| E merkure, 06.04.2022, 09:45 PM |
Nocioni i "malokut" është mentalitet politik e institucional në Shqipëri!
Nga
Enver Bytyçi
Emërtimi
"malok" nuk është i këtij shekulli. Ka të dhëna se ky emërtim mund të
jetë dy ose tre shekullor. Por "maloku" si nocion përbuzës dhe
pezhorativ është bërë pjesë e fjalorit politik shqiptar në shekullin e kaluar,
sidomos pas Kongresit të Lushnjës dhe zhvillimit të pluralizmit politik në
Shqipëri. Prej këtu u përhap kjo katëgori fjalësh në skenën politike shqiptare.
Shumë "studiues" të ditëve të sotme po përpiqen të merren me këtë
temë. Tendenca është që ata të thonë: "Pse mërziten "malokët"
kur ne u themi "malokë"? Ata vetë e kanë përdorur këtë term kundër
njëri-tjetrit"! Dhe qëmtojnë sikur një shkodran i paska thirrur një
malësori të Shkodrës me këtë emërtim. Madje e lëshojnë këtë fjalë edhe në gojën
e Fishtës a të dikujt tjetër.
I
gjithë ky lloj diskursi është për të larguar përgjegjësinë politike e
shtetërore për shprehjen e urrejtjes krahinore përmes këtij nocioni. Sikur
gjithë e keqja të qëndronte në faktin se kush e si u përdor për herë të parë e
të fundit fjala "malok", nuk do të ishte ndonjë hata e madhe! Kur
dikush i thërret dikujt "hej malok!", ai shfaq karakterin e tij.
Nxjerr në pah egon e tij, maninë e epërsinë mbi tjetrin dhe përpjekjen për
imponim. Këto karakteristika i shohim sa herë kryeministri i Shqipërisë flet
për "shpellarë", ose "alpinë"! Por ato i shohim edhe te ata
që përpiqen të shpallen si "njerëzit më të ditur" të këtij vendi e në
fakt shprehin urrejtje dhe përbuzje për tjetrin.
Mustafa
Nano në një libër të tillë e trajton përdorimin e këtij fjalori në histori dhe
në aktualitet. Ai përpiqet të provojë se emërtimi "malok" është
burimore në veri, në Shkodër. Por këtë "provë" ai e përdor si të
drejtë për të sulmuar me këtë nocion politikanët e veriut, para së gjithash
Sali Berishën. Kur Gafurr Mazrreku kreu atentatin e tij kundër Azem Hajdarit në
sallën e parlamentit, (1998) kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, nuk e kurseu
fjalën "arkaik" për ta, gjithnjë niisur nga fakti se ata vinin nga
veriu i vendit. Në mediet shqiptare me porosi politike gjatë emëtimit të kronikës
së zezë, malokëve" u kumtohej deri vonë prejardhja.
Përdorimi
i emërtimit "malok" direkt ose përmes nën-herësve të tij është
rigjallëruar pas shembjes së komunizmit. Në analizën time fyerja që u bëhet
malësorëve duke i thirrur "malokë" shkon përtej një zhargoni të
zakonshëm. Kudo në botë ka epitete të një krahinë ndaj një tjetre, të një
entiteti kundrejt një tjetri, ose ndaj grupimeve të caktuara të popullsisë. Por
ato shkojnë deri te shakatë dhe përdorimi jo politik e aq më pak institucional
i tyre. Genta Bunga është rasti I fundit. Ajo është anëtare e një institucioni
të caktuar. Si përfaqësuese e shtetit tha se Elisabeta Ymeraj nuk duhet të jetë
në sistemin e drejtësisë, sepse na duhet "një maloke më pak"! Mjafton
kjo sentencë për të kuptuar se përdorimi i kësaj skeme përbuzëse e fyese nga
një institucion shteti nuk drejtohet vetëm kundër subjektit në fjalë, por
kundër të gjithë veriorëve të klasifikuar në nocionin e "malokëve"!
Pra,
bazuar në një përbuzje krahinore, shkurt rracore, përfaqësuesit e shtetit, madje
ata që merren me drejtësinë dhe na thonë se do ta bëjnë atë, kryejnë akte
kriminale të tilla diskriminimi, deri në linçimin e punonjësve të drejtësisë
për shkak të prejardhjes apo origjinës. Përdorimi shtetëror e institucional i
këtij termi është përpjekje kriminale, sepse bie ndesh me kushtetutën dhe
ligjet e vendit. Nuk po flasim për atë se cënon lirinë dhe demokracinë, sepse
këto dy nocione nuk ekzistojnë më në shtetin mafioz të Edi Ramës.
