Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabit Rrustemi: E vogël kjo botë për ëndrrën tonë (Cikël Poetik)

| E marte, 16.12.2008, 06:53 PM |


Sabit Rrustemi
Sabit RRUSTEMI

 

E VOGËL KJO BOTË PËR ËNDRRËN TONË

 

Lermë të zbres

 

Lermë të zbres

trupit tënd të shkriftë

Me  një mal puthjesh

Nëpër ato  mollëza kuqrreme

Buzëkuqeve që presin gjysmëhapur

 

Lermë ta shprush prushin e asaj buzëqeshje

Që ndez

Që vezullon një botë të tërë

Dhe mua brenda saj

 

Se u kalla së eturi

Kësaj stine plot vapë

Që s’njomet as me një vjeshtë shi

 

Lermë ta harroj

Për një çast këtë përditshmëri

Që vret me vetmi

E të çmallem njëherë

Sëpaku njëherë

Nën shelgun e kroit t’zogut

Nën atë shelg që pikon  e djeg

Me dhembje me dashuri

 

Lermë të ngjitem

Trupit tënd të shkriftë

Me një mal miklimesh

Që dridhin 

Peshë  ngrisin

një botë që bie në gjunj

për atë buzëqeshje që ndez

që vezullon

para syve të mi

 

O lermë të prehem  një çast

Të prehem përjetësisht

Nën atë Breg Venere

Brenda asaj bote që mrekullon

E të ecë

Të ngjitem e të zbres

Trupit tënd të shkriftë

Që ndizet e vezullon

Përmes asaj buzqeshjeje

Të prushtë të zjarrtë

Vetëm dashurisht dashurisht dashurisht

 

(3 Shtator 2008)

 

Porta

 

Tërë ditën rri hapur

Syri rojtar i shtëpisë

 

As e  luan qerpikun

Për pluhurin e rrugës

E të lehurat e gardhit

 

As kur fryn

Nuk mbyllet

Nuk thehet

Se sipër ka ngujoren

 

Tërë ditën e lume

Pret atë  vashë

Me f’tyrë prej hëne

Kur del prej udhës malit

Kah lugina e gjatë e dhembjes

Prej udhës kroit

Kah rogat e verdha të vetmisë

Prej shtegut t' kopshtit

Kah blini i përjetësisë

 

E gojën s'e hap

As syrin e mbyll

 

Krejt çka ka për të thënë

Me heshtje e qanë

Pazëshëm në brendi

Si ai qarri i moçëm aty per bri

 

As natën  nuk mbyllet hapur rri

Kur ka kthjelltësi

Shtëpisë i duhet freski

Një puhi me dashuri

 

Tërë natën e lume pret

Për ta parë në ëndërr

Atë vashë hëne tek përvidhet pas lisash

 

Tek varet e pret n’ kurorë degësh

Hapin që s'niset

Dorën që nuk zgjatet

 

Heshtja na ka mbërthyer

Për zotin

 

Vetëm porta hapur ka mbetur

E mbështetur për muri

 

Nuk ke se si të trokasësh

Lësho zë

Po deshe

Kurdo që nisesh  kah unë

 

Trokit përmes zërit

Në ëndrrën time

Trokit

 

Në çdo kohë do ngritem

Me të mirë ta  marrë

Qenin e shtëpisë

 

Ajo hënë me fytyrën tënde

Qetas përvidhet prej paskodre

I vë në gjumë lisat

E hyllet kah porta

 

Po porta

Vetëm kornizë  ka mbetur

Krimbat  e bluajtën në heshtjen tonë

 

Ajo fytyrëhëne

Ngrinë e mbin në prag

Për t’ma falë të egrin trëndafil

 

(7 – 6 Shtator 2008)

 

Nëpër pritje
 

Sa hapesh e më kënaq me atë aromë
Në çast mbyllesh si Lulenusja
Deri në një ag të ri
 
Mes dy mëngjesesh
Sa mote ndërrohen
Sa shi bie
E furi
Vërshon botës sime
E krejt dheun ma merr


Mbes vetëm në gurë
Dhe në gjëmët e mia
Mbes 
Duke shtyrdhur thellësitë e gurta
Për një pikë ujë
E një trohë dritë 
Që hap atë petale
Atë Lulenuse sërish
 
Ajo tashmë një sezam të ri kërkon
Një labirinth
Për vete
E për hijën time
 
Bota
Kjo e tashmja e jashtmja
E vogël ka ngelur për ëndrrën  tonë
 
Një botë dëshire
Nëpër pritje thurrim

 

(5 Tetor 2008)

 

Pikat e heshtjes

 

