| E merkure, 13.04.2022, 07:50 PM |
OSVALD SHPENGLER – “RËNIA E PERËNDIMIT”
Qytetërimet
lindin, rriten, zhvillohen, arrijnë kulmin e zhvillimit, marrin teposhtën, bien
në dekadencë dhe vdesin – Osvald Shpengler
Nga
Xhelal Zejneli
Osvald
Shpengleri (Oswald Arnold Gottfried Spengler, 29 maj 1880 – 8 maj 1936)
është historian gjerman dhe filozof i historisë. Tregoi interesim edhe për
matematikë, shkencë dhe art. Gjyshi i Osvaldit nga vija e babait, Teodor
Shpengler (1806-1876) ka qenë inspektor metalurgjik në Altenbrak. Babai i
Osvaldit, Berhardi (1844-1901) dhe nëna Paulina (1840-1910) kishin pesë fëmijë:
dy djem dhe tri vajza. Fëmija i parë ishte i vëllai i Osvaldit, i lindur më
1879. Kishte lindur në muajin e tetë të shtatzënisë dhe kishte vdekur tri javë
pas lindjes. Osvldi ishte fëmija i dytë. Pas tij lindin tri motar e tij: Adel
(1881-1917), Gertrud (1882-1957) dhe Hildegard (1885-1942). Osvaldi ka qenë
shëndetlig dhe gjatë jetës ka vuajtur nga migrena dhe nga kompleksi i
anksiozitetit. Kur ishte dhjetë vjeç, familja e tij u shpërngul në qytetin
universitar në Hale. Këtu Shpengleri, kreu gjimnazin klasik. Kjo ishte një
shkollë e mesme me orientim akademik. Studion greqishten, latinishten,
matematikën dhe shkencat e natyrës. Këtu e zhvilloi edhe prirjen e tij për
artin, sidomos për poezinë, dramën dhe muzikën. Eksperimentoi madje me disa
realizime artistike, disa prej të cilave mbijetuan edhe më tej.
Pas
vdekjes së të atit në vitin 1901, Shpengleri qëndroi në disa universitete – në
Munih, në Berlin dhe në Hale si shkencëtar privat, duke marrë kurse në një
spektër të gjerë temash. Studimet private të tij qenë të paorientuara. Në vitin
1903, për shkak të referencave të pamjaftueshme, ai nuk ia doli ta mbronte
disertacionin e doktoratës mbi filozofin antik grek Heraklitin*. Kjo ia zvogëloi në mënyrë
efektive të gjitha gjasat për karrierë akademike. Megjithëkëtë, në vitin 1904
ai doktoroi, ndërsa në vitin 1905 pësoi një tronditje nervore. Studiuesit e tij
kanë ardhur në përfundim se jeta e tij ka qenë disi e rëndomtë. Një kohë të
shkurtër punoi si arsimtar në Sorbruken, pastaj në Dyseldorf. Prej viti 1908
deri në vitin 1911 punoi në gjimnazin e Hamburgut, ku ligjëroi shkencën,
historinë, gjuhën gjermane dhe matematikën. Në vitin 1911, pas vdekjes së të
ëmës, u shpërngul në Munih ku jetoi deri në vdekje. Jetoi i mbyllur, me ndihmën
e trashëgimisë së thjeshtë. Mbijetoi me mjete tejet të kufizuara dhe bëri një
jetë të karakterizuar nga vetmia. Nuk posedonte asnjë libër. Për të krijuar të
ardhura plotësuese, bënte punët e tutorit ose shkruante për revista të
caktuara.
Demokracinë e
konsideron të korruptuar, për
arsye se aty çdo gjë sillet rreth parasë.
Njeriu perëndimor në veprën e Shpenglerit paraqitet si një hero krenar,
por tragjik, për arsye se aspiron atë që është e paarritshme. Pas
demokracisë, duhet të vijë një rend i ri. Por atij nuk i pëlqeu
nacional-socializmi.
Ministri i Arsimit Popullor dhe i
Propagandës gjatë regjimit nacional-socialist të viteve 1933-1945, antisemiti i
përbetuar, Josef Gebels (Paul Joseph Goebbels, 1897-1945) e
konsideronte Shpenglerin paraardhës intelektual të tijin. Megjithëkëtë, pas
viti 1933, për qëndrimin pesimist të tij rreth të ardhmes së Gjermanisë dhe të
Evropës, për refuzimin për t’i mbështetur idetë naziste mbi superioritetin
racor si dhe për punimin e tij kritik “Ora e vendimit” - nazistët e
injoruan.
