Gill: Përbindëshat e
vërtetë; E vërteta për përbindëshat
?William Butler Yeast: Ku shkojnë
librat e mia?
Jam tërësisht jasht profilit për t'i
vlerësuar këto përkthime dhe shkrimtarët e mësipërm. Nisur nga
"kritika" e specialistëve, modestisht mund të them se këto përkthime
mbartin vlera të mëdha për nxënësit, mësuesit e letërsisë, poetët e rinj,
përkthyesit etj. Ato janë origjinale, kanë vlera bashkëkohore, janë shqipëruar
me mjeshtëri në gjuhën shqipe nga autori, janë dinjitoze, mbartin vlera
artistike dhe edukative... Më konkretisht ato mund të lexohen në Facebook-un e
tij... Kjo punë e madhe e tij, falë gjuhëve të huaja që Ai zotëron, është shumë
fisnike dhe motivuese për brezat.E falenderoj shumë profesorin për punën e
bërë. Ai ka përzgjedhur "si bleta nektarin" pjesë nga krijimtaria e
shkrimtarëve dhe i ka sjell bukur në shqip.
I uroj shërim sa më të shpejtë
Nexhipit! Dëshiroj dhe shpresoj që profesori do të arrij të bëjë botimin
e përkthimeve të tij, dhe të vazhdoi punën për përkthime të reja...
Ibrahim Kabili
Tiranë më
05.04.2022