Mes rreshtash  fjalesh

Diçka mbetet e pathënë

E heshtur përherë

 

 

Ajo që ndjejmë

Tri pika (s) e mbulojnë

As mijëra sosh

 

Në cilën je

Në cilën jam

Në cilën mungojmë

 

Pikat e heshtjes

Ngacmojnë

Shpojnë

 

Të pathënat që ndjejmë

 

Ç’lexim i çuditshëm

Për dashurinë që përjetësohet

E nuk thuhet

 

Mes tri pikash

Sa buzë janë tharë

Një puthje duke ëndërruar

 

( 31 tetor 2008 )

 

 Dritarja që shihet e s’hapet

 

Ajo shihet e s’hapet

As për freskun e mëngjesit

As për puhinë e mbrëmjes

 

Si lulja në vazo

Ngrohet prej shikimeve të mia

E flladitet prej ofshamave të veta

 

Petalet  me lule trëndafili

Zgjaten kah drita

Dhe duart e mia

 

Faqja e xhamtë

Përthehet në atë butësi

Si pikturë e blertë

Gdhinë para  meje

 

Vasha në vazo

Botën kundron prej  brenda

E (s)kënaqet

 

Ta hap dritaren

Trembet

Uragan ndjenjash

Rreth o rrotull e mbështjellin

 

Në det pritjesh hyllet

E kur del s’dihet

A sysh më varet

 

Larg  s’është 

E nga imja dorë  s’arrihet

As me thjerrëza  s’shpohet

 

Shikimesh  përndizet

E nuk thehet

As prej saj largohet

 

Nën çerpikë

Portretin e saj ëndërr e ruaj

Udhën kah ajo të mos e harroj

 

( 3 Nëntor 2008)

 

 

Këpucë prej lëkurës sime

 

Fjalëve  ju përmbahem

Edhe kur më vrasin ngapak

Si këpucët

Mikja ime e dashur

 

Ato rrallë zgjerohen tek unë

Pa i ngrënë anash

Gishtërinjtë e vegjël

Çepurit e gudinës

Dhe fundit të gurinës

 

A nuk i kthej

As i ndërroj

Se inatin e kam më thellë se deti

Më lart se Lypeten(d)i

 

Këmbët s’më munguan

Kur hyra në shitore

Shitësi me tha:provoji

 

Numrin nuk e kisha harruar

As ndërruar

Është po ai i njejti

Që kur i rashë fytyrës brisk

 

Vetëm fabrika po prodhon

Numra fals pas orarit

Për tregun e zi

 

Këpucë të reja nuk porosis më

Sipas masës

I prej nga lekura ime

Që regjet në pritje

 

Pa çka pse dhemb

Pse vuaj

Pa çka pse tjetër nuk mund të bëhem

Sall të vegjëlit gishtërinj

Të mos më akuzojnë më

 

Ende s'janë shëruar prej kornizave

 

(4 Nëntor 2008)

 

Nuk u tund asgjë pos zemrës sime

 

Vazot me lule nëpër ballkone të këtij qyteti po zverdhen

Kush t'i ujitë kush t'i ngorhë e kush t'i mbajë ne gji

Moti i përzishëm me pak mjegull e një troh diell

Lëngun ua pi e në heshtje i thanë me lotë pa zë

 

Ato vazo të gjelbëruara do duken dhe  pak

Me gjethet halore  që solla nga mali

Do na mashtrojnë sysh deri në brymën e parë

 

Do kënaqemi pastaj vetëm me ato lule

Që mbijnë e rriten thellësive tona të paprekshme

Tek rriten të fshehura e na mbushin aromë

Përmes kësaj dritareje virtuale shpirti

Që herë të nxjerr ty e më fsheh mua

Apo mua e të fsheh ty

 

Ajo dritare thurrë pritjen në mungesë

Deri te një stinë tjetër një mengjes me vesë

 

Vetëm kujtimet ndryhen nuk shlyhen

Derisa dashuritë e gjithë botës

Vërshojnë kah unë

Kah ti

 

Apo nuk the kështu

Para vazove që përkohësisht të blerta u bënë

Me gjethe halore

Të sjella enkas prej mali

Ku nuk u tund asgjë pos zemrës sime

 

( 10 nëntor 2008)

 

Lulja e Dhomës II

 

Ajo është natyrë e gjallë

Në brendësinë tonë të zbraztë

Të zbraztë e të bardhë

Një pjesë e blertë

Një pjesë e aromtë e shtëpisë

E jetës sonë që s’jetohet pa të

 