* * *
Teorinë e ciklit
historik e përkufizojnë historinë e shoqërisë si përmbledhje e
historive të shoqërive të veçanta të cilat doemos dhe pothuajse pa përjashtim
kalojnë nëpër faza të njëjta të zhvillimit, përsëritja e të cilave mund të
përcaktohet në hapësirë dhe në kohë. Fazat e jetës së shoqërisë, përkatësisht
të qytetërimeve apo të kulturave, si rregull u përgjigjen fazave të ciklit të
jetës në natyrë, kështu që këto teori flasin për ciklet e lindjes, të rritjes,
të rënies dhe të vdekjes. Me fjalë të tjera, një qytetërim lind, rritet,
zhvillohet, arrin kulmin e zhvillimit, merr teposhtën (bie në dekadencë) dhe
vdes.
Teorinë mbi
ciklet, në mënyrë më drastike i ka përfaqësuar Osvald Shpengleri (Spengler),
duke krijuar teorinë mbi kulturat si organizma të rendit më të
lartë, jeta e të cilëve kalon sipas ligjeve organike të lindjes, të
rritjes dhe të vdekjes. Tetë organizma të këtillë, tetë rrathë
kulturorë – sa i ka gjetur Shpengleri – kalojnë të njëjtën rrugë të zhvillimit,
ngase edhe numri i dukurive historike botërore është i kufizuar, kështu që
shekujt, epokat, situatat madje edhe personalitetet sipas tipit, përsëriten, e
megjithëkëtë në asnjë pikëpamje nuk kuptohen ndër vete.
Shpengler
argumenton se qytetërimet kalojnë një cikël stinor prej afër 1000 vjetësh
dhe u nënshtrohen fazave të rritjes, të lulëzimit dhe të rënies, të ngjashme me
atë që ndodh në llojet biologjike. Sipas Shpenglerit, janë tetë
kultura që e përbëjnë indin konstitutiv të historisë. Ato janë
organizma të cilët kanë lindur, e kanë përjetuar fëmijërinë, rininë,
pjekurinë, pleqërinë dhe vdekjen e vet.
Sipas
Shpenglerit, ekzistojnë tetë qytetërime kryesore: babilonas, egjiptian, kinez,
indian, meksikan, klasik, arab, perëndimor ose europiano-amerikan. Kultura të para janë kultura
egjiptiane dhe ajo babilonase. Në të vërtetë, këto dy kultura
paraqesin fillimin e historisë njerëzore, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kanë
lindur në zona të vogla të Nilit dhe të Eufratit, rreth 3000 vjet para erës së
re. Pas kësaj, 1500 vjet para erës sonë, lindin edhe tri kultura. E para prej
tyre është kultura indiane në Penxhabin e poshtëm. Pastaj, 1400 vjet
para erës sonë ka lindur kultura kineze, ndërsa kultura antike
apo apolonike ka lindur 1100 vjet para erës së re. Edhe një si këto
sisteme makro-historike ka lindur në Meksikë. Dy kulturat e tjera që kanë
ekzistuar gjatë historisë janë kultura arabe ose magjike dhe kultura
faustiane. Kultura arabe lind pas paraqitjes së islamit dhe shtrirjes së
tij në territore të tjera. Në vargun e këtyre sistemeve makro-historike, e
fundit është kultura faustiane.
* * *
Me
të madhe shkroi gjatë Luftës së Parë Botërore si dhe në periudhën ndërmjet dy
luftërave, duke mbështetur me këtë rast hegjemoninë gjermane në
Evropë. Në vitin 1919 doli libri „Prusianizmi dhe socializmi“ (Preußentum
und Sozialismus) në të cilin mbronte versionin nacionalist, organik të
socializmit dhe të autoritarizmit. Në këtë vepër, Shpengleri i
kundërvihet marksizmit dhe liberalizmit. Kundërshtar i marksizmit, duke iu referuar me të drejtë apo pa
të drejtë, Gëtes (Goethe) dhe Niçes (Nietzsche) si modele të tij,
me morfologjinë e vet pesimiste dhe të zymtë të historisë, Shpengleri, ua
çeli rrugën disa teoricienëve dhe praktikuesve të cilët nga doktrina apo nga
mësimi i tij do t’i shfrytëzojnë elementet racore dhe nacionale dhe do të shpallin
vdekjen e strukturës mendore dhe historike euro-perëndimore dhe amerikane, gjë të
cilën duhet ta kompensojë dhe ta rilindë kultura gjermane.
Nacional-socialistët,
në bazë të disa tezave të vulgarizuara dhe të simplifikuara apo të
thjeshtësuara të Shpenglerit, e konsideronin veten mbartës të kësaj kulture të
re e cila duhet të ndërtohet mbi gërmadhat e Evropës së vjetër, dekadente.
Rëndësinë e Niçes, Spengler do ta sqarojë në
ligjëratën e vet “Niçe dhe shekulli i tij”.