Përdorimi
politik e institucional I fjalës "malok" ka çuar në një dasi të
thellë krahinore në Shqipëri. Në periudhën e komunizmit ishte zbehur kjo
praktikë jo aq shumë për shkak të diktaturës, sa për shkakun se regjimi i kohës
në kushtet e dhunës mizore nuk kërcënohej nga "malokët"! Kur në krye
të shtetit erdhi Sali Berisha, e deri më sot, nocioni i "malokut" u
përhap me shpejtësinë e zërit pikërisht për shkak të pushtetit. Por nuk ishte
pjesë e sistemit shtetëror! Nëse në Shqipëri kemi sot dy harta politike të
rezultatit zgjedhor, të kuqe e blu, siç ndodhi më 25 prill të vitit të kaluar,
kjo ndodh edhe për shkak të nxitjes së urrejtjes Veri-Jug. Edi Rama e përdori
direkt në një miting elektoral në Vlorë insinuatën se "Nëse votoni PD-në,
do ju vijnë "malokët" këtu"! E ndërkohë Vlora, Durrësi, Saranda,
Himara, Ksamili etj, sipas Ramës, duhet të zhvillohen e të kënaqen me turizmin
e "malokëve" kosovarë!
Këtyre
"malokëve" shteti ua merr të gjitha pasuritë. Dhe sikur t'i përdorte
për zhvillimin e vendit, qoftë dhe në jug të Shqipërisë, do të ishte gjysma e
të keqes. Por pasuritë e veriut (të malokëve) përdoren për pazare mafioze nga
kryeministri dhe ministrat e qeverisë shqiptare. Ushqimi ideologjik anti-verior
vendosi në Kalimash traun e Rrugës së Kombit, gjë që nuk u vendos në asnjë
autostradë ose superstradë tjetër të Shqipërisë. Për ta kamufluar këtë të
vërtetë, shpesh herë qeveria e propaganda e saj prodhon lajme se "do të
vendoset këtu ose aty pagesa në fjalë"! Por në të vërtetë askush nuk guxon
ta bëjë këtë në Vlorë. Autostrada Tiranë-Vlorë është 140 km, ndërsa ajo Milot -
Morinë 100 km. Por te kjo 100-shi "malokët" paguajnë 10 euro
shkuarje-ardhje. Në atë 140-shen asnjë grosh. Madje edhe prishtjet e banesave
në dobi të oligarkëve bëhen sipas psikozës së luftës kundër
"malokëve"!
Nocioni
"malok" është një koncept dhe përdorim jo thjesht pezhorativ. Eshtë
paraprirje e diskriminimit institucional, politik dhe shtetëror. Kështu
funksionojnë të gjitha strukturat e shtetit tek ne. Me këtë standard u spastrua
administrata shtetërore dhe qeverisja nga "malokët" kur në fuqi erdhi
Rilindja. Me këtë mentalitet e spastroi Erion Veliaj bashkinë e Tiranës në
vitin 2015. Me këtë psikozë shkojnë fondet te bashkitë jo-maloke. Dhe spazma e
gjithë kësaj rrjete diskriminimi shkon deri të aksioma elektorale e Rilindjes se "Nëse zgjidhni kundërshtarin,
"malokun", atëherë nuk do të keni burime financiare për
zhvillim".
Këtë
diskurs askush nuk përpiqet ta ndalojë. Qeveria jo e jo, sepse ajo vetë e
kryeson luftën krahinore, madje nxit dasitë dhe urrejtjen. Dhe natyrisht që një
qeveri mafioze dhe e mafies nuk mund të vegjetojë e të sundojë pa përçarje dhe
urrejtje. Genta Bunga me siguri ka marrë përgëzime të përzëmërta nga kreu i
qeverisë. Eshtë e kotë të presësh që ajo të ndëshkohet. "Malokizmi"
është kthyer në një bërbindësh diskriminues i miratuar në institucionet
shqiptare të shtetit. Nga ana tjetër e mbështet zonja Kim, për të cilën thuhet
se është shprehur, "Kujdes gjatë vetingut ata të veriut, sepse janë
kokëfortë"! Fatkeqësia qëndron gjithashtu në faktin se shumë ndërkombëtarë
që lidhen me vetingun janë blerë nga Edi Rama dhe Soros. Gjithnjë për të
çimentuar pushtetin arrogant, mafioz e tiranik të Ramës.
Kjo
situatë alarmante duhet ndryshuar. Nëse nuk e bëjnë këtë institucionet
shtetërore, atëherë do ta bëjnë qytetarët. Se kur, është thjesht çeshtje kohe!
Por durohet gjithçka, ndoshta edhe varfëria. Varet si je mësuar të jetosh!
Ndërsa diskriminimi është i padurueshëm për çdo rracë njerëzore.