Nuk është e  privilegjuar

Pse rri e frymon me ne

As duket e gëzuar

Me rrethojë vazosh e muresh

Në një hapësirë

Ku rrënjët i ndrydhen

Në merimangë dheu i kurthohen

 

Po nuk na braktis

Brenda nesh natyrë të re rinis

Na kënaq kur çelë

Kur n’piptha të rinj bulon

E dritaren me gjethe shpon

 

Aq shumë e dëshirojmë

Sa jashtë nuk e nxjerrim kurrë

Ushqim dheu brenda i servojmë

Dhe ujin që pijmë ia lëmë

Faqet prej lotsh ia fshijmë

 

Po dhimbjen nuk ia ndijmë

Diagnozën si t’ia gjejmë

Ajo s’rrëfehet

Nga të prekurat tona rrallë miklohet

Në botën ku ishte s’ka si kthehet

Prej mallit nis e zverdhet

Në vete venitet për dashurinë që heshtet

 

(19 Nëntor 2008)

 

Në Krye Qendër 

 

Hyn me shpejtësinë njëqindkilometërshe

Përmes rrotësh të nxehura të lagura

Rrëshqitshëm tatëpjetës së akullt

Pa bujë rrafshit të betonuar që gumëzhinë

Me njërën dorë ne xhep

E tjetrën grusht në vegën e një çanteje të zezë

 

Xhepëzbrazur me bileta të mbetura

Nga dje pardje e paspardje

Ngul sytë tutje pastaj poshtë pastaj anash

Kërkon nëpër fytyra të reja

Nëpër objektet e mbira si këpurdhat

 

Kërkon e ecë drejt adresës së re

Atje në thellësinë e rrafshtë

Sheshit të bekuar me  fytyra të mërrolta

Gurëve që na i gërryjenë thembrat

E s’na i ruajnë as gjurmët

 

Arrinë e ndalesh para grilave

Portave që hapen me sustë

Nëpër dyer xhamash e sportelesh

Fotografohesh e memorohesh deri në lëkurë

 

Pastaj kalon nga përdhesa drejt kateve përpjetë

Në një dhomë të zbaruz

Me dy hyrje dalje  e një dritare

Dhe karrikat e zeza që presin në heshtje

 

Ulesh e mediton për atë që të mungon

Që të përcjell e të dëshiron kudo që të jesh

Kudo që të shkosh nuk të harron

As kur s’të bën zë e një mesazh s’ta lëshon

 

Hap botën virtuale ajo s’ është

Ngritesh e hedh sytë përtej dritares

Nuk nxinet sall ndjehet përjetohet

Në botën tënde  aty përbrenda 

E urtë e  drojtur e dashur e  largët

Përnjëherë ndihesh sikur ta kishe pranë

 

Nëpër KryeQendër ajo rrallë duket

Periferive nga sy botësh fshihet

Malli për të  pa orar vie e  rritet

Benda orësh e motesh  vetëm përndizet

 

Ajo s’ është një ëndërr që tretë me agun

E ndryn edhe më thellë brenda vetes

E del prej KryeQendrës rrugës së njejtë

Mbushur plot shend  plot verë e ngazëllim

Ta takosh aty ku e pa së  mbrami herë

 

Te Sheshi me emrin e një kreshniku 

Të prêt vegëza e përpjetëza 

Qafa që të lë pa frymë

Edhe kur kalohet me dyzetë në orë

 

Ti rend për ta shlyer Jetën e munguar

Rend për ta nxënë një dashuri të vonuar

Po nuk e arrinë as me treqindegjashtëdhjetë  në orë

 

Në ankth rri e nuk e thërret për t’mos e drithëruar

Atë lulenuse tashmë të trazuar

Sall i shkruan e ia përcjell

Dhembjen e radhës si ngushëllim

Përems botës së përkohshme në amshim

 

(12 Dhjetor 2008)

 

Asnjë ditë pa imazhin tënd

 

Fshije çatë ditë

Që trupon pa mua

Trupit tënd të shkriftë

E t’i përmallë ata sy

 

Fshije

Cila do që të jetë

 

Fshije mikja ime e dashur

Se vetëm dita që vjen më ty

M’ flladitë

E m’valëvitë nëpër muzikë gjethesh

Të plepave të bardhë

Tej Gurit të Megjës

Në Rrafshnaltë

 

Fshije moj

Se tek unë

Asnjë ditë  s’guxon të trokas

Pa imazhin tënd

 

Fshije mikja e shpirtit tim

Ndëshkimin e radhës

Ditën

Që nuk hapet me mesazhin tim

 Me dashurinë që na bekoi

 

(16 Dhjetor 2008)