* * *
Kur
e filloi punën në vëllimin e parë të “Rënies së Perëndimit”, në fillim
kishte ndërmend të fokusohet te Gjermania dhe te Evropa, por Kriza e
Agadirit e goditi rëndë, ndaj e zgjeroi vëllimin e studimit të vet. Për
titullin e veprës së vet, Shpengleri u frymëzua nga punimi i Oto Shik (Otto
Schick) “Rënia e antikës”. Librin e përfundoi në vitin 1914, por
për shkak të shpërthimit të luftës botërore, botimi u shty. Për shkak të
problemeve me zemrën, ai nuk u ftua në shërbim ushtarak.
“Rënia e Perëndimit” është titulli i veprës së
politologut gjerman Osvald Shpengler. Përbëhet prej dy vëllimeve. Vëllimi i
parë u botua në vitin 1918, ndërsa i dyti – më 1923. Në vitin 1922 u botua
vëllimi i parë i rishikuar. Duke qenë se në Luftën e Parë Botërore Gjermania u
mund, u poshtërua dhe u varfërua, populli gjerman e përshëndeti këtë vepër në
të cilën Shpengleri për Evropën shkruante: “Ti je duke dhënë shpirt. I shoh
te ti të gjitha shenjat e shkatërrimit. Mund të jap prova se pasuria e madhe e
jotja dhe varfëria e madhe e jotja, kapitalizmi yt dhe socializmi yt, luftërat
tua dhe revolucionet tua, ateizmi yt, pesimizmi yt dhe cinizmi yt, amoraliteti
yt, martesat tua të shkatërruara dhe kontrolli yt i lindjeve, e thithin prej
teje edhe pikën e fundit të gjakut nga poshtë dhe të vrasin nga lartë, të
vrasin në tru dhe do të të shfarosin – mund të të jap prova se te ti vërehen të
gjitha shenjat e vendeve të vdekura të kohëve të lashta – të Aleksandrisë, të
Greqisë dhe të Romës neurotike”.
Në verë të viti 1918 doli nga shtypi „Rënia
e Perëndimit“. Vepra mbulon historinë e botës. Ai doli me një teori të re,
sipas së cilës kohëzgjatja e qytetërimeve është e kufizuar dhe në fund
ato shkatërrohen. Libri korri sukses të madh. Nënçmimi kombëtar i shkaktuar
me Traktatin e Versajës (1919) dhe depresioni ekonomik i vitit 1923 e këndej, i
shoqëruar me hiperinflacion, dukej sikur shkonin në dobi të tezës së
Shpenglerit. Libri sikur i ngushëlloi gjermanët ngase e racionalizoi rënien e
tyre, duke e shpjeguar rënien si pjesë të proceseve të mëdha historike
botërore. Libri korri sukses të madh edhe jashtë Gjermanisë, ndërsa në vitin
1919 u përkthye eshe në disa gjuhë të tjera. Shpengleri e refuzoi ofertën për
t’u bërë profesor i filozofisë në Universitetin e Getingenit, me arsyetimin se
i dihet kohë që t’i përkushtohet shkrimit.
“Rënia e Perëndimit - projekt për morfologjinë e historisë së botës”
(Der Untergang des Abendiandes – Umrisse einer Morphologie der
Weltgeschichte, 1918-1922) e paraqet morfologjinë e historisë, d.m.th. doktrinën për
format e ndryshme themelore, për ndryshimet dhe për ndërlidhjet e ngjarjeve
historike. Libri përmban një numër tejet të madh të dhënash kulturore-historike
dhe konstatimesh lucide.
Vepra kapitale e Shpenglerit bën pjesë ndër librat më
të rëndësishëm të shekullit XX. Vepra ka frymëzuar një numër të madh analizash,
studimesh dhe veprash artistike. Midis tyre shquhet piktura “Rënia e
Perëndimit” e bashkëkombësit të Shpenglerit, piktorit dhe skulptorit
gjerman, Anselm Kiefer (1945-).
Për librin flitej me të madhe, madje
edhe prej atyre që s’e kishin lexuar. Sipas historianëve, autori duke qenë i
paushtruar, ka bërë punë amatore me një qasje joshkencore. Prozatori gjerman,
laureat i çmimit “Nobel” (1929), Tomas Man (Thomas Mann, 1875-1955),
leximin e librit të Shpenglerit e krahasoi me leximin e filozofit gjerman, Shopenhauerit
(Arthur Schopenhauer, 1788-1860). Në Akademi ndërkaq, mendimet ishin të
ndara. Sociologu dhe filozofi gjerman Maks Veber (Max Weber, 1864-1920)
e përshkroi Shpenglerin si një “diletant gjenial dhe tejet të arsimuar”, ndërsa
filozofi anglez me prejardhje austriake Karl Poper (Karl Popper,
1902-1994), tezën e Shpenglerit e përshkroi si “të pakuptimtë”. Historiani i
madh gjerman i antikës Eduard Majer (Edward Meyer, 1855-1930) kishte
mendim të lartë për Shpenglerin, edhe pse lidhur me punën e tij kishte vërejtje
të caktuara.
