| E hene, 04.04.2022, 07:21 PM |
Ndue Ukaj:
Arkitektura
ndikon pamatshëm në psikologjinë dhe formimin estetik të një populli, pra në
arkitekturën shpirtërore të tij.
Sepse,
arkitektura madhështore na flet, na gjallëron dhe na fisnikëron, ashtu siç na
flet dhe na fisnikëron një roman i mirë, një poezi mahintëse, një operë
madhështore apo një pikturë tërheqëse. Me një fjalë, arkitektura ka fuqi të
jashtëzakonshme estetike për edukimin dhe formimin e njeriut, sidomos për
formimin e ndjenjave të tij estetike.
Përpara
një objekti madhështor, qëndrojmë të stepur, meditojmë, flasim me të, marrim
mesazhe.
Arkitektura
humane, me hapësira, sheshe, tempuj bukurie, ndikon te njerëzit, që ata të jenë
më të qetë, më mendjehapur dhe më të lumtur. Në fakt, arkitektura nxit edhe
ndjenjat e lirisë dhe të madhështisë.
Krahasuar
me vendet tjera europiane, ku arkitektura ka një traditë të pasur dhe përbën
vlerë të jashtëzakonshme, arkitektura në vendet tonë vazhdon të mbetet e
shkretë. Na mungojnë ndërtimet madhështore, tempujt e bukurisë, sheshet,
parqet, rrugët e bukura, qetësia.
Për
rëndësinë dhe dimensionin simbolik të arkitekturës, ka shkruar semiologu dhe
shkrimtari Umberto Eco. Ai ka thënë se përdorimi i kodeve nuk është i brendshëm
për arkitekturën, sepse shumë kode arkitekturore, janë në fakt të një natyre
simbolike, kulturore, shoqërore dhe politike, dhe për këtë arsye, arkitekti
duhet të futë punën e tij në kontekste më të gjera dhe multidisiplinare, dhe
shton se, arkitekti është një semiotik,
antropolog, sociolog dhe politikan në të njëjtën kohë. Më tej Eco flet dhe për
funksionet e arkitekturës, duke mos u ndalë të ai primari, por edhe te mesazhi
që ajo jep.
Shqiptarëve
u coptohet zemra tek shikojnë botën
perëndimore dhe mendojnë për shëmtitë arkitektonike të qyteteve tona, që
realisht kurrë s' u bënë qytete në kuptimin e qytetërimit, por mbeten disa
vendbanime të ngulfatura dhe pa kurrfarë shije estetike, me përjashtime shumë
të vogla.
Katedrala
e Shën Gallenit e kompletuar në vitin 1767 është një kryevepër artkitektonike e
stilit barok, kurse pjesa e brendshme e saj është një nga monumentet ma të
rëndësishme të barokut në Zvicër.
Katedrala
është simbol i qytetit të St.Gallen dhe së bashku me distriktin Abbey dhe
Bibliotekën Abbey, formon një ansambël unik historik, duke zënë një vend në
Trashëgiminë Kulturore Botërore të UNESCO-s nga viti 1983.