Intuitizmi
dhe misticizmi i Shpenglerit ishin shënjestër e lehtë e kritikës, sidomos për pozitivistët
dhe për neokantistët të cilët te historia nuk shihnin kurrfarë
rëndësie të madhe. Për kritikun dhe estetin anglo-gjerman, Kontin Hari
Kesler (Harry Kessler, 1868-1937) Shpengleri ishte një autor joorigjinal
dhe i parëndësishëm. Nuk pajtohej sidomos lidhur me mendimin e tij për Niçen
(Nietzsche). Por, filozofi austriak-britanik Ludvig Vitenshtajn (Ludwig
Vittgenstein, 1889-1951) pajtohej me pesimizmin kulturor të Shpenglerit.
Sidoqoftë, studimi i Shpenglerit u bë bazë e rëndësishme e teorisë së ciklit
social.
* * *
Studimi
i Shpenglerit korri sukses në radhët e intelektualëve të mbarë botës, për arsye
se parashikonte rënien e qytetërimit evropian dhe amerikan pas “epokës së
dhunshme të cezarizmit”, duke theksuar analogji të hollësishme me
qytetërimet e tjera. Zgjoi në Evropë pesimizmin e periudhës midis dy luftërave
botërore. Filozofi gjerman, një prej përfaqësuesve më të njohur të shkollës
neokantiane, Ernest Kasirer (Ernst Cassirer, 1874-1945) thotë se në fund
të Luftës së Parë Botërore, vetë titulli i studimit të Shpenglerit mjaftonte
për të zgjuar imagjinatën: “Në këtë moment, shumica prej nesh e kuptojnë se
në shtetin tonë me një qytetërim perëndimor tejet të çmuar, ka diçka të kalbur”.
* * *
Këtë
frymë letargjike, studimi i Shpenglerit e shprehte në mënyrë të ashpër dhe me
mendjehollësi. Kritiku letrar kanadez dhe teoricieni i letërsisë, një prej më
me ndikim i shekullit XX, autor i veprës “Anatomia e kritikës” (Anatomy
of Criticism, 1957) Nortrop
Fraj (Herman Northrop Frye, 1912-1991) thotë: “Çdo element i tezës së
Shpenglerit është hedhur poshtë të paktën nja dhjetë herë; megjithëkëtë vepra e
tij është një prej poezive romantike më të mëdha botërore. Sot, idetë
kryesore të studimit të tij janë pjesë e strukturës sonë mentale, sikur
elektronet apo dinozaurët dhe në këtë pikëpamje të gjithë jemi Shpengleristë”.
* * *
Parashikimet pesimiste të Shpenglerit për rënien e
pashmangshme të Perëndimit, e kanë frymëzuar punën e intelektualëve
të botës së tretë, duke filluar nga Kina, Koreja e Veriut etj. të cilët mezi presin të shohin rënien e imperializmit
perëndimor.
Por,
në Britani dhe në Amerikë, pesimizmit të Shpenglerit iu kthye me optimizëm
historiani anglez dhe filozofi i historisë Arnold Tojnbi (Arnold Joseph
Toynbee, 1889-1975).
Në
bazë të njohjeve të gjera historike dhe praktike-politike si dhe arritjeve
shkencore antropologjike dhe etnologjike, Tojnbi (Toynbee) synon të
zbulojë forcën lëvizëse të zhvillimit historik. Rrjedhën e
historisë vazhdimisht e përshkon ritmi i statikës dhe i dinamikës dhe shfaqet
si lëvizje – ndërprerje e shkurtër – lëvizje. Elementi lëvizës që e determinon
lindjen e qytetërimit, nuk është faktori biologjik, as mjedisi gjeografik, siç
thuhet në disa teori raciste. Qytetërimet, si përgjigje ndaj një sfide të
caktuar, nuk janë pasojë e kushteve materiale; në të vërtetë ato janë akt i
vullnetit. Vetëm konflikti, d.m.th. raporti midis provokimeve, thirrjeve dhe
përgjigjeve ndaj këtij akti loja alternative ndërmjet nxitjes dhe reaksionit,
është forca krijuese që e krijon formën e qytetërimit. Me këtë rast, kushtet
jetësore të rënda gjithmonë ndikojnë fuqishëm në krijimin e qytetërimit dhe të
kulturës. Sa më të mëdha të jenë vështirësitë, aq më e fuqishme është nxitja
(stimulusi) Prandaj, racat dhe klasat e shtypura gjithmonë kanë aftësi më të
madhe për të qëndruar para mundësive të reja të hapura.
Tojnbi (Toynbee) dallon 21 qytetërime, të cilëve
ua shton edhe 3 qytetërime “të shterpëzuara” dhe 5 qytetërime “të palëvizshme”.
Edhe pse thotë se komponenti perëndimor do të hidhet në vend
modest, megjithëkëtë konsideron se e ardhmja e Perëndimit ende
nuk është mbyllur. Tojnbi thotë: “Le të më falë zoti Shpengler, por
mendoj se nuk ka arsye që një mori sfiduesish motivues të mos nxitë një varg
përgjigjesh triumfuese ad infinitum”.
Është
autor i librit “Studim mbi historinë” (A Study of History, vëll. I-III
1934, vëll. IV-VI 1939) me theks më të madh mbi religjionin.
* * *
Me
rastin e botimit të vëllimit të dytë të “Rënies së Perëndimit” (1922),
revista Time pasqyroi ndikimin dhe kundërthëniet që kanë
shkaktuar idetë e Shpenglerit në vitet ’20 të shekullit XX. “Kur para ca
vitesh doli në Gjermani vëllimi i parë i “Rënies së Perëndimit”, sakaq u shitën
mijëra kopje të veprës. Diskursi evropian i kultivuar shpejt u ngi me
Shpenglerin, ndërsa shpenglerizmi kaloi nëpër penat e nxënësve të
panumërt. Ta lexosh Shpenglerin - me admirim apo me rebelim - ishte
imperativ. Vazhdoi të jetë kështu edhe një kohë të gjatë.
Në
vëllimin e dytë të botuar në vitin 1922, Shpengleri pohon se socializmi gjerman
dallohej nga marksizmi dhe ka qenë në të vërtetë kompatibil me konservatorizmin
tradicional gjerman. Në vitin 1924, pas kthesës ekonomiko-shoqërore dhe
inflacionit, Shpengleri hyri në politikë dhe tentoi ta sillte në pushtet
gjeneralin Rajsfer, si lider i vendit. Qëllimi i tij dështoi, ndërsa Shpengleri
u tregua joefektiv në lëmin e politikës praktike.
Në
vitin 1931 botoi veprën “Njeriu dhe teknika” (Man and Technics). Në këtë
libër autori paralajmëron për rrezikun që mund t’i kanoset kulturës nga
teknologjia dhe industrializimi. Ai vuri në dukje posaçërisht tendencën e
përhapjes së teknologjisë perëndimore te
“racat armiqësore me ngjarë” të cilat më pas do të mundë t’i
shfrytëzonin armët kundër Perëndimit. Për shkak të qëndrimit kundër
industrializimit, libri nuk u prit mirë. Libri përmban deklaratën e njohur të
Shpenglerit “Optimizmi është ligështi”.
Në
vitin 1932 Shpengleri votoi për Adolf Hitlerin (1889-1945) dhe jo për
feldmareshalin e shtetarin, Paul von Hindenburg (1847-1934).
Megjithëkëtë, Fyrerin e konsideronte vulgar. Në vitin 1933 u takua me Adolf
Hitlerin. I impresionuar nga ky takim, deklaroi: “Gjermanisë nuk i duhet
tenor heroik, por hero i vërtetë”. Shpengleri publikisht ra në konflikt me
njërin prej intelektualëve nazistë më me ndikim, të dënuar me varje, Alfred
Rozenberg (Alfred Rosenberg, 1893- Nyrnberg, 6.10.1946) ndërsa pesimizmi i
tij dhe vërejtjet në kurriz të Hitlerit, rezultuan me izolimin e tij.
Shpengleri vazhdimisht i refuzoi ofertat e Jozef Gebelsit (Joseph
Goebbels, 1897-1945) për të mbajtur fjalime publike. Megjithëkëtë, gjatë
vitit, Shpengleri u bë anëtar i Akademisë Gjermane.
Në
vitin 1934 doli nga shtypi libri i Shpenglerit “Ora e vendimit”. U bë
bestseller. Libri përmbante kritika ndaj nacional-socializmit.
Nazistët e ndaluan librin. Në anën tjetër, kritikën e liberalizmit nga
Shpengleri, nazistët e përshëndetën, por Shpengleri nuk u pajtua
me ideologjinë biologjike të tyre dhe me antisemitizmin e tyre. Derisa misticizmi racor luante rol kyç
në pikëpamjen e Shpenglerit mbi botën, ai gjithmonë ka qenë kritik i
hapur i teorive pseudoshkencore racore të përhapura në kohën e tij prej
nazistëve dhe prej shumë të tjerëve dhe nuk ishte i prirë t’i
ndryshonte pikëpamjet e veta lidhur me ngritjen e Hitlerit në pushtet.
Libri
paralajmëronte po ashtu edhe për luftën e ardhshme botërore, d.m.th. për Luftën
II Botërore, në të cilën qytetërimi perëndimor “rrezikon të shkatërrohet”.
Magazina “Tajm”
(Time) vlerësoi se me veprën “Ora e vendimit”, Shpengleri fitoi
popullaritet ndërkombëtar si polemizues. Ua porositi librin “lexuesve të
cilët kënaqen në shkrimin energjik”, të cilëve do t’u bëhet mirë të kruhen
gabimisht prej aforizmave të ashpra të tij dhe prej parashikimeve pesimiste të
tij.
Në punimet private
të tij, antisemitizmin nazist Shpengleri e dënoi edhe më ashpër. Ai shkruan: “Sa
xhelozi të madhe për aftësitë e të tjerëve, përballë paaftësive vetanake, fsheh
në vete antisemitizmi!” Me fjalë të tjera, antisemiti i urren hebrenjtë
ngase nuk e ka zotësinë e tyre.
* * *
Vitet e fundit,
Shpengleri i kaloi në Munih (München) duke dëgjuar kompozitorin dhe pianistin
gjerman, Betovenin (Ludwig van Beethoven, 1770-1827), duke lexuar
komediografin francez, Molierin (emri i vërtetë Jean-Baptiste Poquelin,
1622-1673) dhe dramaturgun e poetin anglez, Shekspirin (William
Shakespeare, 1564-1616), duke blerë mijëra libra dhe duke grumbulluar armë të
vjetra turke, persiane dhe hinduiste. Herë-here shëtiste në malet Harc dhe në
Itali. Në pranverë të viti 1936, pak para vdekjes, në letrën dërguar rajhslajterit
Hans Frank (Hans Michael Franck, 1900 – 16.10.1946), Shpengleri pothuajse
në mënyrë profetike ka konstatuar se “brenda dhjetë viteve, Rajhu gjerman
mbase s’ka për të ekzistuar”. Shpengleri vdiq Munih, në moshën 56-vjeçare,
më 8 maj 1936, nga infarkti në zemër. Pas nëntë vjetëve, Rajhu i Tretë ra,
pikërisht kur e kishte parashikuar Shpengleri, dhjetë më parë.
Shënim: Gjatë luftës,
Hans Franku ishte guvernator i territoreve të pushtuara të Polonisë. Shumë
hebrenj të Polonisë i dërgoi në kampet e përqendrimit. Në procesin e Nyrnbergut
u dënua me vdekje për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.
* * *
Ndikimi i Shpenglerit ndër intelektualë – Në vitin 1938 Malkolm Kauli i
pyeti intelektualët më të njohur të Amerikës se cili nga librat jofiksionalë u
kishte lënë mbresa më të thella, Shpengleri ishte renditur në vendin e pestë,
menjëherë pas Torsten Veblenit, Çarls Birdit, Xhon Djuit dhe Sigmund
Frojdit. Ishte renditur po aty ku edhe filozofi dhe matematikani anglez, profesor
i filozofisë në Harvard, Alfred North Vajthed (Alfred North Whitehead,
1861-1947) por para Leninit (Vladimir Iliç Lenin, 1870-1924).
Shumë gjermanë dhe
austriakë ishin të frymëzuar nga puna e Shpenglerit, duke përfshirë edhe
piktorin austriak Oskar Kokoshka (Kokoschka), dirigjentin dhe
kompozitorin gjerman, Vilhelm Furtvangler (Wilhelm Furtwängler) dhe
regjisorin austriak-gjerman-amerikan, Fric Lang (Fritz Lang). Midis
tjerëve, Shpengleri ushtroi ndikim edhe mbi dy gjigantët e filozofisë
evropiane, gjermanit Martin Hajdeger (Heidegger) dhe austriakut Ludvig
Vitenshtajn (Wittgenstein).
Shpengleri ushtroi
ndikim edhe mbi autorët britanikë, si prozatori anglez Herbert Xhorxh Uells (Herbert
George Wells) si dhe mbi prozatorin Malkolm Louri (Malcolm Lowry).
Prej autorëve amerikanë të cilët kanë qenë nën ndikimin e Shpenglerit
janë prozatori amerikan Ernest Heminguei (Ernest Hemingway), prozatorja
amerikane Vila Kater (Willa Cather, 1873-1947), shkrimtari amerikan, Henri
Miler (Henry Valentine Miller, 1891-1980) dhe Frensis Skot Ficxherald (Francis
Scott Fitzgerald, 1896-1940) i cili njëherë e quajti veten „Shpenglerist
amerikan“.
“Rënia e Perëndimit” la gjurmë të mëdha te përfaqësuesit e brezit të
humbur* (Lost Generation). Vizioni
i Shpenglerit për natyrën ciklike të qytetërimit dhe për bashkëkohësinë e
fundit të ciklit evropian të qytetërimit perëndimor, e shtyri
shkrimtarin amerikan Uilliam Sjuard Bërouz (William Seward Burroughs,
1914-1997), shkrimtarin amerikan Xhek Keruak (Jack Kerouac) dhe
poetin amerikan Alen Ginsberg (Allen Ginsberg) të gjurmojnë për
të gjetur farën e ciklit të ardhshëm në bashkësitë, pjesë e të cilave kane qenë
ata vetë.
Për dallim nga kjo
pjesë e botës, intelektualët dhe shkrimtarët e Amerikës Latine i tërhiqte
posaçërisht argumenti i Shpenglerit që nënkuptonte se Evropa ka qenë në rënie
terminale. Ka tregues që dëshmojnë se interesimi për Shpernglerin
përsëri është ndezur.
Pesimizmi i Shpenglerit nuk kaloi pa ndëshkim. Në
botomin e gazetës së ilustruar të Londrës të datës 10 korrik 1920, shkrimtari
dhe filozofi anglez G. K. Çesterton (Gilbert Keith Chesterton) zhvilloi
një polemikë me pesimistët - pa e përmendur Shpenglerin me emër -
dhe me kritikët optimistë të tyre, duke pohuar se asnjëra palë nuk e ka marrë
parasysh lirinë njerëzore të zgjedhjes: „Pesimistët besojnë se
kozmosi është orë që lëviz dhe që nuk mund të ndalet; progresistët besojnë se
ai është orë që e kurdisin vetë ata. Por unë besoj se bota është ajo që vetë ne
kemi zgjedhur të bëjmë prej saj; edhe vetë ne jemi ata që kemi zgjedhur të
bëjmë prej vetes; rilindja jonë apo rënia jonë do të dëshmojnë me trumbetë për
lirinë tonë“. Me fjalë të tjera, si duket bota sot apo si do të duket në të
ardhmen, kjo varet nga vetë njeriu, nga vetë njerëzit.
Shënime për autorët
Bërouz, Uilliam Sjuard (William Seward Burroughs, 1914-1997) shkrimtar amerikan;
diplomoi në Harvard; figurë e rëndësishme e bit gjeneratës*; u bë
i varur nga morfiumi;
Bird, Çarls – studiues amerikan;
Çesterton, G. K. (Gilbert Keith
Chesterton) shkrimtar anglez, filozof, teolog laik, kritik letrar dhe kritik
arti;
Djui, Xhon (John
Dewey, 1859-1952) filozof amerikan, psikolog dhe reformues arsimor; paraardhës
i filozofisë së pragmatizmit;
Ficxherald, Frensis Skot (Francis Scott
Fitzgerald, 1896-1940) prozator amerikan; hyri në historinë e letërsisë si
përfaqësues i „epokës së jazz-it“, që pasqyronte shpirtin e të rinjve të
viteve ’20 të shekullit XX.
Frojd, Zigmund (Sigmund Freud, 1856-1939) psikolog dhe psikiatër austriak, me prejardhje
hebraike; themelues i psikanalizës;
Furtvangler, Vilhelm (Wilhelm Furtwängler, 1886-1954) dirigjent dhe kompozitor
gjerman;
Gëte, Johan Volfgang (Johann Wolfgang Goethe,
1749-1832) shkrimtar gjerman;
Ginsberg, Alen (Allen Ginsberg, 1926-1997) poet amerikan;
Hajdeger, Martin (Martin Heidegger, 1889-1976) filozof gjerman; kur Edmund
Huserli (Husserl) për shkak të prejardhjes hebraike u dëbua nga
universiteti, vendin e tij e zuri Hajdegeri;
Hanke, Herbert (1915-1996) prozator dhe poet amerikan;
Heminguei, Ernest (Ernest Hemingway,
1899-1961) prozator amerikan; laureat i çmimit „Nobel“ (1954); përfundoi me
vetëvrasje, me pushkën e gjahut;
Herakliti (sipas Apolodorit, Efes, 544 – rreth 480
para K.) filozof antik grek; ishte kundërshtar i demokracisë. Pas fitores së
demokracisë në qytetin e tij të lindjes, Efes, refuzoi të merrte pjesë në jetën
shtetërore. Nga vepra e tij “Mbi natyrën” janë ruajtur rreth 130
fragmente autentike. Shprehja e njohur “Çdo gjë rrjedh”(Panta rei) shpreh njërin prej mendimeve kryesore
të Heraklitit, sipas të cilit i gjithë realiteti ndodhet në ndryshime të
vazhdueshme.
Huserl, Edmund (Edmund Husserl, 1859-1938) filozof gjerman me prejardhje hebraike;
Kasidi, Nil (Neal Leon Cassady, 1926-1968) poet amerikan;
Kater, Vila (Willa Cather, 1873-1947) prozatore
amerikane;
Kauli, Malkolm (Malcolm Cowley, 1898-1989) shkrimtar, poet, kritik letrar amerikan;
Keruak, Xhek (Jack Kerouac, 1922-1969) shkrimtar amerikan;
Kiefer, Anselm (1945-) piktor dhe skulptor gjerman;
Kokoshka, Oskar (Oskar Kokoschka, 1886-1980) piktor, poet, dramaturg
austriak;
Korso, Gregori (Gregory Nunzio Corso, 1930-2001) poet amerikan;
Kriza e Agadirit - Kriza e dytë e Marokut,
e njohur edhe si Kriza e Agadirit, ishte një krizë ndërkombëtare që
shpërtheu kur luftanija gjermane SMS Panther u ankorua në portin Agadir të
Marokut, më 1 korrik 1911;
Lang, Fric (Fritz Lang1890-1976) regjisor austriak-gjerman-amerikan;
Lenin (Vladimir Iliç
Lenin, 1870-1924) filozof, ekonomist dhe punëtor shoqëror - rus;
Louri, Malkolm (Malcolm Lowry, 1909-1957) prozator anglez;
Miler, Henri (Henry Valentine Miller, 1891-1980)
shkrimtar amerikan;
Niçe, Fridrih (Friedrich Nietzesche, 1844-1900) filozof
dhe poet gjerman;
Shik, Oto (Otto Schick) studiues gjerman;
Uells, Herbert Xhorxh (Herbert George Wells, 1866-1946) prozator anglez;
Vajthed, Alfred North (Alfred North Whitehead, 1861-1947) filozof dhe
matematikan anglez, profesor i filozofisë në Harvard;
Veblen, Thorshtajn (Thorstein Veblen, 1857-1929) ekonomist dhe sociolog
norvegjez-amerikan;
Vitenshtajn, Ludvig (Ludwig Wittgenstein, 1889-1951) filozof austriak.
* * *
Shënim: “Brezi i humbur” (Lost Generation)
është shprehje që në kuptim të gjerë nënkupton personat e moshës së njëjtë apo
të afërt në një shtet të caktuar ose në botë, të cilët në fëmijërinë e tyre, në
rini apo në moshën më të mirë, janë goditur nga lufta, nga fatkeqësia e natyrës
apo nga kriza ekonomike. Pjesëtarët e brezit të humbur kanë lënguar nga
sëmundjet, kanë qenë të gjymtuar, janë ballafaquar me varfëri, kanë pësuar
trauma psikologjike, kanë vdekur të rinj. Për dallim nga gjyshërit e tyre apo
nga pasardhësit e tyre, brezi i humbur nuk ka mundur ta realizojë potencialin e
vet të plotë. Në kuptim të ngushtë, në radhë të parë në Evropë apo në botën
perëndimore, me këtë shprehje nënkuptohen brezat e meshkujve të viteve
1880-1900 e këndej, të cilët kanë qenë të aftë që si vullnetarë apo si rekrutë,
të marrin pjesë në Luftën e Parë Botërore. Brezi i humbur është ballafaquar me
një shkallë të lartë vdekshmërie, me plagosje apo me trauma psikologjike.
Shprehjen e popullarizoi Ernest Heminguei (Hemingway) në romanin e tij “Dielli
lind përsëri” (The Sun Also Rises, 1926). Në një kuptim edhe
më të ngushtë shprehja brezi i humbur përdoret për shkrimtarët
amerikanë, të cilët, sikur Heminguei, në vitet ’20 të shekullit XX jetonin dhe
punonin në Paris.
* * *
Shënim: Shprehjen brezi
bit (Beat Generation) e krijoi në vitin 1948
shkrimtari amerikan Xhek Keruak (Jack Kerouac). Ka të bëjë me një grup
autorësh të cilët me veprat e veta i kanë dhënë formë kulturës amerikane në
vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së kësaj
lëvizjeje jokonformiste ilegale të të rinjve u botua dhe u popullarizua gjatë
viteve ’50 të shekullit XX. Brezi i bitistëve edhe sot ka ndikim
të fuqishëm në San Francisko. Bërthamën e grupit e përbënin shkrimtari amerikan
Xhek Keruak (Jack Kerouac), poeti amerikan Alen Ginsberg, prozatori
dhe poeti amerikan Nil Kasidi (Neal Leon Cassady), poeti amerikan
Gregori Korso (Gregory Nunzio Corso), prozatori dhe poeti
amerikan Herbert Hanke dhe shkrimtari amerikan Uilliam S.
Bërouz (William Seward Burroughs). Më vonë grupit iu bashkëngjitën edhe
krijues të tjerë.
* * *
Veprat: “Rënia e
Perëndimit - projekt për morfologjinë e historisë së botës” (Der Untergang
des Abendiandes – Umrisse einer Morphologie der Weltgeschichte, 1918-1922);
“Prusianizmi dhe socializmi” (Preußentum und Sozialismus, 1919); “Njeriu
dhe teknika” (Man and Technics, 1931); bestselleri “Ora e
vendimit” (Jahre der Entscbeidung, 1933); “Urfragen” (posthum,
1965).